Sigal

Llahtarisja hitleriane përballë strukturave politike shqiptare të kohës

Përse na duhet t’i referohemi retrospektivës së politikës shqiptare në historinë e Luftës së Dytë Botërore?

Së pari, për të nxjerrë mësime edhe sot nga çorba e politikanëve tanë që u pozicionuan, ca me bolshevizmin, ca me nazizmin, ca këndej e andej, gjoja me anglo-amerikanët.

Së dyti, historiografia e Luftës II Botërore nga këto tre grupime politike (përveç atij të Kosovës dhe Çamërisë që ka specifikën e vet) vlerësojnë në botimet e tyre një këndvështrim të njëanshëm, pa pasur kurajën të zbulojnë mangësitë e veta. Në këtë mënyrë, bëhen mësues jo të mirë edhe në trashëgiminë politike të pasuesve të tyre, në vijimësinë përkatëse aktuale, sepse nuk njihen dobësitë e servirura nga historia e atyre ngjarjeve, për asnjë palë, qoftë edhe kundërshtare.

Së treti, kjo çorbë e politikanëve shqiptarë ndikon edhe në një histori të Luftës II Botërore, të pastabilizuar, si rrjedhja të lumenjve që nuk derdhin në detin shqiptar prurjet e tyre, por humbasin, deformohen në meandrat e rrugës së vet edhe sot e kësaj dite. Duke qenë se analiza, apo më drejt, autopsia gjermane për politikanët e asaj kohe në Shqipërinë e pushtuar duhej të shfrytëzohej prej tyre si një pikë mbështetjeje, nuk rezulton në asnjë grupim, qoftë në atë të Abaz Kupit, qoftë në atë të “Ballit” e mbi të gjitha, me ata të Nacionalçlirimtares, të mos ketë asnjë shpresë “për aleancë” në ekzistencën e tyre, gjatë pushtimit të Shqipërisë. Kjo reflektohet në të gjithë dokumentacionin e Vermahtit për vitet 1943-1944, në lidhje me këto grupime politike shqiptare, pa një bosht dhe pa një perspektivë të filozofisë së tyre, në lidhje me gjermanët dhe aleatët. Të paktën, Lufta Nacionalçlirimtare e sqaroi aleancën e vet me aleatët, ndërsa Abaz Kupi ishte midis gjykimit me mendësi dhe dëshirë për anglo-amerikanët, por njëkohësisht, bënte edhe flirt me gjermanët dhe partizanët. Dihet që, këto çështje historiografike, edhe shtetet si; Bullgaria, Rumania e Greqia, apo edhe vetë Kroacia e Serbia në Ballkan, i kanë përballuar me filozofinë e kthimit në një emërues kombëtar të të gjithë këtyre këndvështrime të atëhershme partiake, nga numërues të veçantë, duke e unifikuar sa më të saktë gjendjen e asaj kohe, përpara lexuesit të vet. Një burim, pak a shumë, jepet nga dokumentet e Vermahtit që, natyrisht, kanë subjektivizmin e tyre brenda, por ia vlen të studiohen si pushtues, deri në kufijtë e domosdoshëm të njohjes si realitet. Mjaft konstatime apo vlerësime gjermane të atëhershme, reflektojnë edhe në mentalitetin aktual pluralist, në veçanti, po t’i referohemi viteve 1991-2005, sipas linjave të transmetuara partiake më tipike, trashëgimia e tyre jepet e ravijëzuar në ndryshimin e pakët midis të gjitha partive, si dhe në pandryshueshmërinë e strukturës në linjën PKSH-PPSH-PS, për tërë historinë e Luftës II Botërore. Aq e vërtetë është kjo, sa po ta ballafaqosh edhe me dokumentet të burimeve të tjera, përsëri kanë vetëm një fjalë për t’u mbrojtur, kur u zbulohet e vërteta: Pseudohistorianë, duke i anatemuar si të tillë ata që u nxjerrin në sipërfaqe të vërtetën.

Me një fjalë, kush i zbulon “petët lakrorit” brenda kësaj strukture demode, por kurrsesi të vetëquajtur e majtë evropiane, në thelb mbetet vetëm fasadë dhe për të mos bërë politikë në këtë shkrim, le të flasim me gjuhën e këtyre dokumenteve të asaj kohe, se si konceptohej politika shqiptare. E them këtë, sepse koha për ndryshim ka ardhur edhe në fushën e historiografisë shqiptare, duke e konceptuar me një filozofi sa më reale kombëtare edhe Luftën e Dytë Botërore.

