Vasil Zhapa: Oratoria e poetit partizan, hero i popullit Memo Meto

1258
Sigal

Me oratori, poezi e maliher për lirinë e Atdheut

Poeti partizan, Heroi i Popullit Memo Meto

Memo Meta njihet si orator i fjalës të zjarrtë, i mendimit të thellë, i patosit të shndritshëm atdhetar, i qëndrimit të guximshëm patriotik, mëmëdhetar dhe revolucionar. Ai ishte dhe mbetet, bir i shquar i vendit që e lindi dhe e mëkoi me pjalmin e pastër, të bollshëm, me dashurinë e madhe për vendlindjen, për Kurveleshin, për atdheun. Fjala e tij e qartë, bindëse me argumente të shumta u dëgjua në biseda me të rinj, të rritur e të moshuar, shtëpi më shtëpi, në lagje e lugina, kodra, stane e kudo në Kuҫ, Kurvelesh, fshatrave të bregut, në Rezomë, Delvinë, Sarandë etj. Thirrjet e tij për bashkim popullor në Luftën ANÇL për çlirimin e vendit nga pushtuesit nazi-fashist dhe shërbëtorët e tyre besnikë bënë që, të bindur në fitoren e lirisë, të rroknin armët të rinj e të reja, të mëdhenj e gjer më të moshuarit dhe të inkuadroheshin në formacionet partizane. Ligjërimet e tij sqaronin gjithkënd që dëgjonte. Ato ishin thirrje zemre dhe mendjeje të kthjellët e bindëse. Ai njihte mirë zakonet, traditat, temperamentet dhe depërtonte me fjalorin dhe gjuhën e tij plotësisht të kthjellët në botëkuptimin e bashkëbiseduesve.

Krijimtaria e poetit Memo Meto është brilante, e rendit krijuesin krahas shkrimtarëve e poetëve më të shquar të periudhës së LANÇ, të periudhës të Luftës ANÇL. Krijimtaria e Memos i përket një periudhe shumë të shkurtër kohore, duke pasur parasysh edhe ngarkesën tepër të madhe në punët e problemet e kohës, të mobilizimit e të organizimit të popullit në formacionet luftarake si edhe të kryerjes së aksioneve të sulmeve në fshatrat e Kurveleshit, krahinën e bregdetit e me gjerë, si edhe kushtet shumë të vështira për krijimtari. Pra, me bindje them se krijimtaria e poetit është e shumtë dhe cilësore. Ajo ishte me vlera shumë të mëdha në kohën që u shkrua, plotësoi një kërkesë të domosdoshme të situatës, të momentit, u bë pjesë e kohës. Poezitë e tij bëheshin të njohura menjëherë dhe mësoheshin përmendësh e këndoheshin si këngë nga partizanët dhe populli. Vlera e tyre është e plotë, bile sa më shumë kalojnë vitet ajo çmohet edhe më mirë, ndër shumë krijimet e shkruara në ato vite të zjarrta të LANÇ. Vepra e tij, të krijuara në ato ditë të luftës së zjarrtë për liri, kundër pushtuesve nazi-fashiste, kundër shkatërrimit, djegies, kundër dhunës, shtypjes, kundër skamjes, kundër çdo gjëje të keqe, anti-njerëzore, vite lufte për liri dhe barazi shoqërore, për demokraci, janë xhevahire të letërsisë të periudhës së LANÇ. Poezitë mbartin patosin Atdhetar, humanizmin, urrejtjen ndaj të keqes, janë thirrje për luftën për liri e barazi, besim e shpresë tek e ardhmja më e mirë; ato kanë thellë në vetvete thellësinë e ideve, karakterizohen nga aftësia thithëse, sqaruese dhe mobilizuese tek njerëzit, e me thelb revolucionar aq i domosdoshëm për situatën. Tek poezitë e Memo Metos ndihet vringëllima e shpatave të Zenel Gjolekë Kuçit me trimat e tij, si dhe oshtima shpërthyese e ujërave të Zarelit pas rrebeshit, dhe hera herës zëvendësohet me qetësinë e buronjave ku ndihet cicërima e zogjve në mëngjeset pranverore dhe aroma e trëndelinës së Popadhisë, duket bardhësia e fustanellave e qylafëve të bardha, veshje karakteristike të burrave lebër. Në çantën me bomba e fishekë të automatikut Memoja mbante edhe bllokun dhe stilografin ku në çastet e mundshme shkruante edhe vargjet e poezive të shquara, njëra më e përsosur e me e përkryer se tjetra: “Kurvelesh zemra ime“, “Grupi i çetës partizane”, “Në malet e Shqipërisë” , “Do dal malit”, “Vjen pranvera” , “Avazi i zogjve”, “Për liri” etj. Që të gjitha me ide të ngjeshura, dhe forcë frymëzimi dhe mobilizimi tek rinia, te gjithë lexuesit a dëgjuesit. Pena e Memo Metos gjithnjë godiste në shenjë dhe në momentin e duhur, ajo inspironte dhe bënte të inkuadroheshin, duke marrë përsipër e përmbushur me vullnet e energji detyra të vështira të Luftës, qindra të rinj në çetat e batalionet partizane. Lufta ANÇ ishte një ortek i fuqishëm që gjëmoi e përfshiu të këqijat e mëdha që kishin pllakosur mbi vendin tonë, çdo rrezik ndjellakeq mbi vatan. Në të ndihet çapi i lehtë i partizanit, i tillë sepse ecën mbi tokën e tij e lufton për ideale të larta, për çështjen e shenjtë të çlirimit të Atdheut. Atë e karakterizon humanizmi, dashamirësia, zgjuarsia, çiltërsia, por me armiqtë është; i prerë, i rreptë në mbrojtje të idealeve të Luftës, në mbrojtje të fshatit, krahinës, Atdheut.

