Urdhri për vrasjen e Mustafa Gjinishi, tre figurat e ndritura të Luftës dhe skenarët e pabesë të Enver Hoxhës

1612
Dëshmon Gjeneral-Major Ernest Jakova: Çfarë ndryshimi solli për Ushtrinë Shqiptare, prishja me BS në vitet ’60-të, Tezat e Këshillit të Mbrojtjes dhe Plenumin e 12-të i KQ më 1971 për ushtrinë
– Kush e ka drejtuar realisht, Luftën Nacional-Çlirimtare Shqiptare?
Sikurse e përmëndëm më lart, Enver Hoxha u zgjodh kryetar i PKSH nën ndikimin e jugosllavit Miladin Popoviç, duke qenë elementi më pa vlerë, më i papërgatitur dhe pa eksperiencë ndër përfaqësuesit e grupeve komuniste të mbledhur në Tiranë më 8 Nëntor 1941, për themelimin e PKSH, si Qemal Stafa, Vasil Shanto, Sadik Premtja, Koço Tashko, Kristo Themelko, Koçi Xoxe, Anastas Lula, Tuk Jakova, Ramadan Çitaku etj. Duke qenë Kryetar i PKSH, Enver Hoxha u zgjodh në fillim Komisar dhe më vonë Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacional-Çlirimtare. Por Enver Hoxha veç mbështetjes pa kufi nga Miladin Popoviç dhe PKJ, ai ishte nën presionin e sindromës së inferioritetit. Ai ishte pa arsim të lartë, pa arsim ushtarak dhe pa përvojë ushtarake dhe në të njëjtën kohë duhet të komandonte elementë shumë të aftë dhe më të përgatitur se ai. Në këto kushtet strategjia që ai ndoqi, duke u bazuar fillimisht në mësimet e Miladinit, më pas ato të Stalinit, ishte eliminimi i kuadrove të larta dhe të afta që mund ta konkurronin në drejtimin e ushtrisë dhe të partisë. Dinakëria, që figurave të tilla nuk u mungon, e ndihmoi që të arrinte qëllimin e tij. Kuadrot më të afta i ngarkonte më detyra të rëndësishme për drejtimin e luftës dhe më pas i akuzonte për veprime armiqësore dhe i eliminonte edhe fizikisht. Në këto kushte lavdia e Luftës do t’i mbetej vetëm Enver Hoxhës. Në fillimin e etapës së parë të luftës, që shkon deri në Korrik 1943, kur në Shqipëri ekzistonin vetëm tre çeta të vogla: Çeta e Myslym Pezës, Çeta e Ismail Petrelës dhe Çeta e Mestan Ujanikut, Enver Hoxha dhe Miladin Popoviç, ranë dakord me iniciativën e Mustafa Gjinishit, për organizimin e një konference pluraliste ku do të merrnin pjesë të gjithë patriotët nacionalistë dhe komunistët, e cila do të hidhte bazat e luftës dhe do të krijonte ushtrinë nacional-çlirimtare. Interesat jugosllave për momentin përputheshin me organizimin e kësaj konference pluraliste dhe ata nuk e penguan atë. Pra, sikurse e theksuam edhe më lart, Mustafa Gjinishi si autori i organizimit të Konferencës së Pezës dhe krijimit të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare, është edhe figura e parë e shquar e Luftës Nacional-Çlirimtare. 
– Sipas vlerësimit tuaj, cilat janë figurat më të shquara drejtuese, të Luftës Nacional-Çlirmtare?
