Kërkohen 23 vjet burg për kontrabandën e naftës “Virgine”

842
Prokuroria e Tiranës kërkoi dje dënimin me 15 vjet burg për biznesmenin Adrian Xhillari, në të njëjtën ditë kur Policia e Shtetit njoftoi arrestimin e tij në Gjermani pas dy vitesh arratie. Dënimi për Xhillarin kërkohet për tre akuza që lidhen me kontrabandën e naftës “Virgine”. Prokuroria kërkoi gjithashtu dënimin me 5 vjet burg për ish-nëndrejtoreshën e doganave, Lula Njebza dhe 3 vjet për ish-kreun e doganës së Tiranës, Mirëarbër Teneqexhi. Prokurorja e çështjes, Suela Salavaci, e cila e mori dosjen nga kolegët e Fierit, pasi këta të fundit shpallën moskompetencë, argumentoi para gjykatës se me dashje direkt Xhillari “ka realizuar të ardhura në mënyrë të paligjshme të cilat nuk i ka deklaruar, nuk ka paguar detyrimet tatimore me gjithë mundësinë financiare që kishte, si dhe ka riqarkulluar të ardhurat e krijuara në mënyrë të paligjshme nëpërmjet sistemit bankar”. Ndërkohë, prokurorja Salavaci kërkoi fajësi edhe për ish-zv/drejtoreshën e Doganave, Lule Njebza me akuzën e shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim dhe ish-kreun e doganës së Tiranës për të njëjtën akuzë. Mbrojtja e tre të pandehurve do të lexojë pretendimet e saj javën që vjen. Të tre të akuzuarit nuk kanë pranuar fajin dhe pretendojnë se janë të pafajshëm. Çështja ndaj tyre filloi pas një denoncimi nga “Crown Agents”, një kompani britanike e kontrakuar nga qeveria shqiptare për të ndihmuar doganat kundër kontrabandës në prokurorinë e Fierit në maj të vitit 2015. Në Dhjetor të po atij viti, prokuroria urdhëroi arrestimin e Njebzës dhe 6 doganierëve. Në Maj 2016 Prokuroria e çoi çështjen për gjykim, duke akuzuar administratorin e kompanisë “Tea Construction and Petrol”, Adrian Xhillari për “fshehje të të ardhurave”, “mospagim i taksave” dhe “pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Akuzë u ngrit edhe për ish-kreun e Doganës së Tiranës Mirëarbër Teneqexhiu dhe ish zv/drejtoreshën e përgjithshme Lula Njebza, si dhe doganierët Alfred Bushi, Syrja Misiraj dhe Adrian Alikaj për shpërdorim detyre e falsifikim dokumentesh.
Sigal