Xhemal Veizaj/ Kush e vrau Kapiten Baki Qafën?

1426
Sigal

Trimat nuk dorëzohen, o vriten në pusi, o vriten me tradhti

Në veprën nr.38 të  Enver Hoxhës botuar dy vjet pas vrasjes të ish- Kryeministrit mafioz shkruhet: Byroja politike e KQ të partisë vendosi të emërojë ministër Mbrojtjeje  kapitenin e I-rë Baki Qafën, por për çudi ky djalosh u zhduk në mënyrë misterioze.

 Fëmijëria

U lind në një fshat të vogël malor, në Qafë -Skrapar në familjen e mullahasanëve, familje e madhe, mikpritëse, bujare, familje që kishte lindur trima të rrallë. Vëllai i madh i Bexhetit  kishte shkuar në Korçë për të parë një të afërm të tij në burg. Kur po kthehej për në Skrapar në të dalë të Korçës i dalin përpara dy xhandarë. I diktuan atë që kishin në brez dhe e urdhëruan që ta dorëzonte. Ai iu përgjigj. Unë revolen e kam për hallin tim. Po deshët hapni rrugën se kjo merret nga gryka dhe jo nga doreza. Xhandarët e shikuan sy ndër sy dhe nuk vepruan. E kështu ai vazhdoi rrugën  për në shtëpi. Kjo ndodhi u bë legjendë në të tërë Skraparin. Trim lindesh dhe nuk bëhesh. Një proverb në Skrapar thotë:

Trimat nuk dorëzohen

O vriten në pusi

O vriten me tradhti

Me tradhti u vra biri i këtij  trualli, biri i Skraparit, djaloshi që u rrit jetim. Aty nga viti 1918 digjet shtëpia dykatëshe e kësaj familje shkrumbohet nga “Vorioepirotët”, Elenët (andartët grekë), kështu shkruan Bakiu në ditarin e tij, mbetën keq se na shkatërroi armiku. Kështu  familja e tij  shkon në Berat, se tre vëllezërit mbetën jetimë pasi kolera bëri kërdinë, vdes e ëma dhe i ati. Në Berat rri dy vjet dhe kthehen përherë në Vendlindje, por më vonë  përsëri marrin rrugën, për në Myzeqe, vendosen në Libofshë, fshat afër qytetit të Fierit. Këtu vazhdon shkollën unike dhe me rezultate të shkëlqyera. Meqenëse, i pëlqente arti ushtarak, vazhdon shkollën e aspirantëve dhe në vitin 1922 shërben si pastkomandant, në Durrës deri në Fillim të vitit 1923. Por ato ditë pritej të bëhej shtetrrethimi dhe ky u bë nga kryengritësit nën komandën e Hysen Myshketës. Aty vritet një shoku i Bakiut, Bajram Xhani nga Kavaja. U vranë e shumë të tjerë nënvizon në ditarin e tij ai.

Baki Qafa vendos të largohet për në Greqi. E kështu merr rrugën për në Skrapar. Këndej ishte i sigurt. Njihte vendin për të kaluar Gramozin. Shqipëria në ato vite të errëta bënte që të largoheshin djemtë e saj të kalonin në shtigje të rrezikshme. Bashkohet me skraparllinj si Riza Cerovën, Qerim Kapinovën, Ali Nishicën, Ali Konprenckën, kalojnë kufirin dhe hyjnë në tokën greke. Zënë punë në një fabrikë tullash. Kalon kohë, punë e vështirë e lodhshme. Mirëpo Riza Cerova patriot i madh mendonte thellë, mendonte për kombin, për lirinë kombëtare Shqipërinë e sfilitur. E nis Bakiun për në Shqipëri, me mision të lartë patriotik të fuste në Shqipëri broshura propagandistike, ku bënin fjalë për popullin, për hallet e tij, për regjimin zogist. Bakiu mori rrugën për në atdhe . Në kufi kapedani grek Stamolis nuk e lejon se kërkonte një shumë të madhe të hollash për ato çka kishte me vete. Atëherë Bakiu kthehet për në Selanik, kalon natën kufirin dhe strehohet në Teqenë e Bektashinjve. Kështu deri në vitin 1927 qëndron në Teqenë e Bektashinjve. Kur kishte qenë në punën e fabrikës së tullave, kishte bërë mjaft agjitacion, punë politike me punëtorët grekë, sepse e zotëronte greqishten e kështu shpesh herë duket më aktiv në  revoltën e punëtorëve, prandaj kërkohej nga korofillakët grekë, sepse ishte kundër mbretit dhe partisë Venizellos. Atëherë merr një letër nga Riza Cerova të largohet sa më parë. Vendos të largohet por ishte e vështirë. Ndihmohet nga Riza Cerova, Xhelal Preveza, Xhevdet Deshnica, e bisedojnë dhe vendosin ta kalojnë nëpërmjet  kufirit Jugosllav. Atë natë e kalon tek kallauzi Mustafa Turku, i cili e drejton për në Jugosllavi dhe pastaj për në Austri. Shkollohet në akademinë ushtarake, artiljer, mëson mirë gjermanisht .Kthehet  në  Bosnje. Atje kishte një mik Qamil Xhanin dyqanxhi. Edhe Bakiu hap një dyqan veshjesh, po në vitin 1942 shet plaçkat e dyqanit, dyqanin tek myftiu i Xhabicit dhe kthehet në Shqipëri mjaft i përmalluar. Me të ardhur në atdhe hyn në lëvizjen  në rrjedhën e Luftës Nacional Çlirimtare takon në Kolonjë të Leshnjes Skënder Libohovën më 22.XII 1942.