Në etapën e dytë të Luftës Nacional-Çlirimtare, deri në Kongresin e Përmetit, më 24 Maj 1944, Enver Hoxha ngarkoi Mehmet Shehun për drejtimin e luftës, duke qenë njëkohësisht edhe Komandant i Brigadës I Sulmuese, me zonë veprimi të gjithë territorin e Shqipërisë. Që në ditën e inaugurimit të saj më 10 Korrik 1943 në Vithkuq, Brigada I Sulmuese u ndesh me forcat pushtuese italiane dhe i shpartalloi ato, duke u shkaktuar humbje të mëdha. Brigada I Sulmuese e komanduar nga Mehmet Shehu ishte gjithnjë në lëvizje, duke kryer marshime të gjata dhe të shpejta, duke e goditur armikun aty ku ai nuk e priste. Ajo i dha hov Luftës Nacional-Çlirimtare dhe u kthye në një tmerr për forcat pushtuese italiane dhe më vonë për forcat pushtuese gjermane. Komandanti i Brigadës I Sulmuese, në këtë mënyrë njëkohësisht ngriti lart figurën e tij si ushtarak i shquar trim dhe hero legjendar. Por ky popullaritet nuk i pëlqente Enver Hoxhës, mbasi lavdia e luftës duhej t’i përkiste vetëm atij. Për këtë arsye ai merr masa për kufizimin e kësaj veprimtarie të Mehmet Shehut. Konkretisht, në Kongresin e Përmetit Mehmet Shehu nuk gradohet me gradën Gjeneral, kur atij kjo gradë i takonte përpara të gjithë të tjerëve. Gjithashtu ai nuk ngarkohet më me detyra të rëndësishme për çlirimin e Shqipërisë. Mehmet Shehu ishte trim që nuk përfillte frikën para pushtuesve të vendit, por jo para komandantit të tij, i cili me njerëzit e tij të vriste mbas shpine pa lënë gjurmë. Për këtë ai ishte tepër i bindur. Një ngjarje e ndodhur mbas çlirimit ilustron këtë frikë të tij nga Enver Hoxha: Mehmet Shehu si kryeministër kishte shkuar për kontroll në Uzinën e Tankeve në Tiranë. Drejtori i uzinës ishte një kolonel tankist. Gjatë bisedës me kolonelin për punën në uzinë,në një rast i thotë atij me zë kërcënues: -“Kush t’i ka dhënë ato grada”? Koloneli serbes i përgjigjet menjëherë:-“Ai që t’i ka dhënë edhe ty”! Mehmet Shehu nuk e hapi gojën dhe u largua nga uzina. Në etapën e tretë të Luftës Nacional-Çlirimtare, nga Kongresi i Përmetit, më 24 Maj 1944, deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë, Enver Hoxha ngarkoi Dali Ndreun (Komandant) dhe Tuk Jakovën (Komisar) për drejtimin e Forcave të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare. Detyra e parë e rëndësishme e tyre ishte dështimi i Operacionit Strategjik Gjerman i Qershorit 1944. Ky operacion, me forca të shumta gjermane me mbi tre divizione këmbësorie, kishte për qëllim rrethimin dhe asgjësimin e forcave kryesore të ushtrisë nacional-çlirimtare, duke dhënë njëkohësisht brenda dhjetë ditësh, katër goditje koncentrike: nga Kakavija, nga Korça, nga Berati dhe nga Vlora në drejtim të Kuçit. Por në fakt ky qëllim i operacionit gjerman të qershorit nuk u arrit. Forcat e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare ditën t’i japin goditje të befasishme armikut dhe menjëherë të shkëpusnin kontaktin me të për të evituar rrethimin e tyre dhe kështu bënë të dështojë operacioni strategjik i gjermaneve. Pa përfunduar plotësisht operacioni i qershorit, Dali Ndreu dhe Tuk Jakova marrin iniciativën në dorën e tyre dhe me forca të konsiderueshme kalojnë në mësymjen e përgjithshme për çlirimin e Shqipërisë së Veriut. Gjermanët kundërsulmuan, por nuk arritën të mposhtin mësymjen e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare dhe Shqipëria e