ARKIVA / Raporti sekret i shërbimit të jashtëm të SHBA-së. Ditari i veprimtarisë në periudhën ’45-’46, çfarë flitet për krahinën e Korçës, qëndrimi për Harry T. Fultz, anglo-amerikanët, roli i Nishanit dhe opozita
Bëhen publike dokumente arkivore lidhur me përplasjet e Enver Hoxhës me Misionin Amerikan në Shqipëri në ndërrimin e viteve 1945-1946, kalimi i Shqipërisë në kampin e Lindjes, largimi i Misionit Amerikan nga Shqipëria dhe reagimet ndërkombëtare. Arkivat Amerikane të kohës, sjellin pas kaq vitesh shumë dokumente zyrtare lidhur me përpjekjet e qeverisë së SHBA-ve për ndihmë Shqipërisë e qeverisë së saj, si dhe vendosmërinë pa kthim të saj për t’u bashkuar me BS e kampin lindor. Ja fragmente të korrespodencës së përfaqësuesit amerikan në Shqipëri, J.E.Jacobs me Departamentin e SHBA:
Raporti Sekret
National Archives and Record Administration of the United States of America. Raport i Departamentit të Shtetit lidhur me Çështjet e Brendëshme të Shqipërisë, 1945-1949, 875.01/5-1945, faqe 1-17;
Shërbimi i Jashtëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës
Misioni Amerikan,Tiranë-Shqipëri, 19 Maj, 1945
Sekret Nr.5
Subjekti: Vendosja e Misionit Special të ShBA në Tiranë dhe ditari i veprimtarisë së tij.
I nderuar Sekretar i Shtetit,
Washington, D.C.
Zotëri:
Unë, kam nderin t’ju përcjell këtë ditar, për të informuar Departamentin, i cili përmban detaje për vendosjen e misionit tonë special në Tiranë, në përshtatje me udhëzimet e telegramit të Departamentit nr.308, të datës 7 prill të vitit 1945, ora 7 e mbasdites, për AMPOLAD, Kaserta. Raportin po ju a dërgojmë në këtë formë, për arsye të natyrës së veçantë të detyrave të mia, të cilat janë të lidhura me objektivin se a duhet njohur regjimi i tanishëm i FNÇ (Fronti Nacionalçlirimtar) në Shqipëri. Në këto rrethana, paraqitja e çfardo lloj raporti bëhet e vështirë për mua, derisa të më krijohet ndonjë mundësi tjetër për të vazhduar vëzhgimet e mia dhe që t’i vlerësoj faktet ashtu si i kam gjetur ato.Ashtu siç kam treguar në ditar, gjatë dy javëve të fundit unë kam arritur të vizitoj zyrtarë të ndryshëm të FNÇ, jam njohur personalisht me ta dhe jam përpjekur që të informohem mbi çështje të ndryshme, të cilat kanë të bëjnë me objektin e misionit tim. Kam arritur të realizoj shumë takime, përveç ministrit të financave i cili nuk është në Tiranë. Unë propozova që, me ndihmën e zotit Fultz dhe Lauman, të fillojmë të bëjmë një studim për aktivitetin e regjimit të tanishëm dhe të opozitës, për më tepër duke krahasuar notat dhe duke koordinuar informacionin që tashmë kemi siguruar. Duke i parë bashkërisht dhe veçmas anëtarët e kabinetit, më duhet të them se unë kam përshtypje të mira për sinqeritetin dhe interesin e tyre të qartë. Ata janë persona inteligjentë, shumica e të cilëve janë ndërmjet moshës 30-40 vjeç dhe kanë udhëtuar në Evropë. Të gjithë kanë rrezikuar jetët e tyre për të mbrojtur vendin e tyre kundër agresorëve italianë apo gjermanë ose të dyve bashkë. Unë besoj se shoh tek ata shenjat e lodhjes, si rezultat i vuajtjeve që kanë pësuar. Të gjithë përveç dr. Nishanit, ministër i Punëve të Jashtme, kanë pasur pak ose aspak eksperiencë për shkencën e qeverisjes dhe të çështjeve ndërkombëtare dhe që të gjithë janë fanatikë në lidhje me kauzën e tyre, të padurueshëm dhe jo tolerant, veçanërisht në lidhje me çështje të tilla si, dështimi i Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe për t’i njohur, megjithëse ata kurrë nuk e përmendin faktin që edhe Bashkimi Sovjetik nuk e ka bërë këtë. Është me interes që të vë në dukje se, asnjë përfaqësues në opozitë me FNÇ nuk më ka vizituar mua, për të shprehur opozicionin. Kjo, megjithatë, nuk tregon që këtu nuk ka opozitë, por është e kuptueshme që, në një vend të vështirë dhe të trazuar siç është Shqipëria, përdorimi i mjeteve shtrënguese për të shtypur opozitën është i pritshëm, madje edhe pse bëhet në emrin e popullit dhe të demokracisë. Unë propozoj që gjatë javës së ardhëshme ose 10 ditëve të para, të bëj udhëtimet e mëposhtme, po qe se lejohem ta bëj këtë gjë:
