Deklarata e Ramës për Kriptovalutat, lojë me zjarrin për ekonominë shqiptare

782
Sigal

Ekspertët shprehen për rrezikun e pastrimit të parave nëpërmjet kriptomonedhave,  ja skema dhe procesi i pastrimit

Shqipëria duket se është në prag të një “ëndrre malteze” për një kuadër rregullator për kriptovalutat. Në një deklaratë publike, Kryeministri shpalosi ambicien e Shqipërisë për t’u kthyer, siç do ta quante ai, “në një pikë graviteti atraktive për tregjet financiare”. Por a jemi gati? Ekspertët ngrenë alarmin, se kriptovalutat gjithmonë e më shumë po përdoren për pastrim parash, pasi verifikimet janë shumë të vështira, ndërkohë që skemat shumë të komplikuara. Të tjerë që operojnë sot në treg kriptovalutash shprehen se shkalla zero ku jemi për njohuritë nuk duhet të nisë me kuadrin rregullator, por me edukimin dhe krijimin e një baze fillestare tregu. Në të gjitha drejtimet, kriptovalutat cilësohen si e ardhmja, por edhe si një lojë e rrezikshme me zjarrin.

 Nga Nertila Maho

Një deklaratë e bërë rreth dy javë më parë nga Kryeministri për kriptovalutat kaloi pa ndonjë debat të gjerë në opinion. Arsyet e kësaj indiference më së shumti duket se lidhen me faktin që ende nuk ka asgjë të vendosur përfundimisht dhe se procesi është në vlerësim, por edhe sepse ky është një koncept relativisht i panjohur në tregun shqiptar. Ëndrra malteze e Shqipërisë ndoshta për momentin është e largët, por fakti që ka nisur të merret në konsideratë, duhet të shihet më seriozisht. Kriptovalutat sot përtej të lakuarit si e ardhmja e pashmangshme dhe avantazhet që servirin përkundrejt sektorëve të tjerë në tregjet financiare, mbeten ende të reja dhe të patestuara në kriza dhe ashtu siç quhen nga ekspertët ndërkombëtarë, një lojë me zjarrin. Vendet e zhvilluara që kanë guxuar të eksperimentojnë me këtë aspekt kanë thurur filtra të tërë kontrolli, institucione të maturuara si dhe kuadër të qartë por, mbi të gjitha, kanë rritur pjesën e edukimit financiar të publikut për të kuptuar riskun. Shqipëria nuk ka asnjë nga të mësipërmet plotësisht të perfeksionuar edhe në tregje të tjerë më pak të komplikuar se kriptovalutat.

Rama: Shqipëria, pikë graviteti për tregjet financiare, kuadër rregullator për kriptovalutat

Në ceremoninë e mbajtur me rastin e gazsjellësit TAP dhe duke nënvizuar avantazhet që i sjell ky projekt Shqipërisë, Kryeministri zgjodhi që të ndante për herë të parë një ambicie të re të Shqipërisë. Kriptovalutat! “Në funksion të përpjekjes për të zgjeruar tregje, për të çelur tregje, për të krijuar mundësi të reja dhe mbi të gjitha, për të krijuar perspektivë për vende pune që paguhen shumë më mirë dhe që njerëz të kualifikuar dhe me profesione të ndryshme në sektorë që janë tejet të zhvilluar apo në rrugën e zhvillimit sot në botën ku jetojmë, jemi duke eksploruar edhe mundësinë e krijimit të një kuadri rregullator për kriptovalutën, që është një risi shokuese në botën e sotme dhe ku mundësia për të qenë inovativ për të krijuar një pikë graviteti atraktive për tregjet financiare me një inovacion është e hapur për të gjitha vendet, pavarësisht nëse janë vende shumë të zhvilluara apo janë më pak të zhvilluara. Për momentin jemi në një proces vlerësimi dhe pune për hartimin e kuadrit rregullator, pasi kemi bërë një analizë dhe një studim të thelluar dhe nëse rezultatet e kësaj pune do të jenë të kënaqshme, atëherë ne do të promovojmë edhe përtej kufijve të Shqipërisë gatishmërinë e vendit për t’u bërë një vend pritës për investitorët e shumtë potencialë, që synojnë të përfshihen në këtë revolucion të financave globale”, do të shprehej Kryeministri. Zhvillimi i sektorëve të tillë ku vendi ynë ka një bazë, apo “know how” (përvojë) nuk mund të shihet me paragjykim por orientimi tek kriptovalutat duket si një lojë e rrezikshme në kushtet kur Shqipëria ka kufizime në tregjet financiare, një historik me një bursë Tirane, që nuk kreu kurrë një transaksion, një Bursë të re private, ende në hapat e para, një treg sekondar ende të pazhvilluar dhe një edukim financiar të brishtë.

