Prof.Dr. Fatmir Shehu & Msc.Ing.Hysen Bundo: Ekspertiza që u bë në fushën e shpimeve, në kuadrin e “grupit armiqësor” të Lipe Nashit në vitin 1975

120
Sigal

–  Të akuzuarit kryesorë ishin Lipe Nashi, Beqir Aliaj, Koço Plaku, Milto Gjikopulli

– Materiali “ Tepër Sekret “ në lidhje me problemin e grupit  të sabotatorëve që ishin arrestuar

NOA

– Në vitin 1975 Partia e Punës së Shqipërisë dhe udhëheqësi i saj Enver Hoxha deklaroi publikisht se në Industrinë e Naftës është bërë sabotim armiqësor

– Si u zhvillua Aktivi i Partisë në lidhje me punën armiqësore në sektorin e naftës e të gazit nën drrejtimin e Sekretarit të K.Q të PPSH Haki Toska

– Shqetësimi lidhej me faktin se nuk po realizoheshin planet e shtetit që ishin miratuar zyrtarisht për prodhimin e naftës dhe gazit
-Nuk po zbuloheshin vendburime të reja nafte dhe gazi sipas detyrave që ishin vendosur në planet ekonomike të shtetit.

-Kjo cënonte zhvillimin normal të ekonomisë, sepse nafta ishte thembra e Akilit për ekonominë e kohës

Prof.Dr. Fatmir SHEHU

Msc.Ing.Hysen BUNDO

Siç dihet, në vitin 1975 Partia e Punës së Shqipërisë dhe udhëheqësi i saj Enver Hoxha deklaroi publikisht se në Industrinë e Naftës është bërë sabotim armiqësor. Deklarimi u mbështet në rezultatet jo të arrira që industria e Naftës dhe e Gazit kishte patur në vitet e fundit si në fushën e prodhimit të naftës dhe gazit, por sidomos në fushën e studimit e kërkimit për rezerva të këtyre burimeve energjitike, që konkretizoheshin më pas me zbulimin e vendburimeve të reja. Në këtë kuadër shqetësimi lidhej me faktin se nuk po realizoheshin planet e shtetit që ishin miratuar zyrtarisht për prodhimin e naftës dhe gazit. Si rrjedhojë nuk po zbuloheshin vendburime të reja nafte dhe gazi sipas detyrave që ishin vendosur në planet ekonomike të shtetit. Kjo cënonte zhvillimin normal të ekonomisë, sepse nafta ishte thembra e Akilit për ekonominë e kohës, ku konsiderohej  jo vetëm si një çështje  ekonomike, por  edhe  politike dhe ideologjike !

Pas këtij deklarimi, organet e Partisë dhe të Shtetit, si KQ i Partisë dhe organet e tjera të Shtetit si Ministria e Punëve të Brendshme, Sigurimit i Shtetit, Prokuroria dhe Gjykata ,  organizuan punën që të mernin masa e duhura. Në radhë të parë, të faktonin këtë veprimtari armiqësore edhe nëpërmjet studimit të dokumentave. Kjo veprimtari sabotuese dhe armiqësore siç u konsiderua nga Enver Hoxha, u përcaktua   paraprakisht madje me emra konkret, që në Pleniumin e KQ që u bë posaçërisht për këtë qëllim. Në fjalën që mbajti Enver Hoxha në këtë plenium, e cila u konsiderua edhe si konkluzion përfundimtar , u kërkua që të ndërmerren veprime të mëtejshme për zbulimin e  veprimtarisë së këtij grupi armiqësor , siç u përcaktua  gjatë fjalimit.