Në dokumentin gjerman të Vermahtit, nga faqe 84-93, midis të tjerave, tekstualisht jepet ky përshkrim i grupeve politike shqiptare të Luftës së II Botërore.

1- Grupet e një orientimi (“Nacional-çlirimtarët”).

Baza organizative e nacionalsocialistëve revolucionare, gjatë zhvillimit, gjithnjë e më tepër ka hyrë në influencën komuniste dhe përpara marshimit gjerman dhe është dhënë prej Komitetit Qendror të Partisë, me statutin e aprovuar. Ky statut parasheh këshillat e Partisë, në fshatra dhe qytete, ku të deleguarit e këtij këshilli të Partisë zgjedhin një këshill partie në rajonin e nënprefekturës. Këto zgjedhin prapë këshillin kryesor për gjithë prefekturën.

Në bazë të statutit, administrimi i përgjithshëm është në duart e këshillave. Prona private, iniciativa private dhe liria e jetës seksuale, janë të paprekura. Anëtar partie mund të bëhet çdo patriot shqiptar, pa marrë parasysh orientimin e tij. Janë parashikuar organizata të rinisë dhe të grave. Në muajt tetor, nëntor dhe dhjetor 1943, u organizuan forcat nacionalçlirimtare policore, me fuqi ekzekutive absolute, me kontrolle rrugësh, hotelesh dhe qarkullimesh në Tiranë, Durrës, Shkodër dhe në Shqipërinë jugore, si dhe u organizuan seksionet e propagandës. Nacionalçlirimtarja i futi vëzhguesit dhe eksponentët e saj, në mënyrë infiltruese, në gjithë aparatin e saj administrativ. Kohët e fundit është konstatuar infiltrimi i rretheve balliste, veçanërisht në Shqipërinë jugore.

Nacionalçlirimtarët përfaqësoheshin në fillim me mendime të ndryshme politike, imponoheshin mjaft në pikëpamje politike nga Komiteti Qendror, me tendencë komuniste, i cili, deri tani, më tepër bashkëpunon me Bashkimin Sovjetik, se sa Anglinë dhe ndër ta, luftuesit e Spanjës, luajnë një rol me rëndësi.

Në fillim të lëvizjes dhe më vonë, ka qenë dhe pjesërisht është decizive një rini nacionaliste aktive, e cila, prej qëndrimit të saj anti-italian, patriotik, me anën e metodave të italianëve dhe të qeverisë shqiptare pro-italiane (prej të cilave, çdo nacionalist, që ishte kundër metodave pro-italiane fashiste, cilësohej komunist) e merrte rryma për në kampin komunist. Udhëheqësi i tyre, edhe sot e quan veten si patriot shqiptar të mirë, prandaj është i tillë qëndrimi i tyre kundrejt pretendimeve britanike dhe jugosllave, në lidhje me gjendjen e shqiptarëve që banojnë në zonat e tyre në jug në Kosovë dhe Maqedoni. Udhëheqësi i tyre, Mustafa Gjinishi, deklaroi në mes të shkurtit 1944, se nacionalçlirimtarët nuk e ndjejnë veten dhe aq të lidhur me Titon dhe me Moskën, lufta drejtohet kundër bejlerëve (çifligarëve të mëdhenj) në arritjen e një socializmi të vërtetë, në një ndryshim sistemi. Ai do të preferonte zotërimin zogist, në krahasim me qeverinë balliste, mbasi zogistët luftojnë për popullin, ballistët, për interesat e tyre personale. Lufta Nacionalçlirimtare vlerësohet për një Shqipëri të madhe demokratike. Komiteti Qendror i Nacionalçlirimtares u lëshoi organeve vartëse, më dt.6.11.1943, një qarkore në lidhje me zbarkimin e shpejtë të aleatëve, ku nacionalistët (ballistët) duhet të asgjesohen, pasi, pas eksperiencës së njohur mbas zbarkimit, bashkëpunojnë me rrethet reaksionare, prandaj, përpara zbarkimit, nacionalçlirimtarët duhet ta marrin Shqipërinë në dorën e tyre.

Sipas një urdhri të Titos, i cili u bë i njohur më 6.12.1943, nuk mund të ndodhë bashkimi i nacionalçlirimtarëve me ballistët, pasi nacionalçlirimtarët kërkojnë lidhje me Bashkimin Sovjetik, ballistët përkundrazi, dëshirojnë një Shqipëri të lirë.

