Gjergj Buxhuku: Të liberalizohet shërbimi i kontrollit teknik të automjeteve!

1240
Sigal

Modeli i sotëm për shërbime të kontrollit teknik të automjeteve është shqetësues dhe me kosto

Konfindustria, duke u mbështetur në shqetësimet e shumta dhe të vazhdueshme të ardhura pranë saj nga industritë, do t’i kërkoj zyrtarisht ekzekutivit shqiptar, që në një kohë sa më të shpejtë të liberalizoje shërbimin e kontrollit teknik të automjeteve, që sot ndodhet në pozita të pastra monopoli privat. Konfindustria i kërkon gjithashtu edhe Autoritetit të Konkurrencës të vlerësoj me seriozitet rastin në fjalë parë nga këndvështrimi i mbrojtjes së interesit publik. Monopoli i sotëm i shërbimit të kontrollit teknik ka rezultuar në një kosto shtesë financiare krejtësisht të papranueshme mbi bizneset në përgjithësi dhe sidomos mbi industritë prodhuese, që zotërojnë, për arsye të shpërndarjes së prodhimit dhe furnizimit me lëndë të para dhe ndihmëse, numër të madh automjetesh. Kostot vjetore shtesë, që arrijnë në miliona e miliona euro, shprehen në vlera financiare të drejtpërdrejta dhe të kostos kohore si pasojë e ditëve të humbura të punës për kryerjen e shërbimit vjetor të kontrollit teknik. Gjithashtu, modeli i sotëm i kryerjes së shërbimit të kontrollit teknik të automjeteve është shqetësues dhe me kosto të papranueshme edhe për qindra mijë qytetarë shqiptarë, që zotërojnë automjete.

Konfindustria vlerëson, se është e domosdoshme që të riorganizohet tërësisht sistemi i shërbimit të kontrollit teknik të automjeteve sipas modeleve të vendeve të zhvilluara të BE, që në thelbin e tyre mbështeten te liberalizimi i plotë i tregut për një numër të pakufizuar operatorësh të kualifikuar. Janë të gjitha mundësitë, që duke shfrytëzuar detyrimin ligjor për kontrollin teknik të automjeteve dhe qytetarëve, të licencohen një numër mjaft i madh pikash të rregullimit të automjeteve, që do të krijonte një treg të qëndrueshëm në afatgjatë si edhe të formalizuar njëkohësisht. Liberalizimi i kontrollit teknik nëpërmjet licencimit të një numri të madh pikash të rregullimit të automjeteve do të përbënte përveç mënjanimit të kostove financiare të panevojshme edhe një lehtësim të madh kohor për biznesin dhe qytetarët shqiptare si edhe do të krijonte kushtet për rritjen e përgjegjësisë për sigurinë rrugore dhe mbrojtjen e mjedisit.