Lidhjet që shpëtojnë krimin dhe fundosin drejtësinë

714
Sigal

Gjithë gjykatësit dhe manovrat që kanë shpëtuar Ilir Xhakjan nga veprat e tij penale

 I dyshuari kryesor për ekzekutimin e kryekomisarit të policisë se Shijakut, Ilir Xhakja, ka fituar lirinë përmes një vendimi të Gjykatës së Lartë, që prishi atë të mëparshmin të Gjykatës së Krimeve të Rënda, që e ndëshkonte Xhakajn me 21 vjet burg për vrasje me paramendim.

Vendimi i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë ka pasur relatore Arjana Fullanin, bashkëshorten e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani, i cili është përfolur shumë kohët e fundit për shpërdorimet e shumave të mëdha të parave, që janë bërë prej tij, në kurriz të Bankës Shqiptare. Ai mban datën 14 tetor 2009 dhe ka prishur vendimin e formës së prerë të Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda dhe të Shkallës së Parë, duke e çuar dosjen për rigjykim në Gjykatën e Faktit në Durrës, për kompetencë. Dy shkallët e gjyqësorit të krimeve të renda kishin dënuar me plot 21 vite heqje lirie Ilir Xhakajn, për vrasjen e Qerim Malokut. Në relacionin e gjyqtares Arjana Fullani thuhet se, vendimi i Apelit të Krimeve të Rënda është marrë jashtë kompetencës së kësaj gjykate, pasi me ndryshimet e bëra në kodin e procedurës penale pak javë para se Prokuroria të dorëzonte çështjen në gjykatë, ia ka hequr të drejtën e gjykimit Krimeve të Renda për rastin në fjalë. Duke shfrytëzuar këtë hapësirë ligjore dhe disa qëndrime të Gjykatës Kushtetuese, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë e bëri të pavlefshëm vendimin e Krimeve të Rënda me 21 vite heqje lirie për Xhakajn. Por, vendimi që i dha atij pafajësinë është ai i marrë në Shkallën e Parë të Gjykatës Durrës, nga gjykatësi Neritan Tabaku, i cili ende nuk është zbardhur, edhe pse është marrë që prej me shumë se një viti e shtatë muaj, ndonëse kanë kaluar të gjitha afatet e arsyeshme ligjore. Pra, Ilir Xhakja ka dalë në liri pa u zbardhur vendimi i lirisë dhe duke mos i dhënë mundësi Gjykatës së Apelit të rinisë çështjen. E gjitha kjo duket një veprim tërësisht i koordinuar mes Gjykatës së Shkallës së Parë dhe autorit.

Fakti i moszbardhjes se vendimit që nga shkurti 2011 konfirmohet zyrtarisht edhe nga Prokuroria e Përgjithshme. Këshilltari për mediat, Plator Nesturi, deklaroi se së fundmi çështja ndaj Ilir Xhakjes është gjykuar nga Gjykata e Durrësit dhe prokurori ka kërkuar 25 vjet burgim. Pas vendimit të gjykatës për pafajësinë e tij, shtoi zoti Nesturi, “Prokuroria e Durrësit ka bërë ankim për këtë vendim në datën 18 shkurt 2011, dhe ne jemi ende në pritje të veprimeve që do kryejë Gjykata e Apelit”. Për dijeni, sqaron këshilltari Nesturi, ankimi është bërë pa pasur një vendim të zbardhur për çështje të afateve, megjithëse vendimi nuk ishte zbardhur. Këtë vendim ende nuk e disponojmë, mbylli shpjegimin e tij për  një media shqiptare, këshilltari i Prokurorisë së Përgjithshme.

 -Vendimi i Gjykatës së Lartë, që relatoi Adriana Fullani

 Nr.1391/633/60 i Regj. Themeltar

Nr.493 i Vendimit

VENDIM NË EMËR TË REPUBLIKËS

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë i përbërë nga:

Ardian Dvorani, Evjeni Sinoimeri, Irma Bala, Arjana Fullani, Aleksander Muskaj, në datën 14.10.2009 mori në shqyrtim në seancë gjyqësore çështjen penale, që i përket:

TË GJYKUARIT: ILIR XHAKJA, i biri i Azemit, i vtl.1974, lindur dhe banues në Sukth, i dënuar.