Veriut u çlirua. Në këtë betejë të rëndësishme, Dali Ndreu dhe Tuk Jakova, treguan aftësi drejtuese dhe u dalluan për trimëri dhe veprime të guximshme. Por beteja më e madhe dhe e rëndësishme për Dali Ndreun dhe Tuk Jakovën në drejtimin e Forcave të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare, ka qenë beteja për çlirimin e Tiranës. Tirana mbahej e pushtuar nga gjermanët me dy divizione të këmbësorisë, të përhapura për mbrojtjen e objekteve kryesore dhe të rrugëve që i lidhnin ato. Nga jugu i Shqipërisë në drejtim të Tiranës ishin nisur forca të tjera të shumta gjermane. Këtyre forcave iu dha betejë pa u futur në Tiranë, gjatë rrugës së Elbasanit duke iu shkaktuar humbje të mëdha. Ndërkohë në Tiranë lufta zhvillohej për çdo lagje dhe për çdo shtëpi, me sulme e kundërsulme të vazhdueshme deri më 17 Nëntor, që shënon edhe ditën e çlirimit të Tiranës. Pas çlirimit të Tiranës, Forcat e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare kalojnë në ndjekjen dhe asgjësimin e mbeturinave të ushtrisë gjermane, deri në mëngjesin e datës 29 Nëntor 1944, që shënon edhe ditën e çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë Përfundimisht, mbas Mustafa Gjinishit, krijuesit të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare, Mehmet Shehu, Dali Ndreu dhe Tuk Jakova, janë tre nga figurat më të shquara drejtuese të Luftës Nacional-Çlirimtare. Të katërt të eliminuar nga Enver Hoxha. 
– Mbas Luftës keni kryer dy Akademi Ushtarake në BS. Çfarë përshtypjesh ju kanë lënë?
Në vitet 1945-1947 kam kryer dhe jam diplomuar në Akademinë Ushtarake “FRUNZE”. Në këtë Akademi pajiseshe me njohuri taktike për drejtimin në front të Reparteve dhe Njësive Ushtarake deri në Korpus Këmbësorie. Mbas dhjetë vjetësh, në vitet 1957-1959, kam kryer dhe jam diplomuar në Akademinë Ushtarake “VOROSHILLOV”, Që konsiderohej Akademia më e lartë në botë për kohën. Në këtë Akademi pajiseshe me njohuri operative dhe strategjike për drejtimin në front të Njësive Operative deri në Armatë. Në Akademinë Ushtarake “VOROSHILLOV”, në fillimin e vitit të dytë, me short caktoheshin Temat e Diplomave që do të mbroheshin në fund të vitit. Mua më ra tema “Përdorimi i desantëve ajrorë taktikë në operacionin mësymës të armatës”. Tema duhej përgatitur me shkrim në 35 faqe dhe duhej të mbrohej para Komisionit, me gojë pa lexuar materialin, për një kohë të fiksuar prej 45 minutash. Temën e mbrojta brenda të gjitha rregullave dhe Kryetari i Komisionit, me gradën gjeneral, më përgëzoi dhe më komunikoi: “Mbrojtja e Temës-Shumë mirë”. Por me mbrojtjen e Temës dhe Diplomimin në Akademi cikli nuk është akoma i mbyllur. Në Ministrinë e Mbrojtjes ndonëse ishte vënë detyrë që Temat e Diplomave të Aplikoheshin në kushtet e Ushtrisë Shqiptare, asnjë i diplomuar nuk e kishte zbatuar këtë porosi dhe po kështu askush nuk kishte kërkuar llogari. Megjithatë unë vendosa ta kryhej këtë detyrë. Por kur fillova nga puna konstatova se realizimi i saj në kushtet e Ushtrisë Shqiptare ishte pothuajse i pamundur. Konkretisht për desantimin e një batalioni në prapavijat e armikut nevojiten: 
– Dy-tre divizione ajrore gjuajtës-bombardues, për asgjësimin e armikut në rajonin e desantimit; 
– Për mbulimin nga ajri duheshin një-dy divizione ajrore gjuajtës;
– Për desantimin e batalionit në prapavijat e armikut duhej një divizion helikopterësh.