…Viti 1943, ilegal në Pezë

Në prill të këtij viti Bakiu hyn ilegal në Pezë dhe prej andej në maj të po atij viti bashkohet me Spiro Moisiun, Rrahman Ruçin, Xhevdet Nepravishtën, por ndahet shpejt dhe më vonë në qershor bashkohet  me çetën e  Myzeqesë e cila vepron në Zonën e Libohovës dhe fillon në këtë zonë të gjerë, prej 42 fshatrash. Komanda e xhandarmërisë që ndodhej në Libofshë duhej çarmatosur dhe kështu bëri. Çetat janë mjaft aktive, janë në lëvizje, bëjnë punë për të formuar  këshillat e L.N.Ç., por xhandarët janë nëpër këmbë. Bakiu shkon nga çeta e Hiqmet Meçës tek çeta e Rrahim Grigorit si i dërguar i çetës Myzeqeja, ku bën punë të madhe propagandistike. Ngre këshillat N.ÇL, komandën e vendit, e cila ndihmon në aktivizimin e partizanëve në furnizimin e çetave me armë  e municione. Nis çarmatosjen e xhandarëve. Kështu çarmatos Non Pemën. Në shtëpinë e Gor Ferës mblidhet çeta e tij. Më vonë merr letër nga Veiz Pipa (Bajku), i cili e informon se, Italia fashiste ka kapitulluar dhe se italianët këtu kërkojnë  armëpushim. Italianët janë  dorëzuar, është dorëzuar çeta e Halit Kosovarit e Hazbi Meshgoranit, por armët nuk u janë marrë, kështu një xhandar i armatosur vret kryetarin e këshillit  N.Ç.L, Zog Ndrekën. Çetat  partizane bëjnë luftime sa në një zonë në një tjetër, kështu çeta e Novruz Gjergjoivës bën luftime në zonën e Peqinit. Luftimet vazhdojnë…

….Ndodhi në Lushnjë

Partizanët e batalionit Myzeqeja, më vonë brigada e XIII luftojnë në rrethinat dhe  lufta është e ndezur në tërë Myzeqenë. Një kolonë gjermane vjen tek ura e Kuçit. Partizanët kanë zënë pritë, bëhen luftime, gjermanët kanë mjaft ushtarë të vrarë edhe një xhips me katër oficerë të shkatërruar. Xhipsin e morën partizanët dhe e futën në thellësi të fshatrave  të Lushnjës. Komanda Gjermane ishte vendosur në Lushnje në një shtëpi trekatëshe. Kishin zënë katër partizanë robër. E mori vesh Bakiu. Do të shkoj ti shpëtoj thotë Bakiu, por shokët nuk janë në një mendje, se është punë me rrezik dhe humbet jetën. Bakiu vishet me  rrobat e oficerit gjerman, merr xhipsin dhe niset. Nata  sapo kishte hedhur vellon e zezë. Lart në qiell mijëra  yje rrinë e vështrojnë betejën e luftës. Poshtë tyre qëndron fusha e blertë, kodrat e hirta që mbajnë në kurriz ullinjtë shekullorë, vështrojnë ujërat e Semanit që duken si të dremitura, e që vazhdojnë  rrugën, për në detin Adriatik. Një mitraloz gjerman vendosur në pozicion bunkeri kontrollon  rrugën që të çon për në Fier, zjarri i dendur i tij i ngjan një litari të zjarrtë. Jehona e Krismave të Armëve duket sikur do të përpijë tokën dhe qiellin me gjithë këtë xhips që çan e bredh për në vendndodhjen e partizanëve. Mbërrin, lë xhipsin të ndezur jashtë, hyn brenda dhe  gjermani që ndodhet në katin e parë merr qëndrim gatitu, nderon. Bakiu i flet gjermanisht dhe e urdhëron ti hipi partizanët robër në xhips për t’i pushkatuar. Gjermani ashtu bëri, por në katin e tretë ndodhej një gjerman tjetër. Ngul këmbë se do t’i djegë. Bakiu e merr gjermanin e shkurtër dhe të dobët e përplas pas murit e nxjerr në dritare dhe hedh me kokë poshtë në anën e pasme të ndërtesës. Zbret poshtë e drejtë e tek xhipsi, niset në drejtim të Karavastasë, dhe kur vjen në fshatin Dushk ndalon, liron partizanët që mbetën të mahnitur. Nisen e hyjnë në brendësi në fshatin Gramsh e bashkohen me partizanët. Kjo ndodhi u përhap në tërë  Myzeqenë.

