Mendimi ekonomik dhe “planifikimi”

1364
Sigal

Mendimin ekonomik “, si term dhe përmbajtje trajtuar e komentuar gjerësisht, haset qysh në lashtësi te filozofë e mendimtarë Grekë e Romak, nga Platoni dhe Aristoteli dhe deri te homologët e tyre të shquar në të gjitha etapat e zhvillimit të shoqërisë njerëzore, kudo nga Evropa plakë, Kina dhe Amerika. Kurdoherë, drejtuesit e  parë të shteteve, monarkë apo prijës republikanë, janë udhëhequr nga mendimi ekonomik i përparuar dhe bashkë me ekonomistët e filozofët, kanë kërkuar e përdorur metodat me efikase për drejtimin dhe zhvillimin e ekonomive të vendeve të tyre. “Grisjet politike”, pavarësisht nga pozicioni dhe kahja e tyre, e dëmtojnë mendimin e mirëfilltë ekonomik, që duhet të rruhet i pastër për të qenë jashtë dhe mbi partitë politike, sepse ato shpesh me grupe njerëzish me interesa direkt personale, përpiqen për pasurim vetjak, nëpërmjet korrupsionit dhe vjedhjeve.

Kështu duhet ta trajtojmë dhe të ashtuquajturin mendim ekonomik të periudhës socialiste. Nuk mund të bëhet asnjë iluzion për barbarinë e politikaneve të dështuar të periudhës socialiste të zhvillimit në vendet e lindjes, që ishin sa terroriste dhe utopikë, sepse predikuan dhe provuan shtetëzimin dhe kolektivizimin e detyruar në çdo gjë dhe izolimin e vendit nga mjedisi për rreth, ndërsa te ne, në Shqipëri, kaluan deri te reformat qesharake për krijimin e “tufëzave dhe arrëzave”. Por, nga përvoja dhe krahasimi i dy periudhave të një pas njëshme, (edhe në kushtet e krizës së sotme ekonomike të zhvillimit) mendoj se nuk duhet hequr dorë plotësisht nga principi i zhvillimi të planifikuar dhe drejtimi i centralizuar me norma e normativa të studiuara shkencërisht, sipas mendimit ekonomik e tekniko-shkencor të përparuar, mandej edhe në kushtet e zhvillimit të bashkësive ndërshtetërore. Ndryshe, përse do na duhej shteti dhe më tej, Bashkimi Europian? Si shembull për këtë mund të vlejë pjesërisht “Sistemi Kinez” i drejtimit të ekonomisë, pavarësisht emrit që pretendojnë ta pagëzojnë atë. Për argumentim mund të merret përvoja në drejtimin e planifikuar të Fermave Bujqësore Shtetërore në vendin tonë nga vitet 70-90, kur u arrit një përsosje relative e zhvillimit ekonomik e shoqëruar me rezultate krahasuese të larta në prodhim, rendiment dhe kosto. Ish “Ndërmarrjet Bujqësore Shtetërore”, me 170.000 ha tokë, zinin 24.3% të gjithë sipërfaqes së tokës së punueshme në vendin tonë.

Në Fermat Bujqësore Shqiptare, të shpërndara në krejt vendin, u përfshinë veprimtari bujqësore e blegtorale dhe ato u drejtuan të zhvillohen të harmonizuara dhe në plotësim të nevojave për njëra- tjetrën. Është fakt i padiskutueshëm se ndërmarrjet shtetërore bujqësore, shpejt ia ndruan faqen Bujqësisë Shqiptare, duke e vendosur krahas ekonomive të përparuara të vendeve fqinje në perëndim dhe duke e quajtur sukses të rëndësishëm prodhimin e drithërave për nevojat e vendit.

Mendoj se sot, në këtë ritëm të ulët zhvillimi e ndryshimi, ka vend ende për një drejtim të centralizuar shtetëror, orientuar nga planifikimi, normimi dhe unifikimi dhe vendosja e standardeve superiore, caktuar e zgjedhur nga institutet e specializuara studimore e shkencore. Pikërisht kjo mungoi në këto vite të tranzicionit të stërgjatë, kur u shpresua se do realizohej zhvillimi e përparimi i vrullshëm, nëpërmjet shkatërrimit duke vepruar të nisur nga “kuota zero”. Për këtë synim u përmbys çdo arritje “socialiste”, duke besuar e propaganduar se, si me magji, do të zgjidhte çdo vështirësi dhe do vendoste harmoninë dhe zhvillimin e shpejtë e të përgjithshëm, “ligji i konkurrencës së lirë dhe ndikimi çudibërës spontan i ekonomisë së tregut”.