Pra duhej një armatë e vogël ajrore, ndërkohë që Ushtrisë Shqiptare kishte në atë kohë vetëm dy regjimente me gjuajtës. Pra Tema e Diplomës ishte e pa aplikueshme në “kushtet e ushtrisë shqiptare”. Por pikërisht duke studiuar “kushtet e ushtrisë shqiptare”, arsyetova ndryshe për realizimin e Temës së Diplomës. Konkretisht arsyetimi ishte ky: “Në teren malor, si ky yni, mbrojtja nuk organizohet e pashkëputur, por me intervale e hapësira, ku mund të gjendet një shteg i përshtatshëm për kalimin e batalionit, në këmbë dhe pa u ndjerë, në prapavijat e armikut. Detyrat për t’u kryer në prapavijat e armikut, janë po ato që kryhen desanti ajror”. Duke qenë se në këtë rast nuk kemi desantim ajror Tema do te jetë: “Detashmenti i veprimit në prapavijat e armikut”. Së pari këtë punim e botova në Revistën “Njohuri Ushtarake”. Më vonë, mbasi ajo u eksperimentua me sukses, u fut në Referatin e Ministrisë së Mbrojtjes, më vonë në rregulloret e ushtrisë dhe së fundi në Tezat e Këshillit të Mbrojtjes. 
– Çfarë ndryshimi solli për Ushtrinë Shqiptare, prishja me BS në vitet ’60?
Kur Shqipëria ishte pjesëtare e Kampit Socialist dhe anëtare e Traktatit të Varshavës, armatimi i Ushtrisë Shqiptare realizohej nga BS me armatime trofe të Luftës së Dytë Botërore, në sasi të kufizuara. Mbrojtja e Shqipërisë ishte pjesë e mbrojtjes së Traktatit të Varshavës. Arti Ushtarak i Ushtrisë Shqiptare ishte Arti Ushtarak Sovjetik i gërshetuar me Artin Ushtarak të luftës sonë popullore. Prishja me BS në vitet ’60 dhe dalja nga Traktati i Varshavës më pas, bëri që BS nga aleat u kthye në armik i rrezikshëm. Kjo situatë e re nxori në pah nevojën urgjente për krijimin e Artit tonë Ushtarak të luftës popullore. Menjëherë kuadrot kryesorë ushtarakë të Ushtrisë Shqiptare u angazhuan dhe krijuan këtë art ushtarak të paraqitur në “Referatin e Ministrisë së Mbrojtjes”, i cili u aprovua nga Enver Hoxha në vitin 1963 dhe hyri në fuqi për stërvitjen e ushtrisë. Brenda katër viteve, deri në vitin 1967, Ushtrisë Shqiptare e armatosur me pushkë automatike të reja, me artileri, tanke moderne që lëviznin edhe natën, avionë Mig, të gjitha të markës së fundit, të furnizuara nga Kina në sasi të bollshme dhe municione të bollshme, si dhe e stërvitur intensivisht në bazë të “Referatin e Ministrisë së Mbrojtjes”, arrin të cilësohet si “Ushtria Shqiptare më e fortë e të gjitha kohërave”. Këtu duhet theksuar se merita për përgatitjen e lartë të Ushtrisë Shqiptare i përket kuadrove kryesore ushtarake të ushtrisë nën drejtimin këmbëngulës të Shefit të Shtabit të Ushtrisë Shqiptare-Petrit Dume. 
– Çfarë mund të thoni për Tezat e Këshillit të Mbrojtjes? 