Po gjëmon Shuri përpjetë

Dëgjohet një çap i lehtë

Shkon partizani në çetë ...”

 Në poezinë “Kurvelesh zemra ime” oshtin fuqishëm zëri i poetit për një të vërtetë historike.

Kurvelesh e malësi

Ke derdhur gjak për liri

S`ke pranuar robëri

Kurveleshi asnjëherë nuk është nënshtruar. Si Shqiponja e malit ka luftuar ndër shekuj, brez pas brezi ka “derdhur gjak me okë’ dhe nuk është përkulur asnjëherë. Për liri ka sakrifikuar vazhdimisht shqiptari. Tek poezia “Grupi i çetë partizane “poeti ligjëron me vargjet:

Nëpër kodra, fusha, male trumbetohet,

Zëri i fortë, o shok i çetës po dëgjohet.

Dhe drejtohen drejt shpëtimit të vërtetës,

Për liri e bëjmë luftën , lemë jetën.”

Çetat partizane e kishin të qartë misionin e tyre. Ndjenja e Atdhetarizmit është e ngulitur thellë në breza të shqiptarët. Poeti me optimizëm të plotë e pasqyron këtë:

do ta bëjmë, po,

Të lirë Shqipërinë”

Revolta popullore ndaj pushtuesve dhe qeverive kuislinge ka arritur kulmin. Poeti e shpreh qartë në shumë nga poezitë e tij.

“Në malet e Shqipërisë

Gjëmon klithmë e djalërisë

Sa të zhdukim skllavërinë.”

Zemërimi është aq i fortë, është akumuluar aq shumë vrer sa poeti këtë indinjatë, revoltë popullore e shpreh me klithmën e djalërisë që do të shporrë pushtuesit nazi-fashist dhe veglat e tyre. Gjithçka poeti e vë në shërbim të Luftës, të bashkimit, të çlirimit, fitores së lirisë. Ai që aq i prerë, i ashpër është me armiqtë, gjen forca, që pasqyrohet tek, “Avazi i zogjve” dhe me ngrohtësi, si kënga e bilbilit me thëllëzën, përsëri thirrja e tij është për t’u ngritur në luftë.

Që të dy këngës ia thonë

Me plot mallëngjim

Sikur i thonë Botës:- Ngrehu

E dil ne kushtrimin

Që vjen me fitore!”

