Prof. Ass. Zamira Çavo: Reforma në arsim, në radhë të parë duhet të ishte reformë që promovon cilësinë

473
Duket sikur janë qetësuar zërat kundër reformës në arsimin e lartë. Mendoni se këto zëra më së shumti janë nisur nga interesa private, sesa nga e vërteta e vetë reformës? 
– Nuk besoj se janë shuar zërat kundër reformës në Arsimin e Lartë. Por ka një të vërtetë; kjo reformë ende nuk është implementuar. Pra sapo të fillojë të implementohet do të dalin në pah mangësitë për të cilat, zërat kundër nuk kanë reshtur të flasin. Mesa është shfaqur në këtë debat problemi më i madh është raporti mes privatit dhe publikut, pra sektorit privat në arsimin e larte dhe atij shtetëror ose publik sikundër quhet. 

– Ju e gjeni këtë problem? A ndjeheni ju si universitet privat më i privilegjuar nga reforma, në raport me universitetin publik? 
– Në mendimin tim, ky nuk është problemi për të cilën është kundërshtuar reforma. Madje unë personalisht kam qene kundër edhe deklarimeve të kryeministrit se sektori publik në arsim e lartë do ketë gjithnjë përparësi. Unë e kam parë dhe do ta shikoj gjithnjë arsimin e lartë privat si komplementarë me arsimin publik. Të dy këta sektorë në fund të fundit realizojnë një të mirë publike: edukimin, arsimimin përgatitjen e brezave profesioniste dhe elitën e nesërme. Pra Ligji vendos në një segment standardesh të dy këto universitete. Problemi qëndron gjetkë. Nëse Ligji nuk përcakton saktësisht si do të realizohet barazia mes këtyre dy shërbimeve, nëse le evazive sqarimin e situatave reale, sigurisht që as barazia mes këtyre dy shërbimeve nuk realizohet por as sektori jopublik nuk gjen veten në trajtim të barabartë. E keqja qëndron në startin jo të barabartë që kanë universitetet. P.sh: universitetet publike në një pjesë të tyre nuk janë akredituar ende, as si institucione dhe as si programe. Ndërkohë që institucionet jopublike janë të gjitha të akredituara institucionalisht. Si do veprohet më tej? Ose rasti tjetër: ndonjë universitet publik ka të akredituar doktoraturat në një gamë aq të gjerë sa të lind dyshimi i një qëndrimi fare jashtë ligjor ndaj këtij akreditimi, ndërkohë universitetet publike ende nuk kanë të miratuara kuotat e tyre për doktoraturat. Shembuj të tillë ka plot. Pra ka një kakofoni standardesh, të mbështetura nga preferencat politike të çastit. Unë përfaqësoj një institucion jopublik, por mbi të gjitha, unë jam një pedagoge që më dhemb e ardhmja e vendit. Në këtë këndvështrim unë përpiqem të jem sa më afër arsyetimit për një shërbim publik cilësor. Sinqerisht ju them se nuk e di ende nëse si institucion do të ndjehemi të privilegjuar. Deri më sot nuk e kam ndjerë aspak një erë të tillë. Përkundrazi. Por sikundër ju thashë edhe në fillim Ligji i arsimit të lartë nuk ka ende ndonjë aspekt implementues të dukshëm. 

– Pra, ju po thoni se Ligji i Arsimit të lartë ka hyrë dhe nuk ka hyrë në fuqi? 
– Ekzaktësisht! Ky ligj ndryshe nga ligjet e tjera kërkon shumë VKM apo Urdhra për tu zbatuar. Por ende nuk është shoqëruar me infrastrukturën e duhur ligjore. Madje jo rrallë është thënë se ky nen hyn në fuqi, ky tjetri hyn në fuqi vitin tjetër. Sërish kakofoni. Dhe kur ka një gjendje të tillë, unë e etiketoj anarki institucionale. 

