12 Anëtarët e Shtabit Luftarak të Luftës së Dibrës)
– Elez Isufi, shqipja e Korabit, ishte dhe mbeti një flakadan lirie në breza
– Ramiz Daci prijës i luftës së përbashkuar të “nëntë maleve” të Dibrës
Qëndresa luftarake 9- vjeçare kundër serbve për mbrojtjen e territoreve shqiptare është epope e pavdekësisë së kombit tonë. Prijësat dibranë, të mençur nga natyra nuk u pajtuan me vendimet e Fuqive të Mëdha për copëtimin e Shqipërisë dhe të Dibrës së tyre dhe tonës. Prijësat dhe luftëtarët u kundërpërgjigjigjën me forcat e veta, me armët e veta, derisa ja arriti që t’i detyronte ushtritë serbe të tërhiqeshin jashtë kufijve të vitit 1913. Populli dibran mençurisht këtë qëndresë luftarake 9 -vjeçare nga nëntori i 1912 deri në dhjetor 1920 e ka gdhendur në këngë: “Në tan’ Evropën ka shkue fjala/ Qe nandë vjet luftojmë me krajla”.
Në luftën e Dibrës që u luftua në mënyrë energjike nga gjithë prijësat, luftëtarët dhe populli. Prandaj dhe lavdia i takon mbarë popullit, ndërkohë që edhe prijësit kanë vendin e tyre në historinë e triumfit ndaj gjithë pushtuesve.
1.Elez Isufi, shqipja e Korabit, ishte dhe mbeti një flakadan lirie në breza

Elez Isufi prijës i parisë dibrane, plaku i randë i maleve, shqipja e Korabit, plaku i famshëm, filozofi me kësulë të bardhë, mendimtari i madh, diplomati i pashkollë, gjenerali me shajak, kreshniku i maleve të Dibrës, ballina e kombit, atdhetari i flaktë, njeri me cilësi të mbinatyrshme, patriot e atdhetar i flaktë, “flakadan lirie që frymëzoi breza të tërë luftëtarësh për çështjen e madhe të kombit shqiptar, burrë dibran me karakterin e shqiptarëve të hershëm e më atdhedashuri të fortë që nuk i’u përul as forcës brutale dhe as arit të huaj”. Elez Isufi u bë korifeu i qëndresës popullore në epopenë e luftrave 9-vjeçare kundër një armiku nga më të tërbuarit e më mizorët i shqiptarëve. Shkriu gjithë pasurinë e tij për interesat kombëtare. U dogjën tri herë kullat e tij, në 1913-ën, në 1918-ën dhe në 1921-in, u internua dhe u burgos familja e tij, u përgjakën burrat e konakut të tij, por ai nuk u thye, as u gunjëzua, as u përkul. Elez Isufi nga fillimi i vitit 1916 e deri në tetor 1918, me përjashtim të një vizite në Vjenë, ku u dekorua nga Kajzeri, kohën tjetër qëndroi në Sllovë. Me dekret të 28.1.1916, Franc Jozefi, perandori i Austro-Hungarisë dekoroi Elez Isuf Ndreun me Kryqin e Konturës të Oficerëve të Urdhërit të lartë “Franc Jozef-Orden”, me dekoracion lufte. Arkivat dhe historia do flaës me fletë të ndritura për ngjarjet e mëdha, ku 4 muaj Elez Isufi në dimrin e egër të 1921 qëndroi në shi e në borë në malet e Lurës me malësorët besnikë të Reçit e Dardhës dhe të mbarë Dibrës duke treguar një trimëri të jashtëzakonshme në mbrojtje të vatanit dhe nuk i lejuan sërbët të kalojnë kufirin. Elez Isufi u dekorua për merita të veçanta lufte nga perandori i Austro-Hungarisë Franc Jozefi me titullin e lartë. Fakt është se në pallatin perandorak kishte vënë këmbët me baltë mbi qilimat persianë të salloneve aristokrate një malësor me rroba shajaku, me opinga lëkure. Pa I dridhur qerpiku ai i drejtohet Perandorit, duke iu drejtuar përkthyesit që mos t’ia ndryshojë fjalët në komunikim, se shqiptarët janë vrarë me osmanët, se ai u kishte kërkuar nizamë e taksa; ishte vrarë me ushtrinë sërbe se kishte kërkuar të bëhej zot shtëpie e të mblidhte taksa e ushtarë e se kështu do të vritej me të gjithë ata që janë të këtij soji. Elez Isufin e plagosën më 16.12.1924 bashkë me nipin e tij trim Sufë Xhelilin. Elez Isufi 63 vjeçar vdiq nga plagët e luftës më 30.12.1924. Edhe pse pa shkollë, Oda Dibrane, u bë auditor i “Universitetit të Dibrës” dhe fusha e luftës e pajisi me dijet e një akademie universitare për trimëri si dhe e armatosi me strategjinë e një gjenerali. Historia gdhendi në kujtesën e popullit fjalën e tij të urtë që ndante kanune, shëronte plagë e afronte njerëz.
