Crown Agents akuza doganave për korrupsion dhe evazion

665
Kompania Crown Agents bën me dije se gjatë 20 muajve të parë të programit të saj ka identifikuar mbi 3.500 raste evazioni fiskal apo lloje të tjera mashtrimesh në Dogana, çka do të thotë mbi 180 raste çdo muaj. “Vetëm në 8 muajt e fundit, ne kemi identifikuar minimalisht 13 milionë euro të ardhura, të cilat në të kundërt nuk do të ishin mbledhur dhe nëse disa prej shkeljeve të rënda do të hetohen siç duhet, kjo shifër mund të dyfishohet shumë lehtë brenda fundit të këtij viti. Bëhet fjalë për para të prekshme, të cilat në vetvete përbëjnë një kthim shumë të mirë të investimit të bërë në kontratën tonë. Kjo është arritur përmes vetëm 8 grupe operative”, thuhet në njoftimin zyrtar të Crown Agents. Po sipas kësaj kompanie, përsa i përket zbatimit të ligjit, shkalla e zbulueshmërisë së grupeve të saj është 25%, krahasuar me 1%-in e stafit të administratës doganore përgjegjës për kufijtë dhe zbatimin e ligjit. “Ky është një tregues i qartë i nivelit të vazhdueshëm të moszbatimit të ligjit nga ana e tregtarëve, si edhe i profesionalizmit dhe punës së palodhur të ekipit të Crown Agents në Shqipëri. Kur metodologjia e punës së grupeve operative të Crown Agents do të aplikohet në të gjithë administratën doganore, impakti në nivelin e mbledhjes së të ardhurave do të jetë më i qartë”, vijon Crown Agents. Më tej, kompania flet dhe për korrupsionin në dogana, i cili duket se vazhdon të jetë mjaft problematik. “Ne kemi identifikuar gjithashtu 80 raste të verifikuara korrupsioni dhe shpërdorimi brenda doganave, si edhe kemi mbështetur administratën doganore për procedimin disiplinor dhe shkarkimin nga detyra të këtyre individëve”, nënvizon Crown Agents, e cila ka bërë mbi 50 rekomandime specifike gjatë vitit të parë, të cilat kanë pasur të bëjnë me organizimin dhe menaxhimin, masat për rritjen e mbledhjes së të ardhurave, masat për uljen e korrupsionit, si edhe masat për përmirësimin e mjedisit të të bërit biznes.
Sigal