Prof. Dr. Elmas Leci: Si përgatitej Sigurimi i Shtetit për raste trazirash në Shqipëri?!

894
Sigal

Paralele historike

 

Nga Prof. Dr.Kol.Elmas Leci

Drejtor Ekzekutiv
Instituti i Studimit të Çështjeve  të Sigurisë e Mbrojtjes

 

Një nga bëmat në mes të të shumtave të Sigurimit të Shtetit komunist, ishte edhe hartimi i listave me emra njerëzish, që do të eleminoheshin në raste trazirash antiregjim. Edhe këto lloj parashikimesh i bënte ai rregjim antinjerëzor. Arkivat flasin, ndërsa politikantët tanë dhe aktet ligjore në demokraci, tregojnë se për sigurimsat e bëmat e tyre ose është folur e vendosur pak ose aspak dhe ata livadhisën në 30 vjetët e fundit me radhë, derisa u është sosur jeta nga perëndia, por jo ama nga ligjshmëria.

Oficerët e Sigurimit të Shtetit, për raste trazirash, sipas arkivave të vetë rregjimit, kishin hartuar paraprakisht për çdo rreth nga dy lista me nga rreth 300 emra: E para kishte ata që duheshin zhdukur fizikisht sapo të fillonin trazirat, dhe e dyta ata që duhej të internoheshin po në raste trazirash. E vërteta që thonë arkivat është se ato lista rifreskoheshin periodikisht gjatë mbledhjeve të partisë e të Degëve të Brendshme të rretheve. Dhe listat me emrat e njerëzve, që konsideroheshin antiregjim, ishin ato për të deklasuarit me cilësime të ndryshme, për kulakët me sojin e tyre, me të pakënaqurit që ata i kishin të evidentuar, me njerëz të tjerë, që nuk i donte oborri Byroist dhe me të… dhe të gjitha këto lista i nxirrte dhe i sanksiononte Sigurimi i Shtetit me bashkëpunëtorët e tij, ato që populli u thoshte 80 leksha që ishin spiunë të dukshëm si- ishin AGBV-të apo të padukshëm, që mbanin lloj lloj pseudonimesh si patronazhistët e sotëm.

Jo vetëm kaq, por  çdo vit në rregjimin diktatorial të Enver Hoxhës, rezultat i punës së Sigurimit të Shtetit, ndaloheshin apo arrestoheshin nga 4500 deri në 5000 njerëz. Këto që them nuk janë shpikje të mijat, por arkivat e vetë regjimit komunist shqiptar. Dhe njerëzit sot, jo vetëm duhet t’i dijnë pasi duket se jo vetëm të rinjtë nuk i dinë e nuk i konceptojnë, por edhe të vjetrit sikur po i harrojnë apo i kanë harruar. Mirpo një personalitet i madh Kundera, që ai regjim po ta dinte se e lexoje të dënonte me 7 vjet burg për agjitacion e propogandë. Ai thoshte se “e keqja më e madhe, që mund t’i ndodhë një njeriu apo një populli, vjen atëhere kur ai nuk arrin të bëjë analizën e të kaluarës së vet”.

Torturat që “nxirrnin” të “vërtetat” e trilluara

Dëshmitë e të burgosurve të arratisur, bëjnë të ditur se para vitit 1970 “pranimin” e krimit e lehtësonte përdorimi i torturave. Për të nxjerrë gjithë “të vërtetën rreth çështjeve kriminale”, ndihmonin ditët në dhomat e izolimit, ku njerëzit e akuzuar zhyteshin në cisterna mbushur me ujë të ftohtë, vezët e ziera nën sqetull apo spicat futur nën thonj. Ka raporte interesante të instancave ndërkombëtare për torturat dhe dënimet në Shqipëri.