Arritjet e larta të kuadrot kryesorë ushtarakë në përgatitjen e Ushtrisë Shqiptare, sikurse e thamë më sipër, nuk i kanë pëlqyer Enver Hoxhës. Ushtria Shqiptare duhej të stërvitej sipas “ideve” të tij, të cilat duhet të paraqiteshin në Tezat e Këshillit të Mbrojtjes. Por duke e parë veten të pa aftë, ngarkoi Mehmet Shehun për përpilimin e tyre. Tezat e Këshillit të Mbrojtjes u përpiluan fshehurazi kuadrove të ushtrisë, pra ma marrë mendimin e tyre dhe hynë në fuqi në Dhjetor 1967. Në përmbajtje Tezat e Këshillit të Mbrojtjes nuk kishin asnjë ndryshim nga “Referati i Ministrisë së Mbrojtjes”, i përpiluar nga kuadrot kryesorë ushtarakë në vitin 1963. I vetmi ndryshim ishte se në Tezat e Këshillit të Mbrojtjes ishte shtuar një kapitull i ri i emërtuar “Operacioni i kalimit të ushtrisë nga lufta me front në luftën pa front partizane”. Ky kapitull, që do të quhej më pas “Teoria e Rrëshqitjes”, parashikonte përgatitjen e ushtrisë për të përballuar edhe një situatë tepër të vështirë, që mund të paraqitej. Kjo ide është e drejtë dhe nuk ka asgjë të veçantë veç përgatitjes për një situatë hipotetike. Mirëpo Enver Hoxha, në Këshillin e Mbrojtjes e kundërshtoi rëndë këtë kapitull në Tezat e Këshillit të Mbrojtjes, duke e konsideruar qëllimisht, sikur ishte një variant bazë për mbrojtjen e vendit dhe e akuzon Mehmet Shehun, si autori i Tezave të Këshillit të Mbrojtjes dhe kuadrot kryesorë ushtarakë në Këshillin e Mbrojtjes, se po lënë fushat për t’u mbrojtur në male. Në raste të tilla, kur Enver Hoxha bënte gafa të tilla, Mehmet Shehu nuk e kundërshtonte por e anashkalonte atë dhe nuk bëri asnjë ndryshim në Tezat e Këshillit të Mbrojtjes. Pikërisht po atë vit Veli Llakaj, që studionte në Kursin e Lartë të “Akademisë Mehmet Shehu”, mbronte Temën e Diplomës: “Operacioni i Kalimit të Korpusit të Këmbësorisë”, që mbështetej pikërisht në kapitullin e Tezave të Këshillit të Mbrojtjes-“Operacioni i kalimit të ushtrisë nga lufta me front në luftën pa front partizane”. Paradoksi qëndron në atë që, edhe pse Tezat e Këshillit të Mbrojtjes të vitit1967, në përmbajtje nuk kishin asnjë ndryshim nga “Referati i Ministrisë së Mbrojtjes” i përpiluar nga kuadrot kryesorë ushtarakë në vitin 1963, ato u përdorën nga Enver Hoxha si alibi për të akuzuar kuadrot kryesorë të ushtrisë si kundërshtarë Tezave të Këshillit të Mbrojtjes. 
– Çfarë mund të thoni për Plenumin e 12 të KQ-për ushtrinë, të vitit 1971?
Mbasi kishte kundërshtuar rëndë Mehmet Shehun dhe kuadrot kryesorë ushtarakë në Këshillin e Mbrojtjes, Enver Hoxha merr guximin për ta paraqitur veten si ideolog ushtarak mbi gjithë të tjerët dhe për demonstrimin e kësaj ideje përgatit materialin teorik “Ta bëjmë fushën mal të pakalueshme për armikun”. Këtë material teorik e paraqet në Plenumin e 12 të KQ-për ushtrinë, për të marrë miratimin e tij. Në këtë Plenum Mehmet Shehu mbajti diskutimin “Të kemi dy lloj forcash, Frenuese-Bllokuese dhe Operative-Goditëse”. Në një nga pushimet e punimeve të Plenumit, Enver Hoxha, në prezencën e Mehmet Shehut dhe Hysni Kapos, ngarkon Beqir Ballukun që bashkë me disa nga kuadrot ushtarakë më të përgatitur, t’i zgjeronin materialet teorike të mbajtur në Plenumin e 12. Por çfarë ndodhi? Beqir Balluku, edhe ai si Enver Hoxha, pa përgatitjen e duhur për shkencat ushtarake, krijoi njërin pas tjetrit tre komisione, të cilët përgatitën tre materiale teorike: i pari, i dyti, i treti. Por asnjëri nga materialet teorikë nuk doli për të qenë dhe arsyeja kryesore ishte, se kuadrot ushtarakë të tre komisioneve, nuk punonin sipas ideve të tyre racionale të mbështetura mbi shkencën ushtarake, por duhet t’u përmbaheshin ideve të materialeve teorike të Plenumit të 12, të cilat ishin të pa mbështetura në teorinë ushtarake dhe si të tilla ishin të pa aplikueshme për ushtrinë. Përfundimisht të tre materialet teorikë u futën në arshivë. Askush nuk kishte guxuar të vinte në dijeni Enver Hoxhën për atë që ndodhi. Edhe ai vetë nuk u ndje dhe çështja u la në heshtje.
