Prof. Dr. Gjergji Foto: Historia e rrallë e grevës së puntorëve të naftës në Kuçovë

39
Sigal

/Telegraf.al/ Më dt 11 shkurt, është përvjetori i 88-të i Grevës së puntorëve të naftës në Kuçovë,(1936) greva e parë puntore për gjithë kombin Shqiptar! Nga kjo grevë, mori hov gjithë lëvizja puntore në vendin tonë. Eshtë ditë e shënuar dhe që ngre në piedestalin e lëvizjes punëtore naftëtarët dhe veçanërisht Kuçovën, qytetin ku jemi rritur e formuar. Me këtë rast, më vjen të kujtoj gjithë ata puntorë e specialistë nafte, që me sakrificë e heroizëm, e konkretizuan atë lëvizje puntore duke e kthyer në të mira materiale për gjithê vendin. Respekt dhe nder për ta:

Kantieri i naftës, Kuçova dhe kuçovarët. Kuçova, nafta dhe naftëtarët e saj si motori i zhvillimit dhe ecjes para, janë ngushtësisht të lidhur me njeri tjetrin dhe me një histori krejt të veçantë jo vetëm për Shqipërinë, por edhe më gjerë.

Është kantieri i parë i naftës në Shqipëri, duke u bërë burimi i jetesës jo vetëm për vendasit, por edhe për shumë të ardhur nga të gjithë krahinat e vendit; nga Saranda, Përmeti, Kolonja, Skrapari, Korça, Shkodra, Kukësi e Peshkopia, duke u bërë edhe shëmbull i mirë i bashkëjetesës dhe mbështetjes së njeri tjetrit.

Në Kuçovë, ka punuar dhe jetuar gjeologu i shquar Stanislav Zuber, personalitet me famë botërore. Ishte Kuçova dhe vetë Zuberi, që e bëri të njohur Shqipërinë, për burimet e naftës, në Kongresin Botëror në vitin 1924, pas së cilës filloi edhe interesimi i fuqive të mëdha për Shqipërinë.  Është Kuçova dhe kantieri i naftës që në shkurt të ’36, i tregoi popullit Shqiptar si të luftojë për të drejtat e tij, kundër shtypjes dhe shfrytëzimit të huaj.