2.Ramiz Daci prijës i luftës së përbashkuar të “nëntë maleve” të Dibrës

Ramiz Daci ishte lindur në një truall atdhetar në vitin 1883 në Dibër të Madhe. Pinjoll i shquar i Fisit dhe familjes Daci të fshatit Zogje dhe qytetit të Dibrës. Shkollën fillore dhe atë gjysëm të mesme i bëri në Dibër, ndërsa maturën dhe Shkollën e oficerëve e mbaroi në Stamboll. Gjuhën shqipe e mësoi nga atdhetari Said Najdeni. Oxhaku i tyre shquhej për pushkë, sofër e besë. Studimet i vijoi në Stamboll në shkollën ushtarake që ishte krijuar që më 1834. Revolucioni xhonturk i 1908-ës e gjen me shërbim në Rekë. Në këtë periudhë filloi edhe aktivitetin e tij publicistik në interes të kombit shqiptar. Ishte ndër të parët që u vu në shërbim të Qeverisë së Vlorës. Ramiz Daci ka qenë shoqërues i Vehbi Dibrës në shpalljen e pavarësisë në Vlorë më 28.11.1912. Më 1913 u rreshtua në llogoret e popullit kundër pushtuesit të ri serb. Ka qenë kurdoherë kudo ku luftohej kundër serbit për nëntë vjet rresht. Ai ka qenë pjesë e ideatorëve për kuvendin e gushtit 1920 të Arrasit. Ramiz Daci senator i Senatit të dhomës së Këshillit Kombëtar të Shqipërisë nga 27.3.1920 deri më 20.12.1920, njëherësh edhe prijës në Luftën e Dibrës. Ai ishte një nga organizatorët kryesorë të kuvendeve dhe luftrave edhe si një prej prijësave të luftës së përbashkuar të “nëntë maleve” të Dibrës. Ramiz Daci u zgjodh jo thjesht anëtar parlamenti por anëtar i senatit, dhomës së lartë të Parlamentit Shqiptar në Kongresin e Lushnjës. Ai ka qenë senator i Senatit të Parlamentit Shqiptar nga 27.3.1920–20.12.1920. Ramiz Daci, më 7.8.1920, ishte në Arras ndër organizatorët e një kuvendi me pjesëmarrjen e 3000 vetëve, ku shprehën krenarinë e Luftës së Vlorës kundër italianëve dhe shprehën gatishmërinë për të mbrojtur me të gjitha mjetet tokat dhe atdheun e tyre. Nën drejtimin e prijësave si Ramiz Daci dhe të tjerë drejtues luftarakë dibranë, bazuar edhe në gazetën “Ushtima e maleve”, nr 28, datë 12.7.1990, “në luftimet e datës 15.8.1920, kishte 1000 të vrarë nga serbët dhe 2000 të plagosur..” dhe episode luftarake ku spikat drejtimi i prijësave dibranë janë me dhjetra në luftën nëntë vjeçare për sovranitet kombëtar. Ramiz Daci në kuvende dhe në beteja ishte krahas prijësave të tjerë si: Ramiz Bej Dibra, Dine Bej Maqellara, Izet bej Maqellara, Selman Alia, Jashar Erebara, Ismail Strazimiri, Selë Bajraktari, Shaqir Dema, Dine Dema, Riza Lusha, Dervish Lusha, Dine Hoxha, Selim Noka etj.
