Si u sollën në atdhe, në vitin 1937, eshtrat e Naim Frashërit?

1778
Gëzim LLOJDIA
Gazeta “Drita” e martë 12 janar 1937 sjell këtë lajm si dhe pas tij bëhet një koment. Lajmi nuk është befasues ngase kemi përpjekje të shtetit për të sjell në Shqipëri eshtrat poetit tonë kombëtar . Mbreti Zog pagoi komisionin që do të shkonte deri në Stamboll në varrezën e Madriven Qojt për të sjellë prej andej eshtrat e poetit .
Sipas lajmit të gazetës qeveritare, Mbreti jep urdhër Qeverisë të dërgojë një komision në Stamboll, për të sjellë në Atdhe, eshtrat e Naim Frashërit. Gazeta e afërt me Qeverinë shkruan se: Shpenzimet i mbulon lartmadhëria e tij vet. Latmadhëria e tij, Mbreti i dërgoi Kryeministrisë këtë letër :
Kryeministrisë -Tiranë. Tue pamë shtypin kombëtar që po merret me nevojën e transportimit të eshtrave të ndjerit Naim Frashëri ashtu dhe përpjekjet e sakrificat e tij të shqueme për vetësundimin e atdheut. Urdhërojmë që të formohet një komision prej dy vetëve për të shkue në Stamboll me marrë eshtrat e tij e tue transportue për varrim këtu në Atdheun tonë. Shpenzimet e Komisionit e të transportit do të bahen prej meje. Përfundimi të na njoftohet. ZOG
Poet me disa varre
Naim Frashëri është poeti me disa varre, ndryshe nga poetët e tjerë të këtij vendi. Dy prej të cilëve u përkasin dy teqeve bektashiane. Njëra është Madriven Qojt, pjesa aziatike në perëndim të Stambollit, teqe e bektashizmit, ku u varros trupi i tij në prehjen e parë të vjeshtës së ftohtë, më 20 tetor të vitit l900, pranë vëlla Samiut. I ftohti e preku. Gishtat, dhe kraharori akull. Në diçka, që s’mund të kthehej, më aty ku ishte përherë. Germë, për germë e kërkuam. 
Fle, në këtë copëz të huaj poeti ynë? Ku ka pranë ëndrrën dhe dheun e tij? Në letrat e tua, tek penda jote është letërsia jonë. Të gjetëm ty, një pikë e harruar në dhe të huaj. Ç’frikë kishin nga ty tradhtarët? Emri yt i llahtariste tinzarët? Ngrehu! Zgjohu, pra! Po sa ftohtë këtu, ç’bën kështu? Por njihet një fakt,që në vende të shenjta,territori i tyre mbanë shenjtorë me frymë të Zotit. Poeti bektashi Naim Frashëri ishte shenjtor,që u dha frymë letrave shqipe. Bektashinjtë kanë një aksiomë: “Pena e dijetarit është më e ndritur se gjaku i derdhur i dëshmorëve”. Kjo shqyrton se ka një lidhje organike mes shenjtorit të fjalës dhe të penës bektashiane.
Arritëm aty…
Streha e dytë është kryeqendra botërore e bektashizmit në Tiranë. 37 vite të lagështa, të ftohta në dheun e huaj qëndroi Naimi.
Shteti shqiptar vendosi ta sillte në dheun e tij. Koha e sjelljes: mbretëria e Zogut. Banesa e poetit u bë kryeqendra e përbotshme e bektashizmit në periferi të Tiranes. Pas sjelljes në atdhe në l937-n, në kryegjyshatën botërore: “Baba Naim! baltat e tokës tonë mjaltë t’u bëftë, bektashiu Naim.”
Do të arrinim këtu poeti ynë. Të përgjumur. Gjumi, më atje nuk të kthen, në netët stambollite.
Përse nuk na the, poeti ynë i bukur dhe: sa vite keni me gjysmën e copëtuar, të kafshuar, të shtetit tonë?
Viti 1937
Që kur frymëmarrja e fundit e vitit l900, rrëzoi sytë e poetit, në mëngjesin e freskuar të l9 tetorit,trupi i Naimit u ftoh. Në vjeshtën e argjendtë të vitit l900, në 20 tetor, kur vesa pikonte vesë, trupi poetit të papërsëritshëm u nguros në errësirën pus në një arkëmorti, në teqenë bektashiane të Madriven Qojt. Atje ku, dikur ishte pjesa aziatike e kryeqendrës së perandorisë, në Stamboll.
