Prof. Spiro Mëhilli: Ja si u hartua plani më i madh i sulmit të  Gjermanisë Naziste ndaj Bashkimit Sovjetik

512
Sigal

Njëmbëdhjetë ditë pasi Hitleri firmosi planin përfundimtar të luftës kundër BRSS-së, plani ra në duart e zbulimit ushtarak sovjetik

 

Më 11 mars, Presidenti Rusvelt i dorëzoi ambasadorit sovjetik në Uashington  informacionin mbi planin “Barbarosa”

 Prof. ass. dr. Spiro Mëhilli

Më 1 shtator 1939, tri ditë pas nënshkrimit të Paktit të mossulmimit, u mbajt   Sesioni  i  4 i Jashtëzakonshëm  i Sovjetit Suprem të Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike dhe  miratoi ligjin për Detyrimin e Përgjithshëm Ushtarak. Në sesion Stalini tha: “Ta tërheqim Evropën në luftë, duke qëndruar  vetë neutralë, pastaj, kur kundërshtarët ta kenë dobësuar  njëri – tjetrin, të hedhim në sulm  të gjitha forcat e Ushtrisë së Kuqe!” Pra, ishte më se e qartë që të  dy kolosët e Evropës një ditë do të përplaseshin ushtarakisht me njëri – tjetrin. Problemi ishte se kush do të sulmonte i pari. Stalini kishte vendosur që Ushtria e Kuqe të sulmonte më 9 korrik 1943. Ai mendonte se në atë sesion nuk do të kishte pjesmarrës që do t’ia çonin të freskët  fjalimin e tij. Është më se e qartë se kur një shtet sulmon ushtarakisht një shtet tjetër nuk e paralajmëron se në filan datë të filan muaji në orën x do të sulmojë. Dihet pabesia.

Njëmbëdhjetë ditë pasi Hitleri firmosi planin përfundimtar të luftës kundër BRSS-së, më 18 dhjetor 1940, kjo e dhënë,  bashkë me planin e komandës së lartë gjermane, ra në duart e zbulimit ushtarak sovjetik. Në fund të dhjetorit, drejtori i GRU (Zbulimi Ushtarak Sovjetik) gjenerali F. I. Golikov, i raportoi Stalinit se, Gjermania do ta sulmonte Bashkimin Sovjetik pa e përfunduar luftën në perëndim. Stalini nuk e besoi një informacion të tillë, pasi e dinte që ushtria gjermane nuk kishte veshje dimërore për ushtarët e saj që të përballonte dimrin rus.  Zbulimi Ushtarak Sovjetik  dinte se sa lëndë djegëse dhe se sa vajra lubrifikantë prodhoheshin në Gjermani dhe në vendet e tjera të pushtuara prej saj. Benzeni (benzoli), përbërësi kryesor i benzinës që përdorej  për  motorët, ngrinte  midis temperaturave   6 dhe 10 gradë nën zero. Benzina sintetike që prodhohej në gjermani duke trajtuar qymyret e cilësë të ulët  me hidrogjen, dilte po me cilësi të ulët dhe për t’i rritur numrin e oktanit, i shtohej benzol. Kjo markë  benzinë e përfituar  kishte temperaturën e ngrirjes nga 9 në 14.5 gradë  nën zero dhe vetëm një i çmendur, me këtë benzinë mund të sulmonte Bashkimin Sovjetik, kur temperatura normale në dimër, arrinte minimumin   20 gradë nën zero dhe, ushtarët gjermanë do të  kishin nevojë për çizme dhe rroba të ngrohta, çadra të posaçme, ngrohës, ski e dyllë për skitë, pelerina maskimi, produkte vajgurore dhe vajra lubrifikantë që nuk ngrinin, ngrohës  uji, bateri makinash  që nuk ngrinin, benzinë, naftë e vajguri për tanket, për  makinat dhe për avionët. Ushtria gjermane kishte nevojë  për tipe tankesh me zinxhir të gjërë dhe mijëra makina që do të mund të përballonin rrugë të këqija.  Duke filluar nga shkurti 1941, Dekanozovi që  merrej me dërgimin e informacioneve midis dy vendeve, kishte filluar t’i dërgonte pa ndërprerje Komisarit të Punëve të Jashtme, Molotovit, njoftime për përgatitjet luftarake që po bëheshin në Gjermani dhe Molotovi, nga ana tjetër, ia dërgonte Stalinit. Loja e informimeve tashmë kishte filluar. Shulc  Bajzen  dhe një grup i madh informatorësh  që u përfshinë në fushën ushtarake  të zbulimit, ju  afruan   shërbimeve  sekrete  sovjetike. Në fillim të vitit 1941, Bajzeni i dërgoi zbulimit sovjetik të dhëna të përpikta mbi operacionet  ushtarake që do të  zhvilloheshin në lindje, sidomos mbi  bombardimet masive mbi Leningrad, mbi Kiev dhe mbi Viborg, ndërsa Teperi, dërgoi shifrimin e detajuar,  ku tregonte  numrin e saktë të divizioneve të tërhequra nga Franca dhe nga Belgjika,  për t’u dërguar në Lindje. Më 11 mars, edhe Presidenti i SHBA-ve  Rusvelti, i dorëzoi ambasadorit sovjetik në Uashington,  informacionin mbi planin “Barbarosa” të marrë nga agjentë amerikanë. Çuditërisht, Mareshalli Gulikovi, që nga  qershori i vitit  1940, deri më korrik të vitit 1941 që mbante postin e  shefit të  Drejtorisë  Qëndrore të Zbulimit te Ushtrisë së  Kuqe,  më 20 mars  u dorëzoi një letër  të gjitha hallkave të zbulimit që kishte në vartësi radiogramin e mëposhtëm: “Të gjithë dokumentet që tregojnë afrimin e luftës, duhet të shihen si të fallsifikuara dhe e kanë prejardhjen nga burime angleze, por, madje, edhe nga ato gjermane”. Rikard Sorge  do të dërgonte radiogramin e mëposhtëm: “Më 15 maj 1941, Gjermania naziste do të sulmojë Bashkimin Sovjetik”. Në  kohën që pritej sulmi,  Hitleri  i  detyruar  nga humbjet e ushtrisë italiane  në kufirin Shqiptaro – Grek dhe nga tradhëtia e një grupi gjeneralësh  jugosllavë, që e nxorën Jugosllavinë  nga  Pakti  Gjermano –  Jugosllav,  të  futej në operacione luftarake në fushatën e Greqisë dhe të Jugosllavisë, duke humbur  5 javë. Meqë kjo datë nuk u respektua, Stalini humbi besimin në informacionet e Sorgesit dhe të shumë informatorëve të tjerë, ku futeshin  edhe  Rusvelti me  Çërçillin.

