Një veteran si Asllan Zylyftari

881
Koha e LANÇ është fiksuar fort në memorien e Asllan Zylyftarit. Ishte adoleshent, vetëm 14 vjeç, kur vendi ishte i pushtuar nga të huajt dhe Asllani filloi të jepte të gjitha energjitë e tij rinore për atdheun. Ai punoi në terren dhe e ndihmoi aktivisht LANÇ në prapavijë, për këtë meritoi dhe statusin e veteranit të luftës. Tek Asllani rridhte gjak nga fisi i Sulejman Spatharës, fshat nga më të njohurit në Skrapar. Në këtë klimë dhe mjedis luftërash u rrit dhe u kalit Asllan Zylyftari. Nuk ishte rastësi, por vendosmëri e njeriut të palëkundur për të luftuar e çuar deri në fund idealet antifashiste. Një i ri që guxoi dhe punoi. Kudo që shkeli ka lënë gjurmë. Çdo gjë e ka fituar me vullnet dhe me punë këmbëngulëse. Simpatik, i qeshur, energjik, këto janë cilësitë e tij që e kanë bërë të dashur në shoqëri, por edhe kërkues në jetë. Trualli ku lindi është Spathara e Skraparit, i riu nga Spathara ashtu si në luftë, me pasionin dhe energjinë që e karakterizonte u desh të përballej me detyra, të cilat për nga rëndësia ishin si ato të luftës. Ai ishte sekretar i parë i Komitetit të Rinisë së rrethit Skrapar. Ai mori pjesë në krye të rinisë në aksionet e para për ndërtimin e hekurudhës Durrës-Peqin e Durrës-Tiranë. Gjatë kohës që ishte në Komitetin e Rinisë u zgjodh në forumet e PPSH në rreth. Ishte viti 1959-1960 që Asllan Zylyftari u dërgua për studime në shkollën e KOMSOMALIT në ish-Bashkimin Sovjetik në Moskë. Dhe kur u kthye në Shqipëri erdhi në Skrapar dhe në biseda intime mes miqsh tregonte i mallëngjyer duke thënë: “se si vendi tënd s’ka”. Ai midis të tjerave ka qenë dhe korrespondent vullnetar i gazetës “Kushtrim brezash”. Ai e dashuron krijimtarinë, i do e i respekton shkrimtarët e gazetarët. Kjo tregon shkallën e pjekurisë së tij. Në 1954 lidhi jetën bashkëshortore me Hydaije Zylyftarin, bije nga Verzhezha e Skraparit, lindur e rritur në një familje me ndjenja të hershme atdhetare e patriotike dhe së bashku lindën dhe rritën 6 fëmijë, 1 djalë dhe 5 vajza, të cilët vazhdojnë traditat e prindërve të tyre. Në vitin 1966, Asllani caktohet Kryetar i Kooperativës së Vëndreshës, ku qëndroi 3- vjet në atë detyrë. Me pas emërohet në ish-aparatin e Komitetit të Partisë së rrethit Skrapar, si dhe drejtues kryesor në disa ndërmarrje të ndryshme në qytetin e Çorovodës. Për merita pune Presidiumi i Kuvendit Popullor i asaj kohe e ka dekoruar me 3 urdhra dhe 2 medalje pune. Në mars 1992, Asllani doli në pension, por vetëm në formular, se ai çdo ditë ka qenë në punë. Ai aderoi menjëherë në Organizatën e nderuar të veteraneve. Ai, duke e vlerësuar Organizatën e Veteranëve si një grupim shoqëror, si një “familje” ku secili aderon me vullnet krejt të lirë, pa asnjë impenjim. Dhe Asllani e ndjeu dhe u bë pjese e kësaj organizate. E ndjeu se statuti i saj është pjese gjenetike e moralit të tij vetjak. Kështu Asllan Refat Zylyftari u bë një nga me aktivët në Organizatën e Veteranëve në qytetin e Çorovodës. Duke parë meritat e tij vite më parë, ai me të drejtë u zgjodh Zv. Kryetar i Komitetit të Veteranëve të LANÇ-it të rrethit të Skraparit, ku qëndroi në këtë detyrë shumë vite me radhë. Largimi i tij për në Durrës para dy vjetësh, bën që Organizata e Skraparit ta ndjejë mungesën e tij, sepse njerëz të tille si Asllani, i duhen Organizatës, që në çdo situatë duhet të dinë të mbrojnë idealet e shenjta të heronjve dhe dëshmorëve tanë. Asllan Zylyftari sigurisht që është njëri prej tyre. Ai ishte dhe është një intelektual bashkëpunues me qytetarët, me komunitetin, me institucionet e këtij shteti, me organet vendore. Këta janë tregues që të emancipojnë…. Asllani edhe pse jeton në Durrës prej dy vjetësh, ai kur ka data e ngjarje historike Skrapari është ndodhur aty. Kësaj i thonë të ndjesh deri në qelizë detyrën e bukur të anëtarit të kësaj organizate. Ai sot po u drejtohet 85 viteve të lindjes. Nuk tregon si i tillë, puna dhe përkushtimi do ta mbajë atë gjithmonë të freskët. Për 85-vjetorin e lindjes Asllanin do e urojnë familja, shokët dhe miqtë, por me urimet e tyre le të bashkohet dhe urimi ynë, meqenëse këtë mundësi na i jep gazeta. I urojme shokut tonë Asllan Zylyftarit, shëndet, jetëgjatësi dhe përherë të jetë luftëtar i përkushtuar si deri tani, në mbrojtje të idealeve të LANÇ! Ai në Durrës shëtit anës detit me shokët dhe ndërmend i vinë kujtimet e tij që filloi luftën, pastaj me rininë si dhe në organet e partisë dhe të pushtetit në rrethe. Dhe se fundi, një nga veteranët më të spikatur në Organizatën e Veteranëve të LANÇ, ai është simboli i së mirës. Dhe Asllan Zylyftari e meritoi dhe e miraton këtë lumturi me njerëzit, me të cilët luftoi dhe punoi.
Sefedin METHOXHA

Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf të datës 08.12.2015
Sigal