Gjykata e Elbasanit si “Baste- On Line”, qytetarët akuza për zbatuesit e ligjit

358
Në rrugën që dredhon nga Drejtoria e Policisë drejt godinës së Gjykatës dhe Prokurorisë në Elbasan, nuk është më shumë se 100 metra gjatësi dhe do të shikosh se në dy krahët e saj janë 2-3 pika legale “Baste-Live” dhe kafene. Por askush nuk e mendon dhe e beson se atje çdo ditë takohen hallexhinj dhe sekserë, (jo për baste sportive) që bëjnë biseda dhe vendosin “fatin” e proceseve gjyqësore mes palëve. Shpesh tek afrohesh tek ajo rrugë, ku ndodhen institucionet e drejtësisë në Elbasan, do të konstatosh se, gjysma e punës, apo fitorja apo humbja e palëve, vendoset tek lokalet karshi atyre godinave. Fakti është se ka vite që sistemi drejtësisë e ka marrë tatëpjetën dhe njollën e zezë. Edhe në Elbasan, sistemi gjyqësor, mbetet i akuzuar për korrupsion, dhe kjo më së shumti rëndon çdo ditë xhepat dhe jetën e qytetarëve elbasanas, të hallexhinjve, të atyre që sorollaten zyrave duke shpresuar se do të marrin drejtësi. Çdo ditë para godinave të drejtësisë presin me dhjetëra e dhjetëra qytetarë, të cilët halli i sjell në dyert e saj, për pronën, apo çështje të tjera penale dhe civile, dhe tek i pyet të thonë “do ta fitoj gjyqin, i dhashë avokatit sa më kërkoi për ta fituar çështjen”. Dhe natyrisht po qe se, nuk jepen paratë, gjyqin e humb dhe vërdallisesh në Apel, ku edhe atje është një tmerr pa fund. Po deri kur me këtë sistem të kalbur dhe të korruptuar drejtësie? Ditët e fundit, një gjyqtar në Elbasan, u bë objekt akuzash nga një familje autoktone, e cila e akuzonte se kishte bërë procesin gjyqësor dhe kishte marrë vendimin e njëanshëm pa qenë fare dëshmitarja, e cila kishte vite që kishte vdekur, madje në Durrës, atje ku ishte martuar para 60 vitesh. Shpesh abuzimi me detyrën dhe korrupsioni kanë qenë objekt i medias, analistëve, i KLD, por deri sot nuk ka realisht një të penalizuar. Statistikat zyrtare flasin se të paktën për Elbasanin, kemi 6 gjyqtarë të denoncuar 3 prej të cilëve e kanë mbyllur çështjen penale, kurse 3 janë akoma në proces gjykimi dhe 4 të tjerë me vërejtje me paralajmërim nga KLD. Elbasani veçohet si qyteti ku vërshojnë lumë denoncimet drejt KLD dhe Presidencës. E kthyer në “traditë” bërja e drejtësisë në rrugë e lokale, është eksperienca më negative që mund të asfiksojë dhe denigrojë shumë keq sistemin e drejtësisë. Por realiteti nuk mund të shtrembërohet, por duhet thënë siç është, pasi ndryshe nuk ndryshon asgjë për mirë. Ka shumë qytetarë elbasanas që torturohen me vite në e zyrat për hallet dhe problemet me drejtësinë, duke paguar gjoba tek sekserët e avokatët, duke shpresuar drejtësi dhe vendime të bazuara në ligj, duke zbrazur xhepat dhe shkatërruar jetën e tyre. Edhe sikur ta konsiderosh demagogji gjithçka thuhet, mjafton të lexosh deklaratën e pasurisë gjyqtarëve dhe të kuptosh realitetin. Qytetarët e Elbasanit tashmë e kanë humbur edhe besimin tek ndëshkimi ligjor ndaj korrupsionit, duke përjetuar çdo ditë realitetin e dhimbshëm që rëndon mbi xhepat dhe familjet e tyre.
Sigal