Më 13 prill,  në Moskë, Stalini firmosi me ambasadorin  japonez një pakt të ri neutraliteti  sovjeto – japonez për 5 vjet. Në stacionin hekurudhor “Kazanskij” në Moskë,  ai  bëri një nga daljet e rralla në popull  për të përshëndetur Ministrin e Punëve të Jashtme  të Japonisë  Yosuke  Macuokan  dhe i tha: “Jemi të dy aziatikë. Duhet të mbetemi miq dhe duhet të bëjmë diçka për këtë qëllim. Do të mbetemi miqtë  tuaj në çdo rast”, e  thënë në prani të kolonelit gjerman Krebs. Dy javë pasi Macuoka u kthye nga Moska, gjeneral Umedzi, Komandant i Ushtrisë në Kuantun,  mbajti një fjalim në mbledhjen e oficerëve dhe piktori Jotoku  Mijagi, që kishte shkuar nga Los Anxhelesi, sapo mori përmbajtjen e   fjalimit, ia   dërgoi  Sorges, i cili menjëherë  ia  dërgoi   qendrës: “Traktati për neutralitetin me Rusinë është vetëm një  hap diplomatik. Ushtria, në asnjë rast, nuk duhet të lejojë  as më të voglin dobësim të përgatitjes për veprime luftarake. Në përgatitjen për luftë me Rusinë, traktati nuk sjell asnjë ndryshim, ne duhet  të forcojmë punën zbuluese dhe minuese. Duhet të zgjerojmë përgatitjen e luftës kundër Bashkimit Sovjetik, i cili në momentin vendimtar, do t’i sjellë fitoren Japonisë”,  dhe po më 14 qershor,  dërgoi informacionin e fundit: “Sulmi do të kryhet në front të gjerë në agimin e 22 qershorit të vitit 1941″.  Ramzaj.