3.Dine Bej Maqellara (Nasufi), prijës në luftën nëntë vjeçare antiserbe
Dine Nasufi ishte lindur më vitin 1875 në Maqellarë në një ambjent patriotik e luftarak. Shkollën fillore dhe gjimnazin e kreu në Dibër. Një oxhak i shquar për të fisëm, anëtar i klubit “Bashkimi” më 1912 të Dibrës. Pjesëmarrës në luftime më 21 qershor 1912 duke drejtuar çetën e Fushës. U shqua në kryengritjet kundër serbëve dhe për këtë serbët ja internuan familjen e tij në shtator 1920 në Manastir. Në maj të vitit 1912 është anëtar i Komitetit Nacional të Dibrës, organ ushtarak kundër pushtuesit turk së bashku me Elez Isufin, Izet Maqellarën, Shaqir Jegenin, Ismail Strazimirin, Sherif Langun, Eqerem Camin etj. Dine dhe Izet Maqellara kanë organizuar rezistencën kundër serbve, bullgarëve, nemces etj, sidomos në luftimet 9 vjeçare kundër serbve 1912-1920. Dine Bej Maqellara dhe paria e Dibrës i dërguan qeverisë së Durrësit një notë për delegacionin që do të merrte pjesë në Konferencën e Paqes të Parisit më 17.3.1919 në të cilën u kujtojnë se Dibranët janë në trojet e tyre që prej 6000 vjetësh. Në Kongresin e Lushnjës zgjidhet senator. Dine Bej Maqellara ka qenë deputet i Parlamentit Shqiptar nga 27 mars 1920 deri më 20 dhjetor 1920. Ka vdekur në vitin 1928. Në vitin 1992 është dekoruar me urdhërin e Lirisë të klasit II-të.
4.Dine Dema i lindur për komb e atdhe, senator e parlamentar

Dine Dema është lindur në fshatin Homesh të Dibrës në familjen e shquar të Demajve. Paraardhësit e tij Mete Dema, komandant i dibranëve në ndihnë të Ali Pashë Tepelenës dhe Hazis Dema, komandant i Fisit dhe Malit të Grykës së Vogël ishin frymëzimi patriotik i Dine Demës. Në fillim të Shekullit XX në kryengritjet antiosmane 1908-1912 dhe më vonë në kryengritjet antiserbe 1912–1920. Fisi “Dema” kishte tre çeta nga shtatë çeta që vepronin në territorin e Dibrës, Çeta e Mersim Demës, Çeta e Shaqir Demës dhe Çeta e Dine Demës. Në Parlamentin e Parë pas Kongresit të Lushnjës Dine Dema zgjidhet senator, ndërsa nga nga 27 mars deri më 20 dhjetor 1920, Dine Dema, zgjidhet deputet i Parlamentit Shqiptar. Dine Dema dhe gjithë prijësat dibranë të shquar për mençuri e kuptuan më së miri se kryengritja dhe lufta ishte zgjidhja më e drejtë prandaj dhe Xhulian Ameri, tek “Bijtë e Shqipes”, shprehet “Në kryengritjet shqiptare, dallimi midis palëve kundërshtare kishte karakter gjeografik dhe grupazhi, më tepër se një karakter opinioni apo rendi shoqëror”. Kujtesa historike dibrane e ka rregjistruar si një ndër prijësit më të spikatur luftarakë në luftën kundër ushtrive serbe, por dhe si një politikan i mençur që punoi fuqishëm për çështjen kombëtare shqiptare.