A K U Z U A R: Për kryerjen e veprës penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.

Baza Ligjore: Neni 78/1-25 dhe 278/2 i K.Penal.

Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, me vendimin nr.15, datë 27.03.2006 ka vendosur: Deklarimin fajtor të të pandehurit Ilir Xhakja për veprën penale të “Vrasjes me paramendim” në bashkëpunim në dëm të viktimës Qerim Maloku, të parashikuar nga nenet 78-25 te K.Penal dhe dënimin e tij me 21 (njëzet e një) vjet burgim. Pushimin e çështjes përsa i pëket akuzës së “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake”, parashikuar nga neni 278/2 i Kodit Penal në ngarkim të të pandehurit Ilir Xhakja. Vuajtja e këtij dënimi për të pandehurin Ilir Xhakja të kryhet në burg të sigurisë së lartë. Gjykata e Apelit për Krime të Rënda Tiranë, me vendimin nr.46, datë 19.06.2006 ka vendosur: Lënien në fuqi të vendimit nr.15, datë 27.03.2006 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë. Kundër vendimit nr.46, datë 19.06.2006 të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda Tiranë, në mbështetje të nenit 432 të K.Pr.P., brenda afatit ligjor, ka ushtruar rekurs i gjykuari Ilir Xhakja, mbrojtësi i tij, duke kërkuar prishjen e vendimeve dhe pushimin e çështjes penale për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 78-25 i Kodit Penal për disa shkaqe.

Rrethanë tjetër e pakontestueshme është vërtetimi i banimit i lëshuar nga Zyra e Regjistrimit të popullsisë në qytetin e Memmingemit të Gjermanisë, vërtetim, i cili përmban dhe vulën e Ambasadës Shqiptare në Berlin me nr.330, datë 13.03.2003, që tregon qarte se në kohen e ndodhjes së vrasjes së shtetasit Qerim Maloku, Ilir Xhakja ka qenë në Gjermani, me mijëra km larg, për më tepër që organi i akuzës pretendoi se mbrojtja nuk kishte sjellë asnjë prove që të vërtetonte se i pandehuri Ilir Xhakja nuk ka hyrë dhe ka dalë nga Shqipëria, duke dhe aluduar se nuk janë mbajtur të rregullta regjistrat e hyrjeve dhe daljeve nga aeroporti shqiptar

-KOLEGJI PENAL I GJYKATËS SË LARTË

Pasi dëgjoi relacionin e gjyqtares Ajana Fullani; Prokurorin Artur Selmani, i cili kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda Tiranë; mbrojtësin e të gjykuarit Ilir Xhakja, Av. Aldo Shala, i cili parashtroi se çështja objekt gjykimi është gjykuar nga gjykata më të ulëta në mungesë të kompetencës lëndore dhe për këtë kërkoi prishjen e vendimeve të Gjykatës së Shkallës së Parë dhe Apelit për Krime të Rënda Tiranë dhe dërgimin e akteve për gjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë Durrës, si gjykatë kompetente; si dhe pasi bisedoi çështjen në tërësi vendosi: Prishjen e vendimit nr.46, datë 19.06.2006 të Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda dhe vendimit nr.15, datë 27.03.2006 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë. Dërgimin e akteve për gjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë Durrës si gjykatë kompetente.  Tirane, me 14.10.2009

Lidhur me këtë çështje pati reagime të shumta edhe nga organet përgjegjëse për mbarëvajtjen e drejtësisë në vend. Ndër këto, me urdhër të Zëvendëskryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, z. Cefa, Inspektorati i këtij Këshilli, do të verifikojë veprimtarinë gjyqësore të realizuar nga gjykatat, në shqyrtimin e akuzave penale, në ngarkim të të pandehurve, të dyshuar si autorë të ngjarjes së rëndë të ndodhur në datën 13.09.2012, ndaj Kryekomisarit Adem Tahiraj.