Sipas një raporti të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, nga viti 1944 deri në vitin 1954, janë futur në kamp pune apo në burgje në Shqipëri 80.000 vetë, prej të cilëve 10.000 vdiqën. Caku i moshës për përgjegjësí penale, në rastin “krim kundër shtetit” ishte caktuar në 12 vjeç. Të burgosurit e kësaj moshe, caktoheshin në punime drenazhimi dhe ujitjeje, në ndërtimin e rrugëve, të hekurudhave, të aeroporteve dhe uzinave. Të burgosurit politikë të dorës së parë, izoloheshin në burgun e Burrelit. Në veri të vendit, kampet e punës me regjim shumë të ashpër, thyenin çdo lloj qëndrese. Më famëkeqi ishte ai i Spaçit në Mirditë. Për të drejtuar Sigurimin në qendër e për të ndjekur llogaritë për këto persekutime që përmendëm, partia punëkeqe, kishte ngarkuar një anëtar të Byrosë Politike.

Mjerimi dhe Vetizolimi i kushtoi shtrenjtë Shqipërisë. Në aspektin politik, ekonomik, kulturor etj., sepse shqiptarët u ndanë nga bota. Ndonëse për Enver Hoxhën përplaseshin duar në kongrese e mitingje, fenomen i njohur tashmë për diktatorët, vetizolimi i kushtoi Shqipërisë 5.557 burra dhe 450 gra të ekzekutuara, sepse ishin kundër diktaturës e nuk u pajtuan me të në aspekte të ndryshme të jetës. Bilanci i krimeve të vetizolimit është tepër i madh, sepse tërë populli shqiptar ishte i rrethuar në tela me gjemba dhe punonte skllav i kohës moderne për “familjen e byrosë politike”.

Komunizmi kishte premtuar të ndërtonte parajsën e punëtorëve “për të plotësuar çdo nevojë të tyre”, por që nuk bëri as plotësimin e nevojës më elementare me ushqimin e mjaftueshëm, veçse preku edhe të paprekshmen, besimin në zot.

Enver Hoxha u ngrit dhe eliminoi edhe fenë, sepse sipas tij “ajo përdorte sloganin për parajsën qiellore”, ndërsa ky do “të krijonte në tokë njeriun e ri të socializmit-ateist, i mbështetur në forcat e veta, i kolektivizuar dhe plot sukses”! Por, punët shkuan tmerrësisht keq dhe pas 45 vjetësh në fuqi, rregjimi i Enver Hoxhës, ende sundonte mbi popullin më të varfër të Evropës, kur vendi që kishte ritmin më të madh të lindjeve në Evropë, kishte të ardhurat më të ulëta për frymë të popullsisë në planet.

Pavarësisht nga fakti që rregjimi që i thuhej “diktatura e proletariatit” ngrihej në qiell e vetëm katër për qind e popullsisë ishin anëtarë të partisë komuniste, ajo sundonte 96 % të pjesës tjetër por të papërfillshme. Bujqësia e veçanërisht industria ishin në pikë të hallit, pasi uzinat industriale ishin vjetruar pa masë apo ishin ngritur si ndërmarrje irrentabël dhe pjesët e këmbimit për to mungonin. Nga ana tjetër, kontrolli burokratik ishte tepër i rënduar, ndërsa Sindikatat ishin të ndaluara me ligj.

Tolloni dhe persekucioni,  sundonin jetën shqiptare

Erdhi një moment që pas viteve ’80-të, fshatari në kooperativë të prodhonte shumë më pak sesa do të prodhonte në arën e vet. Në dyqanet shtetërore të ushqimeve, shiheshin radhë të gjata njerëzish me tollona në dorë, ndërkohë që vitrinat ishin bosh. Njerëzit nuk ishin të lirë të ndryshonin vendin e punës apo vendbanimin, e as të dilnin jashtë shtetit. Ata nuk ishin të lirë të zgjidhnin punën apo profesionin që dëshironin, të ngisnin makina në vend të biçikletave apo të zgjidheshin në poste të ndryshme. Ata nuk ishin të lirë të abonoheshin në gazeta apo revista të huaja, të shprehnin me zë të lartë kundërshtimin e tyre ndaj vijës partiake apo të ushtronin besimin që preferonin.