5.Ismail Strazimiri luftëtar, prijës, patriot, por edhe histograf dibran i spikatur

Ismail Strazimiri ishte lindur më 1868 dhe u burrërua shumë shpejt duke u kthyer në një patriot, influencues dhe veprimtar i spikatur i lëvizjeve kombëtare në zonën dibrane. Emri i tij lidhet me disa nga ngjarjet kryesore të kësaj periudhe si aktivist i lëvizjes “Përparim dhe Bashkim”, kontribues në Kongresin e Dibrës të vitit 1908, ose kongresi i hapjes së shkollave në gjuhën shqipe. Ai mbështeti fuqishëm idenë e shpalljes së Pavarësisë në Vlorë dhe luajti rol deciziv në administratat e paqëndrueshme deri në fundin e Luftës I Botërore. I tërhequr më pas nga jeta politike ai shkroi një nga dëshmitë më origjinale të kësaj periudhe mbi rolin e dibranëve në historinë shqiptare. Jeta e tij do të mbyllej në moshën 75 vjeçare më 1943, duke përkrahur partizanët, përkrahje që i kushtoi atij dhe jetën duke vdekur me pushkë në dorë në mbrojtjen e Dibrës. Ismail Strazimiri do të mbetej me arritjet dhe kontradiktat e tij, si një provë e proçesit të gjatë dhe të mundimshëm të popullit tonë drejt krijimit të një shteti shqiptar. Ai në kujtimet e tij, shkruan për rolin e dibranëve për liri dhe pavarësi si bejlerët e Maqellarës, Dine Bej Maqellara, Izet Bej Maqellara, Fiqiri Dine; Ramiz Daci, Jashar Erebara, Ismail Strazimiri (Dibër), sheherlinjtë e Dibrës së Madhe grumbulluar në Tiranë, Elbasan e Peshkopi: Myftiu i Dibrës Vehbi Dibra (Agolli) e Hafiz Sherif Langu, Abdurrahman Dibra e Shefki Shatku, Izet Dibra (Shatku) e Faik Shatku, vëllezërit Selim e Riza Rusi, Zenepe Çoku (e shoqja e Dervish Himës) e Aziz Menzelxhiu, Hasan Ballanca e Sheh Latifi, e patriotë të tjerë dibranë: Kadri Fishta e Eqrem Cami, Ibrahim Xhidri e Abdullah Tërshana, Ibrahim Jegeni e shehlerët e Peshkopisë, etj. Dibra e cila ndodhet në “kërthizë” të trojeve shqiptare dhe tepër e vrullshme në historinë kombëtare ka lënë gjurmë historiografike në të gjitha ngjarjet madhore të kombit, sikurse prijësat si Strazimirët dhe oxhaqet e mëdha prijësa kanë shkruar epokë historie të triumfit ndaj pushtuesve. Ismail Strazimiri shkruajti më 1931 një libër kujtimesh për periudhën 1910-1931, ku prezanton në mënyre kronologjike faktet historike nga këndvështrimi i një dëshmitari të kohës, që titullohej “Lufta kundër pavarësimit të Shqipërisë”. Akademiku Shaban Sinani thotë se, “..në këtë libër gjenden shumë të vërteta të rezervuara prej studimeve historiografike deri më sot, nga droja se mos historia kombëtare mos po bëhet jo aq kombëtare, nga vetë karakteri monumentalizues i historiografisë tradicionale, nga presionet që ushtrohen mbi historishkrimin për shkak të protagonizmit të zgjatur nga koha në kohë. Në këtë kontekst, le të çmojmë kurajën e një njeriu që e deshi shumë Shqipërinë, e deshi deri në dhimbje, nuk arriti “ta shohë zonjë” si shumë e shumë idealistë të tjerë dhe u përpoq që edhe me fjalën të shërojë dhe të mos përsëritet pjesa e keqe e së shkuarës”. Në këtë punim nuk mund të lëmë pa përmendur vlerësimin e Profesor Kristo Frashërit: “Tjetër figurë e respektuar dibrane që jetonte në vitet e monarkisë ishte Ismail Strazimiri(1868–1943). Ai ishte veprimtar i lëvizjes kombëtare dhe demokratike. Mori pjesë në mënyrë aktive në lëvizjen e Rilindjes Kombëtare në vitet e fundit të sundimit osman. Mori pjesë gjithashtu në Lëvizjen Kombëtare për çlirimin e vendit nga zgjedha turke dhe më pas kundër synimeve të shovinistëve serbë. Përkrahës i Revolucionit të Qershorit. Më 1931 botoi librin e tij “Kujtime historike mbi lëvizjen kombëtare në Qarkun e Dibrës”. Qëllimi i botimit ishte të shpaloste kontributin e popullit dibran në luftën për liri, pavarësi e zhvillim.