Thirrja e Atdheut siç e pasqyron qartë poeti, në ato vite për këdo e gjithçka ishte bashkimi i tërë popullit për luftë kundër pushtuesit që të fitohej liria. Dhe nevojën e bashkimit pa dallim, bindjesh, feje, krahine, posti pasuror e shpreh në disa poezi. Ndryshe vepronin pushtuesit e shërbëtorët e tyre që kërkonin ndasi, përçarje, dobësim të unitetit, të forcës së popullit:

dhe të jemi të përçarë,

Ata paguajnë,

Neve vuajmë, neve heqim.

Ne punojmë,

Ne sa ditë që ka viti,

Të munduar.”

Kontrasti i dhënë qartë ndërmjet të shtypurve, të shfrytëzuarve dhe shtypësve, shfrytëzuesve. Burim kontradiktash, konfliktesh, luftërash. Zgjidhja ishte luftë për fitoren e lirisë, të demokracisë, të drejtat dhe për barazinë ndërmjet njerëzve.

Homazh për të rënët, nderin dhe lavdinë e Kombit

Brilante janë poezitë “Si ndërrohen partizanët” , “Kënga e Sadik Rustos” etj., ku poeti evokon aktin heroik të të rënëve për çlirimin e Atdheut. Për të rënët qajnë me lot nëna, motra, baballarë, qajnë bashkëluftëtarë, i gjithë populli, madje dhe natyra merr pjesë në humbjen e tyre.

Bogonica me Cipine

Ç’kanë që qajnë me lot ?

. shkruan te “Kënga per Mumin Selamin” Dhe me poshtë vazhdon :

 “Kishin lindur për Shqipërinë”…

Pra me lotët e dhimbjes, pikëllimin për të rënët është edhe ndjenja e krenarisë që ranë heroikisht në fushën e betejës. Tek poezia “Si nderohen luftëtarët”, elegji për rënien heroikisht të Myzafer Asqeriut, poeti ligjëron:

“Qaj me lot, moj Gjirokastër,

Në çdo derë

Punëtorët anembanë dhe fshatarët,

Do dinë si nderohen luftëtarët…”

Poeti inspiron e lufton për një demokraci të vërtetë. Mendja, pena dhe maliheri i poetit punuan për një demokraci të vërtetë. Gjithçka i është përkushtuar çlirimit të vendit dhe vendosjes së një rendi përparimtar, një demokracie popullore, për popullin. Që në poezinë e parë, ku thuhet:

 “Mrezh`e Nake historike,

e shekuj ke për të qenë

Lidhe zemrat heroike

besa besën kanë dhënë”

 Në poezinë pasardhëse “Neve vuajmë, neve heqim” poeti ngrihet i revoltuar kundër pabarazisë, kundër shtypjes, vuajtjes e shfrytëzimit.

“Dhe na thonë të mos flasim,

Na qortojnë

Për të drejtat që kërkojmë,

Na gjurmojnë.”

Dhe më poshtë akuzon haptazi drejt për drejt sundimtarët që nuk njohin të drejtat e punëtorëve dhe fshatarëve:

 “nuk u japin kurrë të drejta njerëzisë,

Sot që për të drejtat tona ne bashkohemi,

Me torturat më të rënda ne luftohemi,

Të jemi gjithnjë skllevër ata vuajnë …”

Poeti lufton për të drejtat e njeriut, bën thirrje për bashkim, dënon torturat që heq punëtori e fshatari nga sundimtaret e pa shpirt, të cilët duan të mbajnë hyzmeqarët në qytete e bujqit në çifligje gjithnjë skllevër. Shprehet shumë qartë me forcën e kohës, thirrja për revoltë dhe përfundimi i saj:

 “Skllavërinë e përbashkët do ta djeg!”

Vetëm duke e zhdukur njëherë e përgjithmonë skllavërinë atëherë do të shpëtojë prej saj punëtori, fshatari, vetëm në këtë mënyrë do të triumfojë demokracia, liria e individit. Edhe në poezinë “Në malet e Shqipërisë” shprehet saktë optimizmi i poetit tek përfundimi i Luftës me fitoren e lirisë dhe të demokracisë aq shumë e dëshiruar në breza.