Ekspertët: Si po pastrohen paratë në kohën e kriptomonedhave, skemat

Në qershor të këtij viti, dy ekspertë të KPMG, një nga agjencitë më të mëdha të shërbimeve profesionale dhe një ndër katër audituesit më të mëdhenj të njohur si “big four”, publikuan një studim rreth kriptovalutave. Paskal Sprenger dhe Franzisca Balsiger në punimin me titull “Pastrimi i parave në kohën e kriptomonedhave: si po ndryshon loja”, japin në detaj sesi po përdoret ky kanal për pastrimin e parave. Sipas tyre, në disa vende, kripto-pastrimi përdoret për të shmangur sanksionet ndërkombëtare. Ky proces zakonisht përfshin pastrim digjital të organizuar parash.

“Tipikisht, një proces pastrimi ndjek fazat e mëposhtme”

Krimineli blen një kriptomonedhë bazike në një exchange digjital ose me cash dhe kartë krediti në një bankomat për monedha digjitale. E para preferohet më shumë, pasi shumica e atyre që mundësojnë bankomate për kriptomonedha rregullohen nga entitete me detyrime përkatëse, kundër pastrimit të parave. Kur blejmë kriptomonedha në një exchange digjital kriminelët zakonisht “punësojnë” dikë me rekorde të pastra si dhe me një punësim të rregullt të vërtetuar. Ata e forcojnë edhe më tej anonimatin e tyre, duke adoptuar pseudonime duke përdorur w-wallet anonimë, logime të kufizuara nëpër rrjete private, si dhe smartfone të përshtatur për blokchain. Sapo personi fasadë verifikohet në exchange digjital, monedha konvencionale ose transferta bankare përdoren për t’u vendosur si fonde për të blerë kriptomonedha primare, si për shembull Bitcoin, Ethereum, ose Litecoin. Këto monedha primare përdoren për të blerë monedha të tjera alternative në një këmbim më të avancuar. Kriptomonedhat alternative kanë specifikime të veçanta, disa prej të cilave janë monedha privatësie që ofrojnë një nivel superior anonimiteti. Në mënyrë që të turbullojnë procesin e kontrollit në monedhat primare, pastruesit e parave përdorin një taktikë që njihet si miksim apo përmbysje. Kjo përfshin përdorimin e shërbimeve mikse si Bitmixer apo Helix, për të shkëmbyer adresat e monedhave primare për adresa portofolash digjitalë të përkohshëm për të ngatërruar sistemin dhe për të thyer gjurmimin përmes kontrollit. Një tjetër taktikë është të përdorësh në mënyrë të qëllimshme adresa faturimi false për të riorientuar transaksionet në adresa të reja, duke krijuar kështu konfuzion në librin e adresave të sistemit. Në një tjetër hap, monedhat primare të përziera transferohen në një exchange të avancuar digjital, për të blerë monedha privatësie si Zchash, Verge, Monero, Dash, Desire etj. Pastruesit e parave kanë shumë monedha private, bëjnë shumë shkëmbime dhe adresa digjitale, duke përgatitur në mënyrë efektive terrenin për pastrim dhe duke i kthyer pastaj në sistemin tradicional financiar. Duke i shpëtuar sistemit të kontrollit, pastruesi i parave ka një seri opsionesh për të tërhequr paratë e pastruara, tashmë nga monedhë digjitale në kartëmonedha. Rrjedhja jashtë sistemit: është procesi kur mbajtja e monedhave private shkëmbehen për monedha primare dhe më pas në një monedhë bazike, që mund të tërhiqet në llogarinë e një banke me të cilën është lidhur ose transferohet në formën e një pasurie të paluajtshme, duke shfrytëzuar hapësirën ligjore për të shmangur taksimin e përfitimit të kapitalit. Së dyti, transferimi i pjesës digjitale mund të bëhet përmes një portofoli kriptomonedhash, ose printimit të një kodi QR (kod 2D) që mund të transportohet në çdo adresë kudo në botë”, thuhet në studim.

Banka e Shqipërisë, një vit më parë paralajmëronte për riskun e Bitcoin-it        

Një vit më parë, kur një kompani nga Kosova solli në Tiranë për të testuar një bankomat për Bitcoin, institucioni financiar kyç në vend, Banka e Shqipërisë, në një reagim të gjatë nënvizonte se qytetarët duhet të ishin të kujdesshëm me paratë virtuale, pasi nuk i mbronte askush. Në atë kohë, BSH do të theksonte se Banka e Shqipërisë nuk ka licencuar asnjë subjekt financiar në veprimtarinë e të cilit të përfshihet përdorimi i monedhave virtuale. “Për rrjedhojë, çdo shoqëri e cila përfshihet në këtë aktivitet në Republikën e Shqipërisë nuk është e licencuar, e për rrjedhim aktiviteti i saj nuk i nënshtrohet kuadrit rregullues dhe atij mbikëqyrës nga ana e Bankës së Shqipërisë”, – thuhej në deklaratën e BSH. Kjo e fundit do të sillte në vëmendje edhe faktin që institucione financiare ndërkombëtare janë ende në fazë vlerësimi për problematikën që lidhet me paranë virtuale. Në fund, Banka nënvizonte edhe risqet që përkufizojnë paranë virtuale.