Buja e madhe

…Kur mëson këtë ngjarje, këtë guxim e trimëri që tregohej nga  Miti Bozo, ish- partizan në çetën e Myzeqesë dhe më vonë drejtor në N.B Sukth apo nga Thimi Zegali luftëtar në çetën  partizane dhe sekretar partie po në N.B Sukth, mbushesh plot indinjatë, kur mëson për tragjedinë tronditëse që do të tregoj më  poshtë. Para se do t’u tregoj për këtë figurë mjaft komplekse  shtoi se aktiviteti i tij nuk mbaron  si partizan, si komandant i batalionit të tretë të brigadës të XIII-të e cila më 15./10 /1944 çliroi Fierin dhe më vonë luftoi për çlirimin e Shqipërisë (Brigada e 13-të sulmuese).

Detyrat pas çlirimit

Bakiu pas viteve 1944, ka qenë me detyrë komandant i Ishullit të Sazanit, më vonë transferohet në Korçë, me detyrë të rëndësishme komandant Brigade i qarkut të Korçës. Në vitin 1948 në Ministrinë e Mbrojtjes dhe me gradën kapiten i parë.

Por ç’ndodhi? Flinte në hotel Internacional. Atë mëngjes pranvere, e hënë e zezë, mbylli sytë Bakiu e s’u kthye më. Nuk dëgjoi më  cicërimat e zogjve, nuk u mori erë trëndafilave e karafilave shumë ngjyrësh, nuk ndjeu më dihatjen e ditëve  pranverore. U vra nga dora gjakatare e kriminelit, i xhandarit mallakastriot, bariut të dhive Hamdi Lemua. Ishte vrasje e porositur nga Mehmet Shehu, njeri intrigant e ambicioz, karrierist e hipokrit e arrogant. Në veprën  38 të  Enver Hoxhës botuar dy vjet pas vrasjes të ish- kryeministrit mafioz shkruhet: Byroja politike e KQ të partisë vendosi të emërojë ministër Mbrojtjeje  kapitenin e I-rë Baki Qafën, por për çudi ky djalosh u zhduk në mënyrë misterioze. Çuditet udhëheqësi hipokrit e dallkauk. Por shton se oficeri u zhduk nga dora e intriga  e “komandantit legjendar”.…Në ato vite të errëta u vra në hotel Internacional Baki Qafa. Në shtypin e kohës shkruajnë shokët e luftës: Zija Kambo, Petrit Dume, Veiz Pipa (Bujku) Miti Bazo etj..

Ata shprehën indinjatën e thellë, dhimbjen, humbjen e shokut të shtrenjtë e të dashur, por gjithashtu kërkojnë nga drejtësia dënim kapital për këtë kriminel. Do të gjykonte kryetari i Gjykatës së Lartë, “kolonel bariu” që kishte lënë varur kërrabën në shkozat e Mallakastrës, B. Klosi. Hamdi Semua dënohet 10 vjet burg dhe për çudi bëri 3-4 vjet dhe sapo erdhi në Mallakastër u bë kryetar kooperative. Ai nuk ishte gjykim dhe dënim. Simir Rustemi nga fshati Libofshë, veprën 38 (Enver Hoxha) e ruan dhe e mban si ikonë të shenjtë. Këtë pjesë, ku bëhet fjalë për shokun e vegjëlisë, shokun e luftës, mikun më të shtrenjtë dhe shpesh herë lexon dhe hedh sytë nga fotografia e ngrirë në mur, i kujtohet dhe i del përpara  engjëlli i tij…por…tret shikimin diku larg…dhe ah! …Kaluan kaq vite, familja, Quniu, vëllai i vogël nuk e kujtoi! “Plaga e ligë dhe fjala e ligë, nuk kanë harrim”, thotë një filozof. Donte të shkruante për ‘të vëllai, por nuk mundi se letra do të binte në dorën e “Makbethit të kuq” dhe do ta internonte e syrgjynoste “sulltani” i shekullit XX.