“O shokë, për Shqipërinë

Sa të zhdukim skllavërinë!

Dhe të fitojmë lirinë…”

Fitorja e lirisë, zhdukja e skllavërisë, vendosja e demokracisë janë të lidhura ngushtë me njëra tjetrën janë në korelacion të vazhdueshëm. Luftërat, vrasjet, djegiet, shkatërrimet nuk i do asnjë popull. Ishin qarqet nazi-fashiste ato që filluan luftërat vëllavrasëse ndër popuj e vende të ndryshme dhe që i shkaktuan njerëzimit në dy Luftërat Botërore, miliona të vrarë e të zhdukur dhe dëme të llogaritura në miliarda dollarë. Vazhduesi i tyre janë dhe konfliktet e shumta në rajone të ndryshme të botës ku përditë humbasin jetën shumë njerëz e shkaktojnë dëme të mëdha materiale. Edhe vetë populli italian, del qartë në poezitë e Memo Metos, nuk e dëshironte luftën, përkundrazi vajton fatin e tij të zi. Kjo pasqyrohet tek vajtimi i italiankës:

Bëhet lufta për të tjerë e jo për ne,

Korba burrat, djemtë tanë mbetën atje,

Oh, fatziu, oh, ky popull italian,

Ky ka kohë, ky ka vite që po qan.

Edhe te poezia brilante “Avazi i zogjve” poeti porosit në start më të lartë domosdoshmërinë e bashkimit të të gjithë popullit shqiptar në luftë për liri, duke iu drejtuar atyre që thoshin se jemi nacionalistë.

Bëni, pra juve bashkimin,

o nacionalistë,

Me luftëtarët e parë…”

Partitë politike që u krijuan në pluralizëm, edhe pse të shumta si numër, nuk duhet të përçajnë popullin me idetë, programet e platformat e tyre. Ata duhet të shpalosin demokratikisht alternativat e tyre më të mira e të prosperitetit të Shqipërisë dhe që populli me vullnet të lirë e në kushte të barabarta e të qeta t’i vlerësojë programet e të zgjedhë, të miratojë alternativën më të mirë, atë më progresiven që do të sjellë rezultate zhvillimi më të mira, më të drejta për shumicën e njerëzve. Edhe dhjetëra shoqatat, organizmat jo partiake që funksionojnë në Shqipëri edhe më mirë mundet t’i shërbejnë forcimit të unitetit e zhvillimit parësor të gjithanshëm e të shpejtë të vendit.

Poeti luftëtar i flaktë për emancipimin shoqëror

Largpamësia e poetit, që në atë kohë e me atë njohje, është e admirueshme edhe tani që kanë kaluar shumë vjet. Në disa nga krijimet e tij poeti me mjeshtëri i këndon domosdoshmërisë së bashkimit të shqiptarëve në luftë kundër zaptuesit e veglave të tyre, bashkimi në pozita të barabarta, vëllazërore e shoqërore tek poezia “Avazi i zogjve” shkruan;

Shqipërisë anembanë bilbili thërret

Që të gjithë, o shqiptarë pa asnjë dallim,

Shqipëria u thërret, të bëni bashkim.”

Po kështu te vjersha “Për liri” ai thekson:

Shok e shoqe të bashkuar tok,

Jemi njësoj si ti e unë shok,

Të gjithë shok e vëllezër na të jemi…”