Që para viteve ’80-të, shqiptarët kishin mbetur të izoluar krejtësisht si nga Lindja ashtu edhe nga Perëndimi, ata kishin mbetur fare vetëm. Kufizime të tilla kishin ngjallur pakënaqësi të madhe, veçanërisht në radhët e rinisë, që ishte mosha mbizotëruese në vend. Pakënaqësia e tyre ishte shtuar edhe më shumë nga kontaktet e fshehta, që kishin me Perëndimin nëpërmjet radios, televizionit, filmave, botimeve të ndryshme, korrespondencës me kushërinjtë e miqtë jashtë shtetit, studentëve dhe turistëve, afaristëve dhe gazetarëve të huaj. Urrejtja ziente përbrenda. Tolloni dhe persekucioni sundonin ngado jetën shqiptare dhe kjo për Enver Hoxhën do të ndiqte edhe për vijimin, filozofinë e baba Çenit: “pakësojë tagjinë”! Shkallë-shkallë e vit pas viti, Enver Hoxha veproi me këtë politikën e tij, derisa e çoi vendin e popullin në një varfërim të plotë. Dhe këto ishin krime!

Precedenti i krimeve, nisi qysh gjatë Luftës Antifashiste dhe u kurorëzua përfundimisht në gjysmën e dytë të viteve ’70 -të, madje kur populli pas viteve ’80-të kaloi masivisht në një mjerim të plotë e të gjithanshëm. Për argumentin se si u rrit precedenti i krimeve në rregjimin e Enver Hoxhës, kanë shkruar me dhjetëra e dhjetëra analistë e historianë dhe komentet e disa prej tyre, duke mos pretenduar se bëjmë ndonjë zbulim po t’i rendisnim, padyshim do t’i japin sqarim më të plotë eksperimentit specifik të Enver Hoxhës, nivelit të ulët të jetesës në periudhën e mbretërimit të tij.

Djallëzia e Enver Hoxhës shfaqej kryesisht në përpjekjen për ta bërë popullin bashkautor në krimin e madh të vëllavrasjes. Të gjithë kundër kujtdo, sipas Enver Hoxhës duhej të mbronin vijën e partisë. Enver Hoxha luftonte çdo gjë, që kultivonte ndjenjat e mira njerëzore dhe përkrahte ato që kishin frymën e logjikës kriminale të Josif Stalinit. Ndaloi shkrimtarët klasikë, filmat psikologjikë, komentet sociologjike, muzikën sentimentale, por edhe atë moderne. Enver Hoxha e nxori fytyrën e tij prej konservatori fanatik, i ngujuar në kullën e tij të “fildishtë” dhe ia mbylli dyert Shqipërisë, duke i dhënë popullit të ripërtypë gjysmë shekulli vetëm veprën e vet të mbushur me megalomaninë prej mediokri. Pastaj ngriti shpatën e rëndë të Demokleut dhe u tha njerëzve se për të shpëtuar prej saj, duhej të rrëzonin njëri-tjetrin. Dhe ndonëse njerëzit të terrorizuar me atë shpatë, u therën dhe u gjakosën, dhe Enver Hoxha nuk u mbajti përsipër, të paktën as mëkatet. Nga Olimpi, ai sodiste vëllavrasjen dhe kujdesej që këtij krimi të mos i gjendej autori i vërtetë. Enver Hoxha fshihej prapa frazave të tij me dy kuptime dhe njerëzit mbeteshin fajtorë autentikë të krimeve, që kryheshin nga ai e në emër të tij dhe të klanit ogurzi. Kështu u detyrua populli t’ia shesë shpirtin djallit dhe të adhuronte Enver Hoxhën si perëndi. Aparati i dhunës, që realizonte veprën kriminale të Enver Hoxhës, nuk linte mjet pa përdorur, për t’u dukur ai i drejtë dhe i paanshëm. Pasi fuste me dhunë gladiatorët në arenë, Enver Hoxha tërhiqej për t’i soditur nga lozha para publikut. Viktimat, patjetër duhej të dilnin fajtorë… Vetëm mes klithma viktimash, shkaktuar prej shpatës së tij, Enver Hoxha siguroi duartrokitjet e një populli të terrorizuar.