– Kryeministri disa herë ka deklaruar, se i është dhënë fund kohës kur jepeshin diploma false. Dhe po kështu ka deklaruar, se brezi i ri ka vetëm paçavure në vend të diplomave. Ju si i vlerësoni këto deklarata? 
– Shikoni, unë mendoj se disa hapa pozitivë në dëshirën për të vënë një farë rregulli edhe janë bërë. Mbyllja e disa universiteteve apo dhe shkollave private që nuk plotësonin standardet është bërë. Por kjo nuk ka ndryshuar asgjë në thelbin e sistemit universitar. Sepse realisht reforma e arsimit të lartë do ishte dashur të rrokte gjerësisht standardet e cilësisë dhe jo vetëm standardet organizimi. Unë gjykoj që në problemet e cilësisë reforma ka anashkaluar situatën. Sa për faktin që të rinjtë tundin diploma paçavure unë do ta pyesja kryeministrin: Çfarë ka ndryshuar në faktin që diplomat e “kohës” së rilindjes qenkan më të vlershme se ato të mëparshmet? Dhe ua a jap unë përgjigjen, ‘asgjë’! Madje po prodhohen doktoratura me thasë pa asnjë impakt në studime dhe vetëm për para. Po kështu do të thosha se nga ata të rinj që kanë marrë diplomat edhe në universitete publike apo private gjatë këtyre 25 viteve, ka prej tyre që kanë shndritur në Europë madje edhe ne Amerikë. Ndaj nuk jam farë dakord me nënvlerësimin e arritjeve në sistemin arsimor. 

– Pra, ju thoni se nuk ka skarcitet diplomash? 
– Jo, nuk thashë këtë. Unë them se skarciteti i diplomave ka qenë dhe do të jetë për aq kohë sa nuk do ketë standarde cilësie, për aq kohë sa pedagogu anatemohet, për aq kohë sa kurikulat nuk do të jenë në avangarde të kërkesave të tregut shqiptar, për aq kohë sa qeveria të mos e marrë seriozisht nevojën për arsim dhe kur buxheti i arsimit të jetë në parametrat, të paktën rajonalë. 

– Po diplomat ama, nuk blihen më si dikur apo jo? 
– Varet çfarë kuptoni ju me blerje. Kam dëgjuar argumente se, nëse paguan studentë në universitet private, ai e ka blerë realisht diplomën. Ky arsyetim është i gabuar. Nëse shërbimi në një universitet privat është më i mirë, si në kushte ashtu dhe në cilësi akademike, sigurisht që pagesa do të jetë më e lartë. Unë ju siguroj se në universitetin që unë përfaqësoj as që mund të mendohet blerja e diplomës. Pra “blerja” është një dukuri që është shfaqur, por edhe mund të shfaqet, nëse nuk ka vlerësime standardesh. Kjo varet nga mënyra se si është ndërtuar universiteti, nga përgjegjshmëria e pedagogut dhe nga kontrollet mbi cilësinë. Sepse në mendimin tim “blerje” është dhe dhënia e një diplome ta pamerituar, sidomos në ciklin e tretë të studimeve, pra në doktoratura. 

– Cilat, sipas jush janë problemet madhore të arsimit tonë? 
– Unë e kam thënë disa herë, Shqipëria ka nevojë për Revolucion në arsim. Ka ardhur koha të ndryshohet paradigma e arsimit. Në Shqipëri është nevojë urgjente të formojmë dhe jo informojmë. Ne kemi nevojë në radhë të parë të edukojmë qytetari. Në këtë pikë kemi shumë mangësi. Ndaj të gjitha lëndët që nxisin dhe edukojnë mendim e sjellje qytetare duhen avantazhuar. Dhe kjo duhet nisur nga sistemi parashkollor deri ne arsimin e mesëm. Lëndët shoqërore duhet të zënë vendime duhur, madje me përparësi. Nga ana tjetër do duhet të ndryshojë koncepti për edukimin jo si mësimdhënie, por si nxitje e fantazisë dhe logjikës së fëmijës e më tej të riut drejtë zgjidhjeve të situatave reale. Mbi të gjitha duhet ikur sa më parë nga modeli “unë flas dhe ti dëgjon”. Ne shqiptarët kemi nevojë shumë për të promovuar bashkëpunimin. Arsimi duhet ta mundësojë këtë në klasa dhe auditorë. Nuk habiten më studentët me përsëritje të frazave të mësuara nga të tjerët. Duan qasje të re komunikimi. Ndaj mendoj se arsimi në të gjithë sistemin ka nevojë për revolucion. Por revolucionin nuk e bëjnë dot zyrtarët, sado të aftë qofshin. Ndaj ministria do duhej të zhvillonte herë pas herë konsultime me pedagogë të njohur, me mësues apasionantë, me njerëz që u dhemb e ardhmja e vendit. Por këto takime edhe kur bëhen (të paktën disa të tilla u bënë për reformën me grupe interesi) bëhen formale, ku flet vetëm institucioni dhe të tjerët mbajnë vesh. Jetojmë në kohën e internetit dhe të rinjtë kanë nevojë për një edukim që t’i përgjigjet nevojave të vendit dhe kohës.
Pedagoge e Universitetit “Marin Barleti” 
Sigal