Më 1 maj, Rikard Sorge nga Tokio,  informoi Moskën: “Hitleri i vendosur, po kurdis të fillojë luftën dhe të shkatërrojë Bashkimin Sovjetik që të shfrytëzojë pjesën evropiane të Bashkimit Sovjetik në cilësinë e bazës për lëndën e parë dhe grurin. Afatet kritike të fillimit mund të jenë: a – përfundimi i shkatërrimit të Jugosllavisë. b – përfundimi i mbjelljeve. c- përfundimi i bisedimeve midis Gjermanisë dhe Turqisë. Vendimi për fillimin e Luftës do të merret nga Hitleri në maj…Ramzaj. Më 6 maj, nga Berlini, atasheu i flotës detare ushtarake sovjetike,  kapiten  rangut I Voroncov  informoi: “Shtetasi sovjetik Bozjer… informoi se, sipas fjalëve të një oficeri gjerman nga shtabi i Hitlerit, gjermanët përgatiten për një sulm kundër Bashkimit Sovjetik nëpërmjet Finlandës, Priballtikut dhe Lituanisë.  Njëkohësisht janë caktuar inkursione të fuqishme të aviacionit mbi Moskë dhe  mbi Leningrad, si edhe zbarkimi i  desantëve  parashutistë në qendra përballë  kufirit”. Sipas Zhukovit, më 6 maj,  Komisari i Popullit për Flotën Ushtarako – Detare, Admirali H. G. Kuznjecov, i dërgoi Stalinit shënimin e mëposhtëm: “Atasheu ushtarak detar në Berlin, kapiteni i parë Voroncov, njofton sipas  fjalëve të një oficeri gjerman nga selia e Hitlerit, se  gjermanët  po përgatiten që të sulmojnë BRSS-n më 14 maj 1941 nëpërmjet Finlandës, Priballtikut dhe Rumanisë. Njëkohësisht janë parashikuar sulme të fuqishme ajrore kundër Moskës, kundër Leningradit  dhe  hedhja e desantëve ajror në qendrat kufitare…”. Por, më vonë ai jep një njoftim të dytë që e dizinformoi Stalinin: “Mendoj, se këto njoftime janë një mashtrim i dërguar posaçërisht me këtë rrugë, për të provuar sesi do të reagojë për këtë BRSS-ja”. Kuznjecov.  Stalini si strateg i madh, duhej ta mendonte  se Gjermania nuk mund të luftonte  në disa fronte njëherazi, me Anglinë në perëndim, me Jugosllavinë dhe Greqinë në Ballkan, me anglo – amerikanët në Afrikën e Veriut dhe me Bashkimin Sovjetik në lindje. Ai duhej të siguronte  krahët në jug dhe më pas t’i shpallte luftë  Bashkimit Sovjetik. Që në  fillim të muajit  maj, atasheu ushtarak sovjetik në Vishi, gjenerali I. A. Suslloparev,  njoftoi se, shtabi gjerman kishte planifikuar  sulmin mbi Bashkimin  Sovjetik   më 15 maj, por, më vonë, pas ndryshimeve të  bëra,  dërgoi informacionin se më 21 qershor, do të  sulmohej  Bashkimi  Sovjetik.  Stalini shkroi me bojë të kuqe: “Ky informacion është provokim anglez. Mundohuni të merrni vesh se cili është autori i këtij provokacioni dhe ndëshkojeni atë ”. Më 22 maj, nga Berlini, ndihmësatasheu ushtarak Hllopkov, raportoi: “Mësymja e trupave gjermane është caktuar gjoja më 15 qershor, por është e mundur të fillojë në ditët e para të qershorit”. Diplomati gjerman Higler, së bashku me ambasadorin gjerman në Moskë kontin Shuenburg,  patën  një takim të fshehtë  dhe  folën pa doreza  me Dekanozovin mbi planet e Hitlerit për të sulmuar Bashkimin Sovjetik dhe  bënë çmos që ai  të bindëte Stalinin për të bërë diçka, që t’i dilte përpara planeve të diktatorit gjerman. Ja si shprehej ai: “Që në fillim i thamë  Dekanozovit  se po vepronim me iniciativën  tonë dhe pa pasur asnjë dijeni eprorët  tanë. Ai nuk e merrte me mend se po rrezikonim jashtë mase me ndërgjegje dhe me paramendim me të vetmin qëllim, që të bënim edhe  përpjekjen e fundit për të shpëtuar paqen. Ka mundësi të besonte se vepronim me porosi të Hilerit dhe se kërkonim të bindnim Kremlinin të bënte një hap që do të dëmtonte emrin dhe interesat e tij”. Shumë kohë para fillimit të sulmit gjerman kundër Rusisë, autoritetet e larta amerikane  nëpërmjet kanaleve të ndryshme diplomatike,  vunë në dijeni Qeverinë sovjetike  se  Gjermania  hitleriane,  jo vetëm që kishte planifikuar, por edhe po përgatitej  për ta sulmuar  Bashkimin Sovjetik. Stalini i konsideroi këto informacione  si “përpjekje të SHBA-ve për të larguar dhe prishur marrëdhëniet sovjeto – gjermane” dhe për rrjedhojë nuk i kushtoi vëmendjen e duhur. Të njejtin informacion dha  edhe Hendlin Leonard: Stalini  midis shokëve të udhëheqies  është shprehur:  “Kemi nënshkruar me Hitlerin Paktin e Mossulmimit dhe Miqësisë, kurse ambasadori  Shulemburg na dha të kuptojmë se Hitleri me shtabin e vet, po përgatiten intensivisht për luftë dhe se së  shpejti, Gjermania do të sulmojë Bashkimin Sovjetik  pa paralajmërim. Ne nuk biem pre e provokacionit. Propozova t’ia çonin Hitlerit Shulenburgun, sepse  ai po tradhëtonte shefin e vet”. Ambasadori Krippsi shkruante: “Atasheu  ushtarak detar gjerman në Moskë, dërgoi në shtatmadhorinë e Krigsmarinës mesazhin:  “Ambasadori i Britanisë Madhe parashikon për më 22 qershor shpërthimin e luftimeve”. Çërçilli me anë të ambasadorit  Kripps në Bashkimin Sovjetik,  paralajmëroi personalisht Stalinin se “trupat gjermane kanë  filluar  ridislokimin duke përgatitur sulmin kundër Bashkimit Sovjetik”.  Më 10 qershor  informacione analoge paraqiti edhe zëvendësminstri i  Punëve të Jashtme  të Britanisë së Madhe, Kadogan. Nga mesi i vitit 1941 Aleksandër Fut,  u takua me hungarezin  Randolf  Rosler ose Rado, agjentin e rrjetit sekret rus dhe mori prej tij  një letër ku shkruhej: “Verteri raporton se sulmi i përgjithshëm i gjermanëve kundër Rusisë do të filloj në agimin e 22 qershorit”. Çdo natë, Futi  i dërgonte Moskës sekrete të shtatmadhorisë gjermane të marra nga Lusi. Berezhkovi do të thoshte: “Nga ambasada e jonë në Berlin, dinim edhe datën e saktë, natën duke gdhirë 22 qershori. Të gjitha të dhënat ambasada i kishte dërguar në Moskë. Informacioni merrej  jo vetëm nga ambasadori  ynë në Berlin, Dekanozovi dhe nga atasheu ushtarak  Tulikov, por edhe nga Voroncovi, Atashe i  Flotës Luftarako -Detare. Secili prej tyre kishte burimin e vet mëse të sigurtë. I kishin ardhur paralajmërime nga Çërçilli, nga Rikard Sorge si edhe nga  agjenti Kim Filbi, i cili mbante post të lartë në shërbimin e ftohtë britanik. Më 18 qershor, Ambasadori Kripps raportoi se “konflikti Gjermani – Bashkimi Sovjetik është i pashmangshëm,  jo më vonë se mesi i qershorit dhe se gjermanët, kanë përqëndruar në kufijtë sovjetikë 147 divizione”. Mbi zërat që po qarkullonin gjithnjë e më shpesh në qarqet diplomatike mbi sulmin e  mundshëm  të Gjermanisë mbi  Bashkimin Sovjetik, më 13 qershor  agjencia e lajmeve  “TASS”  botoi  një përgënjeshtrim  mbi  zërat  për një luftë të ardhme midis  BRSS -së  dhe Gjermanisë sa më poshtë:

