Pse grekët nuk i lironin çamët e burgosur

769
Leonard VEIZI

ARKIVA / Detaje nga letërkëmbimi i Mit’hat Frashërit, ministrit të parë Fuqiplotë në Greqi 
“Padyshim gjëja më e mirë për Shqipërinë do të jetë të përzërë ata të 20.000 grekofonë që janë në Delvinë; por prapë Greqia do të na ketë hua edhe nja 40.000 frymë të tjera, me qenë se gjer më tani, janë përzërë me pahir, me dru dhe të rrahur, më tepër se 60.000 shqipëtarë”
Pasuritë e krahinës shqiptare të Çamërisë, nuk është se kanë filluar të shpërdorohen pas Luftës së Dytë Botërore. Masakrimi i kësaj popullsie dhe konfiskimi i pasurisë së tyre, kishte filluar vite më parë. Këtë e bën të njohur letërkëmbimi i ministrit fuqiplotë të Shqipërisë në Athinë, Mit’hat Frashërit, me eprorët e tij në Ministrinë e Jashtme. Sipas shtypit të kohës, data 3 mars 1923 mbahet mend si dita e parë kur flamuri shqiptar u valëvit në kryeqytetin e Greqisë, Athinë. Ky ishte flamuri që ishte vendosur në makinën e diplomatit Mit’hat Frashëri. Dhe fill pas një pritjeje të bujshme, për diplomatin shqiptar filluan dhe problemet e mëdha. Sidomos ato që kishin të bënin me detyrimin për shpërngulje të popullsisë çame.
(Vijon nga numri i kaluar)

LETRA
Në një informacion të nisur nga Athina më 17 nëntor 1925 bëhet fjalë lidhur me fatin e 107 çamëve të burgosur. Në këtë relacion ministri fuqiplotë Mit’hat Frashëri i sugjeron ministrit të Punëve të Jashtme emërimin e një personi të përgatitur pranë Lidhjes së Kombeve.
“Zoti Ministër. Prej të 104 çamëvet që janë burgosur dhe ekziluar asnjë akoma ç’është lëshuar. Pangaloj më kishte dhënë fjalën se do të japë urdhër në Janinë. S’ka gjer më sot asnjë përfundim. Shtrëngimet e Çamëve sa vete po shtrohenë. Agjenti i Mandatuarve Z. Sliben refuzon që t’i dëgjojë. Edhe ata janë shtrënguar të bëjnë ankime drejt për drejt në S.d.N dhe në Komision mikst. Po, kjo gjë me qenë se ka edhe rrezik fort të pakë akuzojnë që të shkojnë dhe të dërgojnë letra. Letrat e shqiptarëvet të ardhura nga Shqipërija, për të provuar nënshtetësinë, venë në një komision, të përzjerë prej funksionar të Ministrisë së Punëvet të Jashtme dhe të Bujqësisë. Ky Komision ka për parim që të mos nxjerrë as një akt me shpresë që t’u rrëmbehet dorazi pasuri e shqiptarëve. Sot dërgova Z.Noçka në Kaftanxogllu për një lutje relative me një akt të tillë. Drejtori gjeneral e dërgoj në zyrtari kompetent, i cili iu lut zotit Noçka që të mos përzien më këto punëra me qenë se Shqipëria s’ka ndonjë kapitulasion me Greqinë!! (puna qe për një nënshtetas grek). Isha ankuar në shoqëri e kombeve për punët e Çamëve dua të them shtrëngimin në të cilin i mban Greqija. S.d.N më dërgon përgjigjen 26 tetor n.2/47133/37781, ku më thotë se ankuesit duhet të adresohenë në mandatarëve. Mbi këtë çështje i bëra letra 16 Ct, nr.1543, kryetarit të mandatarëvet dhe të komisionit Mixt, të cilëve Shkëlqesa Juaj do t’i gjeni kopjet këtu mbyllur. Po konsulti ynë në Stamboll Z.Nezir, të cilit i isha lutur që të vejë të shohë gjeneralin de Lara, në përgjigje të datës 10 ct. n.215 për të më thënë se mandatarët duan që të përgjehen si të jetë e mundur më pakë në këtë punë. Këtu lidhur kam nderin të çoj kopjen e asaj letër. Po e shihni Zoti Ministër, se punën e Çamëvet po lidhet si një lëmsh nga S.d.N. Në Komisionin Mikst, nga Komisioni Mikst në S.d.N dhe asnjeri nuk do që ta zërë me dorë. Prandaj lutem, dhe do të lutem kurdoherë që të emërohet Z.D.Berati ose D.Popa në Genevë. Puna e të hollave nuk mundet që të na pengojë se, duke u suprimuar Legata e Bukureshtit për të cilën s’kemi nevojë mund që të mbahenë edhe pesë sekretarë në S.d.N ku kemi kaq punë. 

