Xhezo Cana: Roli i Tepelenës në Shpalljen e Pavarësisë

759
Sigal

Në 1908 u krijua klubi patriotik “Bashkimi” me drejtues Sadulla Tepelenën që ndihmoi në hapjen e shkollave shqipe

Roli i Tepelenë në prag të Shpalljes së Pavarësisë

Në viti 1910-1912 klubi patriotik i Tepelenës mori emrin “Drita” dhe drejtues i tij ishte baba Ahmet Turani

Nga: Xhezo Cana

 Treva e Tepelenës shtrihet në Jug të Shqipërisë. Në përbërjen e saj nga shekulli XIX ishin dy nënprefektura që vareshin nga prefektura e Gjirokastrës. Kjo treve sot kufizohet në veri dhe veri-perëndim nga Mallakastra dhe Berati. Në veri-lindje dhe lindje nga Skrapari dhe Përmeti. Nga Jug-lindje dhe jugu kufizohet nga Gjirokastra dhe bashkia e Himarës. Ne jug-perëndim kufizohet nga Vlora.

Vitet 1900-1912  u karakterizuan nga një zhvillim i madh në lëvizjen patriotike. Edhe në Tepelenë dhe Kurvelesh, si dy qendra nënprefekture, pati një lëvizje të gjerë patriotike. Tepelena ka marrë pjesë aktive në të gjitha ngjarjet që zhvilloheshin në Jug të Shqipërisë. Kryetari i bashkisë në Tepelenë ishte Sadulla Tepelena (Agaraj) dhe nënprefekt  në fillim Veli Vasjari. Pastaj ai u zëvendësua me Sabit Lulo nga Gjirokastra. Një ndikim të madh në jetën politike dhe ekonomike në Tepelenë kanë luajtur dhe familjet e mëdha.

Një ndikim tjetër në jetën politike të vendit luanin dhe teqetë, sidomos ato bektashiane, si ajo e Koshtanit me baba Ahmet Koshtanin, baba Ahmet Turani, baba Hasan Memaliaj, Sheh Ali Bënça, baba Medin Gllava etj.

Disa nga ngjarjet kryesore të viteve 1908-1912 për rrethin e Tepelenës janë:

-Në Tepelenë në vitin 1908 u krijua klubi patriotik “Bashkimi” me drejtues Sadulla Tepelenën që ndihmoi në hapjen e shkollave shqipe.  Në Progonat në vitin 1910 u krijua klubi patriotik “Arbëria” me kryetar Shaqo Buxo dhe sekretar Arif Toto.

-U hap shkolla e parë shqipe për gjithë Vilajetin e Janinës në fshatin Koshtan më 15 tetor 1909 nga baba Ahmet Koshtani dhe patriotë të tjerë të Tepelenës.

– Në korrik 1909 po në teqenë e Koshtanit u realizua Kongresi Arsimor i ndërkrahinor me përfaqësues nga Vilajeti Janinës, ku midis të tjerave u vendos hapja e 10 shkollave shqipe në fshatrat e Tepelenës.

– Në 1911 me ndihmën financiare të Thodhori Meksit dhe mësues  Panajot Meksi nga fshati Labovë i nënprefekturës Tepelenë, u hap shkolla shqipe në qytetin e Tepelenës.

-Gjithashtu në vitet 1909-1911 u hapën shkolla shqipe në Labovën e Zhabës po nga Panajot Meksi, në Nivicë-Rexhin nga Shuko Dalipi, shkolla e Krahësit me mësues Ibrahim Selimi, në fshatin Matohasanaj nga baba Saliu, në Nivicë-Rexhin me mësues Shuko Dalipi, në fshatin Progonat me mësues Shaqo Buxo etj.