2- “Balli Kombëtar” (Fronti Nacional, shkurt, ballistët)

Ballistët duan një Shqipëri të pavarur, sikur mbas luftës kërkojnë bashkimin e Kosovës, të tokave të banuara prej shqiptarëve në Maqedoni dhe në Epir, në një shtet shqiptar, emigrimin e popujve të huaj nga territori shqiptar, kërkojnë të pengojnë me çdo mënyrë ngritjen e një regjimi komunist në Shqipëri dhe, më në fund, të kenë forca rezervash të gatshme kundër Jugosllavisë dhe Greqisë, mbasi ata nuk janë të qartë mbi qëllimet e aleatëve në lidhje me zgjidhjen e problemit shqiptar (Anglia ka premtuar mbi pavarësinë e Shqipërisë, por jo me kufijtë e saj etnike).

Organizimi i tyre është i dobët dhe i shthurur, disiplina dhe influenca janë lokale të ndryshme, sipas fuqisë influente të bejlerëve si, Cakrani, Starova, Këlcyra, etj. Një pjesë e ballistëve kërkojnë të kenë krahët e sigurtë nga anglezët, një pjesë u bashkuan me qeverinë. Udhëheqja me anën e një komiteti të fshehur, është me siguri, në lidhje me anglezët. Sipas lajmit, më 8.11.1943, janë dukur shenja të një përçarjeje në rrethet balliste, me objektiv të grupit anglofil me përkrahjen e aleatëve në Italinë jugore, për të formuar një parti shqiptare të pavarur, e cila, me rastin e një zbarkimi, do të marrë qeverinë në dorë. Në një takim ballistësh në Berat, ndërmjet 3 dhe 5.1.1944, folën udhëheqësit ballistë, Qazim Bakeri dhe Sadik Premto, për të marrë kontakt me komunistët, me rastin e një zbarkimi aleat. Qëndrimi i ballistëve ndaj gjermanëve nuk është i qartë. Këto duan të evitojnë egërsimin e gjermanëve, për të mos dhënë shkak për raprezalje. Këto bashkëpunojnë me gjermanët, pjesërisht në mënyrë të hapur dhe pjesërisht fshehur, me qëllim që, me rastin e një invazioni të aleatëve, të bëjnë një kthesë, për të fituar në këtë mënyrë, përkrahjen e aleatëve. Shumica udhëheqëse ka, padyshim, simpati për aleatët, por përpiqet njëkohësisht të vendosë persona në vendet me rëndësi. Kështu që, me rast zbarkimi, të jetë gati një qeveri e formuar.

Ballistët bëjnë përpjekje të kenë pranë aleatëve një përfaqësi të veçantë, për të pasur një kundërpeshë kundër influencës së qeverive emigrante, jugosllave dhe greke, për të fituar kërkesat territoriale të tyre. Ato kërkojnë plebishit popullor në Kosovë, në zonën e Korçës dhe në Maqedoni. Në takimin e udhëheqësve balliste, Mit’hat Frashëri dhe Kadri Cakrani, me Ministrinë e Brendshme, Xhafer Deva, në Berat me 16.2.1944, u vendos formimi i 4 divizioneve të një ushtrie të rregullt shqiptare me qendër në Berat, Vlorë, Elbasan dhe Gjirokastër. Ndërkohë,l ka filluar një luftë e rreptë për fuqi, ndërmjet prefektit Besnik, ndaj qeverisë dhe të ballistëve në sferën e prefekturës së Vlorës.

3- Zogistët (grupi i Legalitetit)

Udhëheqës i zogistëve në Shqipëri është Abaz Kupi.

Në një bashkëbisedim në Shëngjergj, me dt.10.11.1943, me oficeret anglezë, ai ka deklaruar se, në radhë të parë, do t’i vihet forcimit dhe organizimit të partisë së tij dhe se ai e refuzon një qëndrim kundër ushtrisë gjermane, mbasi në një luftë shqiptare kundër gjermanëve, Shqipëria do të dilte aq e dobët, saqë premtimi i dhënë prej anglezëve për pavarësinë, do të ishte pa vlerë për shqiptarët.

Me datën 17.1.1943, Abaz Kupi ka deklaruar se ai nuk do t’i mësyjë komunistët, në qoftë se ata nuk e mësyjnë atë; në zonën e tij ai do të kujdeset të mbajë qetësi dhe rregull, çdo mësymjeje kundër zogistëve, ai do t’i përgjigjet me forcën e armëve. Nga ana tjetër, ai ka refuzuar të mbajë anën e gjermanëve, mbasi një vend i vogël si Shqipëria, nuk është në gjendje të lejojë të bëhet top loje ndërmjet dy Fuqive të Mëdha.

