Marketet në Fier, Korçë e Pogradec, me ushqime të skaduara

590
Sigal

Me ardhjen e sezonit turistik veror janë shtuar dhe shqetësimet mbi cilësinë e produkteve ushqimore që tregtohen nga subjektet. Kanë qenë të shumta rastet ku janë gjetur shkelje të rënda të sigurisë ushqimore, në subjektet që shesin produkte ushqimore të skaduara apo jashtë kushteve higjieno-sanitare. Së fundmi, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit gjatë kontrolleve në qytetet Fier, Pogradec dhe Korçë ka konstatuar sasi të konsiderueshme ushqimesh që shiteshin në markete të skaduara. Kështu, në subjektin me aktivitet “Market Ushqimor”, Ndërmenas (Fier), u konstatua një sasi e konsiderueshme produktesh të skaduara (karamele, makarona, salcë domateje, pije energjike, llokume, oriz etj). Sipas njoftimit, për shkeljen AKU mori masat “Gjobë” me vlerën totale 300,000 lekë për hedhjen në treg të produkteve me afat të kaluar përdorimi dhe “Bllokimi i produkteve” të pasigurta për konsum human, me qëllim asgjësimin e tyre. AKU ushtroi kontroll në një subjekt tjetër me aktivitet “Njësi tregtimi” në qytetin e Pogradecit, në të cilin u konstatua se subjekti ushtronte aktivitetin në kushte të papërshtatshme higjieno-sanitare Sipas njoftimit për këtë subjekt u mor masa “Gjobë” me vlerën totale 300,000 lekë për mungesë të kushteve higjieno-sanitare. Së fundmi, AKU ushtroi kontroll në një subjekt me aktivitet “Bar-Restorant-Hotel”, në Voskopojë, në të cilin u konstatua se subjekti ushtronte veprimtarinë në kushte të papërshtatshme higjieno-sanitare. Për këtë shkelje AKU mori masën “Gjobë” me vlerën totale 300,000 lekë për mungesë të kushteve higjieno-sanitare.