Në datën 24/03/1975, u organizua Aktivi i Partisë për të diskutua në lidhje me punën armiqësore në sektorin e naftës e të gazit nën drrejtimin e Sekretarit të K.Q të PPSH Haki Toska. Ky aktiv u mblodh  në pallatin e Kulturës Patos, ku ishin të ftuar  mjaft naftëtarë mes të cilëve edhe autorët e këtij  shkrimi .Në këtë aktiv merrnin pjesë Sekretarët e parë të  Komiteteve të Partisë së rretheve që kishin aktivitet të lidhur me Industrinë e Naftës si dhe përfaqësues të Ministrive të  ndryshme, Sigurimit të  shtetit, përfaqësues të Degës speciale të Ministrisë së Brendshme në Fier,  që mbulonte Industrinë e Naftës etj. Ky Aktiv u organizua posaçërisht për të  diskutuar  mbi veprimtarinë armiqësore të  “grupit sabotator të naftës” që ishte cilësuar tanimë si i tillë,  nga vetë Enver Hoxha. Në këtë Aktiv ishin ftuar të merrnin pjesë edhe të cilsuarët  e “Grupit Armiqësor”  madje edhe  të diskutonin,  por që në fund dolën  të arrestuar nga ky takim. Në këtë grup ishin përfshirë Lipe Nashi (ish-Drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Naftës dhe Gazit me seli në  Fier, me eksperiencë pune   në Industrinë e Naftës dhe Gazit,  i arsimuar në Shkollën e Partisë në Moskë, drejtues  organizativ i shkathët dhe  i zoti  ), Beqir Alija ( Ing. gjeolog, diplomuar në ish-BRSS,  ish Drejtor i Institutit të Naftës Fier, i martuar me një grua sovjetike), Koço Plaku ( Ing. gjeolog, i diplomuar në ish BRSS, punonte   në Institutin e Naftës Fier dhe vëllai i gjeneral Panajot Plakut, i cili ish  arratisur  për në ish Jugosllavi), Milto Gjikopulli ( Ing gjeolog, studimet i kish kryer në Universitetin Shtetëror të Tiranës,  Shef i Sektorit të Përgjithësimeve në Institutin e Naftës Fier, specialist  mjaft i mirë), Protoko Murati ( Ing. gjeolog, studimet i kish kryer në Universitetin Shtetëror të Tiranës, Shef i Sektorit të Gjeologjisë në Institutin e Naftës Fier ), Jani Konomi (Ing Prodhimi Nafte, studimet i kish kryer në Institutin e Naftës Bukuresht,   kryeinxhinier i Ndërmarjes së Nxjerrjes së Naftës Ballsh ). Në këtë kohë pati një konvejer arrestimesh dhe dënimesh.  Filloi me Ing. Nuredin Skraparin gjeollog, vazhdoi  me grupin e Lipe Nashit, që u arrestuan në kuadrin e aktivit të naftës  në 27 mars 1975  më tej vazhdoi me arrestimin e Jani  Konomit (Ing Prodhimi Nafte, studimet i kish kryer në Institutin e Naftës Bukuresht,   kryeinxhinier i Ndërmarjes së Nxjerrjes së Naftës Ballsh ) dhe Dhimitër Stefës ( Inxhinier gjeolog , i diplomuar në Rumani ) në 18 Prill 1975. Mbas tyre u arrestuan dhe u dënuan me pushkatim , dhe Abdyl Këllezi ( Kryetar i Komisionit të planit të shtetit dhe antar i byrosë Politike )  , Koço Theodhosi (  ministër i Industri -Minierave , antar i byros Politike  specialist i lartë:  kimist i diplomuar në Francë). Ky aktiv u zhvillua  nga data 24-27 Mars 1975 . Në ditën e fundit ata u arrestuan në prani të gjithë pjesëmarrësve. Në aktiv  mori pjesë  dhe e drejtoi atë Haki Toska, anëtar i Byrosë Politike dhe Sekretar i Komitetit Qëndror etj. Në presidiumin e aktivit ishte  dhe  Ing gjeolog Kadri Rama ,  ( i cili pak më vonë u arrestua dhe u dënua me 24 vjet burg  për sabotim ) dhe Jorgo Varfi ( teknik i mesëm i prodhimit të  Naftës). Varfi i kishte dërguar një  letër  Enver Hoxhës duke i ngritur shqetësimin se në Industrinë e Naftës po bëhen sabotime dhe punë armiqësore.  Letra mund të konsiderohet  sipas mendimit tonë si  fillesa e  kësaj raprezalje, që u bë në Industrinë e Naftës  në atë kohë. Në radhën e parë të sallës, ishin të pranishën edhe autoritete të tjera të vëndit si : Koço Theodhosi , ( ish Ministër i Industri Minierave , i cili pak më vonë u dënua dhe ai , me pushkatim ,  i akuzuar për sabotim dhe punë armiqësore ) dhe Piro Gusho , ish Sekretar i parë i Komitetit të Partisë së Rrethit të Fierit ( i cili mbas pak ditësh të mbarimit të aktivit të naftës , nga presionet që i bënë në një analizë Partie në Fier në shtëpinë e oficerëve,  në pushimin e mbledhjes, shkoi në shtëpi dhe vrau veten) etj.

