Prof. Emil Lafe/ Ruajtja dhe zhvillimi i gjuhës shqipe në Malin e Zi

701
Sigal

Revistat shkencore-kulturore të shqiptarëve në Malin e Zi-ndihmesë e shquar në shkencën dhe kulturën kombëtare

Shqiptarët jetojnë në shtete të ndryshme, por kanë pasur dhe duhet të kenë një shtet të përbashkët kulturor kombëtar, që i ka themelet te origjina e përbashkët dhe e stërlashtë, te kultura shpirtërore dhe materiale e përbashkët dhe e lashtë, te mendësia dhe vetëdija etnike e përbashkët dhe e lashtë, te përpjekjet qindravjeçare për të mos iu nënshtruar shpirtërisht sundimtarëve e qeveritarëve të huaj, te gjuha arbërore-shqipe e përbashkët dhe e stërlashtë dhe te gjuha letrare e sotme e përbashkët, e më në fund edhe te aspirata jonë evropiane e përbashkët. Në Malin e Zi shqiptarët përbëjnë një pakicë kombëtare, që nuk jeton në një territor kompakt. Ata jetojnë në pesë komuna: në komunat e Ulqinit e të Tivarit, që janë fqinje e me vijimësi territoriale, në komunën e Podgoricës, të Plavës e të Rozhajës. Jetesa e tyre në ish Republikën Jugosllave të Malit të Zi dhe më pas në Malin e Zi shtet i pavarur ka kaluar nëpër mjaft kthesa e përkthesa, por ata ia kanë dalë të mbeten pasardhës të denjë të të parëve të tyre, që kanë shkruar histori. Ata kanë mbijetuar. Mbijetesa është një çështje madhore për bashkësinë shqiptare në Malin e Zi prej rreth 50-60 mijë frymësh, prej të cilëve ndoshta një e treta janë në mërgim. Në kohën e sotme moderne mbijetesa kuptohet si ruajtje dhe zhvillim i mëtejshëm i kulturës kombëtare nëpërmjet mjeteve të infrastrukturës kulturore, kuptohet si ruajtje dhe zhvillim i mëtejshëm i arsimit në gjuhën amtare dhe i vetëdijes për përkatësinë kombëtare historike. Shtresa intelektuale shqiptare në Malin e Zi nuk e ka ndarë detyrën kombëtare nga veprimtaritë e përditshme për sigurimin e jetesës dhe ia ka dalë të mbajë gjallë në popull dëshirën frymëzuese për të mbetur pjesë e pandashme e botës shqiptare në kuptimin e gjerë të fjalës, për të krijuar një osmozë kulturore-arsimore-shkencore me këtë botë. Institucionet arsimore e shkencore-kulturore të Kosovës në fillim dhe ato të Shqipërisë në kohët e fundit kanë qenë mbështetje e shëndoshë edhe për ecurinë e mbarë të arsimit, të kulturës e të shkencës te bashkësia shqiptare në Malin e Zi.