Në Durrës dhe në Shkodër;
Në Elbasan, Vlorë, Sarandë, Gjirokastër dhe Korçë e kthim nga Elbasani gjatë 8 ditëve, ose Udhëtimin nr. 2, të ndarë në dy pjesë ose rreth 4 ditë secili. Shumica e shqiptarëve që tashmë jetojnë në Shtetet e Bashkuara dhe që kanë lidhje me to, jetojnë në krahinën e Korçës. Ndërsa në ditar tregohen kryesisht aktivitetet e mia, anëtarët e tjerë të stafit tim kanë qenë angazhuar si më poshtë: Zoti William M. Lauman, ka qenë mjaft aktiv në ndihmën që më ka dhënë mua për përgatitjen e plaçkave në Kaserta, pasi ai njeh shumicën e nëpunësve ushtarakë që merren me furnizimet. Për shkak të nevojave tona urgjente për furnizime të tjera, ai shkoi sërish në Kaserta dhe në Napoli, dhe shpresojmë që të kthehet këtu, më 19 maj. Duke patur parasysh njohuritë e tij të veçanta mbi problemet shqiptare, që i ka fituar kur ka punuar në Stamboll, ai do të ndihmojë z. Fultz dhe mua në përgatitjen e materialeve të shkruara për raportin tonë. Në veçanti ai do të shqyrtojë problemin e aktiviteteve të OWI në Shqipëri. Z. Harry T. Fultz, është mjaft i njohur në Shqipëri. Ai ka shumë miq ish-studentë dhe ka patur shumë vizita nga të cilat ai ka mbledhur një numër informacionesh, që do të jenë të dobishme për raportin tonë. Unë shpresoj të mbështetem shumë tek Fultzi gjatë vlerësimit të fakteve dhe të dhënave të ndryshme, të cilat ne shpresojmë t’i sigurojmë. Z. E.W.A Hoffman është ngarkuar të merret me çështjet administrative të kësaj zyre. Nën varësinë e tij direkte gjënden zonjusha Janet Barker, e cila merret me dosjet, indekset, pronat etj, zonjusha Barbara Johnson (nëpunëse e kodit) dhe zonjusha T. Chiavarini (stenografe dhe daktilografiste). Në lidhje me pronën e legatës, ndërtesat dhe territorin e saj, duhet thënë se ato gjënden në kondita të kënaqëshme, duke patur parasysh që ka qenë e pabanuar gjatë një periudhe 6-vjeçare. Mobilimi duket në gjëndje të mirë, por më mbrapa duhen bërë riparime të rëndëshime të ndërtesës, po qe se misioni do bëhet i përhershëm. Unë po merrem posaçërisht me disa riparime të vogla të përkohëshme, për ta bërë atë më të përshtatshme për banim. Në lidhje me pronën në përgjithësi, mua më duhet që t’i shpreh mirënjohjen kujdestarit Rudolph Marinschak, i cili ka treguar kujdes të shkëlqyer për të, madje duke rrezikuar edhe jetën e tij. Kjo çështje do të jetë subjekt i një mesazhi të ardhshëm. Të gjithë nëpunësit e mëparshëm si dhe njëri që qe i punësuar në Konsullatën e Përgjithshme Amerikane në Selanik, kanë kërkuar të ripunësohen, përveç Frederik Nosit, i cili tashmë është major në Forcat e Mbrojtjes së Popullit. Ashtu siç tregohet në timin nr.11, të datës 14 maj, të orës 4 të mbasdites, unë u kam kërkuar autoriteteve që të ripunësoj Rudolph Marinschak ,Razim Qazimin dhe vëllain e Qazimit, Tekiun kur të përcaktohet përfundimisht statusi i misionit. Në veçanti, ka qenë e domosdoshme që unë të punësoj për pak ditë disa punëtorë, të cilët janë marrë me ndërtesat, territorin dhe mobiljet e përdorshme. Unë e di që ky raport i shkurtër merret me çështje të ndryshme, ndërsa ato që po ju përcjell me anën e kësaj letre janë trajtuar më gjatë. Kjo është mënyra më e thjeshtë për të raportuar mbi aktivitetin tim. Unë po e lë këtë (letër-H.K) tek oficeri i ngarkuar me deskun e Shqipërisë, të Divizionit të Çështjeve Evropiane, me qëllim që të tërheq vëmendjen e oficerëve të tjerë në atë masë që ata do ta gjykojnë të arësyeshme.
Me respekt, i juaj
J. E. Jacobs, Oficer i Shërbimeve të Jashtme