Loro Stajka/ Rruga e gabuar e Reformës në Drejtësi

344
Jetoj prej më shumë se 50 vjet me familjen time në SHBA dhe ndjek me vëmendje zhvillimet e politikës në Shqipëri. I drejtohem Kryeministrit Rama, kreut të Drejtësisë Manjani, z. Majko dhe të gjithë krerëve të politikës shqiptare, se po nuk korrigjuan gabimet me pronat, janë ata që po shkatërrojnë Shqipërinë. Ju keni 25 vjet që po flisni për drejtësi, për të drejta të njeriut, për Kushtetutë dhe shtet ligjor, por jeni në rrugë të gabuar. Unë jam i djathtë, por me koncepte perëndimore. Ishte Diktatura që më detyroi të arratisem nga vendi im dhe për këtë, pa gjyq dhe vetëm me urdhër të Komitetit të Partisë më sekuestruan shtëpinë dhe oborrin në Shirokë. Por nuk mund të justifikohet pse ky mentalitet antikombëtar vazhdon edhe sot. Jam i interesuar veçanërisht për pronat e konfiskuara nga diktatura që, pas 1991, pasqyrojnë anarki postkomuniste, shumë më antisociale se konfiskimi komunist për familjen time dhe për shumë të tjera. Si mund të flisni për demokraci ju deputetët që keni 25 vjet që nuk doni ta zgjidhni problemin e pronës? E keqja është se pas 1991, ju deputetët që populli u ka votuar për të drejtuar shtetin, po vazhdoni në po atë mentalitet të gabuar dhe po bëni punën e agjencive antishqiptare, po shkatërroni themelet e shtetit, njëlloj si specialistët që dërgoi Jugosllavia për ta sabotuar ekonominë dhe shoqërinë shqiptare. 
Sistemi i kaosit në vendin tonë
Çfarë emri ka sistemi që u krijua në këto 25 vjet kur shteti dhe gjykatat nuk zbatojnë kushtetutën?! Nuk e kuptoj pse unë duhet të bëj gjyq për të rimarrë pronën që ma grabiti shteti, pse u dashka që gjykata të marri vendimin për të kthyer pronën time, kur shteti i ka të gjitha dokumentet se çfarë më kanë sekuestruar pa vendim gjyqi. Mjafton që të analizoni vendimin e Gjykatës së Shkodër ku gjyqtari ma kthen shtëpinë, por nuk ma kthen oborrin rreth saj. Avokati im mbrojtës në ujdi me gjyqtarin, ka heshtur dhe nuk e ka kundërshtuar vendimin. Këtë allishverish ku gjyqtari e ka formuluar vendimet sipas porosive që ka marrë, unë e kam kap me vonesë pasi jetoj kryesisht në SHBA. Kështu mua më duhet një helikopter për të hyrë në shtëpi nga çatia kur të kthehem në shtëpi, ose të strehohem përsëri në hotele. Por ju pyes: A ka filtra për këta gjyqtarë që abuzojnë në mënyrë kaq flagrante? Ministrit të Drejtësisë dhe Kryeministrit i kam shkruar disa herë për problemin e pronës time, por ata nuk kanë vepruar. Në këto kushte ju pyes publikisht: A mund të flitet për drejtësi atje ku gjyqtari dhe avokati mbrojtës i lexojnë keq dokumentet dhe nuk zbatojnë ligjin. Në Shqipëri ka shumë njerëz të ndershëm në të gjitha nivelet e jetës, por ata kanë frikë të flasin se i heqin nga puna. Si qytetar i thjeshtë, ju adresoj këtë kërkesë publike, duke theksuar se nëse doni zgjidhjen e problemit të pronës, vizitoni faqen e internetit të pronarëve, ku do të gjeni letrat e shumë pronarëve të tjerë. Aty do të gjeni edhe zgjidhjen që ka ofruar Shoqata Pronësi me Drejtësi. Falënderoj intelektualët që kanë hapur faqen e internetit të shoqatës (www.defendingproperty.com) ku gjej shumë informacion. Kjo faqe interneti sqaron ma së miri çdo drejtues shteti dhe çdo politikan që kërkon të punojë për të mirën e demokracisë, të popullit dhe vendit të tij. Disa media theksojnë se burim i të gjitha të këqijave për popullin janë deputetët që pas 1991 miratuan për pronat ligje antikushtetuese dhe nuk po reagojnë për t’i korrigjuar. 
Gabimet e së Majtës
E Majta ka gabuar në dhjetor 2015, kur miratoi ligjin për pronat duke pretenduar se me atë ligj do zgjidhet përfundimisht problemi i saj. Ata që e kanë përgatitur këtë ligj, kërkojnë të justifikojnë të gjitha veprimet e paligjshme të shtetit dhe të individëve për 25 vjet. Kjo është jo vetëm antidemokratike, por edhe antishqiptare. Nëse doni të bëni një veprim efektiv për dekriminalizimin e Kuvendit dhe pastaj të shtetit duhet të filloni me pronën tek i zoti, se kjo është themeli i shtetit dhe i demokracisë. Ju po përdorni fjalët legalizim, zona informale, ndërtime informale etj. Raste të veçanta mund të ketë, por kur ato përfshihen me nën ligje dhe vendime qeverie, kjo është një nga mënyrat për vjedhje të mbrojtur me ligj. Tradhtia dhe prona nuk falen për interesa të politikanëve. 
SHBA
Sigal