Prof. Dr. Proletar Hasani & Prof. Assoc. Dr. Bernard Zotaj/ Roli i ushtarakëve të karrierës në përgatitjen dhe drejtimin e forca

949
Sigal

Ushtarakët në këtë luftë, do të rifitonin me meritë, kuptimin dhe emrin e të qenit atdhetar

Në kuadrin e Luftës së Dytë Botërore, LANÇ-i e popullit shqiptar, shfaqi dhe afirmoi përvoja e dukuri të reja, si dhe konfirmoi për një trashëgimi të pasur në Historisë Ushtarake shqiptare. Kjo luftë dëshmoi se një numër ushtarakë të karrierës, u ngritën me popullin dhe ia kthyen armët e tyre pushtuesit fashistë. Madje një pjesë e tyre sfidën e kishin nisur qysh me pjesëmarrjen e vendosur më 7 prill 1939. Këta ushtarakë u ngritën njëherësh përkrah vullnetarëve popullor duke i dhënë përmasa dhe përmbajtje të re emrit dhe qëndrimit të tyre. Dëshmori i parë vinte pikërisht nga radhët e tyre, i cili ishte kapteri i Marinës Ushtarake Shqiptare, Mujo Ulqinaku.

 Ushtarakët në këtë luftë, do të rifitonin me meritë, kuptimin dhe emrin e të qenit atdhetar. Me këtë proces ringritje, për fuqitë e armatosura shqiptare të çdo spektri, do të merrte zgjidhje dhe problemi i vështirë e i rëndësishëm i drejtimit. Konkretisht ushtarakët u afirmuan në drejtimin e formacioneve dhe të organeve qendrore luftarake, problem i cili kishte të bënte me fatet e luftës kundër pushtuesit. Kjo dukuri, e afrimit të ushtarakëve të karrierës në drejtimin e formacioneve luftarake shqiptare, u shfaq dhe në forcat e Ballit Kombëtar e të Legalitetit etj..

Lufta Antifashiste e shqiptarëve, u bazua kryesisht në Forcat e Armatosura vullnetare, të organizuara, në tërësi, e sidomos fillimisht, me formacione jo të rregullta e klasike, por u zgjeruan mjaft. Kjo luftë ishte e natyrshme se do të shtronte nevojën për gjetjen, afrimin dhe përgatitjen e drejtuesve dhe të komandantëve. Kjo nevojë do të rritej, sepse ushtarakët e karrierës duheshin për të drejtuar formacionet luftarake, duke filluar nga përmasat e vogla e deri tek repartet dhe njësite, të cilat hap pas hapi, u formuan dhe vepruan në teatrin shqiptarë të luftës. PKSH-ja, si drejtues politik dhe ushtarak, ka qenë shumë e interesuar, qysh herët, në fillimet e Lëvizjes Antifashiste dhe sidomos pas krijimit të Ushtrisë Nacionalçlirimtare në Shqipëri. Ajo punoi për të afruar në formacionet luftarake të saj oficerë dhe ushtarakë të ish-ushtrisë së mëparshme shqiptare. U porositën në veçanti shtabet e qarqeve të vendit për mënyrat e pritjes dhe të trajtimit të ushtarakëve, për lëshimin e thirrjeve dhe të ofertave për të luftuar kundër pushtuesve fashistë apo nazistë në emër të lirisë së popullit dhe të atdheut.