Në viti 1910-1912 klubi patriotik i Tepelenës mori emrin “Drita” dhe drejtues i tij ishte baba Ahmet Turani. Fitorja e xhonturqve më 1908 në përgjithësi u përkrah nga shqiptarët, pasi ata premtuan disa të drejta për shqiptarët, ku kryesorja ishte lejimi i mësimit të gjuhës shqipe. Por pasi erdhën në pushtet nuk morën asnjë vendim për t’i hapur shkollat shqipe, si dhe në administratë të punësoheshin shqiptarë. U desh iniciativa dhe puna e patriotëve, që bënë të mundur të hapnin shkolla shqipe. Shpenzimet për hapjen e shkollave u bë nga shumë atdhetarë. Por xhonturqit  u tërhoqën shpejt nga këto premtime, duke penguar hapjen e shkollave shqipe. Kjo solli kryengritjet antiturke të viteve 1911-12 si në Jug dhe në Veri të vendit.

U krijuan çeta në Toskëri me nismën  e Arshi Shehut, dhe mbështetur nga Teqeja e Toçit, e Krahësit, por edhe në Kurvelesh ku drejtoheshin nga Rakip Duka në Gusmar, Veip Runa në Nivicë, në Kolonjë etj. Kryengritësit e Tepelenës dhe Kurveleshit u lidhën dhe me ata të Veriut për të organizuar dhe përmbledhur kërkesat e tyre. Për këtë u bë një takim në Cepo të Gjirokastrës, ku përfaqësuesit e Tepelenës dhe Kurveleshit ishin: Sadulla Tepelena, Veip Runa, Namik Delvina, Riza Runa, Shaqir Gjonleka, Hamza Isai etj. Pas këtij takimi në shtëpinë e Sadulla Agaraj në Tepelenë u zhvillua Kuvendi i Tepelenës (10/23 gusht 1911) ku përfaqësues nga Porta e Lartë  ishin Fejzi Alizoti dhe Xhafer  Ypi, ndërsa kryengritësit përfaqësoheshin nga Namik Delvina, Sadulla Tepelena etj.  U arrit një marrëveshje e përkohshme për të drejtat e shqiptarëve për sa i përket arsimit dhe të drejtave të tjera.

Në vitit 1908-12 në Tepelenë pas Veli Vasjarit, Sabit Lulos nga Qesaraka i Gjirokastrës, si nënprefekt i Tepelenës vinë Shemo Hajro dhe komandant Isuf Zekua nga Gjirokastra  dhe në fund Neki Muharrem Libohova. Në kujtimet e mësuesit  të shkollës së parë shqipe në Koshtan, Qazim Rustemi, thuhet: “nënprefekti Veli Vasjari na përkrahte në pajisjen e nxënësve me libra shqipe dhe mjete të tjera të nevojshme”. Sabit Lulo vjen në Tepelenë si nënprefekt nga prefektura e Gjirokastrës dhe ndihmoi në hapjen e klubit “Drita” në fillim të vitit 1910, ku kryetar zgjidhet Baba Ahmet Turani. Për nënprefektin e fundit Neki Libohova e vërteton një letër që i ati, Muharrem Libohova i shkruan nga Berati, Ahmet Ago Durmishit, Prefektit të Vlorës,  i cili ndodhej në Vlorë. Përmbajta e letrës është kjo: “Lutemi pyeteni Shkëlqetësin e Tij z.Ismail Qemal Ben, Im- birë, Neki Efendiu, nënprefekt i Tepelenës, duhet të shkoj në vend në detyrë apo jo. Presë përgjigjen Tuaj biri imë. Muharrem Libohova”. Letra mban datën 29 nëntor 1912, vetëm një ditë mbas shpalljes së pavarësisë.

Klubi patriotik i Tepelenës kishte kryetar Baba Ahmet Turanin dhe mbështetej nga Sadulla Xhaferi, Gani Shaqir Shehu, Dervish Vebiu nga Tepelena, Beqir Samiu nga Mezhgorani, Shuaip Shehu e Ali Kalua nga Luzati, Sheh Ali Bënça, Islam Sinani nga Dukaj, Selam Musai dhe Ali Rakipi nga Salaria, Veis Arifi , Ismail Kasua dhe Mersin Meçe nga Dhemblani, Hysni Sinaj dhe Adem Muhameti nga Sinanaj, Hasan Dulja nga Matohasanaj, Sheh Veipi nga Hormova, Josif Kuri nga Lekli dhe doktor Thoma Haxhiu nga Labova që punonte në Tepelenë, me profesion mjek.

