Xhevat LLURI/ Tare Sadik Çelo, personalitet i shkencës e jetës shoqërore në 90-vjetorin e lindjes

1013
Sigal

 Doktor i Shkencave Zooteknike, ish-drejtues i lartë i Ministrisë së Bujqësisë, sot veteran e invalid i LANÇ-it, mbush 90 vjeç

Për figurën e personalitetin e tij më kishin folur shumë kolegë të tij bashkëluftëtarë e veteranë të LANÇ-it, por për ta njohur më mirë aktivitetin e kontribuuesin e madh në shërbim të atdheut vendosa që të marr takim me ‘të pasi ndodhej në një moshë të thyer dhe vitet e pleqërisë po i kalonte në Shtëpinë e të Moshuarve pasi bashkëshortja i është ndarë nga jeta para 10 vitesh dhe dy djemtë e tij punojnë e jetojnë jashtë shtetit.  Më datë 18.03.2014 shkova e takova në Shtëpinë e të Moshuarve së bashku me shokun e tij Koço Toti, i cili mbante kontakte me ‘të dhe i çon shtypin e përditshëm. Atje na pritën zonjat Mira Shalari dhe Malvina Koçi dhe infermieret Lumturi Muja dhe Orkida Tagani që kujdeseshin në mënyrë të veçantë për ‘të dhe na shoqëruan në dhomën e tij. Moment i takimit ishte prekës, si u befasua nga vizita jonë dhe na falënderoi për këtë takim. Në bisedë të lirë me ‘të na tregoi për vendimin e marrë për ardhjen në këtë shtëpi, pasi nuk e përballonte dot vetminë për vetë moshën e thyer, pas ndarjes nga jeta të bashkëshortes. Në vazhdim, filloi të fliste për jetën dhe aktivitetin e tij, pjesëmarrjen në LANÇ, studimet e kryera mbas çlirimit dhe kontributet e dhëna në shërbim të atdheut në të gjitha periudhat. Po e dëgjoja me vëmendje rrëfimin e tij dhe u befasova nga tërë ai aktivitet i spikatur i tij dhe familjes në shërbim të atdheut, para e pas çlirimit të vendit, pjesëmarrja aktive në LANÇ, studimet e kryera jashtë shtetit dhe vlerësimi i bërë dhe kontributi i madh i tij në fushën e shkencave. Duke dëgjuar rrëfimin e tij më lindi mendimi për të shkruar për këtë personalitet të shkencës që gjatë gjithë jetës ka dhënë shumë për këtë vend. Ja ky është një ndër tërë ato figura të brezit të tij që kanë dhënë shumë nga jeta e tyre dhe kanë derdhur gjak në themelet e lirisë së atdheut që pasardhësit e kolaboracionistët kërkojnë të mohojnë e tjetërsojnë Luftën Legjendare për lirinë e atdheut dhe krijimin e themeleve të shëndosha në fushën e shkencës dhe teknikës për zhvillimin ekonomik të vendit.  Tare Sadik Çelo, lindur më 19 Prill 1924 në qytetin e Gjirokastrës në një familje me tradita të hershme atdhetare. Babai i tij ka qenë ndër mësuesit e parë të shkollës “Drita” dhe “Koto Hoxhi” që kanë mësuar breza të tërë nxënësish. Familjarisht kanë marrë pjesë aktive në LANÇ. Babai ka qenë anëtarë i Këshillit N.Sh. të qytetit. Në vizitën që ka bërë Enver Hoxha në 50- vjetorin e gjimnazit “Asim Zeneli”, mësuesit e parë gjirokastritë i ka quajtur Luftëtarët e Lirisë që dhanë kontribut të madh në Lëvizjet përparimtare, mes tyre ka vlerësuar dhe Sadik Çelon. I lindur e rritur në një familje të tillë, Tarja u edukua që në fëmijëri me dashurinë për atdheun. Me pushtimin fashist të vendit më 7 prill 1939, krijoi një urrejtje e madhe për pushtuesin dhe përqafon idetë përparimtare për liri, ju bashkua kësaj lëvizje si aktivist i rinisë