Atmosfera e krijuar

Kur u bë analiza e “Grupit Armiqësor” të Lipe Nashit atmosfera e krijuar ishte  shumë e ndezur dhe e tensionuar. Analiza u zhvillua në një mjedis masiv të mbushur me njerëz të shumtë në sallën e pallatit të kulturës Patos. Salla ishte mbushur plot me përfaqësues të punëtorëve që punonin në Sektorin e Naftës  , por edhe me specialistë të ndryshëm . Drejtimin e analizës  e kryesonte një presidium me në krye  Haki Toskën, anëtar i Byrosë Politike dhe Sekretar i KQPPSH -së ; njeri që ishte përzgjedhur  të përfaqësonte autoritetin e partisë. Ishte një situatë shumë e rëndë presioni psikologjik, që endej mbi të gjithë specialistët e naftës. Diskutimet ishin të përgatitura në mbështetje të Enver Hoxhës dhe të PPSH dhe përmbanin kritika të ashpra ndaj personave që  ishin cilësuar  si sabotator dhe armiq. Në ditën e fundit të Aktivit dolën edhe të akuzuarit një e nga një e  mbajtën fjalën e tyre  duke bërë autokritikë  të thellë. Por diskutimi i tyre u ndërpre në  mes,  nga një zë (klithëm) që erdhi nga fundi i sallës :  “ të arrestohen,  nuk kemi ç’të dëgjojmë nga këta armiq e sabotatorë”. Sigurisht ai që foli ishte i udhëzuar  dhe i vënë qëllimisht nga Sigurimi i Shtetit që të bënte një thirrje të  tillë.  Të akuzuarit kryesorë ishin    Lipe Nashi, Beqir Aliaj, Koço Plaku, Milto Gjikopulli. Ne i njihnim të gjithë shumë mirë madje me Milto Gjikopullin dhe Koço Plakun,  kemi pasur shumë shoqëri. Por edhe me të tjerët nuk ishim të largët se na  lidhte puna. Ishte skenar shumë i çuditshëm ! Disa prej tyre sapo ishin dekoruar deri me dekoratën më të lartë :  “Hero i Punës Socialiste “që ia kishin dhënë Lipe Nashit,  ndërkohë brenda një  periudhe shumë të shkurtër u akuzuan për sabotim dhe veprimtari armiqësore!  Disa kohë  mbas arrestimit të grupit të ashtu quajtur “ armiqësor” , na thirrën  nga Ministria e Brendshme ,  grupe- grupe dhe na ngarkuan me analizën dhe ekspertizën  e “veprimtarisë armiqësore” të grupit të Lipe Nashit. U caktuan disa grupe pune për të bërë këtë analizë dhe ekspertizë  si: Grupi i gjeologjisë , Grupi i prodhimit të naftës , Grupi i shpimit të puseve të thellë për naftë dhe gas , Grupi i prapavijës. Për të qënë në përputhje me këndvështrimin politik, u njohëm me materialet e KQ të PPSH sidomos me fjalimet e Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut në pleniumet e fundit të KQ dhe  materiale të tjera  politike .  Kryetarët e grupeve i  thirrën në Tiranë  në KQ dhe u dhanë  një material “ Tepër Sekret “ në lidhje me problemin e grupit  të sabotatorëve që ishin arrestuar.