Në Tepelene ishte krijuar dhe organizata “Dora e zezë”, e cila kishte qëllim te mblidhte rreth vetes njerëz të ndershëm dhe trima  për qëllime të larta patriotike. Bërthama e kësaj organizate ishte: Gani Shehu, Beqir Samiu, Ali Kalua, Dk. Thoma Haxhiu dhe Rakip Salaria, i cili ka qenë dhe sekretar i nënprefekturës  Tepelenë.

Disa nga atdhetaret, që kishin kontribuar për lëvizjen nga viti 1905-1912 janë:  Hito Lekdushi, Demo Emini nga Nivica, Sali Asllani nga Rexhini, Abaz Dashi nga Nivica, Shuko Dalipi nga Rexhini, Shaqo Buxo nga Progonati, Zenel Mehmeti nga Progonati, Rakip Duka nga Gusmari, Ismail Kaso nga Dhëmblani, Mersin Meçe nga Dhëmblani, Femi Mezhgorani nga Mezhgorani, Veli Vasjari nga Vasjari, Arshi Shehu nga Tepelena, Baba Ahmet Koshtani, Baba Ahmet Turani, Baba Sali Beqiri nga Matohasanaj, Brahim Selimi nga Krahësi etj.

Çeta e Nivic-Guzmarit më 1911 : 1-Veip Runa, 2-Rakip Duka, 3-Hasbi Beluli, 4-Sinan Muça, 5-Adem Shehu, 6-Velo Emini, 7-Shuko Dalipi, 8-Asllan Velika, 9-Kuko Bardhi, 10-Evel Duka, 11-Haki Sula, 12-Tonfik Bido, 13-Sak Mersimi, 14-Nexhip Xhaka, 15-Haki Malo, 16-Murat Orhani.

Firmëtarët e pavarësisë në kuvendin e Vlorës 1912

 Më datën 27 nëntor 1912 sipas një kërkese nga organizatorët e Kuvendit të Pavarësisë së Vlorës u mblodhën në Tepelenë përfaqësues nga të gjitha fshatrat. Letra nga organizatorët e kongresit njoftonte për qëllimin e ardhjes së Ismail Qemalit dhe u kërkonte të dërgonin sa më parë delegatët për në Vlorë. Nga kjo mbledhje u zgjodhën përfaqësuesit e Tepelenës për në Vlorë. Në një letër që u dërgua nga Tepelena për në Vlorë thuhet:

“Riziku i atdheut po shihet në sy. Populli i kësaj ane ka rrokë armët mbarë e po mbron Atdheun në vise të ndryshme. Tepelena zgjodhi tre përfaqësues; dy mysliman e një i krishterë e me u dërguar sa më shpejt në Vlonë. U pa e pëlqyeshme që të dërgohen në emër të nënprefekturës së Tepelenës; Aristidh Ruçi nga katundi Sheper[1] që ashtë tregtar në Vlonë, Shehi Maksud Efendi Tepelena edhe dervish Sami Efendiu nga Parësia e katundit  po nënë mbështetjen e Mezhgoranit ,të cilët janë të zot, me gjykim të mirë edhe kanë besimin e popullit.”

Në të njëjtin dokument tregohen kryepleqtë, që kanë vulosur me vulë dhe gisht, ndërsa disa kanë shkruar dhe emrin ku janë: Ali Riza për fshatin  Luzat, Ali Rahimi për fshatin Veliqot, Malo Islami për fshatin Dhëmblan, Sheh Abedini për fshatin Bënçë, Asim Memushi për fshatin Turanin, Dervish Pasho për fshatin Matohasanaj, Zeqir Nuho për fshatin Dorëz, Kasëm Rasim  Hasan për fshatin Mezhgoran, Iliaz Dervishi për fshatin Dragot, Hasan Alushi për fshatin Kashisht, Ahmet Mehmeti për fshatin Vasjar, Myrteza Halimi për fshatin Gllavë, Th. Hadzi për Labovën, Spiro Stefan për fshatin Sheper dhe Mirshiv Agatish për fshatin Beçisht.

