Kushtet dhe kategoritë që përfitojnë pension familjar. Trajtimi i jetimëve, grave te veja, prindërve dhe nipërve

397
Sigal

Ja kushtet dhe kategoritë që përfitojnë pensionin familjar

Kërkesat për vijimin e përfitimit të pensionit familjar duhet të paraqiten pranë strukturave të sigurimeve shoqërore të vendbanimit të përfituesit. Autoritetet e ISSH-së sqarojnë se, në rastet kur mbaron afati i pagesës, çdo përfitues duhet që kërkesën për vazhdimin e pensionit familjar, ta paraqesë pranë agjencisë lokale të sigurimeve shoqërore të vendbanimit sipas gjendjes civile, të cilës duhet t’i bashkangjisë edhe dokumentacionin e kërkuar për këtë lloj pensioni.

Pesë janë kategoritë që kanë të drejtë të aplikojnë për pension familjar. Për secilën prej tyre janë përcaktuar edhe kushtet kur mund të aplikohet për këtë lloj pensioni, të cilat i gjeni të detajuara në vijim të shkrimit.

Pensioni familjar është pjesë e pensionit që kishte ose i takonte të ndjerit/ës. Sipas kushteve të përcaktuara në ligjin e sigurimeve shoqërore, për këtë lloj pensioni përcaktohet se: Personi i ve, merr 50 për qind të pensionit që gëzonte ose do të gëzonte i ndjeri apo e ndjera kur është i vetëm. Ndërkohë që për çdo pjesëtar tjetër merr 25 për qind, por me kusht që shuma e pensionit të mos kalojë 100 për qind të masës së përcaktuar të tij.

Në rastet kur e veja nuk është pjesëtare e pensionit familjar, dhe përfitues është vetëm një jetim, masa e pensionit për jetimin është 50 për qind e pensionit që gëzonte ose do të gëzonte i ndjeri. Ndërsa kur e veja nuk është pjesëtare e pensionit familjar dhe përfitues janë dy ose më shumë persona, masa e pensionit familjar për secilin prej tyre është 25 për qind, por jo më shumë se 50 për qind e pensionit që gëzonte ose do të gëzonte i ndjeri. Referuar kushtit të përcaktuar, në asnjë rast shuma e një pensioni familjar nuk duhet të kalojë masën e pensionit që merrte ose do të merrte personi që vdes.

“Jetimi merr pension familjar edhe në qoftë se prindi që jeton është i punësuar, është ekonomikisht aktiv ose merr një pension si të drejtë të tij. Në këtë rast, masa e pensionit për çdo jetim ose person tjetër që përfiton është 25 për qind e pensionit që i takonte të ndjerit, por jo më tepër se 50 për qind e tij. Ndërsa jetimi që humbet të dy prindërit, merr një pension jetimi për secilin prej tyre”, bëjnë me dije autoritetet e sigurimeve shoqërore.

Ky lloj përfitimi ndërpritet në rastet kur personi që mbetet i ve, vendos të martohet. Dokumentat që duhet të shoqërojnë kërkesën për pension familjar përfshijnë ato që vërtetojnë moshën dhe identitetin e përfituesit, dokumentet që vërtetojnë periudhat e sigurimit dhe llojin e punës, dokumentat që vërtetojnë të qënit në ngarkim të të ndierit/ndjerës, si dhe dokumentat që vërtetojnë të ardhurat e realizuara.

Kushtet\ Kategoritë që përfitojnë pensionin familjar

E veja, kur është:
Mbajtëse e një fëmije që ishte në ngarkim të të vdekurit, deri në moshën 8 vjeç.
E paaftë për punë.
Ka mbushur moshën 55 vjeç.
Burri i ve, kur është:
Mbajtës i një fëmije që ishte në ngarkim të të vdekurit, deri në moshën 8 vjeç.
I paaftë për punë.
Ka mbushur moshën 60 vjeç.

Jetimët:
Jetimi që ishte në ngarkim të personit që vdiq dhe është nën 18 vjeç, ose deri në 25 vjeç, nëse studion ose është i paaftë për punë.

Prindërit
Prindërit, kur kanë arritur moshën 65 vjeç ose janë të paaftë për punë.
Prindërit e prindërve, njerku e njerka, kur nuk kanë persona që detyrohen t’i mbajnë, nëse provohet se ata jetonin në të njëjtën familje me atë që vdiq, jo më pak se një vit para momentit të vdekjes dhe kanë arritur moshën 65 vjeç, ose janë të paaftë për punë.

Nipërit dhe mbesat

Pension familjar përfitojnë edhe nipërit dhe mbesat, kur janë në ngarkim të atij që vdiq dhe bënin pjesë në të njëjtën familje me të. Në këtë rast ata trajtohen si jetimë.