Prof.Asc.Dr. Agron AGOLLI/ Gora dhe kontributi i saj gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare (LANÇ)

1220
Sigal

Fillimet e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të organizuar në vendlindjen tonë nisën në ditët e vështira të Prillit 1939

U mbushën 70 vjet nga përfundimi i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të vendit tonë, të zhvilluar në kuadrin e Luftës së Dytë Botërore, të 70 vjetëve në liri të krahinës sonë, por nderimi i mbarë gorarëve dhe historiografisë për qëndresën dhe kontributin e çmuar në këtë ngjarje, nuk ka reshtur për asnjë moment. Edhe në kohën e mendimit të lirë demokratik, shohim dhe lexojmë se për luftën dhe qëndresën e krahinës së Gorën, si për asnjë ngjarje tjetër historike, është shkruar e diskutuar mbarë e mbrapsht, por asnjëherë nuk është lëkundur bindja e popullit të saj, se LANÇ, gjaku dhe sakrifica e djemve dhe vajzave gorare, për fitoren e saj, ka qenë e rëndësishme dhe shpëtimtare për fatet e vendlindjes dhe ardhmërinë e tyre.

 Natyrisht ajo hodhi shtat mbi truallin e  mbrujtur me traditën e lashtë luftarake të të parëve tanë kundër pushtuesve të huaj të egër që shkelën viset tona, nga romakët në vitin 229 para erës së re, hunët rreth vitit 441, sllavët pas rënies së Perandorisë Romake deri në vitin 1020(të cilët brigjet e lumit Devoll i zgjodhën si vende të përshtatshme), serbët në gjysmën e dytë të shekullit të 14-të (barbaria dhe gjurmët shkombëtarizuese, të cilëve i hasim edhe sot në emrat gjeografik të  shumë vendeve e fshatrave) e deri tek pushtuesit e kohëve modernë të Luftës së Parë e të Dytë Botërore.

Në këtë përvjetor ne ja rritim vlerat Krahinës sonë kur theksojmë me argumente të vërtetën historike se në këtë hapësirë gjeografike me përmasa 27 km veri-jug dhe 20 km lindje perëndim, në prag të Luftës së Parë Botërore, përplaseshin  6 ushtri të huaja (grekët, francezët, austro-hungarezët, serbët, bullgarët e maqedonasit fqinj) dhe lugina e lumit tonë ishte si vijë fronti.

Fqinjë shovenë e mbretër përtej detesh i ranë brinjë e tërthor hapësirës gorare, veri jugë e lindje-perëndim, por bijtë e shpatës dhe pushkës gorare i detyruan të  iknin përsëri të coptuar e shpartalluar, pa zulm e famë andej nga erdhën. Gora dhe gorarët tashmë më me përvojë luftarake, mbetën gjithmonë atje ku i lanë trashëgim të parët, me rrënjët ngulur thellë  në truallin luftarak stërgjyshor, për të përballuar sfidat e tjera të historisë.

Shumë ngjarje e bëma janë zhvilluar në viset tona por Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare (LANÇ) përbën faqen më të ndritur të historisë së krahinës. Duhet të mos e harrojmë se edhe lufta e bijve të Gorës, pavarësisht nga formacioni ku bënin pjesë, i kontribuoi luftës çlirimtare të vendit për t’u bashkuar me aleatët[1], me koalicionin antifashist, me fitimtarët, me ata që ndihmuan në shkatërrimin e makinës nazi-fashiste dhe ndërtimit të një Shqipërie të re apo Europe  demokratike e paqedashëse ku duam të aderojmë sot.

70 vjetori i çlirimit të krahinës së Gorës, në kontekstin e LANÇ, dhe Luftës së Dytë Botërore, duke qenë një jubile i rëndësishëm, i luftës së madhe të popujve kundër pushtuesve nazifashistë, le të kujtojë për bijtë e Gorës faktin  se, kjo luftë thithi në orbitën e saj 61 shtete me 1 miliard e 700 milionë njerëz, afërsisht 80% e popullsisë së gjithë kontinenteve. Në formacionet luftarake u rreshtuan 110 milionë njerëz, e shtrirë nga Atlantiku në Paqësor, duke shkaktuar më shumë se 50 milionë njerëz të vrarë[2].

