Arben Malaj/ Një skanim i ngadaltë, për skanimin e shpejtë në dogana

809
Riskanimi në doganat shqiptare ka hapur debate ekonomik. Ish-ministri i Financave Ridvan Bode, i cili nënshkroi kontratën e skanimit më kompaninë amerikane, në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, në diskutimin e projektligjit të qeverisë Rama” në korrik 2015 u shpreh: “Sjellja për miratim e kontratës së rinegociuar me kompaninë amerikane Rapiscan, synon etapën e fundit të një episodi “donkishotesk” të qeverisë, e cila prej dy vjetësh nuk merret me punë, por “shikon ëndrra me sy hapur” dhe “lufton me mullinjtë me erë”. E vërteta është që rinegocimi solli vetëm ndryshimin e mekanizmit të pagesës së koncensionarit. Ndërsa në metodën e parë ishte marrë investimi që ka deklaruar koncesionari dhe është përpjesëtuar për numrin e deklaratave për 15 vjet që programoheshin dhe projektoheshin nga administrata doganore dhe që do të vendoseshin nën pagesë tarife dhe ka dalë një vlerë. Ishte kompania që merrte përsipër riskun, nëse numri i deklaratave do të plotësohej apo jo, ishte kompania që merrte riskun e arkëtimit të të ardhurave direkt nga biznesi. Tani kompanisë i krijohet një komoditet dhe i thonë që po, investimin tënd do ta paguajmë ne, qeveria, ti nuk ke punë me biznesin. Ne do të paguajmë vit për vit, duke filluar nga 13 milionë euro vitin e parë në 17 milionë euro vitin e 15-të. Pagesat do t’i marrësh nga buxheti. Punën e biznesit do ta zgjidhim ne. Dhe qeveria ka shprehur vullnetin që të paguajë vetë pjesërisht koston e këtij shërbimi. Normal, mund ta paguante dhe 100% qeveria”. 
Arben Malaj, ish-ministër i Financave ka një opinion të kundër: 
Pasojat negative të kontratës për skanimin në doganat shqiptare janë në rritje. Mirë-qeverisja e çdo vendi kërkon kredibilitet, kredibiliteti arrihet duke anuluar dhe korrigjuar çdo kosto të padrejtë dhe të rëndë mbi biznesin. Koncesionet nuk janë formula magjike për të përmirësuar shërbimet publike. Në jo pak raste ato sjellin kosto shtesë mbi biznesin dhe dëmtojnë kredibilitetin e qeverisjes së vendit. Qeveria duhet të qartësojë objektivin e këtij koncesioni. Në qoftë se ky koncesion është për të rritur sigurinë në vend, në këtë rast ajo nuk financohet nga tarifat që i rëndohen biznesit, por nga taksat e përgjithshme, siç financohet mbrojtja, rendi publik dhe siguria kombëtare. Në qoftë se ky koncesion ka si objektiv uljen e kohës së kontrolleve në dogana, uljen e vonesave dhe të kostove shtesë, si vonesat e pa justifikueshme, apo kostot e rënda të ngarkim dhe shkarkim malli për çdo kontroll rutine, pra në qoftë se përmirëson shpejtësinë e shërbimeve doganore dhe biznesi fiton në kohë dhe në kosto, atëherë tarifat i ngarkohen biznesit me kushtin që niveli i tarifave duhet të mos tejkalojë fitimin e biznesit nga ky “modernizim”. Edhe pse qeveria argumenton me të drejtë që prishja e kësaj marrëveshje i kushton rëndë buxhetit të shtetit, kjo nuk e shmang atë nga detyrimi për të gjetur zgjidhje ndaj biznesit të vendit të saj, duke i hequr nga kurrizi pagesat abuzive.
Një zgjidhje mund të jetë:
I. Miratohet një ligj në zbatim të kësaj kontrate, – pa e cënuar përkohësisht atë, që ndalon pagimin nga biznesi të kostove të pajustifikuara ekonomikisht të kësaj kontrate skanimi.
Pagesa e një tarife shërbimi për një shërbim të pakryer është momenti më abuziv ligjore. Këtë mashtrim, këtë pagesë për shërbim të pakryer nuk e justifikon dot asnjë qeveri. Bile justifikimi i saj përbën shkelje ligjore. Nuk e di në qoftë se tatimet e ligjërojnë këtë vjedhje të bizneseve shqiptare, kur u pritet faturë, bile me TVSH, për një shërbim të pakryer? Në ligjin që duhet kaluar në parlament ky “detyrim kontraktual” u hiqet bizneseve dhe i kalon doganës. Kjo eliminon shkeljen e ligjit, ul kostot abuzive të biznesit, rikthen kredibilitet tek qeveria dhe lehtëson njohjen e shumës abuzive nga një kontratë abuzive në dëm të taksapaguesve shqiptarë. Procesi është lehtësisht i aplikueshëm në bazë të pasqyrave ditore të rakorduara në çdo doganë, ku aplikohet pagesa për skanim. Biznesi lehtësohet nga pagesa për çdo fature për skanime të pakryera, apo skanime të përsëritura disa herë për të njëjtin mjet në lëvizjen e tij nga një doganë në tjetrën.
II. Në çdo rast fee/tarifa e shërbimit kanë për bazë kostot. Pra tarifa duhet të jetë për mjet transporti, ndoshta e diferencuar sipas tonazhit, por jo sipas numrit të faturave.
