Kolaudimi i makinave/ Drejtoria e Transporteve: Kolaudimi i mjetit në 2020, do të ribëhet në 2022. Taksat do paguhen çdo vit

653
Sigal

Vlefshmëria e kolaudimit në janar. Si do të funksionojë? Do të jetë e njëjta skemë?

Drejtor i DPSHTRR : Kush ka bërë kolaudimin e mjetit në 2020, do ta ribëjë në 2022

Fundi i koncesionit të kolaudimit të makinave është një nga çështjet më në zë të momentit. Blendi Gonxhe drejtor i DPSHTRR dhe eksperti i ekonomisë Klodian Muço u prononcuan në lidhje me këtë situatë. Gonxhe u ndal në detaje teknike duke shpjeguar që kolaudimi i makinave personale tashmë do të bëhet një herë në 2 vite, ndërsa kategoritë e tjera do të bëhen 1 herë në vit. Gjithashtu z.Gonxhe theksoi se qytetarët që e kanë bërë kolaudimin në 2020, do të shkojnë për ta ribërë në vitin 2022. Në lidhje me ndikimet që do të ketë fundi i këtij koncesioni z.Gonxhe tha se parashikohet të ndikojë tek shpenzimet, ku qytetarët do të kursejnë rreth 3 milionë euro. Sipas ekspertit të ekonomisë, z.Muço,fundi i koncesionit të kolaudimit është një lajm pozitiv pasi qytetarët do të kenë më pak shpenzime.

Blendi Gonxhe:

Një individi i përfundon kolaudimi në janar. Si do të funksionojë? Do të jetë e njëjta skemë?

Ne menduam që ta bëjmë kohën e vlefshmërisë së certifikatës dy vjet nga një dhe po ashtu kemi diskutuar këto ditë që të jetë e vlefshme për të gjitha koaludimet e bëra në vitin 2020. Kjo do të thotë që çdo përdorues mjeti që ka bërë kolaudimin korrekt brenda datës në vitin 2020 pa penalitete, në kuptimin që nuk e ka lënë pa bërë kolaudimin në vitin 2020. Pra, ka paguar taksat e automjetit dhe ka kryer kolaudimin pavarësisht se e ka bërë në janar, shkurt, mars apo dhjetor do të vijë në vitin 2022. Kjo është e rëndësishme dhe besoj se është një e mirë për të gjithë ata që kanë një automjet. Në rradhë të parë, kjo iu jep dorë të gjithë atyre që kanë më pak kohë dhe mundësi për të qëndruar në rradhë. Megjithatë, ka dhe një shqetësim që lidhet me një pjesë të opinionit e cila thotë që mos abuzohet me këto dy vjet dhe makinat mos janë të dëmtuara etj. Për këtë arsye ne do të shtojmë kontrollin rrugor. Nuk duhet të trembet njeri, ky kontroll do të jetë i informatizuar. Do të jetë Task Forca e Transportit Rrugor për mjetet mbi 3.5 ton që është me mjete të specializuara dhe Policia Rrugore, të cilat do të jenë më të vëmendshme në vitin 2021, për shkak të këtij lirimi që ne po bëjmë.

Po përsa u përket taksave? A do të paguhen, apo do të ketë një shtyrje të kolaudimit bashkë me taksat?

Taksat siç e dini kanë një afat, deri në 365 ditë. Keni kohë 365 ditë, nga data kur e keni paguar. Nëse e keni paguar në nëntor, juve duhet brenda nëntorit të vitit 2021 të paguani taksat tuaja vjetore që janë të vitit 2021. Për këtë ne do të sofistikojmë shërbimin online. Njerëzit, taksat do t’i paguajnë vit pas viti, ndërsa kolaudimi është një herë në dy vjet. Për mjetet e reja nuk do të ketë kolaudim tre vitet e para sepse e konsiderojmë të tepërt. Janë mjete në gjendje perfekte, nuk ka çfarë të kolaudojmë në këto mjete, ato kontrollohen në kontroll fizik kur marrin targat ditën e parë dhe pastaj aty bëhet i gjithë kontrolli i plotë i automjetit. Koncesionari ose shitësi i makinës me 0 km është garanti me një faturë që e ka shitur këtë makinë apo makinë e zhdoganuar sërish me një faturë, që kjo makinë me 0 km mund të dalë në rrugë.

Cilat janë risitë e tjera për automjetet e transportit të nxënësve apo taksitë?