 

Ta themi me krenari për brezat që vinë se fillimet e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të organizuar në vendlindjen tonë nisën në ditët e vështira të Prillit 1939, kur okupatorët fashistë italianë, pas pushtimit të Shqipërisë, shkelën mbi vendlindjen tonë. Urrejtjen dhe akuzën ndaj administratës shtetërore të shitur dhe aktit tradhtar që i bëhej vendit, populli i krahinës së Gorës e shprehu me vargjet e mëposhtme:

39 mos ardhsh  kurrë

Se na rrëzove flamurë.

Dhe ju o ministrat tanë

Harram e paçi paranë

Që na i shitët vatanë.

Janë vitet 1940, kur Gora dhe gorarët, ndër viktimat e ditëve të para të pushtimit fashist, u përleshën hapur me fashistët italianë të cilët pas agresionit fashist të 7 prillit 1939, nisën fushatën e arrestimeve, burgosjeve e internimeve në masë. Në një kohë të tillë të rëndë e trishtuese, gorarët, jo vetëm që nuk e humbën torruan, por rritën më tej  ndjenjën krahinore e atdhetare, kundër fashizmit. Tua bëjmë si më  1920-tën, thoshin edhe gorarët në gjithë tubimet e mbledhura, Moçan, Maliq, Pirg, Mali i Thatë, Pretushë, Barangat e Lozhanit. Përballjen e parë demostative me karabinierët italianë, por edhe ata shqiptarë në shërbim të tyre, në Gorë e bënë të rinjtë Çelnik Pane nga Tresova, Gani Agolli nga Moçani, Shefqet Cekollari nga Tresova, Ibrahim Qose nga Qëncka, Telha Shahini nga Zvarishti e Zalo Azisllari nga Dolani, pastaj dy grupet e armatosura të Dilaver Qënckës e Rrahman Zvarishtit që ekzistonin aty, ku 5 vetë prej të cilëve u dënuan me vdekje dhe 25 me burgim e internim nga Gjykata Ushtarake e Korçës.   Aksionet e fuqishme të kryera në Pezë si dhe akti i guximshëm i djaloshit shqiptar Vasil Laçi që shtiu kundër perandorit Viktor Emanuel i III-të në mes të Tiranës, çoi peshë zëmrat e djalërisë gorare dhe shtoi bindjen se ja vlente të bëheshin sakrifica për një luftë të tillë çlirimtare. Dhe në atë kohë të rëndë pushtimi, kur Italia fashiste me aleatët e saj propagandonin me të madhe fitoren në Europë dhe vendet e lindjes, pikërisht aty në krahinën e Gorës, biri i saj më në zë Teki Kolaneci, më 27 Prill 1942, në fshatin e tij të lindjes, nge Çetën e parë Partizane e cila do të shërbente  si një bërthamë luftarake e formacioneve të tjera çlirimtare, si një limer nga do të fillonin epopenë e madhe të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.[3] Dhe të mos harrojmë që Çeta e Komandant Teki Kolanecit ishte e para në qarkun e Korçës dhe ndër të parat në Shqipëri, pas Çetës së Pezës (21 gusht 1941),Kurveleshit(1 prill 1942), Skraparit (14 prill 1942).

  Forcat goditëse ndaj kundërshtarit u rritën me krijimin e çetave të tjera në truallin e kësaj krahine, sidomos pas ndikimit të madh që pati në masën e gorarëve Beslidhja Gorare e 16.06.1942 e cila edhe sot sjell imazhin e LANÇ krahinore, fitoren mbi nazifashizmin dhe gjakun e dëshmorëve gorarë të rënë për liri. Mbledhja e 5 çetave  në Malin e Bofjes së Dusharit:  të Mokrës me Reshit Çollakun, të Skraparit me Mestan Ujanikun, të Gorës me Teki Kolanecin dhe veprimtarë nga Kolonja si dhe sulmi i përbashkët me njësitë e fshatrave të Gorës dhe Oparit, kundër armikut, do të shënonte suksesin e parë luftarak të gjërë të tyre në ditën e 16 qershorit 1942, ngjarje e cila tradicionalisht festohet edhe sot.