Thirrjet realizoheshin drejtpërdrejt me trakte drejtuar ushtarakëve dhe komandave të tyre. Për rrjedhojë, vetëm në një rast, në qarkun e Korçës, deri me 13 shtator 1944, ishin dorëzuar pranë komandave partizane të këtij qarku 200 oficerë e xhandarë shqiptarë. Një dokument i tillë i vitit 1944, është ai që i drejtohej Shtabit të Qarkut të Korçës, lidhur me oficerët e xhandarët shqiptarë. Në të shkruhej, midis të tjerave, se duhej që, “.. të dorëzuarit të priteshin mirë, të futeshin në radhët e UNÇ-së dhe, ata që do të pranonin të luftonin kundër pushtuesit, të ndaheshin në Br. II e IX S të qarkut të Korçës dhe në Br. VII S të qarkut të Beratit”. Në këtë dokument theksohet se oficerët që do të pranonin të luftonin pushtuesin, t’u ruhej e drejta e gradës që ata kishin pasur para pushtimit të vendit. Këtë e dëshmojnë dokumentet e kohës, të Komandës e të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇ-së. Pikërisht me rregulloren për gradimet, e cila përfshihej në Qarkoren e datës 16 korrik 1944, parashikohej që të drejtën e mbajtjes së gradës ta ruanin oficeret apo nënoficerët që vinin në UNÇ nga Ushtria Shqiptare e mëparshme, e kohës së parapushtimit fashist të vendit. Madje ata gëzonin të drejtën e gradës që kishin pasur në kohën e ardhjes në UNÇ.[1] Përpjekjet për të afruar pranë dhe në drejtim të Lëvizjes NÇ dhe të formacioneve luftarake të UNÇ-së e të Shtabit të Përgjithshëm, ushtarakë të karrierës, në të vërtetë, kishin nisur qysh më parë. E. Hoxha, e pohon këtë fakt në një nga librat e tij me kujtime të kohës së luftës. Në libër përmenden emrat e disa ish-oficerëve, që kaluan, qysh në fillimet, nga viti 1942, në radhët e formacioneve antifashiste, të cilat ishin nën ndikimin dhe udhëheqjen e PKSH-së. Në vijim ata arritën të ngjiteshin deri në krye të komandave dhe të shtabeve të UNÇ-së dhe, madje dhe në Shtabin e Përgjithshëm të kësaj ushtrie. Në libër jepen emrat e disa oficerëve të njohur të asaj periudhe, si Asim Zeneli, Memo Meto, Dali Ndreu, Shefqet Peçi, Mehmet Shehu, Bedri Spahiu, Mustafa Matohiti, Tahir Kadare, Reshit Çollaku, Pano Xhamballo, Et’hem Barhani, Jahja Çaçi, Spiro Moisiu, e ndonjë tjetër. Për rrjedhojë, udhëheqësi i PKSH-së pohon dhe afirmon rolin tjetër të rëndësishëm të këtyre ushtarakëve në udhëheqjen dhe drejtimin profesional ushtarak, në planin e organizimit dhe të kryerjes së veprimtarisë luftarake të forcave të UNÇ-së dhe të organizmave drejtuese të saj, gjatë gjithë ecurisë së LANÇ-it. Madje siç del nga statistikat e kësaj ushtrie, numri i këtyre ushtarakëve ka qenë i konsiderueshëm. Prandaj të vendosur në këtë kontekst, tingëllojnë kontradiktore, jo të besueshme dhe, madje paradoksale thëniet dhe mohimet e bëra pas luftës nga udhëheqësit e PKSH-së se UNÇ-ja nuk ka trashëguar asgjë nga ushtria e mëparshme shqiptare! Kuptohet lehtë, këtu nuk bëhet fjalë vetëm thjeshtë për trashëgimi armësh dhe pajisjesh luftarake, por pikërisht për oficerë dhe nënoficerë që, për atë kohë ishin një pasuri e tërë e rrallë për çdo forcë të armatosur shqiptare. Dhe në këtë rast nuk flitet për një skuadër me 7-8 apo me 10 vetë, por shumë më tepër. Po të përllogariten që ushtria shqiptare e mëparshme, e vitit të parafundit të saj, në vitin 1937, nuk kishte më shumë se 600 oficerë atëherë kuptohet qartë se sa i rëndësishëm ishte vlerësimi, ardhja, roli dhe ndikimi i tyre në forca, në formacione dhe në organizma drejtuese të UNÇ-së. Në vendet e tjera gjatë Luftës së Dytë Botërore, që luftuan kundër fashizmit dhe nazizmit, e që kishin ushtri të rregullt, të organizuar dhe të trashëguara qysh nga vitet e paqes, kjo ishte një përvojë dhe një rregullsi e hershme dhe çështja e drejtimit dhe e drejtuesve të veprimeve luftarake ishte e zgjidhur. Ndërsa në Ushtrinë NÇ Shqiptare çështja qëndron ndryshe. Kjo përbënte një rast unikal, sepse ushtria u formua dhe u angazhua nga e para, pasi ish-ushtria ekzistuese shqiptare, në ditët e para të prillit 1939, ishte shpërndarë dhe për rrjedhojë pushoi së ekzistuari. Në këtë rrjedhë ngritja dhe organizimi i UNÇ-së ishte mbështetur mbi një sistem mobilizimi krejtësisht vullnetar. Duke u ngritur mbi këto baza, në kushtet kur ushtria e rregullt shqiptare, pas pushtimit fashist të vendit ishte shpërbërë në tërësi, si një masë e vetme, UNÇ-së i duhej të zgjidhte, përveç të tjerave, problemin e drejtuesve ushtarak të formacioneve e të strukturave drejtuese, që do të krijonte hap pas hapi. Ishte fjala për oficerët e saj, të cilët natyrisht, deri aty nga fundi i luftës nuk kishin grada.

