Blinin domate, shisnin beton

616
Sigal

“Blinin domate dhe shisnin beton”: Skema 18 milionë euro e mashtrimit me TVSH-në

Prokuroria kërkoi arrestimin e 25 administratorëve të kompanive fiktive të dyshuara për falsifikim faturash

Një rrjet kompanish fiktive, një pjesë e të cilave të krijuara nga tetori i vitit të shkuar akuzohen se janë përfshirë në një skemë mashtrimi me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej rreth 18 milionë eurosh. Skema e mashtrimit, e denoncuar nga Drejtoria e Hetimit Tatimor dyshohet se realizohej përmes faturave false të blerjes së mallrave ushqimorë dhe shitjes së “situacioneve në ndërtim”.

Prokuroria e Tiranës njoftoi të enjten arrestimin e 13 personave, ndërsa u tha se 12 të tjerë janë shpallur në kërkim. Sipas prokurorisë bëhet fjalë për 25 administratorë të kompanive të dyshuara fiktive, të cilat, pasi lëshonin fatura false me TVSH të blerjes së mallrave ushqimorë prej kompanive të importit, shisnin po ashtu fiktivisht situacione ndërtimi duke përfituar rimbursim të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Prokurori Ndini Tavani i tha BIRN se hetimet vijonin dhe se për momentin dyshohej që përfitues të skemës të ishin dy apo tre persona te cilët ishin ende në kërkim, ndërsa të arrestuarit që rezultojnë si administratorë kompanish kanë pretenduar se nuk kishin dijeni për aktivitetin. Tavani tha se skema e zbuluar nga tatimet nuk ishte e komplikuar. “Kompanitë fiktive blinin domate, kryesisht nga kompani të importit të mallrave ushqimorë që mbulonin shitjet e bëra pa TVSH dhe shisnin beton, duke shkarkuar TVSH-në e kompanive të treta,” tha ai në mënyrë figurative.

Skema

Në kërkesën për masë sigurie për të dyshuarit, Prokuroria thotë se 20 subjektet e identifikuara si të përfshira në këtë aktivitet vepronin “si një e vetme”. Sipas prokurorisë, kompanitë nuk kishin aktivitet real. “Nga analizimi dhe studimi i të dhënave shoqëritë objekt hetimi kanë funksionuar si ndërmjetësuese duke u përdorur nga shoqëritë importuese që operojnë në fushën ushqimore për të shkarkuar vlerën totale prej 4.2 miliardë lekë, e cila më pas nga këto subjekte është bërë e mundur që të injektohej në mënyrë direkte në shoqëri tregtare që operojnë në fushën e ndërtimit,” thuhet në kërkesën e Prokurorisë. “Këto të fundit, me kontabilizimin e kësaj vlere kanë ulur pagesën e TVSH-së mujore, si dhe duke rritur fiktivisht shpenzimet vjetore duke ulur në këtë mënyrë normën e tatimit mbi fitimin”, thuhet ndër të tjera në kërkesën për masë sigurie. Prokuroria thotë se po heton për të identifikuar përfituesit e skemës, kompanitë që kanë përdorur këtë grup për të shkarkuar TVSH apo rritur shpenzimet, ndërsa vihet në dukje se kishte dyshime për përfshirje në të dy kompanive të kontabilitetit, që ishin përdorur për të rakorduar faturat.

Fiktiviteti

Në kërkesën për masë sigurie vihet në dukje se nga hetimi ka rezultuar se një pjesë e mirë e kompanive edhe pse me aktivitet tregtar disa qindra milionë lekë shitje dhe blerje, kishin për pjesën më të madhe të kohës të punësuar vetëm administratorin. Ndërkohë që në mjaft raste, të punësuarit në këto kompani ishin po ashtu të punësuar prej kohësh në kompani të tjera. Personat e deklaruar si të punësuar ishin të njëjtë për të gjitha kompanitë. Prokuroria thotë se gjeti se një pjesë e të punësuarve ishin kryesish punëtorë shërbimesh si lavazhierë, punëtorë krahu, hamej, bojaxhinj, shitës në dyqan apo kamerierë. Në dy raste, prokuroria thotë se administratorë më herët kishin qenë operatorë të pikave të basteve.

Sipas Prokurorisë, në një rast administratori i një kompanie të krijuar në nëntor 2017 që kishte kryer 87 milionë lekë blerje produktesh ushqimore dhe kishte shitur po 87 milionë produkte ndërtimi, ishte i vetmi i punësuar i saj në muajt e fundit, ndërkohë që në fakt rezultonte po ashtu i punësuar si roje objekti. Sipas kërkesës së prokurorisë, kjo kompani dhe të tjera të ngjashme ishin krijuar kryesisht në dy vitet e fundit, shumica në nëntor 2017 dhe nëntor 2018. Vetëm një prej kompanive rezultoi e krijuar në vitin 2015, ndërsa tre prej tyre ishin themeluar në vitin 2016. Vladimir Karaj & Edmond Hoxhaj