Delegatët, që u caktuan për përfaqësimin e Tepelenës, si dhe populli nuk kishin të qartë se çfarë do të ndodhte në Vlorë, nuk ishin të informuar se aty do të shpallej pavarësia. Midis të tjerash në letrën që Tepelena i dërgonte Vlorës thuhej: “nga shkaku i mësymjeve të katër Mbretërive Ballkanike, rreziku i atdheut po shihet në sy. Populli i kësaj ane ka rrokë armë me siguru triumfin e me ruajt nderin e Islamismës e marrëdhënien e Mbretërisë Otomane. Ne jemi gati për të mbrojtur me armë territoret e Shqipërisë që rrezikoheshin nga agresori i Jugut nën mbështetjen e Turqisë”. Në atë kohë rreziku më i madh nuk ishte Turqia, por agresioni i fqinjë si në Veri dhe ne Jug dhe kjo ka qenë arsye e këtij qëndrimi të shumë patriotëve.

Në datën 28 nëntor 1912 edhe pse një pjesë e delegatëve ishin në rrugë për në Vlorë, Ismail Qemali shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Në datën 29 nëntor 1912, vetëm një ditë më pas, e nënshkruar nga Ismail Qemali vjen telegrami tjetër për në Tepelenë, ku midis të tjerash thuhet: “Kongresi i përbamun prej përfaqësuesve të Shqipnisë, u hap sot e me një zë u shpallë independenca. Lutemi që t’a shpallni edhe aty edhe duhet me i ba ballë sulmeve t’anmikut qi kërkon të shkeli Atdheun tonë të shenjtë, të forconi vijën e mbrojtjes edhe të përpiqeni me mbajtë qetësin e vendit. Ismail Qemali”.

Delegatët e Tepelenës ishin nisur për në Vlorë, me përjashtim të Aristidh Rucit , i cili ndodhej në Vlorë. Ishte Maksut Shehu dhe Sami Efendiu nga Mezhgorani që po udhëtonin për në Vlorë. U nisën me kuaj dhe pa arritur në fshatin Sevaster i zuri një shi i madh dhe nuk mundën të vazhdonin me tej. Maksut Shehu u ftoh dhe u sëmur rëndë. Nga posta e Sevasterit njoftuan Tepelenën për çfarë u kishte ngjarë. Pas bisedash me parësinë e Tepelenës u caktuan dy delegatë  të tjerë. Zëvendës kryetar i Bashkisë së Tepelenës, Shehi Mahmud, në datën 1 dhjetor 1912 dërgon një telegram Vlorës ku  Thuhet: “Pasi Sheh Maksuti dhe Sami Beu, për shkaqe shëndeti nuk mund të vijnë, në këmbë të tyre u pa e udhës nga Këshilli i Përgjithshëm të emërohet shkëlqesia e tij Myfit Beu, përfaqësues i Gjirokastrës, Feim Efendi Mezhgorani, përfaqësues i Klubit të Janinës që po vjen bashkë me shkëlqesinë e tij Kriso Meksi nga Labova edhe Aristidh Ruci për të cilin qe shkruar ma përpara. Urdhëroni e bëni veprimet e duhura”.

Përfaqësuesit e Tepelenës si firmëtar në shpalljen e pavarësisë ishin:

1-Feim Mezhgorani, nga fshati Mezhgoranit

2-Aristidh Ruci nga Sheperi i Zagorisë, nën juridiksionin e Tepelenës.