Shqyrtimi i dokumentacioneve

I kushtuam mjaft kohë, shqyrtimit të dokumentacioneve, por dhe  akuzave që u  bëheshin atyre  në përgjithësi,  apo akuzave që bënte “klasa punëtore”  në analizat që zhvilloheshin  anë e mbanë industrisë së naftës në organizata të ndryshme  ku analiza kryesore bëhej ne organizatat bazë të partisë të çdo njësije .  Materiali kryesor bazë për ne si pjesë e Grupit të Ekspertëve ,  ishte fjala e Enver Hoxhës, e cila tashmë ishte një aktakuzë  e bërë për këtë grup .  Në këtë kuadër ne ishim të detyruar që t’i përmbaheshim kësaj akuze, sepse nuk na u la që të bënim ne ekspertizën dhe  të evidentonim problematikat përkatëse  dhe pastaj të fliste Enver Hoxha ku të jepte konkluzionet, por u bë e kundërta ! Ne si grup ekspertësh  tashmë ishim para  një  kufiri të rrezikshëm për ta kaluar apo thyer, fjalës së mbajtur nga Enver Hoxha. Nga data 4/05/1975 deri në datën 1/09/1975 u shkëputëm nga puna për të punuar në Komisionin Qeveritar për evidentimin e punës armiqësore në industrinë e Naftës të grupit të Lipe Nashit. Ne,  autorët e shkrimit ishim caktuar  antarë të grupit për Sektorin e Industrisë së  Shpimit. Në këtë grup merrte pjesë:  Ing. Fatmir Shehu- Kryetar grupi , Inxhinier shpimi Ing.Hysen Bundo, Inxhinier shpimi, Ing. Elmaz Leka , Inxhinier shpimi, Ek.Genci  Xhuvani ( djali i Aleksandër Xhuvanit dhe kunati i Ramiz Alisë, ekonomist dhe një njeri shumë fisnik dhe i ditur ) dhe një inxhinier mekanik Ing. Arif  Gjata; një njeri mjaft i përgatitur dhe fisnik. Në këtë grup merrte pjesë edhe  Sulo Kamberi, një përgjegjës pusi me eksperiencë, në cilësinë e përfaqësuesit të klasës puntore.  Analiza jonë  nisi duke na shkëputur fillimisht nga puna  dhe u autorizuam se kishim të drejtë që të  merrnim çdo dokument të cilin e konsideronim se ishte i nevojshëm në kuadër të kësaj ekspertize. Ditën e parë pas krijimit si grup i Sektorit të Industrisë së Shpimit, u thirrëm dhe u takuam me ish Ministrin e Brendshëm, Feçor Shehun, i cili edhe na orientoi për detyrën që na ishte ngarkuar. Drejtoria e Përgjithshme e Naftës dhe e Gazit me arrestimin e Lipe Nashit, u shkri menjëherë dhe u bllokuan gjithë dokumentat. Mbas kësaj shkrirje, Ing. Hysni Frakulla ish Sekretar i Komitetit të Partisë së Patosit  u caktua në rolin e individit të  plotfuqishëm  për administrimin e përkohshëm të Drejtorisë së Përgjithshme të Naftës në Fier.

Sigurisht që   grupi ynë ashtu si grupet e tjera  u krijuan mbasi çdo gjë ishte bërë fakt nga ana e më të madhit të vëndit –Enver Hoxhës. Ai nxori një material zyrtar  ku bënte akuza  direkte dhe e cilësonte  këtë grup si “armiqësor dhe sabotator”. Pra, të akuzuarit ishin arrestuar dhe akuzuar për punë armiqësore  nga vetë Enver Hoxha, ekspertiza jonë ishte formale dhe   ishte e detyruar që të bëhej politike dhe jo një analizë  reale ekonomiko- teknike e shkencore. Për rrjedhojë , ne ishim në një situatë shumë  të vështirë, sepse   për  çdo gjë ishte me kufij të përcaktuar ideologjik dhe politik. Ne  si grup ekspertize, nuk mund të bënim dot  asnjë argumentim tjetër veçse që të  mbështesnim konkluzionet politike, që i kishte bërë vetë Enver Hoxha në bazë të të cilit edhe  grupi  faktikisht ishte arrestuar. Grupi jonë i ekspertizës së shpimit , në fakt ,  nuk kish ndonjë lidhje me asnjë  të arrestuar e të akuzuar  për punë armiqësore . Por Sigurimi i Shtetit shpesh na “konsultonte” dhe udhëzonte  që edhe në industrinë e shpimit , pavarësisht se nuk ishte arrestuar ndonjë person bashkë me grupin e ashtuquajtur  armiqësor të Lipe Nashit  , kishte  shumë vënd për të bërë analiza të thella !Sipas tyre edhe në industrinë e shpimeve kishte patur punë sabotuese,  sepse aty  ishin   bërë  avari që  kishin  dëmtuar shumë  ekonominë,  dhe partia kish hedhur parrullën: “ të luftojmë konceptet se :  “nuk ka shpim pa bërë avari” “se shpimi,  nuk mund të bëhet pa avari“,  “se avaritë janë si thërrimet kur ha bukë” etj .

