Lojërat e fatit në EVropë

803
Sigal

Evropa nuk ka në vetvete një model të unifikuar lidhur me sektorin e kumarit. Bashkimi Evropian, edhe pse ka një legjislacion përfshirës për shumë aspekte, këtë pjesë e ka lënë të rregulluar pjesërisht në rregulloret e veta, duke lënë shtetet të vendosin në mënyrë autonome sesi do t’i menaxhojnë lojërat e fatit. Por sot askush nuk ka një model perfekt të funksionimit të këtij tregu. Të dhënat tregojnë se pavarësisht ndryshimeve të shpeshta ligjore, aplikimit të filtrave dhe kufizimeve, sërish modelet sfidohen në dyer gjykatash apo në terren, duke detyruar sërish vendet të kërkojnë shpëtim në tjetër strehë. Me lulëzimin e lojërave elektronike në distancë apo në internet, fokusi i autoriteteve në shtetet evropiane është zhvendosur në këtë pjesë duke tentuar të legalizojnë atë pjesë të rregullt, të ndalojnë faqet abuzuese apo të arrijnë marrëveshje me kompanitë që kanë faqet online që të vendosin kufizime si për shembull: Nëse arrihet një sasi shpenzimi, llogaria e personit që luan të bllokohet automatikisht apo për personat që duan të mos tundohen për të luajtur të regjistrohen në listën e atyre që e kanë të ndaluar të hyjnë dhe të luajnë. Sfida e vërtetë është identifikimi i çdo lojtari me të gjitha të dhënat zyrtare, mbrojtja e të dhënave të tij sensitive në aspektin e privatësisë dhe minimizimi i dëmit potencial nga ekspozimi në disa faqe online.

 Modeli gjerman, francez dhe italian për bixhozin, si rregullohet

Në Gjermani, ligji për lojërat e fatit konsiderohet si pjesë e ligjit për rendin publik dhe rregullohet në nivel shtetëror në secilin prej landeve. Kështu kazinotë me baza në lande të ndryshme licencohen dhe mbikëqyren nga Ministria e Brendshme, ndërkohë që makinat ‘slot’ apo ‘kazinotë elektronike’ mbikëqyren nga zyrat e bashkive. Ministria e Brendshme është përgjegjëse edhe për licencimin e basteve sportive ndërkohë që janë dy autoritete të tjera më vete, që bëjnë licencimin për lojërat apo bastet në televizion dhe ndalimin e pagesave për kumarin e jashtëligjshëm online. Hamburgu është përgjegjës për lotaritë klasike, kurse shteti Rhineland-Palatinate është përgjegjës për organizimin e lotarive kombëtare që operohen në gjithë Gjermaninë. Franca, edhe pse nga e kaluara e saj dukej si një vend që do t’i rezistonte tundimit të lojërave të fatit nuk ia ka dalë dot. Ka pasur fillimisht një ndalim total të lojërave të fatit, por vit pas viti ky qëndrim është moderuar, duke i lënë vendin disa hapësirave për licenca në këtë fushë. Sot për sot, sipas Kodit të Sigurisë të vitit 2012 lejohen kazinotë në resorte në det, termale apo klimatike, ata që klasifikohen si restorte për turistë, me përjashtim të atyre në Paris, kazinotë lejohen në kroçera. Lejohen klubet dhe shtëpitë e bixhozit. Disa klube lojërash mund të ofrojnë lojëra fati nëse autorizohen nga Ministria e Punëve të Brendshme. Këto njësi mund të ofrojnë lojëra me letra dhe vetëm një kategori të veçantë që përfshin; bridge, poker, tarot dhe rummy. Lotaria Kombëtare është një monopol ligjor që operohet nga një operator që i është ngarkuar kjo detyrë. I njëjti operator “La Française des Jeux” është i autorizuar të ofrojë lojëra të basteve sportive. Garat me kuaj zhvillohen nga kompani të autorizuara të cilat organizojë edhe baste për këtë pjesë. Menaxhimi i këtyre basteve i është besuar një konsorciumi i njohur si “Pari Mutuel Urbain”. Operatorët e kazinove elektronike në distancë licencohen nga një autoritet shtetëror për t’ju mundësuar kompanive të ofrojnë lojëra online me letra si poker, baste sportive apo gara me kuaj. Italia është një vend që ka të lejuar pjesën e lojërave të fatit, e lidhur kjo me kazinotë dhe bastet sportive. Theksi më së shumti në legjislacionin italian vihet në një raport të drejtë të kompanive që ofrojnë lojërat e fatit dhe fitimit të lojtarëve. Marrja e një licence është detyruese për kompaninë që ofron lojën, ndërkohë që për të gjithë ata që bëjnë certifikimin e makinetave të lojërave, kontrolli është shumë më i rreptë. Me një dekret të veçantë, Italia ka ndaluar reklamat për lojëra të ndryshme fati në televizion, radio apo kinema duke e parë këtë si një mënyrë që nuk tundon qytetarët sidomos brezin e ri. Në rast se ka një reklamë dhe është injoruar pjesa e kodit, sanksionet shkojnë nga 100 deri në 500 mijë euro. Përjashtuar nga ky rregull është vetëm Lotaria Kombëtare dhe reklamimet në rastet e sponsorizimeve në fushën e kulturës, edukimit, kërkimit dhe sportit, shëndetit.

