Kristaq Nanushi: Lasgushi e Mitrushi kanë lëshuar dritë yjore në rrugën time të punës

899
Sigal

INTERVISTA/ Flet studiuesi dhe shkrimtari Kristaq Nanushi

Mësues letërsie një jetë të tërë, por dhe shkrimtar, studiues, skenarist. Ka dy çmime në Konkurset Kombëtare për Letërsinë dhe Artet që zhvilloheshin më parë, në përvjetorë të çlirimit të atdheut, më 1974-n dhe 1984-n. Por ai quan çmim më të vyer mirëpritjen e lexuesit. E thotë me sinqeritet këtë, jo për modesti. Ka një bibliografi të shtypit, e cila përmban shkrimet që flasin për Pogradecin dhe pogradecarët që nga fillimet e shtypit shqip, d.m.th që nga Rilindja, e deri më 1944-n. Është një libër voluminoz, me vlerën e një arkivi të pasur e të rëndësishëm për Pogradecin dhe zonat pranë. Është gati për shtyp.

Z. Kristaq, kohët e fundit në faqet letrare të shtypit, kanë dalë një varg artikujsh vlerësues për librin tuaj të ri “Legjendat e Enkelanës”. Si ndjeheni? 

Natyrisht, mirë. Është e njohur sentenca e të mençurve “njeriu ka nevojë të ndjehet i vlerësuar”. I falënderoj të gjithë, edhe ju për këtë intervistë!

“Legjendat e Enkelanës” vijnë pas librit tuaj të parë “Legjendat e Liknidës”. Është prirje e përhershme kjo për legjenda e gojëdhëna, apo tërheqje rastësore?

Unë jam nga Pogradeci dhe ky qytet, përveç bukurive magjike të natyrës ka kulturë të pasur materiale e shpirtërore, që fle prej shekujsh. Kultura materiale vjen prej gjetjeve arkeologjike, prej kalave të lashta, sot të rrënuara, prej onomastikës, prej urbanizmit, prej etnografisë, zejtarisë etj.. Kurse kultura shpirtërore shpërfaqet në folklorin shumë të pasur e të larmishëm, ku unë veçoj festat pagane, ritet e motmotit, mitet, legjendat e gojëdhënat. Këto janë ruajtur mirë, sidomos në lagjen e Toplecit e të Kishës si dhe në zonat e Mokrës e të Gorës. Këto, pikërisht, më kanë tërhequr tërë jetën, ndaj edhe kam mbledhur me dëshirë gjithë ç’kam mundur.

Çfarë konkretisht?

Po kam rreth 1000 këngë popullore, 1500 fjalë të rralla e frazeologji  autoktone, mbi 200 gojëdhëna e legjenda, historikë ngjarjesh të shënuara të së shkuarës, biografi personalitetesh të shquara aspak ose pak të njohura etj..

Midis tyre shkëlqejnë Lasgushi e Mitrushi, apo jo?

Lasgushi e Mitrushi kanë lëshuar dritë yjore në rrugën time të punës. Ka edhe të tjerë yje në qiellin e kombit. Unë them me ankesë që Pogradeci nuk është vetëm qyteti i Lasgushit dhe i Mitrushit, siç thuhet rëndom. Ai është qyteti edhe i U.M. Dr. Jani Bashos, mjeku që ngriti spitalet e para dhe themeloi shërbimin obstetriko-gjinekologjik në Shqipëri, edhe i Prof. Ark. Kristo Sotirit (Todollit), arkitekt me vepra madhështore në Europë dhe në Shqipëri, edhe i Prof. Gjergj Pekmezit, gjuhëtar, diplomat dhe patriot i madh, edhe i Prof. Kolë Kocit, Mësues i Popullit me kontribute të çmuara në arsimin kombëtar e në tekstet shkollore, edhe i Sulejman Starovës, financier i shquar dhe ministër në qeverinë e A. Zogut, edhe i Koço Seminit, njeri me kulturë e reputacion në gazetarinë dhe përkthimet e paraçlirimit, edhe i Banush Begos, oficer madhor, Deputet i Pogradecit dhe Kryetar Bashkie i Tiranës para çlirimit… Nuk po zgjatem me të tjera personalitete, të kohëve më të reja.

Gjithë ky hulumtim është bërë paralelisht me detyrën tuaj si mësues letërsie?

Po, paralelisht. Një pjesë të kësaj pasurie e kam botuar, një pjesë e kam nëpër duar.