antifashiste dhe zgjeruan radhët e tyre, duke u bërë iniciatori i krijimit të Çetës së Rinisë dhe aktivist të kësaj organizate për të tërë qytetin. Mori pjesë në demonstratën e parë të liceistëve gjirokastritë në mars të 1942-t, iniciuar nga qarkori i Partisë, ku prinin Zihni Sako, Qibrie Ciu, Siri dhe Dalan Shapllo, Kadri Loloçi e shumë të tjerë mes tyre dhe Tare Çelo. Me ‘ta ishin dhe dëshmorët Ago Topulli Braho Sako, Qazim Pali dhe Riza Doda që dhanë jetën për liri. Ka vazhduar me shpërndarjen e trakteve si në qytet e fshat së bashku me Petref Pumon. Për këtë është arrestuar për disa ditë, pasi ranë në sy të fashistëve, por u liruan për mungesë provash. Çeta partizane e Rinisë, ku bënte pjesë, iu bashkua batalioni partizan “Baba Abas” që më vonë ky batalion u inkuadrua në Brigadën e 6/S dhe Tarja u caktua përgjegjës i rinisë së tij batalioni. Ka qenë pjesëmarrës në të gjitha betejat e zhvilluara kundër pushtuesve, por si më kryesoret veçon luftimet në Libohovë kundër pushtuesve italianë e ballistë-zogist në gusht të vitit 1943, në Borsh të Sarandës, në Fter dhe në Qafë të Dërrasës kundër gjermanëve. Në operacionet e zhvilluara në Dëshnicë e Skrapar dhe luftën në Mavrovë të Vlorës në 31 mars të 1944-s, ku patën humbje të mëdha. U vranë 25 partizanë dhe u plagosën 20 të tjetër, mes tyre mbeti i plagosur dhe Tare Çela, sot invalid i LANÇ-it. Shpërthimi i një granate në këto luftime copat e së cilës i ka akoma në trup dhe mjekimin e parë ja bëri infermierja e batalionit Fato Berberi sot “Heroinë e Popullit” dhe u kurua për tre muaj në spitalin partizan në Ramicë. Pas largimit nga spitali si i plagosur, qarkori e cakton me detyrë në teknikë deri në çlirimin e vendit. Në janar 1945 mbaron 2 klasa të shkollës që kishte lënë dhe në vitin 1946 dërgohet për studime në Kroaci për zooteknikë dhe agronomi. Me prishjen e marrëdhënieve me ish-Jugosllavinë, në vitin 1948 dërgohet për studime në akademinë “Timirjazev” në Moskë, ku ishte përgjegjës për 5 studentë shqiptarë mes tyre dhe Pirro Dodbiba. Në vitin 1952 mbron studimet me diplomë, i dalluar dhe emërohet pedagog në Katedrën e Zooteknikës në Institutin e Lartë Bujqësorë, ku zëvendësoi këshilltarin rus Llukjanov, që kryente detyrën e Rektorit për anën shkencore. Në korrik të këtij vitit emërohet ndihmës ministër e drejtor i Drejtorisë së Blegtorisë në Ministrinë e Bujqësisë deri në tetor të 1955. Në këtë kohë emërohet drejtor i stacionit të zooteknisë në Shkodër, që më vonë u kthye në Institutin e Kërkimeve Zooteknike deri në 1957-n. Ndërkohë, mbaron temën e aspiranturës mbi “Studimin e rritjes së gjedhëve dhe rrugët e përmirësimit të tyre” si udhëheqës të kësaj teme kishte profesorin rus Arzumanjan. Ndërkohë, ka qenë dhe anëtar i Këshillit Shkencor në Institutin e Bujqësisë dhe Biologjisë “Miçurin”, ku morri vlerësime maksimale për titullin “Kandidat i Shkencave”. Tarja ishte këmbëngulës në zgjerimin e njohurive shkencore në këtë fushë dhe vazhdonte kërkimet dhe studimet për identifikimin e linjave gjenealogjike dhe peshës në tufa të mëdha të racave “xhersei” dhe “laramane”, si dhe botimin shkencor me temë “Probleme