Gjetja e këtyre drejtuesve ushtarake, në atë kohë, dhe sidomos në fillimet ishte ndoshta problemi më i vështirë, duke u nisur nga formacioni më i vogël fillestar, deri tek formacionet më të mëdha dhe strukturat më të larta, si Shtabi i Përgjithshëm e më pas Komanda e Përgjithshme e UNÇ-së. Por cila ishte formula e zgjidhjes së këtij problemi kyç dhe a përbën ajo një përvojë me vlera dhe veçori në historiografinë ushtarake shqiptare dhe ndoshta më gjerë!

Gjatë Luftës Antifashiste, në formacionet e të gjitha niveleve të UNÇ-së, kanë vepruar dy grupe që përfaqësonin në vete dy lloj drejtuesish, në pikëpamjen profesionale. Në grupin e parë, që ishte dhe më i madhi, bënin pjesë kryesisht drejtuesit, apo komanduesit e formacioneve të vogla dhe të mesme, si të çetave e të batalioneve më rrallë në grupe, në brigade, në divizione sulmuese e në korparmata. Në grupin e dytë që ishte më i pakët në numër, bënin pjesë oficerë të mirëfilltë, të karrierës ushtarake, profesionistë, të arsimuar në shkollat ushtarake të vendit, disa të kualifikuar e të specializuar më pas nëpër akademitë ushtarake të Italisë, si në Romë, Milani, Torino, Padova, Livorno, Napoli; të tjerë më të paktë kishin studiuar në Austri, Francë, Greqi, ose gjetkë. Këta ushtarak kishin shërbyer gjatë viteve njëzet, në radhët e Ushtrisë Kombëtare dhe më pas, në vitet tridhjetë, në Fuqitë e Armatosura të Mbretërisë së Shqipërisë, ndonjëri pas pushtimit fashist të vendit, në përbërje të Forcave të Armatosura të përbashkëta, të krijuara mes të dy vendeve. Një numër prej këtyre oficerësh, duke qenë atdhetarë në mendime dhe në shpirt, iu bashkuan Luftës Antifashiste, në krahun e alternativës nacionalçlirimtare, pikërisht formacioneve të UNÇ-së. Kjo ishte e pakuptueshme të ndodhte sepse ata, duke qenë ushtarak profesionistë, shihnin dhe vlerësonin tek këto organizime ushtarake, mënyrat dhe formacionet e nevojshme, të vetme dhe efikase për të luftuar pushtuesit e huaj të Shqipërisë.