  • Është Kuçova dhe kantieri i naftës ku jetoi dhe zhvilloi aktivitetin e tij disa dhjetëra vjeçar, deri në shuarje, një nga bijtë e familjes së madhe patriote të Toptanasve dhe nip i Naim Frashërit, inxhinieri i talentuar dhe i përkushtuar Sherif Toptani.
  • Ishte Kuçova dhe naftëtarët e saj që i treguan popullit shqiptar se për të ndërtuar një jetë më të mirë, për vehte dhe për fëmijët, duhej punuar me sakrificë dhe përkushtim. Për ne, janë të njohur dëshmorët e rindërtimit dhe të zhvillimit të kantierit të naftës në Kuçovë, që u bënë shëmbull frymëzimi për brezat pasardhës. Por si i rritur në mes të këtij kantieri, mbaj mend edhe Minella Savën, Stavri Pojanin, Sotir Tërpinin, Refat Xaken, Dhori Andonin, Todi Lengun, Llambi Maqinën, Muhamer Salën, Ndreko Nakuçin, Kozma Linon, Kristaq Gogollarin, Llambi Kokonozin, Lili Xhakon, Trush Mitrushin etj., dhe shumë të tjerë të gjithë mjeshtra në specialitetin e vet, të përkushtuar në shërbim të kantierit të naftës që për ne ishin heronj të gjallë.
  • Me Kuçovën dhe kantierin e naftës, lidhet jeta dhe veprimtaria e shumë specialistëve dhe kuadrove patriotë dhe të shquar nga i gjithë vendi, si Koço Pepa, Eqrem Beci me gjithë prindërit, Ramiz Xhabia, Minella Çami, Petrika Ballauri, Ilia Mihali, Stiljan Pili, Llazar Kreshpani, Beqir Alia dhe Petraq Xhaçka, etj etj., të cilët i dhanë Kuçovës dhe naftës, vitet më të mira, që ishin shëmbuj të përkushtimit, që krijuan në Kuçovë familjet e tyre duke u bërë shëmbull i kulturës dhe jetesës familjare.
  • Ka qënë Kuçova dhe kantieri i naftës, vendi i shëmbullit unik të solidaritetit dhe bashkëpunimit të sinqertë midis vendeve në zhvillim. Në Kuçovë, kanë derdhur djersën e tyre dhe kanë sakrifikuar edhe jetën, specialistë nga shumë vende të Ballkanit por edhe të Evropës Lindore. Kanë qënë me dhjetra specialistët e huaj sëbashku me familjet e tyre që u rritën mes dashamirësisë së naftëtarëve.
  • Kuçova dhe kantieri i saj i naftës, ishin shumë arsimdashëse. Ajo, u bë shëmbulli i shkollimit masiv të naftëtarëve, nga kurset dhe shkollat profesionale me të talentuarin Mehmet Gina, me Gani Qemon, Hamdi Krujën etj, me Filialin e Universitetit posaçërisht për naftën, që e bënë Kuçovën të jetë burimi i të gjithë puntorëve të kualifikuar, mjeshtrave, teknikëve, specialistëve dhe kuadrove për të gjithë industrinë e naftës në vend, Patosin, Marinzën, Ballshin, Gorishtin, etj. etj. Por Kuçova ka qënë edhe mjaft artdashëse. Ajo, investoi, u krijoi hapësirën, zhvilloi veprimtarinë më intensive dhe më të gjërë në fushën e artit dhe të kulturës në vend, duke i dhënë kësaj fushe artistë të shquar si Gaqo Çakon, Vangjo Kostën, Agim Shuken, Burhan Spahiun, Donika Mingën etj etj, por formoi dhe i bëri muzikantë të shquar Tonin Rrotën, Zef Lekën, të apasionuarin e muzikës dhe punës me fëmijët Koço Korçarin dhe Nito Lalën, që sëbashku edhe me muzikantë të tjerë, e çuan me sukses disa herë Kuçovën në skenat e mëdha.

Kjo është historia e naftëtarëve të Kuçovës dhe qytetit të tyre, të cilën duhet ta njohin të gjithë të rinjtë jo vetëm këtu në Kuçovë. Me të, duhet të mburret edhe gjithë vendi sidomos në periudhën e sotme, që ka nevojë pikërisht për ringjalljen e këtyre vlerave të profesionalizmit të lartë, të arsimdashjes, të artdashjes dhe mbi të gjitha të dashurisë për vendin dhe patriotizmin e spikatur të kuçovarëve. Unë jam i nderuar që nga shumë e shumë shokë të mi kuçovarë, më është dhënë rasti të përmënd këto vlera të rralla të Kuçovës dhe naftëtarëve të saj, të përkulem me respekt para kësaj tradite shëmbullore dhe unike dhe jam krenar që jam rritur këtu midis Jush. Ju siguroj se edhe në emër të Bashkimit Shqiptar të Gjeoshkencëtarëve dhe Inxhinierëve dhe Fakultetit të Gjeologjisë, do të bëjmë gjithçka mundim që Kuçova të nderohet dhe respektohet sa më gjerë.