Kloni, zona kufitare e ndaluar për shqiptarët

E mbajnë mend mirë njerëzit e moshuar, që banonin afër kufirit shtetëror, që rreth e rrotull vendit ekzistonte një “zonë kufitare” nga 1 deri në 2 kilometra, e ruajtur nga ushtria dhe e ndaluar për shqiptarët. Gjatë gjithë kufirit, me përjashtim të vendeve me të vërteta të thepisura, ngrihej një mur me tela me gjemba e me korrent. “E kisha për detyrë të importoja çdo vit 12 mijë ton tela me gjemba që përdoreshin për klonet”,-depononte në hetuesi një nga ish ministrat e Tregësitë së Jashtëme të regjimit komunist.

Në Shqipëri, kishte edhe kufij të brendshëm, që ruheshin nga ushtria, si urat mbi Mat në Veri dhe mbi Vjosë në Jug, apo në qafën e Llogorasë pas Vlorës, ku kishte posta kontrolli. Askush nuk mund të qarkullonte lirisht dhe në rast se doje të udhëtoje, duhej të pajiseshe me një leje nga ndërmarrja ku punoje dhe e miratuar nga Dega e Punëve të Brendshme. Për argumentimin e mjerimit e të vetizolimit, që ishte precedenti i krimeve të diktaturës, po ia lë komentet analistëve e historianëve të ndryshëm. Për të siguruar mbarëvajtjen e revolucionit të trefishtë antikombëtar, antikulturor dhe antiekonomik, Enver Hoxha e izoloi plotësisht vendin nga pjesa tjetër e botës. Shqipëria u bë Tibeti i Europës.

Për argumentimin e mjerimit e të vetizolimit, që ishte precedenti i krimeve të diktaturës, po ia lë komentet analistëve e historianëve të ndryshëm. Për të siguruar mbarëvajtjen e revolucionit të trefishtë antikombëtar, antikulturor dhe antiekonomik, Enver Hoxha e izoloi plotësisht vendin nga pjesa tjetër e botës. Shqipëria u bë Tibeti i Europës. Rreth e rrotull vendit ekzistonte një “zonë kufitare” nga 1 deri në 2 kilometra, e ruajtur nga ushtria dhe e ndaluar për shqiptarët. Gjatë gjithë kufirit, me përjashtim të vendeve me të vërteta të thepisura, ngrihej një mur me tela me gjemba e me korrent. Në Shqipëri, kishte edhe kufij të brendshëm, që ruheshin nga ushtria, si urat mbi Mat në Veri dhe mbi Vjosë në Jug, apo në qafën e Llogorasë pas Vlorës, ku kishte posta kontrolli. Askush nuk mund të qarkullonte lirisht dhe në rast se doje të udhëtoje, duhej të pajiseshe me një leje nga ndërmarrja ku punoje dhe e miratuar nga Dega e Punëve të Brendshme.

Enver Hoxha i kishte caktuar popullit shqiptar detyrën e vështirë por “të lavdishme të ndërtonte socializmin”, së fundit edhe me forcat e veta. T’i shmangeshe këtij misioni, ishte një dezertim i dyfishtë: Çdo shqiptar që në kohën e Enver Hoxhës orvatej të largohej nga vendi, tradhtonte atdheun dhe idealet e socializmit. Ai merrte një dënim që shkonte nga dhjetë vjet kamp pune, deri në vdekje. Tekstet e ligjeve i quanin këto shkelje, “arratisje”. Megjithatë, çdo vit disa shqiptarë nga persekucioni e mjerimi, e ndërmerrnin një veprim të tillë.