Me aksionin kundër Maxhar Pashës në Gjakovë, Lidhja e Prizrenit bëri një hap të rëndësishëm përpara
Iljaz Pashë Dibra më 10 qershor 1878 kryesoi mbledhjen e parë të Lidhjes së Prizrenit në xhaminë Bajraklie të qytetit. Me takimin që u mbajt më 18 qershor ishte firma e parë e Lidhjes si përfaqësues i Dibrës, me gradën më të lartë. Lidhja formoi një komitet qendror në krye të të cilit ishte vetë Iljaz Pasha. Kryesoi gjithashtu Kuvendin e Dibrës më 1 nëntor 1878 dhe ishte një nga 14 anëtarët e delegacionit që do t’i paraqiste sulltanit kërkesën për autonominë e Shqipërisë. I njohur si autoritet me ndikim në popull dhe i frymëzuar nga idetë çlirimtare të parardhësve të tij shpirtërorë, si Ali Pashë Tepelena, Zenel Gjoleka, Tafil Buzi e të tjerë, Iljaz Pashë Dibra në vitin 1861 udhëhoqi forcat dibrane kundër përpjekjeve malaziase për të shtënë në dorë viset shqiptare të Shkodrës. Është i njohur aktiviteti i tij për mbrojtjen e viseve shqiptare nga invadorët sllavë, por edhe përpjekja për ta krijuar shtetin shqiptar të Katër Vilajeve që përfshinin territoret shqiptare në Ballkan. Iljaz Pashë Dibra, së bashku me Abdyl Frashërin, Ymer Prizrenin, Sylejman Vokshin e të tjerë ishte ndër nismëtarët e parë për themelimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Më 10 qershor të vitit 1878, Iljaz Dibra kryesoi Kuvendin e Përgjithshëm që çoi në themelimin e Lidhjes dhe u zgjodh kryetar i parë saj. Më pas u tërhoq në Dibër dhe atje kryesoi Kuvendin e Dibrës të 1 nëntorit të vitit 1878. Ky Kuvend kombëtar i shqiptarëve miratoi rezolutën në të cilën kërkohej krijimi i vilajetit autonom shqiptar.

Iljaz Dibra ishte njëri nga të 14 anëtarët e delegacionit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të cilët kishin paraparë t’i drejtoheshin Sulltanit me kërkesë për autonominë e Shqipërisë. Ai ka kryesuar edhe Kuvendin e Dytë të Dibrës, më 20 tetor të vitit 1880, por kësaj radhe, në raport me zhvillimet u paraqit me kërkesa pak më të moderuara. Me aksionin kundër Maxhar Pashës në Gjakovë, Lidhja e Prizrenit bëri një hap te rëndësishëm përpara. Opinioni shqiptar priste tani që Porta e Lartë të ndërhynte energjikisht për të venë në vend dinjitetin e saj të shkelur rëndë. Nga ana tjetër, vëzhguesit e huaj, te cilët e vlerësuan këtë aksion si një kryengritje kundër Stambollit, prisnin që ajo të shtrihej edhe në viset e tjera të Shqipërisë. Programi i Komitetit Shqiptar të Stambollit u shtrua për diskutim në degën e Lidhjes Shqiptare për Dibrën, me nismën e se cilës u mbajt në Dibër, me 14 tetor, një kuvend i jashtëzakonshëm, ku morën pjesë krerët e qytetit të Malësisë dhe të Fushës së Dibrës, që miratuan një rezolutë, të hartuar mbi parimet e programit të Komitetit të Stambollit. Pasi protestohej kundër copëtimit të trojeve shqiptare nga Kongresi i Berlinit dhe pasi flitej për rrezikun e asgjësimit të Shqipërisë nga shtetet fqinje, në rezolutë vihej në dukje se për të larguar këtë rrezik është e domosdoshme që të gjithë sanxhakët shqiptare të bashkohen në një vilajet të vetëm autonom (Vilajeti i Shqipërisë). Vilajeti i Shqipërisë do të kishte kryeqytetin e vet, organet e tij ekzekutive e legjislative, nëpunës shqiptarë, arsimim në gjuhën shqipe, buxhetin e tij etj. Rezoluta që doli nga ky Kuvend do t’i nënshtrohej një diskutimi më të gjerë në një kuvend të posaçëm, në të cilin do të merrnin pjesë përfaqësuesit e të gjitha krahinave të sanxhakut. Kuvendi i