Historia

Kuçova është një vendbanim i hershëm, ku janë zhvilluar ngjarje të rëndësishme që kanë lënë gjurmë në historinë e saj. Dëshmi për këtë janë edhe organizimi i punëtorëve naftëtarë në shoqërinë “PUNA” dhe Greva e madhe e 11 Shkurtit 1936 në Kuçovë, si dhe pjesëmarrja e tyre në LANÇ. Vetëm 10 ditë pas Demonstratës së bukës në Korçë, zhvillohet greva e naftëtarëve të Kuçovës. Kërkimet për naftën në Kuçovë filluan që në vitin 1913, nga një mision ekonomiko-shkencor italian, kryesuar nga majori Silvio Exhidi, në zonën e Devollit, në Kuçovë. Në vitin 1918 u shpua pusi i parë për naftë e gaz në vendin tonë, që shënonte historinë e fillimit të zhvillimit të naftës në Shqipëri. Ky lajm ngjalli interes te shtetet e mëdha, si Italia, Austro – Hungaria, Anglia, SHBA e disa shoqëri të tjera. Gjashtë shoqëri të huaja morën me konçension në Shqipëri, rreth 700.000 ha tokë pa kushte nga qeveria e Zogut. Qeveria italiane, që kishte synimin okupues ndaj vendit tonë, me Dekretin Nr. 1301, datë 08.07.1925, krijoi për të parën herë administratën autonome me emrin AIPA, që kërkoi dhe shfrytëzoi naftën e vendburimit të Kuçovës. Kjo shoqëri filloi punë në vitin 1926 dhe arriti në vitin 1928 të zbulonte vendburimin e naftës në Kuçovë, nëpërmjet postit të kërkimit D1, me rezerva nafte. Deri në vitin 1939 u shpuan dhe u vunë në shfrytëzim 18 puse, nga të cilët u nxorën 5000 tonë naftë. Shoqëria AIPA kishte të gjithë specialistët e lartë, të mesëm dhe punëtorët e kualifikuar, pothuajse vetëm italianë. Punëtorët shqiptarë kryenin vetëm punë të rënda fizike, duke punuar më shumë se 12 orë në ditë dhe paguheshin pesë herë më pak se punëtorët italianë. Naftëtari Raif Dautaj, duke punuar, i rraskapitur nga puna e lodhshme çnjerëzore, te pusi C-104, protestoi së bashku me dhjetëra punëtor të tjerë. Jeta e punëtorëve shqiptarë, tregonte naftëtari i vjetër dhe i talentuar Simon Ziu, i cili u aksidentua dhe vdiq, nuk ishte ndryshe nga jeta e skllevërve.

Me nisiativën e patriotit sindikalist Mafuz Laze dhe kërkesat e protestat e njëpasnjëshme të punëtorëve të naftës, u bë e mundur formimi i Organizatës së tyre me emrin “PUNA”, e cila grumbulloi në gjirin e saj 2600 punëtorë, më 18 Nëntor 1935.

Në janar 1936 u pushua nga puna kryetari i shoqërisë “PUNA”, Mafuz Laze sekretari Adem Haxhia etj. Më 11 shkurt 1936 u organizua Greva e Përgjithshme e Punëtorëve Naftëtarë. Greva e përgjithshme e punëtorëve të naftës, ku naftëtarët tronditën qeverinë e kohës dhe shoqërinë italiane, arritën të fitonin disa të drejta. Greva e Naftëtarëve u bë shëmbull frymëzimi për gjithë punëtorinë shqiptare, që u vu në krye të shumë revoltave të tjera në të gjithë vendin tonë. Nderim për ata djem të guximshëm e revolucionar që u vunë në krye të organizimit dhe pjesëmarrjes në grevë e që sot nuk janë më, por kanë mbetur në lapidarin e kësaj greve tek Vidhat në Kuçovë të skalitur nga dora e skulptorit të talentuar Vangjel Paço. Këta naftëtarë ishin: Mafuz Laze, Adem Haxhia, Toli Shuka, Refat Bardhi, Simon Ziu, Rexhep Kurti, Ndini Shkurti, Beqir Likaj, Kamber Brisku, Neki Halimi, Nikolla Danushi, Spiro Pali, Gëzim Demo, Riza Paja, Minella Sava, Ndreko Laçe, Veli Hallajbeu etj.