Banka Botërore nënshkruan marrëveshje me Shqipërinë për burimet ujore

634
Sigal

Ky projekt i ri do ta ndihmojë Shqipërinë në krijimin e kuadrit strategjik për të menaxhuar burimet ujore

Qeveria e Shqipërisë dhe Banka Botërore firmosën dje një marrëveshjen për financimin e Projektit të Burimeve Ujore dhe Ujitjes në shumën 31 milionë euro.  Në emër të Republikës së Shqipërisë marrëveshja u firmos nga Ministri i Financave z. Ridvan Bode, dhe për Bankën Botërore nga Përfaqësuesja e Përhershme e saj në Shqipëri znj. Kseniya Lvovsky. Ceremonia u mbajt në Ministrinë e Financave në praninë e zyrtarëve të tjerë të lartë si dhe të ekipit që përgatiti projektin. Ky projekt u aprovua nga Bordi Ekzekutiv i Drejtorëve më 29 nëntor 2012. Kredia e Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD) do të plotësohet edhe nga nje grant i Qeverisë Suedeze prej 3.88 milionë euro. Ky projekt i ri do ta ndihmojë Shqipërinë në krijimin e kuadrit strategjik për të menaxhuar burimet ujore në nivel kombëtar dhe në zonat ujëmbledhëse të Drinit – Bunës dhe të Semanit si dhe përmiresimin në mënyrë të qëndrueshme të performancës së sistemeve të ujitjes në zonën e projektit. Projekti i ri, më konkretisht, do të mbështesë/ndihmojë (i) rehabilitimin dhe modernizimin e digave dhe sistemeve të përzgjedhura të ujitjes; (ii) përmirësimin e performancës së organizatave që ofrojnë shërbimet e ujitjes dhe të kullimit, duke përfshirë edhe kontraktimin e subjekteve private në skemat pilote të ujitjes; (iii) përgatitjen e Strategjisë Kombëtare për Administrimin e Integruar të Burimeve Ujore dhe përgatitjen e planeve të administrimit të zonave ujëmbledhëse të Drin-Bunës dhe Semanit, dhe (iv) ngritjen e bazës kombëtare të të dhënave për burimet ujore. Kjo e fundit do të financohet përmes grantit suedez. “Mbi 80,000 fermerë, përfshirë 5,000 gra, pritet të përfitojnë drejtpërdrejtë nga ky projekt” tha Kseniya Lvovsky, Përfaqësuese e Përhershme e Bankës Botërore në Shqipëri. “Projekti do të mbështesë rritjen ne një sektor të rëndësishëm të ekonomisë, dhe do të ndihmojë që vendi të përmbushë kërkesat që lidhen me antëtarësimin në BE. Gjithashtu, projekti do të përmirësojë sigurinë e digave dhe do të ndihmojë në adresimin e ndikimit të ndryshimeve klimatike, duke siguruar një shpërndarje racionale të burimeve ujore dhe duke pakësuar/zvogëluar rrezikun nga përmbytjet. Në të shkuarën, Banka ka financuar tri projekte investimesh në ujitje në Shqipëri. Këto projekte kanë siguruar investime për rehabilitimin e skemave të ujitjes, i kanë forcuar kapacitetet dhe kanë zbatuar reforma institucionale. Mësimet e nxjerra gjatë zbatimit të këtyre projekteve janë marrë parasysh në përgatitjen e projektit të tanishëm në mënyrë që të përmirësohet cilësia e burimeve ujore dhe realizimi i shërbimeve të ujitjes, duke përfshirë edhe nevojën (i) për të punuar me organizatat e përdoruesve të ujit, njësitë e pushtetit vendor dhe sektorin privat, (ii) për të trajtuar shqetësimet në lidhje me sigurinë e digave dhe (iii) për të miratuar një kuadër më të gjithanshëm dhe strategjik për trajtimin e administrimit të burimeve ujore në nivel të basenit lumor. Shqipëria u anëtarësua në Bankën Botërore në vitin 1991. Prej atëherë, janë mbështetur nga Shoqata Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA) dhe Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD) 72 projekte, me një vlerë 1,2 miliard USD gjithsej, si edhe 49 projekte nga Korporata Ndërkombëtare Financiare (IFC), me një vlerë 225 milion USD gjithsej. Tani në Shqipëri ka 8 projekte aktive në sektorin social, arsim, burime natyrore, ujësjellës-kanalizime, energjetikë, rrugë dhe infrastrukturë komunale, të cilët po e ndihmojnë Shqipërinë të arrijë një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe social dhe të hapë rrugën drejt integrimit europian.