Krijimtari artistikisht cilësore

Nga studimi i poezive të Memo Metos shihet se poeti e njeh shumë mirë gjuhën në detajet e saj, njeh mirë zakonet, doket, traditat e fshatit e të krahinës së Labërisë dhe me fuqi të madhe, me zhdërvjelltësi, qartësi e me ngjyrim krahinor e kombëtar shpreh ndjenjat e tij, që janë ato të popullit. Tek poezitë e Memo Metos ndihen rrahjet e zemrës së tij fisnike, që aty revoltohet me regjimin dallkauk e pushtetarët në fuqi, ndjen dhimbje për skamjet, vuajtjet dhe mjerimin që ka pllakosur krahinën, popullin fukara , por njëherësh është edhe luftëtar i një epoke të re, një të ardhmeje më të mirë, kur populli do të vendosi me luftën e me fitoren e lirisë e do të ndërtojë demokracinë. Pra ndjenja e dhimbjes për të keqen që ka pllakosur vendin dhe shpirti revoltues ndaj pushtuesit duken qartë në poezitë e Memos. Poezitë dëshmojnë për një kulturë të gjerë të poetit, të pasuruar kjo nga përvoja e tij jetësore, nga njohja ne thellësi e jetës së fshatarit jo vetëm të Kuçit e Kurveleshit por të të gjithë vendit, nga kontakti i vazhdueshëm i tij me kategoritë e ndryshme të shtresave, moshave, profesioneve etj. Kjo duket si në tematikën e pasur të veprës së tij, në pasqyrimin me vërtetësi të ngjarjeve e zhvillimeve edhe të optimizmi që e karakterizon poetin, tek besimi për ndryshime, për fitore, për një jetë më të mirë. Koloriti gjuhësor i poetit është një dukuri tjetër e veprës që e bën atë më të kuptueshme dhe që shumë shpejt mësohet përmendësh, e këndohej këngë nga nga luftëtarët e lirisë, e mbarë populli. Krijimtaria e Memo Metos dallohet edhe për nga origjinaliteti, që është tregues tjetër, gjë që e bën më të shquar ndërmjet krijuesve të kohës. Mbështetja tek folklori popullor është gurra e fuqishme ku ka gjetur frymëzimin vargu i poetit partizan. Plagët e rënda që kishte populli, pabesitë që i bëheshin, shpifjet e sundimtarëve e revoltojnë poetin. Populli i ironizonte pushtetarët gjer në sarkazëm në krijimet e tij. Këto i ka njohur, studiuar e përdorur me mjeshtëri poeti. Dramën që po jetonte populli, e ka përjetuar të plotë poeti Memo Meto, por njëherësh e ka pasqyruar edhe ëndrrën e tij, qe është ëndrra e gjithë shqiptarëve, të shfrytëzuarve, të fshatit e të qytetit, për liri, për dritë, për përparim, për qytetërim. Rebelimi i shpirtit të poetit shpërthen si llavë e zjarrtë vullkani qe djeg të këqijat e kohës e situatës dhe pas saj do të mbijë gjithçka e re, e mirë, progresive duke trashëguar e ruajtur anët e mira të popullit. Ai u del në krah të shtypurve, fukarenjve, të varfërve, të drejtës, të mirës, të ardhmes së begatë, çdo gjëje progresive. Figurat letrare si metafora, epitete, krahasimi etj., e bëjnë veprën shumë të këndshme për t’u lexuar, me të ngjeshur me ide të qarta e me mobilizuese për luftëtarët, për popullin në luftë për liri e demokraci. Qëllimi i Memos, objekti i tij ishte që t’i sqaronte njerëzit, t’i bindte, për detyrat që shtoheshin në kohë për situatën që ndodhej vendi, për luftën që duhej bërë për çlirimin e atdheut. Por kur situata, koha kërkonte edhe përdorimin e armëve, ai bëhej organizator i forcave luftëtare për goditjen e armikut që digjte vendin dhe vriste popullin e pafajshëm. Ishte një organizatorët dhe pjesëmarrësit aktiv në goditjen dhe eliminimin të postkomandës dhe xhandarmërisë në Kuç, për dorëzimin e nënprefekturës në Gusmar dhe në shumë aksione të tjera të kryera nga partizanët në ato vite. Armiku e gjurmonte për ta asgjësuar Memon. Tri herë i bënë atentat në prita. Më 2 Prill 1944, kur po kthehej nga aksioni organizuan eliminimin e tij. Memoja ra, por ideali i tij, gjatë Luftës frymëzoi e mobilizoi partizanët në fitoren e lirisë më 29 Nëntor 1944. Sa më shumë vitet kalojnë aq më me krenari e madhështi përkujtohet nga brezat pasardhës vepra e tij heroike për lirinë e Atdheut. Vasil Zhapa