Për të gjithë mjetet e tjera që kanë pasur detyrim të bëjnë kolaudim çdo 6 muaj, edhe këtë duke parë statistikat, duke parë që këto janë mjete në përgjithësi të licencuara dhe duke parë që këto janë mjete që kontrollohen duar pas duarsh, janë me shoferë, janë mjete që në përgjithësi  përdoren nga subjekte, janë mjete që janë shumë herë më të përgjegjshme se mjetet individuale në rrugë. E gjejmë që është e tepërt politika e kolaudimit çdo 6 muaj. Natyrisht këto mjete duhet të jenë më të kujdeshme pasi kontrollet rrugore dhe masat për këto mjete do të jenë më të ashpra, e ka vetë kodi këtë gjë. Ka gjoba më të rënda për këto mjete. Por, taksitë, autoshkollat, mjetet e transportit të mallrave nuk do të vijnë më çdo 6 muaj. Për mjetet që kanë bërë kolaudimin në vitin 2020, do të llogarisin jo 6 mujorin, por 12 mujorin. Pra, kolaudimi do të jetë 1 vjeçar. Ne parashikojmë që numri i makinave për vitin e ardhshëm do të jetë natyrisht më i ulur, do të jenë mjetet që do të jenë për herë të parë, mjetet që janë me km por që do të kolaudohen për herë të parë, do jenë mjetet taksi dhe transport të udhëtarëve apo mallrave, autoshkollat. Pastaj, do të ketë mjete që duan të bëjnë kolaudim vullnetar, kjo do të jetë e hapur. Ka firma që duan që për kritere e tyre kontraktuale të kolaudohen çdo vit. Ato do të kenë një çmim të diferencuar. Do të kemi një listë dinamike për këto raste. Natyrisht që do të jetë e mundur të bëhet dhe kolaudim me dëshirë pasi ka njerëz që duan ta kolaudojnë mjetin pas një verfikimi apo para një shitjeje.

Sa parashikohet që të ndikojë tek të ardhurat e qytetarëve?

Nuk i kam të gjitha në total pasi është e pamundur të llogaritet bazuar mbi numra që akoma nuk na janë paraqitur të strukturuar me kategori të sakta. Por, kategorisë së mjeteve të reja u bie edhe më pak se gjysmë për gjysmë pasi nuk do të vinë fare tre vjet. Ndërsa kategorisë së mjeteve të përdorura iu bie gjysmë përgjysmë. Pastaj po t’iu shtosh edhe elementë të tjera siç janë karburanti, koha, angarinë, atë që ti lë në ditën tënde të punës, pasi ka raste të shkon gjithë dita për kolaudim si në momente fluksi, siç është dhjetori në këto momente që flasim, fitimi direkt i qytetarëve është i madh. Mendohet që janë disa milionë euro, afërsisht tre milionë euro në vit të cilat do t’i  kthehen xhepave të qytetarëve dhe subjekteve duke ua kursyer këtë shifër në kohë. E thashë si rezervë këtë shifër, pasi ne do të jemi më të ashpër në kontroll. Do të thotë që do të ketë goxha kthime, nuk do të kalohet kolaudimi lehtë siç mendojmë ne se kalohet sot. Pra,do jetë një situatë që në kthim i kushton, në rast së kthehesh do të duhet ta riparosh makinën dhe të vish përsëri dhe do të ketë atë tarifën e kthimit. Njerëzit duhet të jenë të kujdesshëm që automjeti duhet të jetë sipas kritereve ligjore që do të bëhen transparente në ëebsiten tonë që mjeti të jetë në gjendje të pranueshme për kriteret e lejuara për qarkullim në rrugë në mënyrë që të kalojë koaludimi. Do të ketë një sistem të rimonitorimi i cili do të lidhet me sistemin tonë tashmë të implementuar i cili do të jetë me targë, figurë dhe i digjitalizuar si kontroll.

 

Si e vlerësoni vendimin për kalimin e procesit të kolaudimit në duart e shtetit?

Ky është një lajm shumë pozitiv edhe pse erdhi me pak vonesë, me gati një vit e gjysmë vonesë, pasi kontrata e këtij koncesioni ka mbaruar përpara një viti e gjysmë. Ky është një lajm shumë pozitiv për të gjithë ata qytetarë shqiptarë që kanë rreth 600 mijë makina që shkonin t’i  bënin kontrolle teknike çdo vit. Aktualisht do shpenzojnë më pak dhe do të ketë më pak rradhë, sepse kryeministri premtoi që do të reduktohet edhe periudha për të shkuar për kolaudimin e makinës, sidomos për makinat e reja dhe taksi. Kështu që është një lajm shumë pozitiv, më në fund Shqipëria filloi të reflektojë përsa i përket koncesioneve.