“Doing Business 2019”, Shqipëria renditet në vendin e 63-të, e parafundit në rajon, pengesë taksat e lejet e ndërtimit

473
Sigal

Shqipëria është renditur në vendin e 63 nga 190 shtete për lehtësinë e të bërit biznes, në raportin e sapo publikuar të Bankës Botërore “Të bësh biznes 2019”. Në krahasim me një vit më parë, Shqipëria është përmirësuar me dy pozicione, ndërkohë që mbetet e parafundit në rajon, duke lënë pas vetëm Bosnjë Hercegovinën (në vend të 89), një shtet me probleme të mëdha organizative dhe burokratike për shkak të ndarjes në dy njësi administrative. E para në rajon mbetet Maqedonia, që renditet e dhjeta në botë. Maqedonia ka qenë një konkurrent i fortë vitet e fundit me Shqipërinë, duke marrë jo vetëm investitorët e huaj, por së fundi po tërheq dhe investime të sipërmarrësve shqiptarë në fushën e farmaceutikës (Sagem), pasurive të paluajtshme (Balfin) apo dhe prodhimit të biskotave (Agna). Maqedonia këtë vit ka bërë një reformë. Reduktimi i një pagese për zhvillimin e tokës e ka bërë procesin e marrjes së lejes së ndërtimit më pak të kushtueshme. Kosova ka bërë një përparim të dukshëm, duke u renditur në vendin e 44, ku përmirësimet më të mëdha janë në lejet e ndërtimit, pagimin e taksave dhe tregtinë përtej kufijve. Serbia është në vend të 48 dhe Mali i Zi në të 50-n. Treguesit ku Shqipëria është më keq janë marrja e lejeve të ndërtimit, në vend të 151; sigurimi i energjisë elektrike në vend të 144 dhe pagimi i taksave, në vend të 122. Treguesi më pozitiv është mbrojtja e të drejtave të minoriteteve e 26, tregtia përtej kufijve e 24-a dhe zgjidhja e paaftësisë paguese e 39-a. Shqipëria përmendet në raport që ka bërë hap pozitiv në zbatimin e kontratave përmes amendimit të kodit të procedurës civile dhe zbatimit të procedurave të thjeshtuara në gjykatë. Raporti i Bankës Botërore rendit ekonomitë sipas lehtësisë për të bërë biznes nga 1–190. Një nivel i lartë i lehtësisë për të bërë biznes nënkupton se mjedisi rregullator është më i përshtatshëm për një firmë vendase për të nisur dhe për të ushtruar aktivitetin. Raporti “Të bësh Biznes” ofron matje objektive të mjediseve rregullative të biznesit dhe zbatimin e tyre në 190 ekonomi. Projekti, i cili ka filluar të zbatohet në vitin 2002, fokusohet tek kompanitë e vogla dhe të mesme dhe mat rregullat që zbatohen mbi to gjatë ciklit të tyre të jetës. Duke grumbulluar dhe analizuar të dhëna sasiore domethënëse për të krahasuar mjedisin e rregullave të biznesit në ekonomi dhe përgjatë viteve, raporti “Të Bësh Biznes” i nxit ekonomitë që të konkurrojnë drejt rregulloreve më eficiente, ofron matës për reformat si dhe shërben si një burim informacioni për të interesuarit. Këtë vit, raporti ka mbledhur të dhëna për trajnimet e ofruara zyrtarëve publikë dhe përdoruesve të regjistrave të biznesit dhe të tokave. Një rast studimor në këtë raport që analizon këto të dhëna, gjen se trajnimi vjetor dhe i detyrueshëm për zyrtarët shoqërohet me rritje të eficencës në regjistrimin e bizneseve dhe tokës. Në Evropë dhe Azi Qendrore, 55 për qind e regjistrave të biznesit dhe 41 për qind e regjistrave të tokës përdorin testim pilot. Duke përdorur testimin pilot për të bërë më pas ndryshime regullatore, këto regjistrime mund të identifikojnë dhe adresojnë sfida të mundshme përpara zbatimit të gjerë të proceseve të reja. Vendi më lehtësi më të madhe për të bërë biznes është Zelanda e re, e ndjekur nga Singapori, Danimarka, Hong Kongu, Republika e Koresë, Gjeorgjia, Norvegjia, Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe dhjetëshen e mbyll shteti fqinj, Maqedonia.