Ligji i ri për shitjen e pasurive të sekuestruara

834
Sigal

Pr/ligji i ri i jep të drejtën AAPSK-së të shesë zotërimet e luajtshme pa pritur vendimin e konfiskimit nga gjykata

Pasuritë e sekuestruara, rregullohet zinxhiri nga sekuestro tek shitja

Të gjitha materialet e sekuestruara do të administrohen nga një agjenci e vetme

Volumi gjithnjë e në rritje i pasurive të sekuestruara paraqet nevojën për përmirësime të mëtejshme ligjore. Ministria e Financave ka bërë gati një projektligj, nëpërmjet të cilit synon të përmirësojë procesin e miradministrimit të pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara. Çështja e administrimit të pasurive është diskutuar shumë në forumet ndërkombëtare dhe rajonale. Standardet përkatëse ndërkombëtare theksojnë, se juridiksionet duhet të kenë mekanizma ligjore për të menaxhuar në mënyrë efektive pasurit e ngrira dhe të konfiskuara. Për të administruar me sukses pasuritë ekziston një trend në rritje sipas të cilit juridiksionet duhet të krijojnë një zyrë qendrore kombëtare të administrimit të pasurive si nevojë për të administruar pasuritë “e vështira”, për shembull kafshët, kompanitë, fondet e besimit dhe pasuritë e paluajtshme hipotekare, qoftë për rastet e brendshme, por edhe nisur nga kërkesat e shumta të institucioneve ndërkombëtare gjithnjë në rritje. Pa akte normative, mekanizma të përshtatshëm, struktura dhe bashkëveprim mes tyre, sekuestrimi dhe konfiskimi janë një proces i paplotësuar dhe joefektiv, arsyeton Ministria e Financave. Shqipëria është strukturuar mirë në lidhje me administrimin e pasurive, megjithëse nevojiten zhvillime të mëtejshme për të maksimizuar ekzistencën e AAPSK-së dhe për ta shfrytëzuar plotësisht këtë burim, në përputhje me praktikat më të mira. Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK) është një agjenci administrative e ngritur në kuadër të Ministrisë së Financave. Funksioni i saj kryesor është administrimi i pasurive pas sekuestrimit deri në kthimin e tyre ose konfiskimin përfundimtar, sipas vendimeve të gjykatës. Megjithatë, AAPSK-ja në bazë të VKM  nr. 687, dt. 05.10.2011 “Për Organizimin, Kompetencat dhe Funksionimin e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, si dhe mënyrën e administrimit të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara”, i ndryshuar, kryesisht administron pasuritë e sekuestruara/ konfiskuara vetëm sipas ligjit 10192/2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, i ndryshuar, ndërkohë që pasuritë e sekuestruara/ konfiskuara në procesin penal i mbesin për administrim Gjykatës, e cila i vetëmenaxhon ose ia cakton administrimin një burimi të jashtëm dhe në shume raste, mbesin të pa administruara fare dhe në mëshirë të fatit.

AAPSK duhet të administrojë të gjitha pasuritë e sekuestruara

Në relacionin përkatës, ministria e Financave arsyeton se, si një institucion plotësisht funksional, me staf dhe me fonde, AAPSK-ja kombëtare duhet të administrojë të gjitha pasuritë e sekuestruara, qoftë civile dhe penale, për të qenë plotësisht efektive. Por Gjykatat e Rretheve gjyqësore nuk janë të detyruara t’ia kalojnë AAPSK-së për administrim, pasuritë që sekuestrohen / konfiskohen gjatë proceseve penale që ato zhvillojnë, pasi nuk ka një ligj që t’i detyrojë ta bëjnë. Për rrjedhoje, vjen si domosdoshmëri miratimi i këtij projekt-ligji, “Për administrimin e pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara”. Strukturat e zbatimit të ligjit dhe prokurorët shqiptarë, si dhe vlerësuesit e jashtëm kanë raportuar një nivel të lartë të konfuzionit të roleve dhe strukturave brenda procesit të konfiskimit të pasurisë në Shqipëri. Përqendrimi i administrimit të të gjitha pasurive do ta lehtësonte këtë nga pikëpamja e administrimit të pasurive. Ai gjithashtu lejon stafin Brenda AAPSK-së të ndërtojë nivelin e ekspertizës për të qenë plotësisht efektiv. Projektligji “Për administrimin pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara” synon, të ngrejë në një nivel më të lartë të gjithë procesin aktual të administrimit të pasurive, duke vendosur në themele ligjore procedurën që ndjek Agjencia, që nga momenti i parë i ekzekutimit të Vendimit të sekuestros, me marrjen në dorëzim të pasurive që do të administrohen, duke vijuar më pas me menaxhimin e tyre, sipas mënyrave dhe formave specifike në varësi të llojit të pasurisë, e duke mbyllur qarkun e administrimit, me anë të procesit të destinimit përfundimtar të pasurive që konfiskohen. Një objektiv tjetër është ai i përfshirjes së të gjitha pasurive që sekuestrohen dhe konfiskohen (si në procesin penal ashtu edhe në atë parandalues) në fushën e veprimit të AAPSK-së, duke e përqendruar administrimin e të gjitha pasurive me prejardhje të paligjshme në një institucion të vetëm.

Agjencia e Administrimit do të shesë pronat e luajtshme, pa pritur vendimin e gjykatës për konfiskim

Synim tjetër i ndryshimeve është edhe shtimi i kompetencës për shitjen e pasurive të luajtshme, të cilat prishen, amortizohen apo u bie vlera shpejt, qysh në fazën e sekuestrimit, duke mos pritur vendimin përfundimtar të konfiskimit. Përdorimi i kësaj procedure do të bënte që vlera e realizuar nga shitja e pasurisë të ruhej në një llogari bankare të veçantë, e në rast revokimi të sekuestrimit t’i kthehej pronarit të ligjshëm, ndërsa në rast konfiskimi të kalonte në buxhetin e shtetit. Shitja e parakohshme e këtyre pasurive të sekuestruara do të sillte një përfitim për të gjithë, pasi jo vetëm ruhet vlera momentale e pasurisë së luajtshme (autoveturë, pajisje teknologjike dhe IT, gjë e gjallë etj.), vlerë e cila do të humbte fare, në qoftë se këto pasuri do të mbaheshin deri në përfundim të afateve procedurale gjyqësore, por edhe shkurton ndjeshëm shpenzimet e Agjencisë për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e tyre. Së fundmi, projektligji i ri synon që të shërbejë edhe si ligj organik për Agjencinë e Administrimit të  Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, duke përcaktuar me norma ligjore organizimin, funksionet dhe kompetencat e saj./Monitor