Fondi i ndërhyrjes në banka, BSH: Krijohet brenda 10 janarit 2018

799
Banka e Shqipërisë ka miratuar rregulloren për fondin e ndërhyrjes së jashtëzakonshme, në mbështetje të ligjit të fundit të vitit të kaluar. Rregullorja përcakton edhe afatin për krijimin e këtij fondi, që do të jetë data 10 janar 2018.
Brenda kësaj date, bankat duhet të kenë derdhur kontributin e parë në fondin që do të administrohet nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave dhe që konsiston në të paktën 10% të kontributit për vitin e parë. Pjesa e mbetur e kontributit të parë vjetor duhet të shlyhet brenda datës 30 prill 2018, njofton scan.tv.
Për vitet në vazhdim, bankat duhet të kryejnë pagesën vjetore për fondin në një shumë të vetme, brenda prillit të vitit pasardhës. Sipas ligjit, fondi i ndërhyrjes së jashtëzakonshme duhet të arrijë një vlerë të barabartë me 0.5% të detyrimeve totale të sistemit bankar, deri në korrik të vitit 2027.
Në fund të muajit shtator, totali i detyrimeve të sistemit bankar ishte më shumë se 1.4 trilionë lekë. Mbi këtë shumë, fondi i synuar i ndërhyrjes së jashtëzakonshme mund të llogaritet në pak më shumë se 7 miliardë lekë, për t’u arritur në 10 vjet, por duke pasur parasysh edhe një rritje të mundshme në kohë, që do të vijë nga rritja e totalit të detyrimeve.
Shuma do të plotësohet gradualisht, sipas një formule të përcaktuar nga Banka e Shqipërisë në rregulloren. Çdo vit, sistemi bankar duhet të paguajë një shumë që konsiston në diferencën mes nivelit të synuar dhe gjendjes së fondit, të pjesëtuar me numrin e viteve të mbetur deri në vitin 2027.
Në vija të përgjithshme, kjo formulë parashikon një shpërndarje pak a shumë uniforme të kontributit të sistemit bankar përgjatë një dekade. Secila bankë do të kontribuojë për fondin, në përpjesëtim me pjesën e vet të pasiveve brenda tregut bankar.
Fondi i ndërhyrjes së jashtëzakonshme do të administrohet nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave dhe mund të investohet në instrumente financiare me rrezik të ulët dhe likuiditet të lartë, sipas një politike investimi që duhet të miratohet çdo vit nga Banka e Shqipërisë. Pas krizës financiare, shumë vende europiane po krijojnë fonde ndërhyrjeje, me qëllim shpëtimin e bankave në rast nevoje, duke e hequr këtë barrë nga taksapaguesit.
Sigal