Prof. Dr. Selman Sheme:   Trojet shqiptare në botimet gjeografike para shpalljes së  pavarësisë

1496
Sigal

Gjeografia” e kozma thesprotit teksti i parë për gjeografinë e trojeve shqiptare

 

Identiteti etnik, shtrirja gjeografike dhe numri i popullsisë

 

Në shekujt e mesjetës dhe në vijim, në kohët moderne, Gadishulli i Ballkanit ka qenë nën sundimin e perandorive shumëkombëshe siç ishin Perandoria Bizantine, Bullgare, Serbe dhe sidomos Osmane.

Secili prej tyre nxiti ekspansionin e etnisë së vet në dëm të etnive të tjera, nëpërmjet lëvizjeve migruese të brendshme dhe të jashtme. Për pasojë Gadishulli i Ballkanit nuk pati mundësi të kishte kufijtë të përcaktuar etnik: çdo komb pati trungun e vet etnik, por në periferi të secilit trung pati përqasje etnike, pati përzierje etnike, bashkëjetesën e një apo më tepër etnive.  Për pasojë, disa studiues, publicistë dhe udhëpërshkrues të huaj që në shek XIX, vizituan Shqipërinë, në veprat e tyre trojet me popullsi shqiptare, i përkufizojnë në hapësirën gjeografike prej Tivarit e deri në Prevezë në vijën bregdetare dhe prej Novi Pazarit e deri në Ohër në lindje.

Studiues të tjerë shtrirjen gjeografike të popullsisë shqiptare e njësojnë me Mbretërinë e Arbrit që kishin krijuar Anzhuinët në Shek. XIII, e që sipas tyre shtrihej brenda katërkëndëshit Tivar-Prizren-Ohër-Vlorë. Trojet e tjera shqiptare ata nuk i quanin Shqipëri, por i emërtojnë me emrat e provincave romake që u kishte vënë perandori Dioklecian në shek. II. Kështu trojet shqiptare prej lumit Vjosa e deri te gjiri i Prevezës, ata i quajnë Epir, krahinat lindore shqiptare prej Korçës e deri në malet Rodope i quajnë Maqedoni, kurse trojet verilindore prej gropës së Kukësit e deri në afërsi të Nishit i quajnë Dardani.

Kështu Shqipëria ndahej nga Greqia në lumin Vjosa deri ku shtrihej krahina shqiptare e Labërisë, me Bullgarinë me krahinën e Maqedonisë Perëndimore e cila edhe atëherë edhe sot është trevë etnike shqiptare, kurse krahina shqiptare që quhej Dardani e ndante Shqipërinë prej serbëve.

Në këtë mënyrë trojet shqiptare që përbëjnë një tërësi etnike, ndaheshin në katër pjesë të ndryshme. Nga katër emërtimet e mësipërme vetëm emri Shqipëri kishte karakter etnik kurse tre emrat e krahinave të tjera kishin karakter gjeografik. Megjithatë interpretimi pseudoshkencor i këtyre toponimeve gjeografike do të shërbenin si argument i copëtimit të trojeve shqiptare në forumet ndërkombëtare të kohës, Kongresi i Berlinit (1878), Konferenca e Ambasadorëve në Londër (1913), Konferenca e Paqes në Paris (1919) etj.

Studiuesit, publicistët e udhëpërshkruesit e huaj e përcaktonin përbërjen etnike të këtyre krahinave në vartësi të përkatësisë së tyre fetare e bindjeve politike apo edhe e interesave të ndryshme me të cilat mund të ishin lidhur.

Për pasojë, krahina e Epirit në të cilën shqiptarët ishin shumicë, herë e quajnë Shqiptare kur janë studiues objektiv dhe herë greke. Maqedoninë Perëndimore herë e quajnë Bullgari e herë Shqipëri, ndërsa Kosovën e quajnë “Staraja Serbia”, (Serbia e vjetër).

Sipas pikëpamjeve të tre studiuesve të njohur të Ballkanit, Ami Bue, E. Spenser dhe J. Hahn në të kaluarën historike e deri në shek. XIX, (kohën e tyre) shqiptarët shtriheshin:

– Në Veri deri në Nish, Leskovc dhe Vranjë

– Në Lindje deri në Kumanovë, Përlep e Manastir

– Në jug deri në Konicë, Janinë dhe Prevezë.

Këto treva sipas studjuesit francez Ami Bue ndahen: në trungun etnik, ku shqiptarët ishin popullatë e vetme etnike dhe në brezin anësor, ku shqiptarët jetojnë bashkë me pjestarë të kombësive të tjera: me malazezë, boshnjakë, serbë, maqedonas, turq, vllahë dhe grekë. Trungu etnik shqiptar kishte një sipërfaqe prej rreth 56000 km.2. Në tërësi trevat shqiptare kishin një sipërfaqe prej 76000 km2., ku në kohen e Krizës Lindore, (1878) jetonin 1.6 deri në 1.7 milionë shqiptarë. Shqipëria qoftë nga madhësia e territorit apo nga numri i popullsisë është më e madhe se popullsia dhe territori i Serbisë dhe Greqisë.

