1.8 miliardë lekë subvencione u paguan për fermerët gjatë 2018-s

487
Sigal

Rreth 4000 fermerë kanë përfituar subvencione për produktet e tyre bujqësore gjatë vitit të kaluar. Në një raport të saj, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural sqaroi se në 2018-n janë shpërndarë rreth 16 milionë euro, ose mbi 1.8 miliardë lekë. Fondi i shpërndarë ishte më shumë se 90% i atij të planifikuar që kapte vlerën e 2 miliardë lekëve. Ministria e Bujqësisë shpjegon në raportin e saj se gjatë vitit 2018 kanë aplikuar rreth 6203 aplikantë dhe pas procesit të verifikimit të dokumentacionit, verifikimit në terren, u kualifikuan dhe u paguan 4053 fermerë dhe subjekte agropërpunuese. Në skemat direkte përfituan 3940 aplikantë me rreth 642 milionë lekë dhe në skemën e investimeve përfituan 105 aplikantë me rreth 1.002 milion lekë. Nga buxheti i 2018 për masat kombëtare u paguan dhe detyrimet kontraktuale për subvencionimin e normës së interesit, bazuar në VKM përkatëse të viteve të kaluara. Gjatë gjithë procesit të aplikimit fermerët u asistuan nga specialistët e ekstensionit bujqësor. Për rikonstruksionin dhe pajisjen e 15 zyrave të aplikimit dhe informimit (Agro-pikat) të aplikantëve në skemat mbështetëse kombëtare të bujqësisë dhe zhvillimit rural u alokuan 56,6 milion lekë, nga të cilat u realizuan 47 milionë lekë ose 83% e fondit. Diferenca është si pasojë e procedurave të prokurimit. Gjithashtu sipas ministrisë, fondi i miratuar në buxhetin e vitit 2018, për masat kombëtare u përdor për rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve bujqësore, nëpërmjet shtimit të sipërfaqeve të mbjella me kultivarë të kërkuar nga tregu, përmirësimit të teknologjive të kultivimit, certifikimit të produkteve, rritjes dhe përmirësimit të kapaciteteve të grumbullimit, ruajtjes, pastrimit, seleksionimit, paketimit dhe përpunimit të tyre. Një pjesë e fondeve shkoi për përmirësimin e zinxhirit të sigurisë ushqimore të produkteve blegtorale, nëpërmjet pagesave të kafshëve të matrikulluara të lindjeve të reja, pagesave për dorëzimin e qumështit cilësor, investimeve në thertore, në pikat e grumbullimit dhe përpunimit të produkteve, makineri dhe pajisje në fermat blegtorale.