 Lojërat e fatit në Serbi, modeli i kontrollit të shtetit

Janë tre lloje lojërash që lejohen të zhvillohen në Serbi sipas legjislacionit. Lojërat klasike, lojërat e veçanta dhe ato me shpërblime në të mira dhe shërbime. Lojërat klasike përfshijnë; lotaritë, lotaritë e menjëhershme, parashikimet e sportit, keno, tombola, bingo, fono dhe lotari me SMS apo variante të tjera të ngjashme. Të gjitha këto duhet të organizohen vetëm nga kompania shtetërore “Državna lutrija Srbije” (Lotaria Shtetërore Serbe), që mund të lidhet me kompani të tjera për të organizuar lojëra klasike. Të gjithë operatorët duhet të përmbushin disa kritere të lidhura me kapitalin fillestar apo garanci bankare. Në kategorinë e dytë në lojërat e veçanta të fatit përfshihen lojëra që organizohen në sallone, lojë në makina slot, në kazino elektronike apo lojëra bastesh. Lojtarët në këto raste mund të luajnë me veten ose me të tjerë. Operatorët që zhvillojnë këto lojëra duhet të marrin licencë përkatëse. Licencat edhe për lojërat e fatit në makineta janë 10-vjeçare, por duhet të kenë një distancë 200 metra nga njëri-tjetri. Bastet sportive, distanca 200 metra gjithashtu. Lojërat me çmime organizohen për arsye publicitare dhe pjesëmarrësve u jepet mundësia për të fituar një të mirë ose shërbim. E drejta për organizimin e e-lojërave të fatit i përket “Državna Lutrija Srbije” dhe organizatorët që Departamenti i Lojërave të Fatit ka caktuar këtë të drejtë, duke u dhënë një aprovim përmes një licence 10-vjeçare.

 Lojërat e fatit në Malin e Zi, një “qoshkë” e lulëzuar, pak kritere për investitorët

Mali i Zi është konsoliduar si një destinacion i preferuar i lojërave të fatit, kryesisht online. Ky vend ofron një licencë, e cila ka të integruar organizimin e disa lojërave. Për ta bërë procedurën e thjeshtë, ky shtet vendosi kushte lehtësuese për investitorët në këtë sektor, duke kërkuar një kapital minimal. Operatorët që marrin një licencë për kumarin online në Malin e Zi mund të ofrojnë të gjithë llojet e zbavitjes, përfshirë; slot dhe baste sportive, poker dhe lojëra të tjera me letra kazino live dhe lojëra të tjera fati në internet. E vetmja formë që përjashtohet është lotaria. Licencat për e-kumarin apo lojërat në internet lëshohen më vete sipas një dekreti të 2007-s që legalizoi lojërat në internet.

 

Lojërat e fatit në Bullgari: Kush i përmbush kriteret, merr licencë

Legjislacioni primar u rregullua me Aktin e Kumarit që hyri në fuqi në 1 korrik 2012. Akti i lojërave të fatit merr në konsideratë disa kategori të lojërave të lotarisë, bastet sportive dhe bastet në garat e kuajve dhe qenve, baste në supozimin e fakteve, baste në ngjarje të rastësishme, lojëra në makinat e lojërave dhe lojërave të kazinove. Akti parashikon së pari një lotari tradicionale ku të gjitha biletat e lëshuara me numra të caktuar serialë shiten. Organizohet në intervale të përcaktuar kohe.

Bingo, e cila funksionon vetëm përmes parave që gjenerohen nga shitja e biletave. Lotari me numra, e cila bazohet në numra specifikë, kombinime numrash, shenjash apo figurash, siç janë; totto, loto, bing, keno dhe lloje të tjera të ngjashme. Lotari e momentit ku kombinimi i numrave apo shenjave ndodhet nën një mbulesë mbrojtëse dhe duhet të zbulohet. Bastet sportive ato të garave me kuaj dhe ato me qen lejohen gjithashtu. Bullgaria është ndër të paktat vende që nuk përcakton ligjërisht monopol shtetëror për lojëra specifike fati. Çdo operator privat që përmbush kushtet e nevojshme, mund të marrë licencë dhe të ushtrojë aktivitet. Përjashtim bëjnë kompanitë me bazë në offshore të cilave nuk u lejohet dhënia e licencës.

 Lojërat e fatit në Greqi, tregu me modele monopoli dhe oligopoli

Ligji më i rëndësishëm lidhur me lojërat e fatit në Greqi është 4002/2011. Sipas parashikimeve në këtë ligj, operimi i kazinove elektronike dhe lojërat e fatit në internet rregullohen në mënyrë specifike. Këto parashikime ligjore nuk aplikohen për kazinotë, bastet sportive dhe garat me kuaj që nuk ofrohen në internet. Ndaj të gjithë lojërat online të fatit operohen në bazë të një sistemi të kufizuar licencimi. Përveç lojërave të fatit, bastet ofrohen vetëm nga OPAP SA, bastet për garat e kuajve ofrohen vetëm nga “Horseracing S.A” dhe kazinotë licencohen përmes një sistemi me licenca të kufizuara. Autoriteti përgjegjës për lëshimin e licencave është Komisioni për Monitorimin dhe Kontrollin e Lojërave të Fatit, që është përgjegjës gjithashtu për mbikëqyrjen dhe monitorimin e këtyre lojërave. Ndaj lojërat e fatit në Greqi rregullohen në bazë të një sistemi oligopol për kazinotë online dhe lojërat e tjera të fatit online dhe në një sistem monopoli për bastet dhe kazinotë që nuk janë online.Monitor