6.Dine Hoxha – plaku i zgjuar i Dibrës, i mbiquajtur “Sokrati pa shkollë”

Dine Hoxha ose Hajredin Hazis Hoxha është lindur në një familje me tradita të thella patriotike dhe luftarake. Dine Hoxha ka qenë një ndër udhëheqësit kryesorë të forcave vullnetare dibrane, një drejtues i spikatur luftarak në luftën në Shkodër dhe për Shkodrën, që zgjati 6 muaj, ku edhe dhanë jetën 114 luftëtarë të paepur dibranë. Dine Hoxha ka vijuar më tej të përballet me pushtuesit serbë në përballjen e gjatë nëntë vjeçare veçanërisht në krye të forcave të Muhurit për t’i dalë zot vatanit. Ai është udhëheqës i luftës së Skërtecit, i betejës në Shkallët e Deshëve, në betejën e famshme të Lumës, në Qafën e Kolesianit, në rezistencën e Arrasit. Dine Hoxha protestoi energjikisht bashkë me 112 burra me peticion në Shkodër kundër veprimeve të Fuqive të Mëdha. Në 1925 hapi shkollën në Muhurr e në Luzni. Edhe në rrugën e Kavajës ka ndërtuar Xhami që edhe sot e kësaj dite thirret “Xhamija e Dine Hoxhës”. Dine Hoxha shpesh është bërë edhe objekt i shtypit të kohës, për rolin që Dine Hoxha (Hajredini) kishte në Oborrin Mbretëror shqiptar. (Prof. Asoc. Zaho Golemi)
Nënkolonel Ramiz Dibra, anëtar i Shtabit luftarak të Arrasit,
i biri i Iljas Pashë Dibrës

(1877-1951)
Atdhetar demokrat e antizogist. Mori pjesë aktive në luftën për ruajtjen e pavarësisë dhe tërësisë territoriale të shtetit shqiptar. Ishte një ndër organizatorët e luftës së armatosur të filluar në gusht 1920 kundër pushtuesve jugosllavë, për çlirimin e territoreve të shtetit shqiptar në verilindje të vendit. U aktivizua në lëvizjen demokratike antifeudale të viteve 1921-1924 dhe në Revolucionin e Qershorit 1924. Mbajti qëndrim antizogist dhe si i tillë mori pjesë në kryengritjen e Fierit 1935. (Uikipedia)
Riza Lusha, anëtar i Shtabit Luftarak të Arrasit në gusht të vitit 1920

Riza Vesel Lusha lindi në vitin 1881 në fshatin Arras të Çidhnës, në një familje me tradita të shquara atdhetare. I ati i tij, Vesel Lusha, organizoi e udhëhoqi çidhnakët në luftë kundër masave shtypëse e reformave të taksave të perandorisë osmane në vitet 30 të shekullit të XIX dhe në betejën e Drinit në Nëntor 1844, kundër forcave shtypëse të Hajredin Pashës të udhëhequr nga Agai i nëntë maleve të Dibrës, Sale Demir Alia, ku malësorët, të mbledhur në kuvendin e maleve të Dibrës, kishin dhënë besën për mbrojtjen e lirive të drejtave të tyre.
Disa nga të parët e tij, si Vesel Lusha, Demir Lusha, Staf Lusha, etj, jo vetëm në krahinën e Çidhnës në Dibër, por edhe më gjerë janë shquar si udhëheqës ” rebel “, kundër masave shtypëse e reformave të taksave të perandorisë osmane.
Në muajt shkurt-mars 1912, Riza Lusha mori pjesë në kryengritjen e malësisë së Çidhnës kundër batalionit turk që ishte vendosur me qendër në fshatin Arras.
Me pas, ai së bashku me kushëririn e tij, Shaban Lusha, mori pjesë në “Luftën e Shkodrës”, të udhëhequr nga Selman Alia kundër synimeve grabitqare të pushtuesve malazeze e serbe.
Në këtë luftë kushëriri i tij Shaban Lusha u shqua për guxim e trimëri duke dhënë edhe jetën për çlirimin e Shkodrës.
Riza Lusha mori pjesë në luftën e Kolosjanit të vitit 1912, që bënë luftëtarët dibranë nën udhëheqjen e Selman Alisë kundër ushtrive serbe. Në shtator-tetor 1913 ai përsëri mori pjesë në luftimet që bëri populli i Dibrës, i udhëhequr nga Selman Alia, Elez Isufi e Halil Kaloshi kundër pushtuesve serbë.