për përmirësimin gjenetik të gjedhëve për qumësht” me oponent Prof. Teki Tartarin dhe Feim Gjokajn. Mbështetur në këto studime me propozim të Fakultetit të Zooteknisë të Akademisë “Timirjazev” i jepet titulli “Doktor i Shkencave Zooteknike” . Për veprimtarinë e tij shkencore në këtë fushë dhe rezultate të arritura në praktikë është vlerësuar nga udhëheqja e kohës dhe Kryeministri, çka vërtetohet nga vizitat e ndryshme që kanë bërë në Institutin e Kërkimeve Zooteknike në Shkodër, që nga Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Hysni Kapo dhe delegacione të huaja që ata shoqëronin, të cilat janë të fiksuara dhe në fotografi. Gjatë kohës që punonte në këtë institut është zgjedhur sekretar i Komitetit të Partisë Shkodër dhe në Këshillin Popullor të Rrethit. Për kontributin e tij të madh në zhvillimin e shkencës së zooteknisë. Partia e Punës e ka zgjedhur kandidat të Komitetit Qendror në tre kongrese e fiksuar, edhe në një fotografi me Enver Hoxhën.  Ka bërë studime të shumta për rrugët e zhvillimit të blegtorisë dhe përmirësimit të racave. Ka botuar 8 tekste mësimore, tre libra e broshura, 24 artikuj shkencorë në shtypin e përditshëm, 6 referate e kumtesa si dhe materiale të ndryshme për gradat shkencore si dhe botime të ndryshme në shtypin e huaj. Ka botuar në 2 vëllime librin “Arritje dhe probleme të zooteknisë shqiptare”. Në mënyrë të përmbledhur ka shkruar rreth 3022 faqe me bashkautorë dhe 2295 faqe individualisht, kjo tregon për një kontribut të madh shkencor në zhvillimin e veprimtarisë prodhuese. Për punë të mirë dhe pjesëmarrjen e tij në LANÇ, mban shumë urdhra, medalje e çmime të ndryshme.

Pas një aksidenti automobilistik, në vitin 1969 emërohet Drejtor i Institutit të Kërkimeve Veterinare. Ka qenë merita dhe kontributi i tij, që ndërtoi një godinë të re funksionale dhe e pajisi me aparatura moderne deri në vitin 1982 që del në pension. Në vitin 1961 është martuar me Jeta Siri Shapllo nga Gjirokastra, pedagoge dhe kjo nga familje atdhetare. Nga martesa kanë lindur e rritur 2 djem, Dritanin dhe Sokolin me arsim të lartë, të cilët punojnë dhe jetojnë jashtë shtetit. Në vitin 2003 bashkëshortja ndahet nga jeta, humbja e të cilës i solli një dhimbje të madhe, megjithatë, ai e përballoi dhe vazhdoi jetën me kujtimet e saj. Mbas daljes në pension, aktivizohet në Organizatën e Veteranëve dhe me drejtues të Shoqatës Kombëtare të Invalidëve të LANÇ-it, ka qenë gjithmonë aktiv në mbrojtjen e idealeve të kësaj lufte, duke i propaganduar edhe tek brezi i ri. Për aktivitetin e kontributin e tij, Kryesia e Komitetit Kombëtar të Veteranëve të LANÇ-it i ka dhënë titullin më të lartë “Nderi i Organizatës së Veteranëve” që është një vlerësim i madh për personin e tij. Nëpërmjet portretizimit të këtij personaliteti të shkencës dhe jetës shoqërore, për kontributin e madh në shërbim të atdheut besoj dhe shpresoj që të sjell në vëmendjen e brezit të sotëm, dëshirën për të studiuar e kërkuar më shumë nga vetja, duke iu referuar gjithmonë të rejave shkencore dhe për t’i vënë ato në jetë në praktikën e punës, për të lënë një trashëgimi me vlerë në shërbim të atdheut.