Mbi bazën e grupit të Rrahman Zvarishtit në fillim të tetorit në Selcë ngrihet Çeta e dytë Partizane, në Popçisht-Kucakë, kufi me Gorën, Shaban Zereci inauguron Çetën e tretë Partizane. Në fillim të dhjetorit 1942 Senishti gjëmonte nga zëri i patriotit dhe luftëtarit të njohur Xhezar Senishti që kishte krijuar Çetën e katërt Partizane, ndërkohë që në fillim të dhjetorit 1942, në Dolan, të tjerë gorarë Zalo Zvarishti e Haxhi Dolani do të lajmëronin për ngritjen e Çetës së 5-të partizane. Këtyre formacioneve do t’u shtohej më vonë edhe Çeta e gjashtë Partizane e formuar në Pirg gjatë fundit të vitit 1942 nga komandanti e patrioti i shquar Neki Dushku si dhe ajo e zonës së Malit të Thatë (çeta e shtatë) e ngritur më 16 shkurt 1943, me komandant Rakip Hoxhallarin. Kështu fundi i vitit 1942 e gjeti Krahinën  e Gorës me rreth 180-200 luftëtarë të armatosur dhe të organizuar. Pas Konferencës së Pezës (16 shtator 1942), si gjithkund edhe në krahinën e Gorës, lufta antifashiste mori përmasa më të mëdha, pasi u hodhën themelet e një fronti të gjerë, të përbashkët të të gjithë forcave patriotike e antifashiste në vend. Tani krahas patriotëve vendas, në krahinë janë të pranishëm edhe komandantë e luftëtarë nga viset e tjera të Shqipërisë e  drejtuar tashmë nga Fronti Nacionalçlirimtar. Rritja e përmasave të rezistencës së luftëtarëve të lirisë, padyshim që u ndikua në një masë të dukshme edhe nga situata ndërkombëtare dhe disfatat e njëpasnjëshme që kishin pësuar hordhitë  hitleriane në Frontin e Lindjes. Deklarata zyrtare e aleatëve të mëdhenj si Britania e Madhe, Bashkimi Sovjetik e SHBA, në dhjetor 1942… për njohjen, vlerësimin e luftës së popullit shqiptar dhe ripohimin e pavarësisë së Shqipërisë[4], çuan në fuqizimin e mëtejshëm të luftës dhe formacioneve të saj luftarake edhe në krahinën e Gorës.

Përpjekja e parë e armatosur e luftëtarëve të Çetës së Gorës dhe asaj të Mokrës, kundër fashistëve, që përbën njëherazi edhe aksionin e parë në nivel qarku të Korçës (e realizuar  në territorin e Krahinës së Gorës) e 23 gushtit të vitit 1942, është prita midis grykës së vogël të Grabovicës dhe Pretushës, ku ra dëshmori i parë i vendlindjes dhe Qarkut, Tafil Rexhepi i Pirgut dhe djali i nënës trimëreshë Pashako Selmanit[5]. Dhe ajo, siç u ka hije nënave gorare  do të thoshte:

Le të derdhet gjaku lumë

Le të bëhet hi shtëpia

Djemtë e nënës do të rrojnë

Sa të rrojë Shqipëria.

Si pjesëmarrës i ri në luftën çlirimtare, poeti ynë B.Shyti , tek poezia “Ç’më kujton”), do ta përjetonte kështu këtë moment luftarak:

 Ç’më kujton kjo grykë e vogël

Ç’më kujton Bregu-i Ohrisë

Një imazh që sjell së largu

Nga vitet e stuhisë.

 

Të dy çetat partizane

Ndezën luftën për lirinë

Në krye kishin dy trima

Dhe Reshitin dhe Tekinë

Kjo do t’i paraprinte pritës së Bellovodës e shumë aksioneve të tjera luftarake në krahinë e më gjerë, Snos, Leskovik, Kuqar të Përmetit etj..

Takimi i Lenijes i 5-6 shtatorit të vitit 1942, mbi Velçan të Gorës, forcoi akoma më shumë bashkimin e forcave luftarake  krahinore (Grupeve të armatosura, çetës së parë partizane dhe njësiteve të fshatrave), të udhëhequr nga patriot, si Mitat Strelca, Cankë Velçani, Sabri Osnati, Puçe Moçani, Mehmet Qëncka, Neki Dushku, Liko Gjyrasi, Nevruz Dushku, Demkë Dolani, duke ndriçuar më shumë rrugën e luftës gorare për liri.