Reagimi qytetar: “ Ligjin” për zgjedhjet, si arma e publikut për të vlersuar qeverisjen, e bënë patronazhistët

289
Sigal

Qeveria çaloi në qeverisje, qytetarët humbën besimin

“Ligjin” për zgjedhjet, që është arma e publikut për të vlerësuar qeverisjen, e bënë patronazhistët…

 

Mbajtja e borxhit të lartë (para nuk u përdor për të nxitur ekonominë reale, por më shumë u kanalizua për të financuar projektet e dyshimta PPP, duke u lënë një barrë brezave që vijnë, për të paktën 30 vitet e ardhshme.)

 

 

 

Përgjegjshmëria, llogaridhënia, eficienca dhe efektiviteti, transparenca, menaxhimi i mirë i financave publike, qëndrueshmëria e orientimi afatgjatë janë disa nga parimet e qeverisjes së mirë, të pranuara botërisht.

Ndonëse është e vështirë të arrihen në mënyrë ideale, pjesa më e madhe e qeverive demokratike në botë u qëndrojnë këtyre parimeve dhe përpiqen që t’i zbatojnë ato sa më shumë. Sa më demokratik të jetë një shtet, aq më i lartë është probabiliteti që qeverisja të jetë më e mirë dhe ai ulet për vendet me demokraci hibride, ku bën pjesë edhe Shqipëria.

Të dhënat e Bankës Botërore për Indeksin e Qeverisjes së Mirë, të disponueshme deri në vitin 2019, tregojnë rënie të besimit të publikut ndaj qeverisë, sidomos në dy tregues, atë të eficiencës dhe të kontrollit të korrupsionit. Nga ana tjetër, në të dy këta tregues çalojmë në krahasim me vendet e rajonit, sidomos në besimin që ka publiku se, qeveria po lufton korrupsionin, i cili është më i ulëti në Evropë (për vendin tonë është rreth 25, nga zero më e ulëta dhe 100 më e larta, nga rreth 40 për shtetet e rajonit dhe 90 për vende si Gjermania, apo Austria).

Perceptimi i publikut për një qeverisje jo të mire, lidhet pa dyshim dhe me përparësitë e gabuara të qeverisjes, politikat e ndjekura prej së cilës, nuk rezultojnë të kenë ndikuar në rritjen e mirëqenies së publikut dhe në një shpërndarje të drejtë të të ardhurave. Banka Botërore vlerësoi së fundmi se, ndonëse ekonomia ka pasur rritje relativisht të kënaqshme deri në vitin 2019, kjo nuk është përkthyer në një rënie të varfërisë.

Ndonëse në 2020-n, vendi shënoi rënien e dytë më të ulët pas Serbisë, ajo pa rritjen më të madhe të numrit të të varfërve në rajon, duke vuajtur gabimet e së kaluarës dhe paaftësinë për të nxitur një ekonomi të orientuar nga produktiviteti dhe vlera e shtuar. Vendi vuajti pasojat e keqqeverisjes së viteve të mëparshme, pasi për shkak të rritjes së ulët të të ardhurave, mbi 100 mijë persona zbritën shumë shpejt nën kufirin e varfërisë (shiko shkrimin në faqet e brendshme të revistës).

Mungesa e eficiencës së buxhetit dhe borxhi i lartë, bëri që qeveria të ngrejë duart dhe të lërë biznesin t’i dalë zot vetes. Rindërtimi pas tërmetit, u zvarrit dhe më pas u shfrytëzua, më shumë për qëllime elektorale.

Mbajtja e borxhit të lartë (para krizës së pandemisë ishte afër 70%) nuk u përdor për të nxitur ekonominë reale, por më shumë u kanalizua për të financuar projektet e dyshimta sa i përket eficiencës së Partneriteteve Publike Private, duke u lënë një barrë brezave që vijnë për të paktën 30 vitet e ardhshme. Gjatë pandemisë, mbështetja për bizneset ishte më e ulëta në Evropë, në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto. Mungesa e eficiencës së buxhetit dhe borxhi i lartë bëri që qeveria të ngrejë duart dhe të lërë biznesin t’i dalë zot vetes, ndërsa mori masa shumë më pak të ashpra se shtetet e tjera të Perëndimit, që përparësi kishin ruajtjen e jetëve njerëzore.

Po ashtu dhe qytetarët u përballën, në pjesën më të madhe, me pandeminë me fondet e tyre, duke refuzuar të shkonin në spitalet e tejmbushura që, pavarësisht dëshirës së mirë të stafit mjekësor, nuk arrinin të përballonin ngarkesën (pasojat tashmë dihen me rritjen e ndjeshme të fataliteteve shtesë, më shumë se çdo shtet në Evropë). Edhe në kulmin e pandemisë, nuk u përqendruan fondet në përballimin e sëmundjes vdekjeprurëse, por fokusi vijoi normalisht, me hapjen e projekteve të mëdha, në prag të zgjedhjeve. Rindërtimi pas tërmetit, u zvarrit dhe më pas u shfrytëzua, më shumë për qëllime elektorale.

Nga pësimi nuk po nxirren mësime. Me kokëfortësi, qeveria po vijon me prioritetet e saj, të cilat fatkeqësisht nuk janë të njëjta me ato të publikut. Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), në raportin e tij të fundit, i vuri përsëri në dukje qeverisë, që të frenojë investimet ambicioze dhe të përqendrohet te vaksinimi dhe rindërtimi pas tërmetit. “Do të ishte e këshillueshme që të moderoheshin investimet publike tepër ambicioze të financuara me burime të brendshme, për të mbrojtur shpenzimet prioritare për mbrojtjen sociale, kujdesin shëndetësor (sidomos vaksinimin) dhe rindërtimin nga tërmeti, si dhe për të rritur kontingjencën”, rekomandoi FMN.

Përvoja ka treguar se edhe këto rekomandime, ka gjasa të bien në vesh të shurdhët. Presioni dhe kërkesa e llogaridhënies nga publiku janë forma më e mirë në një demokraci për të ushtruar presion për një qeverisje të mirë e të përgjegjshme. Por, fatkeqësisht, vështirë se kjo të ndodhë, në një vend, ku “ligjin” për zgjedhjet, që është arma e publikut për të vlerësuar qeverisjen, e bënë patronazhistët…