“Gjeografia” e Kozma Thesprotit teksti i parë për gjeografinë e trojeve shqiptare

Të dhënat gjeografike për Shqipërinë në shek.. XV-XII gjenden në veprat e humanistit të madh shqiptar Marin Barleti, e shkrimtarëve e studiuesve Pjetër Budi e Pjetër Bogdani.  Kleriku patriot dhe personaliteti i shquar i kulturës shqiptare Pjetër Bogdani në vitin 1685 botoi në Padova veprën e tij “Çeta e Profetëve” (Coneus prophetarum). Në këtë vepër me temë teologjiko-filozofike, në kapitujt e III dhe të IV trajtohen edhe mjaft aspekte të historisë, gjeografisë, etnologjisë, gjuhës e kulturës së popullit shqiptar. Në fushën e gjeografisë P. Bogdani është i pari mendimtar që përshkroi dhe u përpoq që të shpjegonte shkencërisht një radhë dukurish natyrore.

Me interes janë të dhënat për mjedisin gjeografik dhe resurset natyrore, popullsinë, gjuhën e kulturën e Shqipërisë.

  1. Bogdani në veprën e tij përshkruan karakteristikat urbane të vendbanimeve si: Tiranës, Ulqinit, Shkupit, Prizrenit, Ipekut, Prishtinës, Mitrovicës, Shkodrës, Lezhës etj.  Vepra e Bogdanit nga vetë natyra e saj nuk ka të dhëna të shumta e të plota për gjeografinë e Shqipërisë. Megjithatë ato përbëjnë një kontribut me vlerë për gjeografinë historike të Shqipërisë.

   Gjatë sundimit të Ali Pashë Tepelenës, lindi vepra e parë mbi gjeografinë e Shqipërisë me autorë Qiriako Dhimitër Kutra.

Pavarësisht se pashallëku i Janinës u përmbys në vitin 1822, ekzistenca e tij 30 vjet me radhë la gjurmë të thellë në opinionin publik shqiptar, ballkanik dhe europian. Edhe pse nuk u njoh de jure si formacion administrativ i pavarur, Pashallëku i Janinës krijoi përshtypjen e një shteti të veçantë.

Pajisja e çdo shteti të veçantë me tekstin e gjeografisë fizike, politike, ekonomike dhe administrative të tij, sipas traditës tashmë të sanskionuar që në shekullin XVIII, ndodhi edhe në Pashallëkun e Janinës.

Nismën për të hartuar gjeografinë e Pashallëkut të Janinës e mori një dijetar epiriot me origjinë nga ishulli jonian i Qefalonisë, Athanas Psalidha. Psalidha është autor i librit “Përshkrimi i gjeografisë së Epirit” shkruar në greqisht. I përkrahur nga Ali Pashë Tepelena ai drejtoi kolegjin Kapllanos, një shkolle plotore greke e cila lulëzoi në kohën e pashallëkut të Janinës. Në tekstin “Gjeografia e Turqisë” Psalidha trajtonte në një kapitull të veçantë gjeografinë e Epirit. Në këtë kapitull Epiri trajtohet sipas vështrimit historik antik, si një territor që fillonte në Gjirin e Prevezës dhe mbaronte në lumin e Vjosës. Ai e trajtoi Epirin si një provincë (krahinë) më vete, tëveçuar nga Greqia dhe Shqipëria.   Kështu “Gjeografia e Epirit” e punuar nga A. Psalidha, kishte pamjen e gjeografisë së një shteti.

Një nxënës i Athasan Psalidhës i quajturi Qiriako Dhimitër Kutra, nga fshati Suhë i Lunxhërisë vijoi punën për ta plotësuar, korrigjuar dhe modifikuar tekstin e Psalidhës mbi “Përshkrimin e Gjeografisë së Epirit” sipas nevojave dhe kërkesave të kohës.

Qiriako Dhimitër Kutra kishte lindur në vitin 1780. Arsimimin fillor e mori në greqisht në fshatin Dhrovian (Delvinë). Kur u rrit u bë jerodiakon (murg ortodoks). Me bursën që i siguroi Athanas Psalidha ai ndoqi shkollën e Kapllanos në Janinë, të cilën e përfundoi më 1815 kur ishte 35 vjeç. Në këtë shkollë të Janinës, Qiriako Kutra kur u bë pedagog dha mësimin e Gjeografisë së Epirit.

Më vonë ai dha mësime edhe në qytete të tjera të Pashallëkut të Janinës, ndër to edhe në shkollën plotone të Përmetit e më në fund edhe në gjimnazin “Zosimea” të Janinës, themeluar më 1828. Teksti i tij hartuar në greqisht është botuar në pseudonimin Kozma Thesproti dhe mban titullin “Plotësim për Gjeografinë e Athasan Psalidhës”. Ndërkohë ai hartoi si shtojcë të “Gjeografisë së Epirit” një tekst të veçantë gjeografik për viset shqiptare që shtriheshin në veri të lumit Vjosë deri në rrethet e Ulqinit dhe në afërsi të Bosnjës. Edhe në këtë punim ai ka përdorur pseudonimin Kozma Thesproti.