Konkluzionet tona

Ne si grup, ishim shumë të bindur dhe kishim argumentuar, se avaritë që ishin bërë,   nuk kishin qënë për faje konkrete  individësh,  por për shkaqe tekniko-teknologjike të caktuara. Madje , në sektorin e shpimit  ishin bërë mjaft studime dhe aplikime që  kishin zgjidhur probleme të vështira,  të cilat edhe specialistët sovjetikë gjatë punës së tyre , kur u përballuan me to , nuk kishin mundur t’i kapërcenin.  Në drejtim të grupit tonë u këmbëngul shumë që të argumentonim mundësinë e sabotimit në drejtim të mbytjes së shtresës produktive  dhe si pretekst nxirrnin përdorimin e baritit, i cili përdorej me sukses në përballimin e presioneve anormale të larta, dhe më vonë të bykut të orizit , që përdorej me sukses  kundër humbjeve të qarkullimit. Kjo gjë u argumentua nga ana jonë se përdorimi i baritit është një nevojë teknologjike, që  është e pranishme  në tërë praktikën botërore të  shpimeve, sidomos në shtresa me përmbajtje fluidesh që kanë presione  të larta . Ne argumentuam nëpërmjet studimeve që kishim  bërë , se në praktikën tonë të  shpimit kemi takuar shtresa me gradient presioni mbi 2.1-2.2 atm/10 metra , gjë që detyronte përdorimin e baritit dhe rënduesve të tjerë . Gjatë kohës së punës  në kuadrin e ekspertizës , herë pas here, sidomos Kryetarët e Grupeve , thirreshin veç e veç ,    nga Ministria e   Punëve të Brendshme siç ishte vetë ish ministri i kohës Feçor  Shehu, apo nga Hetusia e Përgjithshme dhe kërkonin konsulencë prej shumë ekspertëve që ishin angazhuar në këtë punë nga të dy institucionet.   Grupi i Ekspertëve të Sektorit të Industrisë së Shpimit  nuk kishte asnjë të burgosur  nga ky sektor brenda grupit dhe nuk pati ballafaqime konkrete siç pati Grupi i Ekspertëve të Gjeologjisë dhe i  Nxjerrjes së Naftës me të arestuarit gjatë hetuesisë apo zhvillimit të gjyqeve. Kjo ekspertizë zgjati nga 4/05/1975 deri në 1/09/1975 dhe të themi  të drejtën , nuk gjetëm ndonjë element  të theksuar që të vërtetonte punën armiqësore të këtij grupi sidomos  në fushën e shpimeve . Ne si grup ekspertize ,   nuk mund të dilnim  kundër analizës dhe denoncimeve që ishin bërë nga strukturat e shtetit dhe personalisht  nga Enver Hoxha para se të krijohej e të fillonte nga  puna grupi i ekspertizës. Prandaj  nuk synuam që të kundërshtonim përmbajtjen politike të kësaj çështje, sepse e dinim se ç’na priste !

Rruga më e drejtë , mendojmë se  do ishte që para se të akuzoheshin  të arrestoheshin  dhe të dënoheshin, të bëhej  ekspertiza  e dokumentuar nga ekspertë teknik dhe ekonomik.Vetëm më pas, kur të gjëndeshin  fakte  duhet  të dilnin akuzat për sabotim  armiqësor. Në gjykimin tonë kjo do ishte rruga më e drejtë  dhe jo e kundra siç u bë, që u vu karroca para kalit.

