Pilo Shanto: “Si na propozoi Hamit Matjani të bashkepunonte me Sigurimin e Shtetit”.

 Nga  Mark Brunga

Në vitin 2008 ish oficeri i shërbimeve sekrete shqiptare Pilo Shanto ka publikuar dokumentacione rreth radiolojrave të organizuara në mesin e shekullit të kaluar. Është një fushë me shumë jehonë ndër vite, fushë të cilën ish koloneli Shanto e ka njohur më së miri, pasi ai ka qënë ideatori kryesor që ka ndërtuar strategjitë inteligjente të mashtrimit të shërbimeve sekrete më prestigjioze të asaj periudhe. Që nga ideimi i skemave deri tek hartimi i mesazheve të komunikimit në mors me radio ndërlidhje. Si anëtar i ekipit sekret të organizimit të rradiolojës, Shanto ishte ngarkuar që të merrej me mashtrimin që do i bëhej qendrës së zbulimit të huaj. Fejzo Kasimati që do të kontrollonte agjentet radistë, Asim Aliko, përgjigjej për sigurimin e agjentëve, sidomos të radistit. Banush Goxho me krijimin e nje mjegullnaje ne terren për të mos u kuptuar arrestimi i agjentëve të parashutuar. Dhe Kadri Hazbiu, ish Zv/ministër i Punëve të Brendshëm kryesues i grupit operacional. Në faqet e librit të botuar “ Bora Filloi” del në pah fakti, ashtu sikurse e kanë pohuar edhe shume oficerë të kundërzbulimit shqiptarë, se Pilo Shanto që në atë periudhë ishte lojtari kryesor në betejën e Sigurimit të Shtetit, që ndërtonte strategjitë mashtruese te të vepruarit, si edhe hartonte tekstet e mesazheve. Si rezultat i radiolojërave të organizuara shumë diversantë që u sollën për të realizuar kryengritjen e armatosur, figura lider në emigracionin politik shqiptar, ranë në duar të sigurimit dhe u dënuar me burgime të rënda si dhe u ekzekutuan pa mëshirë. Figura më e spikatur e të arrestuarve ishte ajo e Hamit Matjanit, të cilit Allen Dalles i kishte vënë epitetin “Tigri”. I cilësuar si një nga agjentët më të mirë shqiptarë që punonte për llogari të CIA-s, Matjani kishte arritur të realizonte shumë aksione në Shqipëri për rrêzimin e regjimit komunist. Ai kishte rrealizuar rreth 26 desantime në Shqipëri. Në të gjitha rastet që ai kishte hyrë në Shqipëri, ishte futur nga toka nëpërmjet Greqisë. Herën e fundit që ai u fut në Shqipëri desantoi me parashutë nga ajri. NË vitin 1953, vetëm pak kohe pas zbarkimit në malet e Shëngjergjit në Elbasan, ai do kapej nga organet e Sigurimit pas kurthit që ata i kishin bērë me anë të radios ndërlidhëse. U dënua me vdekje dhe u ekzekutua më 14 prill 1954.

NOA

BISEDA ME HAMIT MATJANIN

Pilo Shanto ka shkruar: Biseda me Hamitin filloi jo direkt për t’i kërkuar parullën, por për të na treguar se me çfarë misioni ishte dërguar dhe udhëzimet që i ishin dhënë se si duhet t’i kryente ato. Për veprimtarinë e tij shumë të gjatë dhe të dendur në shërbim të pushtuesve fashistë gjatë luftës, dhe më pas në shërbimin sekret grek dhe amerikan nuk u pyet, sepse jo vetëm që ajo nuk ishte detyrë e Grupit operativ që merrej me vazhdimin e radiolojës, por edhe për të mos e acaruar gjendjen me të. Gjatë shpjegimeve që jepte për misionin me të cilin ishte dërguar, gjë që dihej mirë, tërhoqën vëmendjen dy thënie të tij: spiunazhet e perëndimit – tha ai – kur arrestojnë spiunë që dërgon Moska i detyrojnë të punojnë për ta, ashtu siç keni vepruar ju me Zenel Shehun, sepse në këtë mënyrë fitojnë shumë gjëra; dhe më pas gjeti rastin të shtonte: keni bërë shumë mirë që i falët jetën Ethem Çakos një kapobandë që u dërgua nga zbulimi italian më 1949 dhe që u shfrytëzua për të ndërmarrë Radiolojën “Buza e Bredhit”, sepse emigrantët shqiptarë që rekrutohen dhe dërgohen me misione këtu mësuan se nuk dënohen me vdekje, siç u thuhet nga ata që i dërgojnë, por u falet jeta nëse dorëzohen. A besonte ai se do t’i faleshin krimet e panumërta që kishte bërë? Një njeri në pozitën e tij, vështirë se do ta besonte, megjithatë nëse tentonte të arrinte diçka nuk humbiste gjë. lu tha se kjo mënyrë të vepruari është praktikë e zakonshme pune e shërbimeve sekrete, por për t’u hyrë atyre u kërkohet që agjentët të japin prova se do të punojnë pa rezerva. Ethem Çakos iu fal jeta sepse u vu plotësisht në shërbim të kundërzbulimit shqiptar. Hamit Matjani dëgjonte duke tundur kokën lehtë që më të shumtën e kohës e mbante të ulur. Dukej se vuante shumë shpirtërisht, jo se e vriste ndërgjegja për krimet e shumta që kishte bërë, por për situatën në të cilën kishte rënë papritur. Nuk ishte më “Tigri” siç e kishte nofkën, por një njeri që mendonte se si mund të gjente rrugën e mundshme për të shpëtuar kokën. Thuhet se shpresa i mban njerëzit gjallë.