Kjo është një kosto abuzive ndaj biznesit. Pasi kostoja e skanimit s’ka asnjë lidhje me numrin e faturave, por vetëm me kohën e nevojshme të kryerjes së skanimit, e cila mund të jetë e ndryshme për madhësi të ndryshme të mjeteve tregtare. Shërbimi on line doganore parashikon përpunimin paraprak online nga doganat të çdo fature, çka ul kohën dhe kostot e përpunimit të dokumentacionit doganore. Kontrolli bëhet në bazë të analizës së riskut.Vendet krahason midis tyre edhe për nga shpejtësia dhe kostot, me të cilat shërbejnë pikat doganore. Kjo analizë krahasuese edhe shumë e rëndësishme në nxitjen e tregtisë dhe prodhimit, që konsiderohen motori i rritjes ekonomike.
III. Biznesi duhet të lehtësohet nga pagimi disa herë i skanimit brenda territorit shqiptar- aq më tepër nga një doganë në tjetrën.
IV. Të gjitha këto kosto abuzive të një kontrate që mund të ketë bazë ligjore, por nuk ka bazë të logjikës ekonomike dhe për më tepër që shkel ligjin,duke faturuar shërbime të pakryera, apo fatura të shumëfishta mbi të njëjtin mjet transporti, (por në varësi nga numri i faturave), i kalojnë në detyrim për t’ia paguar kontraktuesit të koncesionit – Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.
V. Kjo ndërhyrje ligjore duhet të bëhet me ligj të veçantë, ligji miratohet me shumicë të thjeshtë, siç është edhe ligji miratimit të kontratës së koncesionit.
Ligji duhet bërë me akt normativ, sepse është e detyrueshme të eliminohet sa më parë çdo shkelje ligji për pagesa për shërbime të pakryera. Është e detyrueshme dhe pozitive që qeveria të kthejë një pjesë të kredibilitetit të saj të dëmtuar nga kjo kontratë, por jo vetëm nga kjo. Shuma e detyrimeve që ligjërisht nuk duhet t’i ngarkohen biznesit – bëhet publike çdo muaj për të treguar koston e rëndë të paaftësisë dhe korruptimit në rastet e marrëveshjeve koncesionare me element të qartë të përfitimeve abuzive.
VI. Asnjë kompani nuk duhet të fshihet pas flamurit të asnjë shteti.
Diplomacia ekonomike është pjesë e rëndësishme e politikës së Jashtme të çdo vendi, mbështetja e bizneseve private nga vendet e tyre, si pjesë e rëndësishme e diplomacisë ekonomike në asnjë rast nuk përfshin, bile dënon çdo interferim jo mbi baza strikte ligjore dhe jo etike në biznes. SHBA janë model në luftën kundër korrupsionit, ata kanë një legjislacion të veçantë për penalizmin e kompanive amerikane, kur kryejnë korrupsion jashtë territorit amerikanë. Këto janë modele të mirëqeverisjes.
VII. Kontrata ligjore mund të ketë vështirësi për ta rishikuar, por hetimi i saj nga agjenci të specializuara të shtetit amë ( amerikane, gjermane, italiane, franceze etj) e lehtëson barrën e rëndë të koncesioneve abuzive mbi taksapaguesit e një vendi që financojnë më pak se 3 % për mirarsimimin dhe më pak se 3 % për një shëndet më të mirë. Të mos harrojmë që vendi është në nivelet kritike të borxhit publik dhe përballet me rritje modeste ekonomike, simptoma këto të mjaftueshme për të kuptuar kostot e rënda edhe të koncesioneve që rëndojnë biznesin.
VIII. Rasti i kësaj kontrate duhet të jetë një “case study” – një rast studimor se si partneriteti publik dhe privat në shërbimet publike krijon kosto të rënda për biznesin dhe kosto politike për qeverisjen e vendit.
IX. Maxhoranca aktuale premtoi hetimin e disa koncesioneve – ky proces duket se ka ngecur. 
Zhurma parlamentare ka penguar skanimin e kujdesshëm te tyre, nga ekspertë vendas dhe te huaj. Fillimisht, duhet të hetohet gjithë korrespodenca brenda qeverisë shqiptare në negocimin e kësaj marrëveshje; e dyta duhet të identifikohen qartësisht kostot joligjore që prodhojnë të ardhura fiktive për koncesionaret defacto dhe, së treti, duhet të nisin procedura ligjore, për korrupsion në këto marrëveshje. Koncesionet zakonisht shkojnë nga 5-35 vite – taksapaguesit shqiptarë nuk mund të paguajnë gabimet e rënda me motive korruptove të asnjë qeverie. Skanimi i kujdesshëm dhe profesional i koncesioneve shqiptare nga agjenci të specializuara edhe ndërkombëtare është i detyrueshëm, pasi numri i tyre do të rritet dhe pasojat mund të bëhen gjithnjë e më të rënda. Koncesionet me burimet natyrore dhe shërbimet publike duhet të mbrohen nga çdo keqpërdorim për përftime korruptive, i cili në këtë rast nuk është thjesht korrupsion, por është korruptim në nivele të qeverisjes së një vendi, është kapje e shtetit. Ky fenomen është sot kërcënimi real më i madh mbi ekonominë dhe demokracinë në vendet me institucione të dobëta, përfshi rajonin dhe vendin tonë.
X. Ndoshta qeveria duhet të ndal përkohësisht koncesionet, duke rishikuar ligjin, duke qartësuar përgjegjësitë individuale në çdo hallkë të administratës publike, duke përcaktuar përgjegjësinë individuale të ministrit propozues, që askush të mos përfshihet pas përgjegjësisë kolektive.
Duhet vepruar sa më shpejt, nesër do të jetë shumë vonë.
Sigal