“Përpara se të shkonte në Londër ambasadori i Britanisë së  Madhe në BRSS, Kripps, e mbi të gjitha, pas arritjes  së tij, shtypi anglez, e për më tepër, disa gazeta të huaja, filluan të përhapin zëra mbi  “një luftë të ardhme midis BRSS-së dhe Gjermanisë”. Sipas zërave të tillë: 1- Gjermania pretendon të parashtrojë në BRSS pyetje të karakterit territorial dhe ekonomik. Bisedimet midis Gjermanisë dhe BRSS-së do të jenë në lidhje me konkluzionet midis dy vendeve në një mirëkuptim të ri më intim; 2 – BRSS pretendon të hedhë poshtë zërat, sikur Gjermania ka filluar  të përqëndrojë trupat e saj pranë kufirit të BRSS-s me qëllim të një sulmi kundër BRSS-s; 3 – Bashkimi Sovjetik nga ana e tij ka filluar të përgatisë intensivisht luftën kundër Gjermanisë dhe po përqëndron trupa përgjatë kufirit gjerman. Pa marr parasysh absurditetin e këtyre zërave që janë përhapur dhe që vazhdojnë të përhapen,  qarqet përgjegjëse në Moskë kanë autorizuar  agjensinë “TASS” të deklarojë  se, zëra të tillë janë pasojë e një propagande të përgatitur me keqdashësi  nga forca  të errëta mbi BRSS-n dhe Gjermaninë dhe të interesuara për një shtririe  të re dhe të një intensifikimi të luftës. Agjensia “TASS” deklaron: 1 – Gjermania nuk ka paraqitur në BRSS asnjë ankesë dhe nuk ka propozuar asnjë  marrëveshje të re më të afërt, dhe për pasojë, bisedimet në këtë shikim nuk kanë vend.  2 – Sipas të dhënave që ka BRSS-ja, Gjermania respekton kushtet e Paktit për Mossulmim Sovjeto – Gjerman, në të njejtën mënyrë si edhe  BRSS-ja, dhe për pasojë, sipas mendimit të qarqeve  sovjetike, zërat për një ndërhyrje nga Gjermania për prishjen e Paktit dhe përgatitjen e një sulmi kundër BRSS-s, janë pa baza. Shpërngulja në zonat lindore dhe verilindore nga Gjermania të trupave gjermane që kanë mbetur të lira pas operacioneve në Ballkan dhe që kanë pasur vend këto kohët e fundit, është mesa duket e lidhur me motive të tjera, që nuk kanë të bëjnë me marrëdhëniet sovjeto – gjermane. 3 – BRSS – ja, siç  rezulton nga praktika e saj e paqes, ka studiuar kushtet e Paktit të Mossulmimit Sovjeto – Gjerman dhe  zërat sipas të cilit BRSS-ja përgatitet për një luftë kundër Gjermanisë, janë të pavërteta dhe provokative. 4 – Periudhat e stërvitjeve verore të rezervistëve të Ushtrisë së  Kuqe, që kanë pas vend këto kohë, e për më tepër,  stërvitiet e ardhshme, kanë thjesht për qëllim instruktimin e rezervistëve dhe vlerësimin e funksionimit të rrugëve hekurudhore, që sikurse dihet, bëhen çdo vit. Prandaj është më se absurde t’i paraqesësh këto masa të Ushtrisë së  Kuqe si kërcënim për Gjermaninë.”