Në këtë gjendje që përjetonte Hamiti iu bë pyetja: si do ta njoftoje kolonelin Xhon për gjendjen në të cilën do të gjeje agjentët që po të prisnin? Nuk u përgjigj menjëherë, u mendua pak dhe pastaj tha: Kolonel Xhoni kishte besim të madh te Zenel Shehu. Ai e çmonte shumë punën që po bënte këtu dhe, si duket, nuk i ka shkuar nëpër mend se ju po e tërhiqni për hunde. Ndoshta për këtë nuk më dha asnjë porosi për ta njoftuar si do ta gjeja Zenelin dhe shokët e tij. Iu tha se nuk po tregonte të vërtetën dhe u tregua copa e letrës që iu gjet në xhepin e xhaketës së tij kur u arrestua ku shkruhej: “Doni pushka”- “Duam harta”. Në atë copë letre – tha ai- unë shkrova atë që më urdhëroi koloneli dhe më porositi që t’ia jepja Tahir Preçit, i cili do të kthehej bashkë me ne në Greqi dhe do ta përdorte gjatë rrugës, nëqoftëse do t’i duhej kolonelit të provonte gjendjen e grupit që do të udhëtonte për në Greqi. Kjo ishte parulla dhe kundërparulla- provë nga mosnjohja e së cilës u krijua dyshimi i parë i madh. Gjatë përpjekjes për ta bindur kryeagjentin të tregonte të vërtetën iu tha se ai duhet të ndiqte rrugën e Ethem Çakos, të Zenel Shehut e të shumë kapobandave të tjerë që, megjithëse me vonesë, e gjetën rrugën që duhej të ndiqnin. Por Hamiti qëndroi në të tijën, se nuk i kishin thënë asnjë mënyrë që do të njoftonte Qëndrës se si do të gjente Zenelin dhe agjentë të tjerë që vepronin me të…

2 PILO SHANTO PËR RADIOLOJËN

Lidhur me kujtimet e tija per operacionet e zhvilluara në këtë radiolojë, Shanto gjykon: Për këtë Radiolojë është shkruar shumë nga analistë të ndryshëm të shërbimeve sekrete brenda e jashtë vendit, megjithate kam parapëlqyer ta përshkruaj atë ashtu siç është zhvilluar, prej fillimit deri në fund, me qëllim që të bëj të njohura për publikun e interesuar disa aspekte që ende nuk janë bërë publike, për të saktësuar aspekte të tjera të shmangura nga e vërteta për arsye të ndryshme dhe për të dëshmuar se kjo arritje madhore është rezultat i punës këmbëngulëse e me profesionalizëm të lartë e kundërzbuluesve shqiptarë.

Më jepet mundësia për të hedhur dritë mbi të vërtetën, sepse jam njeri prej punëtorëve operativë, që jam marrë me këtë veprim të kundërzbulimit shqiptar dhe ruaj shënime të sakta të asaj kohe. Përshkrimi i kësaj Radioloje do të dilte më i plotë nëse do të njiheshin edhe dokumentet që zbuluesit e CIA-s kanë prodhuar në atë kohë për këtë problem, sepse ashtu do të pasqyrohej më qartë si i kanë vlerësuar situatat operative në të cilat kanë ve pruar dhe çfarë i ka shtyrë të merrnin vendime të caktuara që për ne është vështirë t’i shpjegojmë me vërtetësi. Por, këto dokumente, megjithëse kanë kaluar më shumë se pesëdhjetë vjet nga koha kur janë prodhuar, ende nuk janë bërë publike. Kjo mungesë na shtyu që për sqarimin e disa çeshtjeve t’u referohemi disa analistëve të huaj që kanë shkruar për këtë Radiolojë dhe në përgjithësí për veprimtarinë e CIA-s dhe të MI-6-tës kundër Shqipërisë gjatë viteve 1949-1954, të cilët kanë mundur të njihen me ndonjë dokument parcial dhe kanë pyetur autorë të kësaj veprimtarie, shqiptare dhe të huaj.

SHANTO MBI JETËN E TIJ NË SHËRBIMIN SEKRET:

Unë punova në shërbimin sekret shqiptar, në kundërzbulim, i bindur se me veprimtarinë time kontribuova për ruajtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë, për të siguruar jetën paqësore të popullit e për të ndikuar që edhe vendi ynë, të shkëputej nga prapambetja shekullore e të futej në rrugën e qytetërimit. Duke shkruar mbi përvojën time për një operacion të vërtetë siç është ai i Radiolojës “Liqeni i Vajkalit”, jam i bindur se “përrallzat me Kim Philbi” do të mbeten vetëm mjet disinformacioni i një kategorie njerëzish që nuk e duan memorien historike të shqiptarëve. Veprimtaria ime dhe e shokëve të mi të këtij operacioni, parë nga lartësia e viteve, më bën krenar, por kjo nuk më ka penguar të shohë me sy kritik gjithë të shkuarën time. Edhe pse ishim të rinj, edhe pse ishim pa përvojë, edhe pse lufta ishte shumë e rreptë, çnjerëzore, shpresoj që, në veprimtarinë time, të mos i kem rënduar ndokujt apo t’i kem sjellë shqetësime. Nëse ka ndodhur një gjë e tillë me dikë, kam kurajon qytetare dhe nuk hezitoj të kërkoj ndjesë publike.