Megjithëse , grupi  jonë e ruajti etikën politike të  “ vlerësimit” të akuzave që ishin bërë nga vetë Enver Hoxha për “ sabotimin në naftë”  para se ne të krijoheshim si Grup Ekspertësh , në mënyrë unanime mundëm që me argumentime shumë të hollësishme  të shmangim  burgosjen apo dënime më të rëndë  të    çdo drejtuesi  të kohës që kish punuar  në industrinë  e shpimeve të naftës.  Në fakt në atë kohë, në industrinë e shpimeve ushtronin aktivitetin e tyre  gjashtë ndërmarje shpimi me rreth 70 sonda më kapacitete shpimi deri në 6700 m  dhe kishte një aktivitet  shumë të madh pasi  realizoheshin rreth 300 mijë metro linear shpime në vit. Gjatë punës për shkaqe të shumta bëheshin edhe avari të tipeve të ndryshme   madje dhe fontana të pa kontrolluara (shpëthim gazi), të cilat  në përgjithësi kanë qënë pasojë e mosnjohjes  së saktë të prerjes gjeologjike( sidomos në puset e kërkimit ) . Kjo ndodhte edhe për shkaqe të thyerjes së disiplinës teknike dhe protokolleve të punës gjatë kryerjes së proceseve të shpimit . Bilanci ynë i analizës  ishte një sukses për grupin tonë  të ekspertëve të industrisë së shpimit  pasi ishim nën presion të zbulonim patjetër “veprimtari armiqësore dhe sabotuese” në këtë sektor. Kësisoj , ndërsa në sektorin e gjeologjisë pati dy pushkatime dhe dënime të tjera të rënda, po ashtu dhe në industrinë e prodhimit të naftës dhe gazit pati dënime të rënda  në industrinë e shpimeve pati vetëm një  dënim  siç ishte përjashtim nga partia i Prof.Ramadan Perhatit  dhe dërgimi për edukim në bazë pranë gjirit të  klasës puntore. Ai u përjashtua nga Partia,  siç u  deklarua , për “një fshehje në autobiografi”. Ky dënim u bë nga struktura që kishin të bënin me organizatën e partisë ku ai  bënte pjesë. I dënuari nuk ishte i rekomanduar nga ekspertiza jonë ! Madje në ekspertizën tonë nuk ishte përmendur asnjëherë emri i tij.

S’kemi pse mos të themi,  se duke patur besim të plotë tek Partia  dhe tek lideri i saj ,  nuk mund të dyshonim   tek ajo që  deklarohesh në atë kohë, sepse kishim bindjen që Partia para se të të dënojë, ka të dhëna të plota nga shumë burime  informacioni,  që nuk diskutoheshin në atë kohë .

Ata që kanë punuar dhe jetuar në atë rregjim, e kuptojnë natyrën e bindjeve tona. Gjithëkush mund ta provojë, që t’i thotë një njeriu jo më shumë se një javë rresht se “ sa qënke zverdhur!” e të shohë se ai do të zverdhet me të vërtetë. Po ne që u lindëm dhe u rritëm me emrin e Partisë e të Enver Hoxhës në mendje, si mund të  ishim ndryshe?!  Gjithsesi  intuita jonë na bën të dyshojmë se ajo trazirë e pështjellim i madh që u krijua në atë kohë, mund të ketë qënë edhe veprimtari e shërbimeve intelegjente  armiqësore të huaja.  Tashmë është e ditur se ato kanë qënë aktive në Shqipëri,  deri në nivele të larta, sidomos ato  fqinje e me shumë mundësi ajo  greke,  me qëllim që të shkatërrohej industria e naftës dhe rrjedhimisht, ekonomia shqiptare që e kish naftën, thëmbrën e Akilit.

Këtu mund të shtojmë se Greqia dhe sidomos  ithëtarët e Vorio Epirit  në atë kohë,  nuk mund të mos kenë qënë të  shqetësuar  që Shqipëria zbuloi naftë në Vurg  që siç dihet ata e quajnë   pasuri të tyre,   Nëse kjo është e vërtetë atëherë nuk është çudi që  Enver Hoxha të ketë  rënë preh e kësaj loje, kur dhe letrën “frymëzuese”  e bëri një minoritar, që s’mund të themi se e ka bërë me inisjativën dhe ndërgjegjen e tij ,   por i induktuar me mënyra të stërholluara nga shërbime të caktuara  të specializuara për këto punë !