Fluturoi dhe shtërgu i fundit
“Fluturoi dhe shtërgu i fundit madhështor, me shpirt të gjorë…“
Vargëzim i mahnitshëm, ose nekrologji e çuditshme e Poradecit në vargje. Ndoshta për poetët. I fundit nga shtergët më sy të ngrirë, që shkoi në vitin 1900 ishte poeti Naim. Ai vetë e kishte rrëzuar trishtimin e vdekjes.
Ia thoshte arti naimian: “Po shpirti, që s’vdes/S’ma mbrëm’ e mëngjes/Ku ka fluturuar/Se vdekja s’e zë dot…”
37 vite larg në atë copëz aziatike. Kur mëngjesi i fundit, ndërkaq i rrëzimit mbërriti në vjeshtë, Naimi gjendej në Stamboll. Shteti i tij ishte nën sundimin e perandorisë, nëpunës i së cilës ai ishte. Vdekja e rrëzoi aty në pjesën aziatike. Aty rrëzoi sytë. Shpirtin e çliroi aty.
Por poetin bektashi Naim Frashëri, mjegullina, që u rrek nuk e mbuloi dot. Nuk ka dhe nuk mund të gjenden arsye sado të forta, për ta mbajtur, të gozhduar nën tokën e huaj, atje në kryeqendër të perandorisë, poetin tonë Naim. Vetëm 37 vite të zeza,qëndroi poeti ynë në errësirën pus, mes të ftohtit të madh, të varrezës së Madriven Qojt, në kryeqendrën e perandorisë. Shqiptarët e kërkuan ta kishin pranë,poetin e tyre. Mbasi mbaruan punë me luftrat e gjithhershme të mbijetesës,mbasi krijuan shtetin e tyre,që gjithsesi pësoi një çarje ,prerje,kafshime ujqëror nga fqinjët tinëzar, bashkëkombësit nuk harruan poetin e tyre kombëtar,që dergjej në dheun e ftohtë midis dy vëllezërve në pjesën aziatike të ditë-netëve stambollite. Ata e thirrën për tu kthyer në dheun e tij. Le të udhëtonte përmbi të gjitha urat,që kishte shtruar. Kësisoj,aty nga viti l937, varri i Naimit, në Madriven Qojt,mbeti pa trupin e tij. Trupi i poetit bektashi u tërhoq nga shteti i shqiptarëve,ndërkaq në vitin 1937,ai rrugëtonte, përtej mjegullës, brenda një arkëmorti, për të mbajtur një premtim të rrallë, që koha kaq mizore u tregua, sa qe gjallë dot nuk e përmbushi. Shteti shqiptar e thërriste në këtë udhëtim për të mbërritur këtej Bosforit, nga kjo anë e Ballkanit ku ishin tokat e shqiptarëve duke e tërhequr nga dheu i huaj, për ta mbajtur pranë, duke ia prishur gjumin ëndërror, përtej kohës. Ngritja e Naimit nga varri ishte nga ato të rralla premtime, që shqiptaret kishin marrë, sapo luftërat e përgjakshme të përfundonin, për ta ruajtur pranë në prehjen e përhershme,në gjumin e pafundmë dimëror.
“Na fal, o lulja Naim! Na fal, o shpirti Naim! Na fal, o drita Naim! Poeti ynë, shqiptari ynë, -që të ngremë, nga ky varr i huaj, por shqiptarët mezi të presin, të kenë në tokën e tyre!
Naimi kthehej, në dheun e tij, në të vërtetë rrugëtimi i arkëmortit, ishte aty nga vitit 1937. Ai ikte nga varreza e Madriven Qojt duke u kthyer në atdheun e tij në një rrugëtim legjende, mbërrinte në atdhe me rrugën e lashtë ballkanike rrugën,që dhjetëra herë e kishte marrë për t’u kthyer në dheun e tij. Mbërrinte i shoqëruar nga një shpurë shtetërore, por kësaj here i baltosur, ndërkaq vinte në peshë i lehtësuar, por më i thellë në mendjet shqiptare.
“Mirë se erdhe, Naim!”
Varrosja në tokën e Kryegjyshatës Botërore
Kryetema e fjalës në ceremoninë e pritjes së poetit kombëtar, në rrugën e Elbasanit. Sillet kështu mirëardhja e Naimit në tokën e tij. Poeti i shqiptarëve mbërrinte nga copëza aziatike. I mbyllur në arkëmorti, por më i rëndë nga dheu i huaj mbërrinte, në letrat shqipe. Kryetari Shefki Shulku me një ceremoni ia dorëzoi arkivolin, kryetarit të bashkisë. Trupi i pluhurosur i poetit u përcoll me fjalë nga më të mirat dhe më të ngrohta nga autoritetet shtetërore si Eshref Frashëri.