(Ergen Alia)
Jashar Erebara , anëtar i Shtabit të Luftës, gusht 1920

Jeta e tij është mbushur me ngjarje tragjike, si vetë jeta e popullit dhe kombit tonë. U bë gazetar me emër, i shtyrë mbase jo aq nga talenti i lindur, sa nga dhimbja dhe zjarri i dashurisë për atdheun. Me origjinë nga Podujeva, lindur më 1875 (mbase në Mostar të Bosnjës, ku shërbente i ati, Sadik Fejzullahu, përfshirë nga vala e muhaxhirllëkut mysliman të Luftës e të Pasluftës së 1877-1878-s dhe përfundon në Dibër, ku së pari i vdes i ati, i përndjekur në male, më pas e ëma dhe e motra nga tuberkulozi të mbetura rrugëve të muhaxhirllëkut, së fundi vëllai, që humbi në kurbet drejt Turqisë e që nuk iu dëgjua më zëri, as emri. Fati e shpuri Jasharin, këtë fëmijë të mbetur midis katër rrugëve në familjen dibrane Erebara (të Sejfulla Erebarës), prej së cilës në shenjë respekti mbajti mbiemrin. Pastaj sa andej-këndej: nga Dibra në Manastir, nga Manastiri në Stamboll e më 1891 në Elbasan.
Formimin e parë shpirtëror e arsimor – kulturor, shpirtëror e politik e mori në Dibër. Pati për mësues Sait Najdenin në Dibër dhe Nikolla Naçon në Bukuresht, bashkënxënës Dervish Himën, Asdrenin, Kristo Luarasin dhe bashkëpunëtorë Ibrahim Temon e Jani Vreton. Më 1902, sëbashku me Ismail Qemalin, Dervish Himën merr pjesë në Kongresin e xhonturqve në Paris. Eshtë njëri nga firmatarët e kartës drejtuar Sulltanit për të drejtat e kombit shqiptar.
Veprimtar i shquar i Rilindjes Kombëtare, publicist, diplomat, burrë shteti i spikatur që e shtrin aktivitetin nga fundi i shek. XIX – gjysma e parë e shek. XX. Është bashkautor i shumë protestave dhe thirrjeve drejtuar fuqive të mëdha për mbrojtjen e çështjes shqiptare. U ropat nëpër kryeqytetet e Evropës e të Ballkanit për 27 vjet me radhë, me bukë e pa bukë, me strehë e pa strehë, por i paepur. Vështirësitë ekonomike nuk qenë gjë përpara ndjekjeve, internimeve dhe burgosjeve. Vraponin veprimtarët shqiptarë nga njëri kryeqytet i Evropës në tjetrin për çështjen shqiptare, zëvendësonin njeri tjetrin. Kur qëllonte që politikanët e Evropës t’i takonin për së dyti veprimtarët shqiptarë, i pyesnin me habi: “akoma nuk ju kanë vrarë?”.
Më 1902-1906 nxjerr në Beograd gazetën “Albania”. Pas shpalljes së Hyrrietit (korrik 1908) dërgohet në Kumanovë ku krijoi Klubin shqiptar dhe hapi një shkollë në gjuhën shqipe. Më 1911-1912 është në Shkup, ku nxjerr gazetën “Shkupi”, e para gazetë në gjuhën shqipe në trevat e Kosovës e të Shqipërisë Lindore. Më 1913 vjen në Vlorë, ku bën pjesë në administratën qeveritare. Më 1914 në Durrës dhe 1914-1915 në Vjenë ku bashkë me të tjerë boton organin “Biblioteka Zëri Shqipërisë”. Ndiqet nga bullgarët dhe internohet 18 muaj në Karlovo. Ishte ndër themeluesit e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”.Pjesëmarrës në të gjitha ngjarjet që sollën Pavarësinë, ngritjen dhe konsolidimin e shtetit shqiptar duke filluar me Bukureshtin, Beogradin, Vjenën, Parisin, Sofjen, Shkupin, Vlorën e 1912-s, Durrësin e 1914-s, Tiranën e 1920-s e të 1924-s. Patriotizmi i tij të mahnit për shkallën e sakrificave. Asdreni në një letër që i dërgonte, shkruante: Gjithmonë kur jam duke folur me një mik ose atdhetar për mundimet dhe përpjekjet e kohës kur luftonim për një rilindje të atdheut, kujtoj vazhdimisht edhe emrin tënd.





