“Së pari, vlera e monedhave virtuale të tregtuara apo investuara në platformat përkatëse të këmbimit nuk është e garantuar dhe është mjaft e paqëndrueshme. Vlera e monedhave mund të manipulohet, duke bërë që investuesi të përballet me një humbje të konsiderueshme jashtë kontrollit të tij. Gjithashtu, ka një mundësi të madhe që si pasojë e mungesës së likuiditetit të kundër palës, të mos mundësohet asnjëherë konvertimi i monedhës virtuale sërish në monedhë konvencionale (fiat).

Së dyti, këmbyesit e parasë virtuale janë shoqëri të panjohura, të parregulluara apo regjistruara në një juridiksion të caktuar. Për rrjedhojë, kushdo që investon paratë e tij në monedhë virtuale të këmbyera nga këto shoqëri, do të përballet me rrezikun e humbjes si rrjedhojë e problemeve të natyrave të ndryshme që ato mund të shfaqin. Së treti, për sa kohë platformat janë vetëm virtuale dhe pa mundësi enkriptimi, ato janë mjaft të ekspozuara ndaj sulmeve kibernetike. Në këto kushte, investimi bëhet i pasigurt dhe ai mund të sulmohet në çdo kohë nga hackers dhe të humbasë përgjithmonë, pa pasur mundësi rikuperimi. Kjo, për sa kohë nuk ka asnjë mundësi mbulimi apo mbrojtjeje, siç është për shembull fondi i sigurimit të depozitave në banka. Së katërti, për sa kohë investimi në këto monedha ka anonimat, ai mund të përdoret nga individë të caktuar edhe për të mundësuar aktivitete të jashtëligjshme si pastrim parash, financim terrorizmi apo kontrabandë mallrash të paligjshme. Së pesti, me kërkesë të skemës së monedhës virtuale, nevojitet që personat të bëjnë identifikimin e tyre në platformat elektronike, si për shembull, nëpërmjet skanimit të pasaportës, të retinës apo të gjurmëve të gishtërinjve. Aplikimi i këtyre mënyrave të identifikimit nga ana e programit (IT software) nuk janë subjekt i ligjeve dhe rregullave për mbrojtjen e të dhënave personale apo të standardeve të sigurisë. Për rrjedhojë, nuk ka asnjë garanci që këto kredenciale do të administrohen në mënyrë të sigurt për të shmangur vjedhjen apo keqpërdorimin e tyre”.

Shoqata e Bankave: Nuk mund t’i frenojmë, por duhet t’i njohim më mirë

Kriptovalutat duket se kanë fituar një lloj pranimi të gjerë të paktën në tregjet financiare. Përballë tyre qëndrojnë bankat të cilat konkurrohen dukshëm nga avantazhet që ofrojnë kriptomonedhat për kohën e shkurtër të transaksioneve dhe për faktin që nuk kanë kosto. Vetë bankat, nga ana e tyre, kanë vendosur përfshirjen në botën e kriptovalutave. Për Shoqatën Shqiptare të Bankave, fakti që kriptovalutat janë të reja nuk duhet të shkaktojë frikë, por sigurisht ka nevojë për një analizë dhe njohje më të thellë të tyre, në mënyrë që të dihen pasojat që mund të sjellin në ekonomi. Spiro Brumbulli, Sekretar i Përgjithshëm pranë Shoqatës Shqiptare të Bankave (AAB), e vë theksin pikërisht te këto aspekte. “Kriptovalutat përbëjnë një fenomen të ri në botën e digjitalizuar. Si një gjë e re, është normale të ketë pro dhe kundër. Mes shumë debateve, në të gjitha nivelet teknike e intelektuale e në të gjithë botën, nuk mund të thuhet se ka qëndrim të prerë në mbështetje apo kundër. Vende të ndryshme po e studiojnë me kujdes dhe po ecin me maturi drejt formulimit të qëndrimit të tyre. Sido që të jetë vendimi, pro apo kundër, autoritetet rregullatorë duhet të shprehen. Nëse janë kundër, duhet të përcaktojnë drejtimet dhe masat për mbrojtje nga ky fenomen. Nëse janë pro, duhen përcaktuar rregullat e lojës si për çdo shërbim apo produkt tjetër. Bota financiare ndodhet përballë sfidave të ndryshme, që vijnë si rezultat i zhvillimit të teknologjisë dhe pritshmërive të klientelës. Rregullimi i fenomeneve të reja, sado me risk që të jenë, kur ka rregulla të qarta, adresohen risqet e tyre dhe menaxhohen. Fakti që janë të reja, nuk duhet të na trembin. Problemi qëndron te thellësia e njohjes së problemit dhe kohës së pakët për të kuptuar risqet, konsekuencat dhe pasojat që mund të sjellin ato në shoqëri dhe ekonomi. Na pëlqen apo s’na pëlqen, na prishin status quo-në apo jo, këto diskutime duken të vjetra. Askush dhe asgjë nuk mund të frenojë fenomenet e reja, për sa kohë ato janë të mirëstudiuara dhe rregulluara. Prandaj rregullimi i tyre është i domosdoshëm. Pastaj aktorët duhet të mësohen se si të sillen dhe të ecin në këtë botë të re digjitale”./monitor  Vijon