Në mesditë, trupi i poetit u vendos në kryeqendrën e bektashizmit në periferi të kryeqendrës shqiptare, në kryegjyshatën botërore, aty ku shpirti i tij ishte pikëzuar qëkur. Vatanin e tij. Shtëpia e botës bektashiane ishte shtëpia e Naimit.
“Mirë se erdhe, bektashiu Naim, në shtëpinë tënde“, i thanë besimtaret, ndërsa kryegjyshi Sali Dedei, i bëri lutjet. 
Një ditë të këtij shekulli, në Kryegjyshatë kam pyetur kryegjyshin botëror Haxhi Dede Reshat Bardhin.
-Ku ka qenë varri i Naimit në këtë tokë të shenjtë? Dedei ka zgjatur dorën.
-Aty midis kryegjyshatës dhe tyrbeve -ka treguar.
Ky vend ka ruajtur në gji, në ndërtesën e përjetshme, poetin tonë bektashi. Kjo ishte streha e parë e pasjetës së Naimit në tokën shqiptare.
Shpërngulja
Por, koha e prehjes së thellë, për poetin bektashi ende nuk kishte mbërritur. Regjimi i l945-s e zhvarrosi, për ta larguar nga gjiri i bektashizmit, për ta vendosur në një vend tjetër publik. Arsyet gjenden në faktin se Naimi u përkiste gjithë shqiptarëve. Mirëpo, të mos harrojmë se para së gjithëve bektashinjve.
Mirëpo, ditën kur ra ora e shekullit të ri shqiptarët duket nën ethe e kërkuan Naimin, ta kishin pranë. U duhej ta mbanin edhe si fizik. Zemërthyer, shekulli i 20-të, qe i tillë për shqiptarët. Prandaj në fillesën e tij e kërkuam Naimin. Le të qëndronte në të gjitha portat, që kishte hapur, në të gjitha urat, që kishte shtruar. Le të ishte i dukshëm portreti i tij fizik. E padukshme ngasja shpirtërore, poezia, mendimi dhe filozofia e tij. Kësisoj ka një llogari: Njerëz me këto përmasa, këto varreza të trishtuara nuk mundet t’i mbanin dot. Kësisoj këto ndërtesa të errëta mund të mbanin këdo, kurrsesi Naimin tonë, poetin bektashi. Nën ftohtësinë e katakombeve të ftohtë, ku ndriçonte ora e territ, mund të dremitnin ata, që s`kishin ndonjë punë të madhe për të bërë. Ata, që në këtë botë kishin qenë shtegtarë të humbur. Ata vdekatarët, vrasësit, ata të ligjtë, tradhtarët ata të poshtër. Ata, që Dantja,“babai” i “Komedisë Hyjnore” i kishte perifrazuar trishtueshëm: “Lusciate, ogni speranza voi che entrate“, d.m.th.:“Ju që hyni këtu, lani duart nga çdo shpresë“. 
Por aty ku s`hynte, as një fllad pranveror, as një grimë poezie as një ilahe bektashiane, aty s`mundej të qëndronte, të rrinte Naimi ynë, poeti mendimtari, bektashiu, krijuesi dhe bërësi i aksiomës: 
“Punë, punë, natë e ditë 
që të shohim pakëz dritë“.
Merrej dot me mend se ai ëndërruesi, nga ç’e kishte përfytyruar “ Lum kush të rrojë/ ta shohë zonjë!.“ se ç`punë e prisnin për të bërë. Sepse vetë kishte punuar me gjysmë dritë,por i kishte kërkuar Zotit: 
“Jepi shqiptarit dritë 
Zot i vërtetë të shohi
Të marrë vesh mirësitë
Të vërtetën ta njohë“.
Këto angazhime, që kishte marrë duhej t’i vrojtonte. Prandaj ç`punë do të bënte i vetëm në ftohtësirën e baltës?
Në oborrin e kryeqendrës botërore të bektashizmit, hija e Naimit merr një rrëzëllim të veçantë. Ardhja e Naimit në seli të shenjtë, në dyer të kryeqendrës botërore është e përhershme.
Poetika për poetin
Naim o zemër!
Trupi yt i shtrirë si në shkretëtirë. Poet e çfarë poeti. Bukurisht i bukur. Mjerisht larg!. Qefini yt i larë nga mjegulla e bardhë. Fshehur në errësirë, në këtë arkëmorti. Ngrehu nga kjo ëndërr, përgjimtare e rrëmintare!
Naimi shkruante:
…Nga i gjalli e ka nxjerrë/Të vdekurin Zoti vetë,/Nga i vdekuri përherë/Të gjallën prapë në jetë/Tek i biri jetëgjati/Që rron sot në këtë jetë,/Është pshehur i ati/Kjo është fjalë e vërtetë…“



Sigal