Sipas Zhukovit,  pasi agjencia e lajmeve “TASS” botoi përgënjeshtrimin,  Stalini do të shprehej: “Gjermania është e zhytur deri në vjeshtë në luftë me perëndimin dhe unë besoj se, Hitleri nuk do të rrezikojë të hapë për vete një front të dytë, duke sulmuar Bashkimin Sovjetik. Hitleri nuk është aq budalla që të mos kuptojë se Bashkimi Sovjetik nuk është Poloni, nuk është Francë dhe se nuk është madje as Angli dhe as të gjitha ato të marra së bashku”.  Pavarësisht qëndrimit që mbante qeveria sovjetike, Rikard Sorge vazhdonte ta bombardonte bazën me informacione që nuk rreshnin. Më 14 qershor: “Sulmi do të kryhet në front të gjërë, në agimin e 22 qershorit të vitit 1941. Ramzaj”. Më 15 qershor: “9 armata gjermane janë grumbulluar në kufirin gjermano – sovjetik. Sipas të dhënave të marra nga burimet amerikane, Gjermania ka vendosur 900.000 ushtarë dhe 1 milion rezervistë në vijën e parë të kufirit rus”.

Nesër do lexoni:

-Si nisi sulmi i pabesë i Gjermanisë ndaj ish- BS-së më 22 qershor

170 divizione gjermane u përqëndruan drejt kufirit perëndimor të BRSS-së

2.500.000 ushtarë sovjetikë të gatshëm në kohën e sulmit në distriktin perëndimor u përballën  me 3.200.000 trupa gjermane