Kemi pasur dhe kemi bindje të plotë që në Industrinë e Naftës nuk kish hapësira për mundësi  sabotimi nga specialistë apo drejtues  të veçantë, sepse ajo industri ishte e organizuar me nje konvejer shumë fish kontrolli duke filluar nga studimet dhe projektimet,  që bëheshin , e deri në aprovimin e tyre për t’u zbatuar, të cilat fillonin nga grupet e  vogla  të punës , e deri ne vazhdim tek këshillat shkencore, tek  njësitë organizative në bazë dhe më lartë në Ministri e deri në Kryeministri etj  .

Dënimet dhe turbulencat që janë bërë në kuadrin e Industrisë së naftës, kohë mbas kohe, mendojmë se kanë qënë plotësisht të pa justifikuara. Shpesh thuhet se ata që u dënuan dhe u pushkatuan  kanë dëmtuar shumë industrinë e naftës se i konsiderojnë si elita dhe korifej të kësaj industrie dhe se vetëm ata e mbanin industrinë e naftës! Dhe këto i thonë ata që nuk e njofin realitetin. Në mbështetje të fakteve që i njofim fare mirë, mendojmë  se  këto dënime dhe asgjësime e kanë dëmtuar  shumë Industrinë e naftës , jo se naftën e mbanin  dhe ish në dorë tek ata që u dënuan dhe  u asgjësuan  , sepse  nafta ka qënë një entitet  ku rolin kryesor e kishin  kolektiva  dhe një sekuencë e tërë punimesh dhe kontrollesh  , por këto dënime mendojmë se futën  frikën në palcë tek  të gjithë specialistëve madje dhe puntorëve të thjeshtë . Pikërisht ky ishte dëmi më i madh, katastrofik   që ju bënë Industrisë së Naftës nga këto dënime.  Është një thënie e një Presidenti të Amerikës  që thotë : “ të kemi frikë nga frika ! Sigurisht edhe nafta ka pasur eliten e saj intelektuale ,  por  nuk mund të thuhet asnjëherë siç dëgjojmë  , se naftën e mbanin  korifejtë ,  një grusht specilistësh ,  sado të ditur dhe me eksperience që të ishin . Pra Industria e Naftës nuk u dëmtua  se i ikën disa specialitë sigurisht të shquar , por u dëmtua se me këto masa drastike dhe terorizuese ,  ju fut në palcë frika tek 1700 speciaitëve të lartë , 5000 specialistëve   të mesëm dhe mbi 30 mijë puntorë , që punonin në këtë industri shumë të komplikuar dhe më përgjegjësi. Mbas këtyre dënimeve , asnjë , në çdo pozicion pune që ishin , nuk e ndjente veten të sigurtë për të nesërmen.  A punohet me frikë ?!

Së bashku, me të gjithë grupin  e ekspertizës së industrisë së shpimeve , punuam me paradigmën:  “kontrollo dhe ekuilibro!”

Megjithatë , ne  kërkojmë  falje  dhe ndjesë , për ndonjë qëndrim  të padrejtë për shkaqe vetmbrojtje ,  sado i parëndësishëm  dhe i vogël qoftë , të cilin  kemi qënë të detyruar të mbajmë për arsye politike  e  mund të ketë ndikuar sado pak ,   për shkak të ekspertizës sonë në drejtim të dënimit të të akuzuarve .  Ne nuk ishim vendimarrës ; ekspertët e hetimit dhe të drejtësisë e kishin fjalën e fundit .

Mbasi doli nga burgu Lipe Nashi , që sigurisht njifeshim  shumë mirë personalisht , por që  e kisha  shumë mik pasi  kishte qenë partizan me dajot e gjyshes time nga Toçi i Tepelenës ( Xhemalajt) ,  e takova rastësisht  ne Sarandë dhe pimë një kafe . Këtë ndjesë  ja kërkova sy më sy dhe më tha :- Fatmir , ju ishit  në prefsen  të briskut për vete,  sepse ne e kishim marrë dënimin para ekspertizës suaj  , dhe po të na mbronit , ( megjithëse nuk dëgjuam  as një akuzë nga ty!)   do shtonit radhët e grupit që u arrestua me në krye mua!