Mund ta njohim lexuesin më nga afër me ato që keni botuar?

Përpos një vargu studimesh të kumtuara ose të botuara në shtypin qendror veçoj disa ngjarje reale që ndërtojnë subjekte dramash për fëmijë e të rinj, të botuara apo të ekranizuara, si: “E fshehta e natës” 1973, “Dy aksidentet” 1974, “Unë do të flas i pari” 1975 etj..

Çfarë temash trajtonin ato?

Temat aktuale të jetës shkollore, problematikën e nxënësve dhe të rinjve, ëndrrat dhe shqetësimet e botës së tyre. Kurse në median elektronike qendrore e lokale janë realizuar një varg emisionesh për thesare të traditës kulturore, si dhe skenarët e filmave dokumentarë “Buçimasi” 1976, “Mokra në gji të maleve” 1984, “Ditënata e qytetit tim” 1998 etj.. “Pogradeci-vendlindja ime” 2008 është libër didaktik në shkollat 9-vjeçare të rrethit tonë. Kurse “Legjendat e Liknidës” 2002 dhe “Legjendat e Enkelanës” i sapobotuar janë libra që morën një punë shumëvjeçare grumbulluese e studiuese mbi lashtësinë e trevës sonë.

Bie në sy që Pogradeci është qendërzuar në krijimtarinë tuaj. 

Është e vërtetë. Pogradeci është gjithë qenia ime. Edhe pse prej 11 vitesh banoj në Tiranë, shpirtërisht atje jam.

Si është pritur krijimtaria juaj?

Mjaft mirë nga shokët, miqtë, kolegët e, sidomos, nga lexuesi i gjerë.

Po nga zyrtarët?

Me zyrtarët kam patur tjetër qasje. E kam në natyrë që të mos u rri para-prapa.

Kishte të tillë?

Kishte. Mund të kisha patur përfitime ashtu, po nuk më ka pëlqyer.

Në të gjithë librat tuaj, keni bashkëpunëtor piktorin Anastas Kostandini. Ka ndonjë arsye të veçantë kjo?

Po, kemi të njëjtin “yll polar”, dashurinë për vendlindjen. Këtë apriori mund ta thonë të gjithë krijuesit, të kudondodhur. Por, më tej, Anastas Kostandini (Taso) hyn saktë në thelbin ideor të subjektit dhe imazhin e ndërton me një alternativë të vet piktorike, e cila jo thjesht ilustron apo konkretizon, por interpreton. Me unin e vet artistik mesazhin e subjektit e sjell me një formë imazhi të dytë, që, përqasur me atë të shkrimtarit, krijon harmonishëm një pasurim e bukuri të këndshme. Falë talentit të veçantë për vizatim e kompozim, ky piktor ndërton më shkathtësi e elegancë peizazhe e portrete plot shprehësi. Ilustrimin Taso e ka fushë të lëvruar që herët, në revistat për fëmijë e në shumë libra të tjerë. Gjithmonë me sukses. Me Tason bëhet një komunikim sa profesional aq edhe shpirtëror. Metaforikisht do të thosha: unë blatoj meshë për vendlindjen, Taso vë lulet e meshëllnikut mbi to.

Kthehemi te dy korifenjtë e letërsisë, Lasgush e Mitrush. Keni patur njohje direkte me ta? 

Kam patur. Me Lasgushin kam shumë biseda, sidomos në lulishten e bukur të turizmit të vjetër, po dhe në shtëpinë e tij. Kam edhe shënime prej tyre, edhe foto. Të papublikuara.

Pse të papublikuara?

Sepse për Lasgushin është bërë shumë zhurmë me debate e polemika të pamerituara. Unë kam preferuar të mënjanohem, për një kohë tjetër. Kurse me Mitrushin kam dy biseda të gjata në shtëpinë e vet pranë Selvisë, në Tiranë. Atje më dërgoi me ilaçe nipi i Mitrushit dhe miku im, mjeku dhe shkrimtari Misto Marko. Ishte viti 1967, unë student në vitin e fundit, Mitrushi në vitin e fundit të jetës. Nuk më shlyhen nga kujtesa ai shikim i butë, i thellë e plot dhembje dhe ato analiza të mençura që bënte ai për letërsinë dhe për jetën. Në shtresëzimet e shumta të memories sime, njohjet direkte me Lasgushin e Mitrushin i kam pasuri të vyera.