– Pse u akuzua Beqir Balluku për përgatitjen, e një materiali teorik antiparti?
Në një mbledhje të Byrosë Politike të KQ të PPSH, në Korrik 1974, Petrit Dume papritur akuzon Beqir Ballukun për përgatitjen e një materiali teorik antiparti! Beqir Balluku, i kapur në befasi, menjëherë e mohon. Por, pasi në kasafortën e Vehbi Hoxhës u gjet një kopje e materialit teorik, me vërejtjet e bëra nga dora e tij, ai pranoi dhe nga frika nuk tha të vërtetën, që ai material teorik ishte përgatitur në zbatim të urdhrit të Enver Hoxhës për zgjerimin e materialeve teorikë të Plenumit të 12 të KQ. Vetë Enver Hoxha nuk mund të pranonte dështimin e materialit të tij teorik, mbajtur në Plenumin e 12 dhe akuzon Beqir Ballukun, se materialin teorik antiparti, të gjetur në kasafortë, e ka bërë sipas mendjes së tij dhe fshehurazi partisë. Enver Hoxha kërkoi gjithashtu edhe ndihmën e Petrit Dumes dhe Muharrem Prodanit dhe në Plenumin e 5-të të KQ, në Korrik 1974, Beqir Balluku përjashtohet nga partia, shkarkohet nga të gjitha funksionet qeveritare dhe internohet në Berat. Por çështja nuk mbaron me kaq. Enver Hoxha që kur u prish me BS, në fantazinë e tij, priste një puç ushtarak nga kuadrot e ushtrisë. Tani i kishte ardhur momenti më i përshtatshëm për t’i eliminuar ata. Dhe ai, i ndihmuar edhe nga Mehmet Shehu dhe Hysni Kapo, e vuri në jetë planin për eliminimin e kuadrove kryesorë ushtarakë duke i quajtur të gjithë puçistë. U pushkatuan Beqir Balluku, Petrit Dume dhe Hito Çako. Me dhjetëra kuadro të tjera kryesorë të ushtrisë u burgosën apo u internuan pa afat me gjithë familjet. Ky ishte shkatërrimi i plotë i Ushtrisë Shqiptare, kishte ngelur vetëm Komandanti Legjendar!!! i Ushtrisë Shqiptare. Duhet theksuar këtu, që edhe mbas shumë vitesh akuzat për puç ushtarak dhe akuza që kuadrot kryesorë të ushtrisë ishin kundër Tezave të Këshillit të Mbrojtjes, nuk u vërtetuan kurrë. 
– A ka qënë Enver Hoxha, diktatori më gjakatar në Europë?
Të gjithë ato kuadro të Partisë, të Ushtrisë dhe të Pushtetit, që ishin të aftë, të ditur, trima, apo nuk pranonin t’i shërbenin atij, Enver Hoxha, sipas situatave konkrete dhe interesave të tija personale, i ka konsideruar kundërshtarë. Të gjithë këta i ka mbajtur në evidencë në kërkim të preteksteve dhe të kohës më të përshtatshme për eliminimin gradual të tyre, deri në eliminimin fizik. Dhe pasi të akuzonte Enver Hoxha, gjykimi dhe dënimi për viktimën ishte i pa shmangshëm. Por Enver Hoxha kishte shumë kujdes kur “armiku” i radhës ishte ndër kuadrot më të shquar, të njohur dhe të vlerësuar nga populli, si Qemal Stafa, Mustafa Gjinishi, Myslym Keta, Hilmi Seiti dhe shumë të tjerë. Këta ai i ka eliminuar me vrasje pas shpine dhe më pas i ka nderuar deri me titullin dëshmor i kombit. Ka individë që e mbrojnë Enver Hoxhën për këto vrasje, duke thënë “Nuk ka fakte”. Por ja që faktet janë të shumta. Ato dalin me vonesë, por nuk mbesin pa dalë, si vrasja e Mustafa Gjinishit në pritë: 
– Liri Gega, anëtare e Byrosë Politike, përgjegjëse për Veriun, që ndodhej në Peshkopi, kishte marrë një telegram me shifër nga Enver Hoxha, me këtë urdhër: “Të vritet Mustafa Gjinishi”!