Revistat

Si një ndër përpjekjet e para të shqiptarëve në Malin e Zi për të krijuar periodikun e vet shkencor-kulturor duhet përmendur edhe revista “Kraja”, që u botua në nëntor 1997 nga një grup intelektualësh, me redaktor përgjegjës Mr. Ismail Dodën, kolegun tonë të zellshëm të studimeve gjuhësore e folkloristike, që përfaqësoi si delegat në Kongresin e Drejtshkrimit (1972) bashkësinë shqiptare në Malin e Zi. Në një parafjalë të shkurtër redaksia shkruan se revista “Kraja” do të ishte një tribunë e fjalës dhe e mendimit të lirë, e hapur për të gjithë, për studime e punime nga shkenca të ndryshme, për krijime letrare e artistike, për botimin e trashëgimisë kulturore popullore dhe me këtë mënyrë do t’i shërbente mbijetesës së shqiptarëve si të tillë në ato vise. Vërtet “Kraja” nuk mundi të mbijetonte (doli vetëm numri i parë), por mbijetoi ideja e saj, misioni i saj, që e vijojnë revistat (sipas radhës së botimit): “Lemba” (1998), “Buzuku” (2001), ”Dija” (2003), “Malësia” (2005), për të cilat jemi mbledhur sot në këtë tubim. Të botosh një revistë është si t’i ngjitesh një mali të përpjetë: duhet të kesh gjunjë të fortë e zemër të fortë. Por kur arrin në majë, kënaqësia është shumë e madhe. Këtë kënaqësi e kanë shijuar prof. Simë Dobreci dhe bashkëpunëtorët e tij me 40 numrat e “Buzukut”, dr. Nail Draga dhe bashkëpunëtorët e tij me 16 numrat e “Lembës”, botuesit e 10 numrave të revistës “Dija” (Muhamet Nika, Gani Karamanaga, Simë Dobreci, Gjekë Gjonaj, Hajro Ulqinaku etj.) dhe z. Nikë Gashaj me bashkëpunëtorët që kanë nxjerrë 8 numrat e revistës “Malësia”. Të gjithë numrat e botuar të këtyre revistave shkojnë në mbi 7500 faqe shtypi. S’ka dyshim se kolegët tanë të nderuar meritojnë përgëzimet më të ngrohta për këtë. Dua të përmend se numri i parë dhe i vetëm i revistës “Kraja” hapet me një shkrim të atë Justin Rrotës për “Mesharin” e Gjon Buzukut. Dihet se Kraja, më fort se çdo tjetër trevë shqiptare, ka arsye të mëtojë se autori i librit të parë shqip është një bir i saj, ashtu siç e cilëson edhe prof. E. Çabej Gjon Buzukun pas analizës shembullore të gjuhës së librit: “bir i malësisë së Krajës, Ljarjes e Shestanit, një famullitar i dalë prej dioqezës së Tivarit a mbase të Ulqinit.” Vetë revista “Buzuku” dhe dy sesione shkencore për 440- dhe 450-vjetorin e “Mesharit” në Ulqin më 1995 e 2005, dëshmojnë se kolegët tanë të nderuar ndiejnë jo vetëm krenari, po edhe përgjegjësi intelektuale, duke qenë nga po ato vise si kryetrimi i shkrimit shqip. Vetëdija për këtë trashëgimi historike vepron si një forcë lëvizëse në Shoqatën e Krijuesve Shqiptarë të atyre trevave. Tri nga revistat e sipërpërmendura, “Lemba”, “Dija” e “Malësia” kanë një profil të qartë kërkimor-shkencor dhe kulturor. Në to janë botuar një varg artikujsh që trajtojnë tema e çështje të mëdha e të vogla të historisë shqiptare që nga lashtësia deri në ditët tona, të kulturës popullore materiale e shpirtërore, të letërsisë dhe të zhvillimeve letrare në përgjithësi, të gjuhës shqipe në vështrim të gjerë që nga sjellja e visareve gjuhësore origjinale të atyre trevave deri te shqyrtimet shkencore për çështje të rëndësishme të zhvillimit historik dhe të gjendjes së sotme të gjuhës shqipe e veçanërisht të gjuhës letrare. Në këto revista përveç autorëve vendës kanë bashkëpunuar edhe shumë autorë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e nga bota e jashtme.

Pasuri e pazëvendësueshme informacionesh

Të gjithë ata që ndjekin ose studiojnë zhvillimet e sotme ose dhe të shkuarën e viseve shqiptare më të epërme në krahun e veriperëndimit, kanë në këto revista një pasuri të pazëvendësueshme informacionesh dhe trajtesash shkencore. Prandaj ato duhet të jenë të pamungueshme në fondet e bibliotekave shkencore e universitare të Shqipërisë dhe më gjerë. Mendoj se është e nevojshme që redaksitë e revistave më të njohura albanologjike, si “Studime historike” e Studime filologjike” në Tiranë dhe “Gjurmime albanologjike” me tri seri në Prishtinë të botojnë rregullisht recensione paraqitëse për çdo numër të ri të revistave të mësipërme. Do të ishte mirë të mendohej edhe për një bibliografi të plotë të këtyre revistave, por hë për hë mund të botohej edhe nga një bibliografi tematike. Bibliografia vetëm e shkrimeve gjuhësore që kam nxjerrë prej tyre përmban: për revistën “Lemba”: 52 artikuj dhe 11 recensione; për revistën “Dija” 50 artikuj dhe 2 recensione; për revistën “Malësia” 63 artikuj dhe 9 recensione, – gjithsej 165 artikuj dhe 22 recensione – një pasuri e vërtetë shkencore.