Pranoni ju lutem Zoti Ministër, të falat e mia me nderime”.
Drejtësia greke e mbyllur për shqiptarët
Duke iu referuar shtatorit të vitit 1925. Mit’hat Frashëri shkruan se: “Pasuni e grabitur gjer më sot me llogarinë më të poshtme arrin vleftën 2.700.000 napolona ari”. Po sipas relacionit tij “Dyert e drejtësisë janë të mbyllura për Shqiptarët, dhe ta rrahurët, të grabitunët, të burgosurët, janë buka e përditëshme për ta. Kjo situatë tragjike është dëftyerë edhe në raportat e Z.Carl Bratli, që udhëtoj në Çamëri, nga ana e Shoqënisë së Kombevet. Qëllimi i këtyne sjelljeve është që të shtrëngohenë Shqiptarët të ikinë nga Greqija, dhe të grabitet e doravisht pasuni e tyre”.
(Vijon të hënën e ardhshme)
REKOMANDIMET
Ç’duhet të bënte Shqipëria për të ndaluar genocidin
Gjatë një relacioni për Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, dërguar nga Athina më 17 qershor 1925, Ministri Fuqiplotë Mit’hat Frashëri shkruan: “Kam rekomanduar të bëjmë dhe ne atë që po na bën Greqia për elementin shqiptar-mysliman, domethënë:
1-Të ndalojmë grekofonët prej votimit legjislativ;
2-T’i ndalojmë së bleri dhe së shituri pasurinë të patundur;
3-Të mos lihet një grekofon të dalë jashtë Shqipërisë;
4-Të shkruhetë pasuri e tundshme e grekofonëve si bagëti; kafshë, drithë;
5-Të shkruhen shtëpitë e tyre;
6-Të rekuizisionohen shtëpitë e tyre dhe të instalohenë brenda në këto shtëpi refugjatë çamër që kanë ikur nga keqbërjet e autoritetet lokale greke”.
FESTA
Rrugët për forcimin e marrëdhënieve
Në 28 nëntor të vitit 1923, Ministri Fuqiplotë i Shqipërisë në Greqi, Mit’hat Frashëri merr pjesë në një nga organizimet e kremtimit të festës kombëtare, e cila organizohet në një nga ambientet e Legatës në këtë ceremoni Mit’hat Frashëri, i shoqëruar dhe nga sekretari i legatës zoti Miti Popa, ka mbajtur një fjalë për të ftuarit ku midis të tjerash është shprehur: “Falënderoj dhe lëvdoj gjithë shqiptarët e këtushëm, të cilët me punën e tyre të pëlqyer nderojnë Shqipërinë këtu në mërgim, dhe sa më të fortë dhe të lidhun të jenë ata aq dhe nderi atynëve dhe i Shqipënisë madhohet, ata do të ndihmojnë shumë që marrdhaniet e mira ndërmjet Shteteve fqinjë të forcohen ma tepër. Të qenët fqinjë u ven detyra që të dy palëve, dhe si njëra edhe tjatra duhet të kujdeset baraz për mirëshkuarje. Çështja e varur gjer më sot midis nesh dhe Greqisë qe ajo e Kufijve, e cila tani mori fund. Pra që sot e tutje do përpjekur të shtojmë relatat dhe marrëdhaniet miqësore dhe tregtare, dhe do të isha i lumtur që t’kishit gjithë ndihmën t’ime për organizimin tuj në nji Koloni të rregullt, dhe në themelimin e Dhomës Tregtare Shqiptaro-Greke.”
Shënim: Dokumentacioni i sjellë në origjinal mban vulën e kohës
Sigal