Por, faktikisht, po kalojnë 22 vjet dhe me gjithë ndryshimet e pakta, pas shkatërrimeve barbare të çdo gjëje të ndërtuar në sistemin e bonifikimit të tokave dhe sistemit të kanaleve vaditëse e kulluese, prishjes së serave dhe stallave etj., prerjes së pyjeve, mos kryerjes së shërbimeve në vreshta e ulli, etj., si dhe bllokimit të industrisë përpunuese e konservuese, ende jemi shumë larg niveleve në prodhimet bujqësore të arritura para viteve nëntëdhjetë, me rrezik stanjacioni e krize. Nuk bëj thirrje të kalohet p.sh. te sistemi i ndërmarrjeve bujqësore shtetërore, se kjo është e pamundur pas zbatimit të ligjit me plotë mangësi 7501, që ndau edhe shume toka të reja, të krijuara pas bonifikimit dhe tharjes së kënetave. Jo të kthehemi mbrapa, për të drejtuar gjithçka nëpërmjet sistemit të planifikimit standard, por të përdoret njëkohësisht edhe drejtimi i zhvillimit të planifikuar normativ shtetëror, sipas kritereve unike, për të paraprirë zhvillimin ekonomik e për të vendosur aplikime të detyruara sipas studimeve tekniko- shkencore dhe llogaritjeve e përcaktimeve, deri me metoda precize të matematikes se aplikuar në ekonomi, të programimit linear, gjeometrik e dinamik, planifikimit rrjetor, etj. Kështu duhet të përfundojnë e të jenë të detyruara për zbatim planet rregulluese të zhvillimit të qyteteve nga ana urbanistike në harmonizim zhvillimi për të gjitha degët social ekonomike, sipas raporteve optimale të nevojshme; Me këto kritere duhet të hartohet  për periudha të gjata dhe shumë të gjata, strategjia e zhvillimi ekonomik, ku vend të rëndësishëm të ketë edhe bujqësia, si faktori kryesor i mirëqenies së popullit dhe për  rolin dominues që ka ajo në mbështetjen e degëve të tjera jetësore, të turizmit dhe të industrisë ushqimore.

Dihet që aktualisht, me ndarjen e tokës bujqësore, pyjeve dhe kullotave, sipas ligjeve  në fuqi, është bërë fragmentimi i thellë i saj në parcela të vogla, çka nuk krijon mundësitë e zhvillimit intensiv të bujqësisë. Për këtë lind si domosdoshmëri zgjerimi i sipërfaqeve për çdo fermë private. Kjo mund të arrihet duke krijuar ekonomi relativisht të mëdha me mbi 50-60 ha. p.sh., sipas përvojës Holandeze, nëpërmjet ndërhyrjes ligjore e shtetërore për pakësimin nëpërmjet blerjeve me çmime të pranueshme nga shteti të sipërfaqeve në pronësi (pas rikthimit “ish pronarëve”) të tepricave mbi këtë limit, si dhe duke ja shitur fermerëve të tjerë me sipërfaqe më të pakët (deri te ky limit prej 50-60 ha.). Vlefta e tokës së blerë nga fermerët me çmime të pranueshme, mund t’i shlyhen shtetit  gjatë një periudhe relativisht të gjatë kohe direkt, ose me ndihmën e kredive bankare të buta. Favorizimi shtetëror i ekonomive bujqësore private me kredi të buta, mbrojtja  preferenciale e prodhimit vendës nga sistemi fiskal e doganor (import-eksporti), përfshirë blerjet nga importi pa doganë i mekanikës bujqësore, kafshëve të racës, plehrave, farërave, preparateve kimike etj,  ulje preferenciale në çmimet e karburanteve, si dhe shembuj të tjerë preferues për bonuse, sipas modeleve përkatëse të shteteve në perëndim, duhet të jenë politika të përhershme mbështetëse e stimuluese të fermave private bujqësore shqiptare.

Kujdesi për grumbullimin, përpunimin, shpërndarjen për vend dhe eksport, ndërtimi dhe mirëmbajtja në rrugët rajonale e nacionale, pajisja me mjetet e transportit të posaçme, në mënyrë që mos të ndihet asnjë lloj rreziku në prishjen  dhe dëmtimin e produkteve bujqësore e blegtorale është një tjetër detyrë e rëndësishme që duhet të jetë objekt planifikimi e zbatimi, nën drejtimin e instituteve të posaçme studiuese dhe koordinuese shtetërore.

Së fundi, në përmbledhje të mendimit tim, (pasi më del gjithnjë para sysh me keqardhje shkatërrimi total i bujqësisë sonë, sipas politikës së “kuotës zero”) do vazhdoj t’u them lexuesve më tej, se nuk duhet të trembemi nga termi “planifikim” perspektiv shumë vjeçar dhe vjetor e operativ (reminishencë nga e kaluara socialiste), që mund të kuptohet dhe parashikim, programim, mendim ekonomik i studiuar shkencërisht, normativ e i detyruar, sepse mendimi, parashikimi, planifikimi është karakteristikë e mendjes njerëzore, pararendës për çdo hap veprues faktik, në dallim nga qeniet e tjera të tokës e të qiellit. Sa më mirë ta planifikojmë zhvillimin ekonomik e shoqëror, aq më efektivitet do sigurojmë, aq më thellësisht do t’i shfrytëzojmë rezervat dhe burimet potenciale ekzistuese dhe do parashikojmë zbulimet e reja, aq me shpejt do ta risim mirëqenien dhe cilësinë e jetesës. Në këtë drejtim do të ndihmojnë institucionet përkatëse planifikuese e shkencore dhe modelet shtetërore pilot, që detyrat për zhvillimin ekonomik të vendit, të programohen maksimalisht dhe të drejtohen e kontrollohen edhe në mënyrë të centralizuar.

Ekonomist Luan Çipi