Punimin e titulloi “Përshkrim i Gjeografisë së Shqipërisë”. “Gjeografia e Shqipërisë” e Kozma Thesprotit alias Qiriako Kutra, është një punim interesant jo vetem nga përmbajtja, por edhe nga motivi që e nxiti këtë murg shqiptar të hartojë të parin tekst, që njihet deri sot mbi gjeografinë e trojeve shqiptare, pavarësisht se aty nuk pasqyrohen të gjitha trojet shqiptare.

Përdorimi në mënyrë të veçuar i dy emërtimeve gjeografike, Shqipëri dhe Epir, nuk do të thotë aspak se kemi të bëjmë me dy formacione shtetërore etnike të ndryshme – njëri shqipfolës dhe tjetri grek. Leximi me kujdes i të dy punimeve na bind se Qiriako Kutra e shihte Pashallëkun e Janinës, ashtu si shumica dërrmuese e vëzhguesve të huaj, si një formacion shtetëror shqiptar. Këtë e dëshmojnë dy fakte:

  Së pari, apelitivi Epir prej kohësh ishte bërë ideatik me apelitivën Shqipëri (Albani).

  Së dyti, Qiriako Kutra e ka parë gjeografinë e Epirit, si shtojcë dhe pjesë të gjeografisë së mbarë viseve shqiptare deri në kufi me Serbinë e Malin e Zi. Krahina me emrin Epir edhe prej shumë studiuesve të tjere është konsideruar një pjesë e hapësirës gjeografike shqiptare. Tanimë është e vërtetuar se gjeografia e Shqipërisë ka lindur në Çamëri, të paktën si tekst shkollor më 1832. Pseudonimi ‘Kozma Thesproti’ konsiderohet si një orvatje e murgut shqiptar Qiriako Kutra për t’iu kundërvënë murgut grek Kozma Etoliati ose siç njihet shën Kozmai, i cili disa vite më parë luftonte për t’i bindur shqiptarët ortodoksë se i përkisnin kombësisë greke.

Në vitin 1936 ‘Kozma Thesproti’, alias Qiriako Kutra e ndërpreu veprimtarinë arsimore, mbasi u transferua nga Epiri në More. Ky transferim ishte një dënim i tij mbase për shkak të përmbajtjes së teksteve mësimore. Duket se teksti i gjeografisë u hartua qëllimisht për nxënësit e plotarës së Përmetit, e themeluar me fondet e përmetarit Zoto Pano Duro më 1778. Kjo shkollë lindi në luftë me reaksionin osman dhe me dogmatizmin fanariot, të cilët nuk e lanë të zhvillohej, kurse autorin e saj e persekutuan.

Nga pikëpamja e të dhënave gjeografike, tekstet për Shqipërinë e krahinën e saj jugore Çamërinë, janë tepër të varfër. Autori nuk e përkufizon as e veçon Çamërinë nga ana etnike. Ai qe murg i kishës ortodokse. Si nxënës i Psalidhës e ndan popullsinë e Epirit në turq (myslimanë) dhe greke (të krishterë).

Ai shkruan se në rrethin e Margëlliçit kishte gjithsej 3500 shtëpi. Prej tyre, 1600 qenë myslimanë, 1500 familje të krishtera, kurse në qendër të rrethit kishte rreth 400 shtëpi. Po kështu, edhe në rrethin e Paramithisë, thuhet se gjithsej banonin 4000 familje nga të cilat 2000 shtëpi myslimane, 1000 të krishtera, kurse në qendër rreth 1000 shtëpi. Në Gjeografinë e Kozma Thesprotit thuhet në mënyrë të përmbledhur se në krahinën e Fanarit kishte 22 fshatra të krishtera, me 400 shtëpi, ndër to, Gliqia qendra e Fanarit, kishte 20 shtëpi.  Krahina e Pargës, me katër fshatra, kishte 300 shtëpi myslimane dhe të krishtera. Është e kuptueshme se familjet myslimane i përkisnin etnisë shqiptare, mbasi dihet që myslimanë etnikë turq, nuk kishte në Çamëri. Idenfikimi i banorëve çamë të krishterë është i vështirë, pasi nën emërtimin “të krishterë” përfshiheshin jo vetëm folësit e greqishtes, por edhe të shqipes dhe ata të Vllahishtes.

   Nga të dhënat që ka nga autorite e studiues të huaj del konkluzioni se në mbarë Epirin historik që nga gjiri i Prevezës e deri në lumin e Vjosës, shumicën e popullsisë e përbënin shqiptarët. Në rrethet e Margëlliçit, Paramithisë, Gumenicës dhe Prevezës shumicën e popullsisë e përbënin shqiptarët myslimanë dhe fill pas tyre shqiptarët ortodoksë, ndërsa banorët etnikë grekë, përfaqësonin një përqindje të ulët.

Nesër do lexoni:

“DHe shkronja”e sami frashËrit- njË nga tekstet e para mËsimore tË shkollËs kombËtare shqipe

Trojet shqiptare në tekstin mësimor “dheshkronja” të Sami Frashërit

 

Prof. Dr. Selman Sheme