Udhëheqësi zogist Riza Drini, nga rrethi i Dibrës, i parashtroi gjeneral Devis këto kondita, me rastin e kritikës së bërë për mungesë aktiviteti kundër gjermanëve:

Njohja e Shqipërisë me një qeveri në Londër.

Kufijtë e Shqipërisë, në 1913, me plebishit në zonat që banohen prej shqiptarëve.

Shqipëria, si partnere me të drejta të barabarta, pranë Serbisë dhe Greqisë.

Në një mbledhje më dt.21.11.1943, në Zall Herr, respektivisht Mukja, 10 dhe 13 km, në veri të Tiranës, në të cilën ishin prezentë udhëheqës ballistë, Mit’hat Frashëri dhe oficerë anglezë, Abaz Kupi proklamoi themelimin e Partisë së Zogut, rindreqjen e gjendjes juridike përpara marshimit të italianëve, prandaj cilësimi “Legalitet”, nga qeveria e tanishme shqiptare nuk duhet të njihet, por as të luftohet dhe ka ndarje prej Nacionalçlirimtares.

Në një shpallje më 7.12.1943, ai theksoi përsëri se me komunistët, ai nuk mund të bashkëpunonte dhe se objektivat e ballistëve, nuk janë të tijat. Ai u bën aleatëve komplimente për nevojën e tij, mbasi Mbreti Zog, ndodhet në duart angleze dhe fati i tij varet prej qëndrimit të partisë së tij.

Sipas lajmeve më dt.14.12.1943, në një bashkëtakim me komunistët, Abaz Kupi kërkoi si konditë vazhdimin e miqësisë, lëshimin e të gjithë organizatorëve dhe regjentëve me rëndësi komuniste joshqiptarë, mbi veprimtarinë e të cilëve, në Shqipëri, duhet të vendosë gjyqi.

Grupi udhëheqës politik prej regjimit italian

Sipas lajmeve, Gjon Marka Gjoni ( udhëheqës katolik i Shqipërisë veriore i fisit Mirditës dhe ish-senator italian) përpiqet në prapaskenë të formojë një qeveri në Shkodër kundra qeverisë së tashme shqiptare e njohur nga Gjermania-lajme këto që nuk janë vërtetuar. Por ai është gjithnjë eksponenti i mëparshëm i politikanëve proitalianë. Me forcimin e ngadalshëm por në përparim të qeverisë shqiptare në rajonin politik me rëndësi dhe tradicional të Shkodrës Gjon Marka Gjoni e ka humbur shumë rëndësinë.

Kol Bib Mirakaj, ish-ministër i brendshëm dhe ish-ministër i partisë fashiste shqiptare përpiqet të formojë në zonën e Iballës (40 km në veri të Shkodrës) një grup të ri forcash politike.Muharrem Bajraktari sipas thënieve të robërve rezulton se është në lidhje me anglezët në zonën Krasniq-Tropojë prej të cilëve ka kërkuar armë dhe ka marrë.

Qëndrimi i grupeve shqiptare në rast invazioni:

Nacional-çlirimtarët: Elementët anglofilë bëjnë spiunazhe dhe aktivitete sabotimi deri në mbërritjen e aleatëve ndërkohë jo për një revolucion. Komunistët e bindur në nacionalçlirimtarët pjesërisht janë për revolucion në rast të një zbarkimi; pjesërisht në pritje deri sa të shpërthejë revolucioni në Gjermani.

Zogistët: Probabilisht, oportunistët politikë e përshëndesin zbarkimin, mbasi presin riardhjen në Shqipëri të mbretit të tyre Zog. Abaz Kupi ka deklaruar se në rast të një zbarkimi, nuk duhet të kalohet në ofensivë kundra gjermanëve.

Ballistët: Mbledhja e fshehtë antizogiste e ballistëve, Skënder Muço dhe Nuredin Vlora në krye, i cili ka lidhje me anglezët, në rast invadimi përpiqen të marrin në dorë qeverinë dhe do t’i përkrahi invazionistët kundra gjermanëve.

Italianët: Përkrahësit savojanë, ruajalistë, propagandojnë kundra gjermanëve, me rastin e një invazioni duan të sjellin në fuqi një qeveri italofile në Shqipëri; Komunistët italianë, përputhen në pikëpamje taktike me komunistët shqiptarë, Fashistët italianë shkojnë së bashku me gjermanët.

(vijon)