Transparenca e bashkive, Komisioneri: Informacioni që duhet të publikojnë nga 1 janar 2019

773
Sigal

Njësitë e pushtetit lokal do të jenë të detyruara të publikojnë një seri informacionesh lidhur me aktivitetin e tyre nga 1 janari 2019. Një pjesë e këtij informacioni është në shërbim të qytetarëve dhe një tjetër thjesht si tregues i menaxhimit që ato bëjnë për programet, projektet apo aspektin financiar. Përmes një urdhri të veçantë të publikuar në Fletoren Zyrtare, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka nënvizuar se janë të paktën shtatë fusha që përfshin Programi Model i Transparencës për Njësitë e Vetëqeverisjes Vendore. Kjo do të thotë që në të shtata këto fusha do të ketë detyrim për publikim të informacionit. Së pari, sipas programit, është informacioni mbi organizimin dhe funksionimin e bashkisë çka përfshin informacion që bëhet publik pa kërkesë të caktuar. Qytetarët informohen për ndarjen administrative-territoriale, funksionet e bashkisë, për statistikat vendore, organet e bashkisë. Fusha e dytë lidhet me transparencën dhe llogaridhënien ekonomiko-financiare që përfshin kategoritë e informacionit për planin strategjik të zhvillimit të bashkive, programin buxhetor afatmesëm vendor, me Paketën Fiskale taksa dhe tarifa, me buxhetin vjetor, me zbatimin monitorimin mbikëqyrjen dhe auditimin e buxhetit, donacionet, shitjet apo dhënien me qira të pronave dhe aseteve. Fusha e tretë lidhet me kërkesat për informim ku qytetarëve duhet që t’ju vendoset në dispozicion informacioni që ka të bëjë me procesin, procedurat, format dhe afatet e kërkesës për informim, si dhe të udhëzohen qytetarët sesi mund të bëhet kjo. Fusha e katërt përfshin shërbimet që ofron bashkia ku qytetarëve u vihet në dispozicion informacioni për shërbimet publike që ofron bashkia, llojet e shërbimeve, instrumentet e administrimit kontratat publike, strukturat përgjegjëse procedurën e ankimimit. Fusha e pestë përfshin legjislacionin dhe aktet e brendshme rregullatore ku qytetarëve duhet t’ju jepet informacion për politikat, vendimet, urdhëresat dhe urdhrat me karakter normativ të organeve të bashkisë. Në fushën e gjashtë që është pjesëmarrja e qytetarëve në vendimmarrje përfshihet informacioni lidhur me procesin, procedurat, kuadrin rregullator vendor, listën e akteve vendore që i nënshtrohen konsultimit publik. E fundit është fusha gjithëpërfshirëse “informacion tjetër” ku bashkia vë në dispozicion të qytetarëve informacion për proceset e integrimit, shoqëria civile, raporte, studime dhe vlerësime të ndryshme.