Këto motive lëvizëse kishin bërë që, qysh me krijimin e formacioneve të parë, të vogla, të nivelit taktik, siç qenë çetat apo batalionet sulmuese nacionaliste e më pas partizane, një numër jo i vogël, oficerë të tillë të bashkoheshin e, shumë shpejt të viheshin në krye të tyre, në komandim. Të tillë oficerë ishin Reshit Çollaku, Skënder Çaçi, Asim Zeneli, Memo Meto, Abdi Mati, Mehmet Shehu, Riza Kodheli, Dali Ndreu, Esat Ndreu, Et’hem Barhani dhe, më tej Mustafa Matohiti, Rexhep Haka, Jahja Çaçi, Siri Strazimiri dhe disa të tjerë.

Me krijimin e Shtabit të Përgjithshëm dhe të vet Ushtrisë NÇ Shqiptare, me formimin e formacioneve më të mëdha, siç ishin grupet partizane, brigadat sulmuese, Zona e Parë Operative Vlorë-Gjirokastër-Mallakastër dhe, veçanërisht me daljen në teatrin shqiptarë të luftës, të divizioneve dhe të korparmatave, numri i këtyre ushtarakëve u rrit dukshëm. Në sferën drejtuese të këtyre formacioneve luftarake u caktuan me detyra oficerët që kishin miratim apo simpati për Luftën Antifashiste dhe UNÇ-në. Zakonisht ata u ngarkuan me detyra të rëndësishme komanduese, si komandant ose zëvendës të tyre, oficer shtabi dhe më rrallë, edhe më detyra të natyrës politike, si komisarë, zëvendëskomisar apo dhe drejtues në seksionet politike të formacioneve. Kjo mënyrë të vepruari, kjo dukuri, natyrisht ishte diktuar nga përvoja e domosdoshme për të organizuar e drejtuar më me kulturë dhe dije profesionale ushtarake, me kompetencë dhe efektivitet formacionet, gjatë procesit të formimit dhe, sidomos gjatë kryerjes së veprimtarive konkrete luftarake. Kjo logjikë dhe praktikë në krye të grupeve partizane, më dukshëm del në Zonën e Parë Operative Vlorë-Gjirokastër-Mallakastër, në brigada dhe në divizionet sulmuese, në korparmatat dhe, natyrisht në dhjetëra formacione të tjera, të tilla ushtarakë të njohur shqiptarë të karrierës.

Kështu në grupet partizane komanduan oficerët Kadri Hoxha, Esat Ndreu, nënoficeri Dali Ndreu, Zyliftar Veleshnja etj. Në brigadat sulmuese emrat janë më të shumtë, midis tyre Mehmet Shehu, Tahir Kadare, Xhelal Stravecka[2] Todi Naço, Vangjel Priftanji në Br. I S; Enver Begeja, në Br. II S; Hulusi Spahiu, Ernest Jakova, Mahmut Agolli, Abdi Mati, Hamit Koçi, Thoma Frashëri, Xhemal Punavia, Zef Bega dhe nënoficeri Muhedin Sherifi, në Br. III S; Vaskë Gjino, Spiro Shalësi, Kristo Isak, Pano Xhamballo në Br. IV S; Abaz Shehu, Shefqet Peçi, Dervish Hekali, në Br.V S; Tahir Kadare dhe Mustafa Matohiti në Br. VI S; Kadri Hoxha, Qazim Kapisyzi, Mark Doçi, Frrok Fusha dhe Ndue Preng Kola, në Br. VII S; Asaf Dragoti[3]1 dhe Qazim Kondi, në Br. VIII S; Neshat Hysi, dhe nënoficer Njazi Çepani, në Br. X S; Avdyl Këllezi, në Br. XVI S; Qamil Guranjaku, në Br. XVII S; Esat Ndreu, në Br. XVIII S; Andre Naçi në Br. XIX S; Riza Kodheli në Br. XX S; Hamit Keçi në Br. XXIII S; Veli Niman Doçi, Mehmet Mulosmani, në Br. XXV S.