3-Kristo Meksi nga fshati Labovë, nën juridiksionin e Tepelenës

Por në Vlorë në këtë Kuvend shkuan shumë patriotë tepelenas. Nga një informacion që gjendet në Muzeun e Tepelenës rezulton se për në Vlorë kanë udhëtuar përveç delegatëve me të drejtë vote, edhe këta atdhetarë: Sulejman Luzati, Sheh Ali Bença,  Beqir Samiu nga Mezhgorani, Arshi Shehu nga Tepelena, Ismail Kaso Meçe nga Dhëmblani, Ahmet Daci nga Progonati, Faslli Lamkaj nga Shalsi, Bido Ismaili nga Shalsi, Llane Ahmiti nga Gllava, Beqir Shehu nga Toçi, baba Ahmet Beqiraj etj. Delegatët e Tepelenës shkuan 2-3 ditë pasi kishte filluar punimet Kuvendi i Pavarësisë. Po kush ishin firmëtarët e pavarësisë:

Feim Mezhgorani.  (Mullaraj): Kryetar i klubit “Bashkimi” të Janinës pas vrasjes së Kadri Gjatës nga qarqe ekstremiste greke.

Është delegat dhe firmëtar i Pavarësisë në Vlorë si përfaqësues i klubit “Bashkimi” dhe Tepelenës, Feim Mezhgorani, ose Fehim Tepelena siç nënshkruante në shumë raste, lindi në vitin 1874 në Mezhgoran të Tepelenës.  Është i biri i Myrtezanit, i cili ishte emigrant në Amerikë. Kreu shkollën fillore në vendlindje dhe pastaj gjimnazin “Zosimea” në Janinë. Pasi përfundoi me rezultate të larta shkollën në Janinë, shkon për studime në Stamboll, ku përfundon në vitin 1902  Fakultetin për Drejtësi. I ndikuar nga atdhetarët si Sami Frashëri, Shahin Kolonja e Rasim Dino u bë veprimtar i zellshëm i klubeve patriotike të Stambollit. Pas përfundimit të shkollës në vitin 1902 u emërua në gjykatën e Janinës ku u lidh dhe bashkëpunoi me atdhetarët Musa e Rexhep Demi, Kadri Gjatën dhe Ali Asllanin. Pati bashkëpunim me pjesëtarët e klubit “Vëllazëria” të Filatit dhe “Drita” të Gjirokastrës.

Anëtar  i klubit atdhetar “Bashkimi” të Janinës në vitin 1908-1911 dhe kryeredaktor i gazetës “Zgjimi i Shqipërisë“ drejtor i të cilës në atë kohë ishte Nuçi Naçi e më vonë Abdyl Kadri. Kjo gazetë me përmbajtje atdhetare dërgohej fshehurazi nga Femi Mezhgorani në Tepelenë.  Pas vrasjes nga shovinistët grekë të patriotit Kadri Gjata , Femi Mezhgorani u zgjidh Kryetar i klubit “Bashkimi” të Janinës. Sapo u njoftua për kuvendin e Vlorës për Shpalljen e Pavarësisë u nis nga Janina për në Vlorë si përfaqësues i “Bashkimit”. Në Gjirokastër u takua me Myfid Libohovën, Petro Pogën dhe Hysen Hoxhën. Pritën dhe delegatët e Çamërisë dhe u nisën drejt Vlorës ku arritën në datën 3 dhjetor 1912.

Feim Mezhgorani dhe Kristo Meksi, zëvendësuan Sheh Maksutin dhe Sami Beun (nga Mezhgorani), të cilët nuk mund të vinin për arsye shëndetësore. Sami Havës Mullai, që zëvendësoi e kishte djalë xhaxhai. Më datën 4 dhjetor 1912, Feim Mezhgorani së bashku me Kristo Meksin i dërgojnë telegram Tepelenës: “U japim lajmin e gëzueshëm se Kabineti dhe Senati u formuan. Presim përgjigjen e telegramit që u dërguam dije..”

Me shpalljen e Pavarësisë dhe krijimin e Qeverisë së Ismail Qemalit, duke pasur parasysh aftësitë e tij, caktohet si ndihmës i Ministrit të Drejtësisë z. Petro Poga për të hartuar aktet ligjore të shtetit të ri. Pastaj kryeministri, Ismail Qemali në maj të vitit 1913 e cakton Feim Mezhgoranin Drejtorin e Policisë së shtetit.