Liria kishte organizuar dy prita, në njërën vuri Hito Çakon dhe në tjetrën vuri B. D dhe për të realizuar këtë elIminim, Mustafa Gjinishi, Anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, i transferuar apostafat nga Peza në Dibër, më 23 Gusht 1944, po udhëtonte me kalë nga Peshkopia për në Sllatinë, ku ra në pritën e B. D. dhe vritet me një plumb në zemër. Shpejt vjen aty edhe Hito Çako, që e qëllon me një plumb në kokë. Ngarkuar në kalë, Mustafa Gjinishin e çojnë në Peshkopi, ku e varrosin me nderime të mëdha, sikur ishte vrarë pas shpine nga armiku. Liri Gega menjëherë lajmëron me radiogram me shifër, ku thuhej: “Çdo gjë, mbaroi sipas porosisë suaj”!
Këtë ngjarje ma ka treguar gojarisht, njëri nga rojet e dy atentatorëve, konkretisht Kolonel J. S., që e ka jetuar vetë ngjarjen. Në mënyra të ngjashme, kondicionuar nga kushtet konkrete, është vrarë, Qemal Stafa- më 5 Maj 1942, në pritë në Tiranë, Myslym Keta- më 26 Shkurt 1966, në aksident, në Fushë-Arrëz apo është helmuar Hilmi Seiti, më 28 Prill 1960, në Shkodër. Dhe të gjitha vrasjet janë shoqëruar me nderimet më të mëdha për të ekzekutuarit. Shumë nga krimet e Enver Hoxhës, ishin të mpleksura edhe me tradhti të lartë ndaj atdheut. Të tilla janë vrasjet pas shpine të Qemal Stafës, Mustafa Gjinishit, Nako Spiru etj, të kryera për interesat e jugosllavëve, si dhe vrasjet me akuza të pabaza të herojve legjendarë të luftës, si Dali Ndreu, Tuk Jakova, Mehmet Shehu, Tahir Kadareja, Petrit Dume etj. Enver Hoxha tregonte kujdes të veçantë për fshehjen e krimeve të tij, duke ia atribuar ato partisë si e pagabueshme dhe anëtarëve të partisë, duke vënë çdo herë të gjithë kundra njërit, viktimës. Dhe në këtë zinxhir të gjithë kalonin me radhë njëri pas tjetrit. Për secilin më parë bëhej gjyqi i partisë në mbledhjen e KQ, ku të gjithë i turreshin viktimës së radhës me akuza të sajuara dhe në prezencën dhe ndikimin e Enver Hoxhës. Të gjithë pjesëmarrësve në këtë gjykim makabër, iu merreshin firmat. Pasi viktima përjashtohej nga partia dhe të gjitha funksionet shtetërore, i jepej për gjykim Gjykatës së Lartë, e cila e dënonte sipas akuzave falso të ngritura nga partia, me pushkatim apo me burgim. Këto besoj se mjaftojnë për ta cilësuar Enver Hoxhën një nga diktatorët më gjakatarë në Evropën e pas Luftës II Botërore. (Shënim: Të gjitha këto që trajtuam në këtë intervistë, janë përshkruar më hollësisht në një libër, mbi jetën time ushtarake dhe mbi artin ushtarak, që jam duke e përfunduar dhe që do ta botoj së shpejti)
Përgatiti për botim: Esmeralda PIRRA 
Sigal