posaçëm i Lidhjes u mblodh me 1 nëntor 1878 në qytetin e Dibrës, me nismën e Komitetit të Lidhjes Shqiptare për të dyja Dibrat dhe veçanërisht të kryetarit të saj, Iljaz pashë Dibrës (Qoku). Në Kuvend mori pjesë si përfaqësues i Lidhjes Shqiptare për mbarë Toskërinë (vilajetin e Janinës) Abdyl Frashëri. Kuvendi miratoi një rezolutë në trajtën e një memorandumi, të hartuar nga dora e Abdyl Frashërit. Rezoluta e Kuvendit të Dibrës përmbante po ato kërkesa, që shtroheshin në programin e Komitetit të Stambollit dhe që ishin përfshirë në rezolutën e mbledhjes së Dibrës të 14 tetorit 1878, të përmbledhura në pesë pika: formimi i Vilajetit të Shqipërisë, pajisja e tij me nëpunës shqiptarë, zhvillimi i arsimit në gjuhën shqipe, zbatimi i reformave nga Kuvendi i Madh, përdorimi i një pjese të madhe të buxhetit për përparimin e arsimit dhe për ndërtime botore. Nga programi i Komitetit të Stambollit nuk u përfshinë haptas në rezolutë vetëm parimet demokratike të strukturës shtetërore të Vilajetit të Shqipërisë. Vendin e tyre këtu e kishte zënë e drejta që do të kishte Kuvendi i Madh për të zbatuar “reforma të dobishme për shtetin dhe për kombin”. Në fund në rezolut thuhej se këto kërkesa do t’i paraqiteshin brenda një muaji në emër të gjithë popullit shqiptar, Portës së Lartë, me anë të një delegacioni të përbërë nga personalitete të shquara të Shqipërisë. Sipas marrëveshjes që u arrit në Dibër, delegacioni që do ta paraqiste dhe do ta mbronte rezolutën para Portës së Lartë do të përbëhej nga 14 veta, midis të cilëve ishin: Iljaz pashë Dibra, Abdyl Frashëri, Sheh Mustafa Tetova, Hasan pashë Prizreni, Mustafa pashë Vlora, Abedin bej Dino, Mehmet Ali Vrioni, Sabri Gjirokastra, Mihal Kristo, etj.

Detyrën për të nxjerrë mandatet, me të cilat miratohej nga përfaqësuesit e kazave e të sanxhakëve shqiptarë, rezoluta dhe mandatet e përbërjes së delegacionit, e morën përsipër Iljaz pashë Dibra për krahinat veriore dhe Abdyl Frashëri për krahinat jugore. Misionin e vet të vështirë e të lodhshëm Abdyl Frashëri e kreu brenda një muaji. Pasi la Dibrën, ai u nis në drejtim të Elbasanit, kaloi në Berat, në Fier e në Vlorë, pastaj në Gjirokastër, në Delvinë e në Filat dhe, pasi përshkoi Çamërinë deri në Prevezë, u kthye në Janinë. Që këtej ai e njoftoi, më 2 dhjetor 1878, Iljaz pashë Dibrën për entuziazmin që kishin shkaktuar kudo vendimet e Kuvendit të Dibrës dhe për gatishmërinë e përfaqësuesve të popullit shqiptar për të nënshkruar mandatet e përfaqësimit. Në veri mandatet e miratimit të rezolutës dhe të pjestarëve të delegacionit Iljaz pashë Dibra i përfundoi aty nga mesi i janarit 1879. Por delegacioni shqiptar e pezulloi nisjen për në Stamboll, pasi ndërkohë lindi rreziku i aneksimit të pjesës jugore të Çamërisë nga Greqia. Ky rrezik i detyroi udhëheqësit e Lidhjes Shqiptare që të merreshin me mbrojtjen e kufijve jugore dhe ta linin për më vonë paraqitjen e rezolutës së Kuvendit të Dibrës në Portën e Larte (Vikipedia). Pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit Stambolli dërgoi në Dibër si dorë të fortë Kadri Pashën. Ai vendosi si mytesarif Sadik Pashë Hoxhollin, i cili kapi dhe internoi në Manastir disa nga paria e Dibrës së Madhe si Haxhi Camin, Osman (Mane) Camin, Ago Bej Jegenin, Mustafa Serdarin, Jusuf Lekën, Elmas Danin etj. Kjo e acaroi gjendjen. Populli rrëmbeu armët dhe e detyroi Kadri Pashën të largohej natën nga qyteti..





















