Sigal

Megjithëse Shqipëria është vendi i dytë në Evropë për sasinë e ujërave për frymë popullsie, shqiptarët detyrohen të paguajnë çmimin më të shtrenjtë në kontinent, në krahasim me pagat dhe pensionet, duke rritur varfërinë

Pas rritjes në Tiranë, Durrës dhe Korçë, Enti Rregullator i Ujit ka nisur procedurat për rritjen e tarifave të ujit edhe në 5 qytete të tjerë. Janë shoqëritë e ujësjellës-kanalizimeve në Gjirokastër, Librazhd, Berat-Kuçovë dhe Poliçan që kanë kërkuar rritje të çmimeve, jo vetëm për ujin e  pijshëm, por edhe për ujërat e ndotura. Enti, nuk ka publikuar nivelin e tarifave të kërkuara,  por sipas këtij dikasteri kërkesa bazohet në vlerësimin e situatës ekonomike-financiare dhe nevojën për përmirësimin e saj pas riorganizimit sipas reformës administrativo-territoriale. Aktualisht në Berat e Kuçovë tarifa e ujit të pijshëm për abonentët familjarë është  48 lekë/m3, në Gjirokastër 43 lekë/m3, në Librazhd 38 lekë/m3, ndërsa në Poliçan 37 lekë/ m3. Ndërkohë që, referuar Raportit të Performancës për vitin 2017, shoqëritë e mësipërme shfaqin një situatë pozitive në drejtim të mbulimit të kostove të operimit dhe mirëmbajtjes. Ujësjellësi Berat-Kuçovë i mbulon  këto kosto në masën 131%, Librazhdi në masën 115%, Gjirokastra në masën 104%, ndërsa më dobët paraqitet vetëm Poliçani me 61% të mbulimit të kostove. Sipas Entit Regullator të Ujit ndryshimi i tarifave luan një rol të rëndësishëm në nivelin e të ardhurave të shoqërisë dhe për rrjedhojë edhe në mbulimin e kostove. Megjithatë, sipas këtij dikasteri përmirësimi i situatës financiare të shoqërive UK duhet të vijë jo vetëm nga rritja e tarifave, por edhe nga një manaxhim i mirë i burimeve teknike e financiare. Në vazhdën e reformës në këtë sektor të rëndësishëm, Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve ka nënshkruar me shoqëritë e ujësjellësve kontratat e performancës, ndërkohë që në bazë të rezultateve që do të vlerësohen në fund të vitit do të përcaktohet edhe financimi që do u bëhet këtyre shoqërive nga buxheti i shtetit. Sipas raportit të fundit të performancës rezulton se nga 58 shoqëri të licencuara, 37 subvencionohen nga shteti.

Tarifat aktuale për abonentët familjarë

Ujësjellës-Kanalizime Berat-Kuçovë 48 lekë/m3
Ujësjellës-Kanalizime Gjirokastër 43 lekë/m3
Ujësjellës-Kanalizime Librazhd 38 lekë/m3
Ujësjellës-Kanalizime Poliçan 37 lekë/m3
MBULIMI I KOSTOVE TË OPERIMIT DHE MIRËMBAJTJES

Ujësjellës-Kanalizime Poliçan                        61%
Ujësjellës-Kanalizime Gjirokastër                  104%
Ujësjellës-Kanalizime Librazhd                     115%
Ujësjellës-Kanalizime Berat-Kuçovë              131%