Një bisedim midis Lasgush Poradecit dhe At Fulvio Kordinjanos

1119
Nga Kudret KOKOSHI

Ka shkuar më shumë se një vit
Një mëngjes vjeshte ndodhem në Tiranë te Libraria “Argus” për të blerë disa revista të huaja. Në librari ndodhen, përveç meje, i zoti, Canco-ja, dhe një djalosh ezmer melankolik, që mundohet të thëthijë një cigare. Pas pakë hynë dhe një prift katolik që, pas veshjes së tij, kujtoj se është pjesëtar i Urdhrit të Jezuitëve. Canco-ja e përshëndet, kurse “djaloshi ezmer e melankolik” me sjelljen e tij tregon se nuk ka njohje me jezuitin. Unë, në këmbë, po shfletoj një revistë italiane. Midis Cancos dhe “djaloshit” hapet një bisedë, kuptimin e të cilit unë s’e kap dot tërësisht, por, me sa kuptoj, argu¬menti që rrihet është mbi materialitetin dhe banalitetin e kësaj jete. Por ja që “muhabeti” bëhet i tërheqës nga ndërhyrja e fetarit që me një nënqeshje të hollë, ironike i thotë Cancos duke iu drejtuar djaloshit: – Zotnija qenka shumë praktik! Heshtje. Cigari hidhet për dhe dhe shtypet prej këmbës nervoze të “djaloshit; fytyra e tij mvrejtet e trishtuar; syt e zi dhe të thellë shkëlqejnë, kurse buzët kanë një të dridhme të lehtë dhe të shpejtë. Unë vështroj i habitur, Cancoja e paraqet: – Lasgush Poradeci — At Fulvio Kordinjano. Të dy emrat tingëllojnë fort. -Ah, ju jeni Lasgush Poradeci? Gëzohem, gëzohem tepër, thotë At Fulvio Kordinjano. Lasgushi përgjigjet me një shenjë koke. Unë kam lënë revistën dhe, në këmbë, vështroj dhe dëgjoj, i tërhequr nga fama e personazheve që kam përpara dhe nga vlefta e bisedimit që paramendoj se do të zhvillohet midis tyre. Dhe nuk gabohem. At Fulvio Kordinjano flet: -Unë jam tepër i interesuar për literaturën e Atdheut t’uaj. Kam bërë disa studime t’imta mbi poetët e Shqipërisë; kam hartuar një fjalorth shqip, dhe tash jam tue pregatit një histori mbi literaturën shqiptare, sepse ajo e fundit, shkruar prej Petrottë-s, ka shumë të meta, dhe prandaj është e pa vlefshme. Unë, në këto vjet që ndodhem në Shqipëri jam munduar të mësoj gjuhën tuaj, dhe sot e zotëroj në të gjitha hollësirat e sajë. Me gjuhë të ngadalshme dhe me një tingëllim pak ekzotik dhe t’ëmbël, At Fulvio Kordinjano flet pa i prerë njeri fjalën. Kur pushon, Lasgush Poradeci i drejtohet atij: – Më epni leje të flas për tre minuta? Dhe Lasgushi foli: -I nderuari Zoti Kordinjano, më falni, por unë s’ di të shprehem në gjuhë fetare, më dëgjoni. Ju në një koment kritik që keni bërë mbi poemën “Skënderbeu” të Naim Frashërit, keni thënë se ky poema është artistikisht i pavlefshëm; keni thënë se vargu i përdorur në atë poemë është shtatë rrokshi; që ë-ja në shqipe është e pa pronunçueshme dhe s’formon rrokje; keni thënë se e vetmja pjesë e vlefshme e atij poeme është ajo kur në armëpushim Heroi ynë vendos dhe martohet. Por prapë keni shtuar e thënë se edhe këtu bukuria e artit humbet nga shkaku i ndjenjës së qelbët të dashurisë që dominon në shpirtin e Heroit!!! Oh, z. Kordinjano, sa gabime, sa gabime! Poema “Skënderbeu” e të madhit Naim Frashëri përmban thesare artistike të paçmuarshme që çdo shpirt shqiptari dhe intelekt artisti lehtazi e zbulon! Poema “Skënderbeu” o zoti Fulvio Cordinjano, nuk është shkruar në shtatë-rrokshin, por në tetë, sepse vargu epik shqiptar është tetë- rrokshi, dhe ë-ja në shqip ka foni të plotë. -Oh, këtë nuk e dija, ia pret At Fulvio Kordinjano, me zë të hollë dhe të …. turpëruar. -Ju e cilësoni, vazhdon me rrëmbim Lasgush Poradeci, ndjenjën e dashurisë të qelbet!!! Por nuk e dini, o Zoti Fulvio Kordinjano, që dashuria është ajo ndjenjë sublime dhe hyjnore që lumturon njerinë? Nuk e dini që dashuria është hovi kozmik që u jep jetë jetëve? Nuk e dini që pa ndjenjën e dashurisë ekzistenca jonë është e varfër dhe e kotë? Nuk e dini që dashuria është dielli i shpirtit? Nuk e dini se po të mungojë dielli shuhet çdo krijesë? Oh, qysh nuk e dini, o z. Kordinjano, që Krishti i Juaj vet ka thënë: Shumëzohuni. Kjo fjalë a nuk mbërthen në kuptimin e thellë të saj gjithë shprehjen më të lartë të da¬shurisë? Nga goja e Lasgush Porade¬cit rrjedhin me një harmoni të ëmbël fjalët. Lasgushi është më këmbë i skuqur në fytyrë, i nxehur, me sy që shkëlqejnë. Unë e pashë atë ditë; unë u ekzaltova nga fjala e Poetit dhe e Shqiptarit! At Fulvio Kordinjano, i tronditur, i mundur pëshpërit: – Nuk mundë t’u përgjigjem. Dhe djaloshi ezmer, melankolik, vazhdon: -Më falni, zoti Kordi¬njano, nëse u shqetësoj, por akoma do u bëj disa pyetje: – Ju keni bërë një fjalorth. Mbi ç’element u mbështetët për hartimin e këtij fjalorthi? Mbi fjalorin e Kristoforidhit? A e dini greqishten e re? Përgjigjet Ati: Jo,Jo. -Atëherë si mundet të kuptoni Kristoforidhin, At i nderuar, kur baza e fjalorit të Elbasanit është pikërisht gjuha e greqishtes së re? – Por unë di greqishten e vjetër. -Oh, jo, jo, zoti Kordinjano s’është njësoj, sepse midis dy gjuhëve ka një ndryshim të thellë ! -Ju thoni, vazhdon Poeti i Pogradecit, se po pregatitni një histori të literaturës shqiptare. Bazat ku i merrni, ç’autorë kunsultoni ? -Justin Rroten, Jung-un, Petrottë-n, përgjigjet me të shpejt Kordinjano. -A dini në se ekziston ndonjë libër tjetër mbi këtë argument? -Jo. -Më vjen keq që s’e dini, At i nderuar, dhe po ua the¬m unë. Po u them unë se në vitin 1916 një shqiptar i Italisë, i madhi si poet dhe i madhi si shqiptar, Zef Skiro, ka botuar një histori të vlefshme të lite¬raturës sonë Si mundet pra, si mundet, po u pyes, o sinjor Kordinjano, të shkruhet sot një libër mi historinë e letrave shqiptare pa njohur kontribuimin e Zef Skiro-it?… Kështu i foli Lasgush Porade¬ci At Fulvio Kordinjanos, dhe ky nuk mundi t’ i përgjigjet. Me Lasgushin foli zemra, foli mëndja e gjithë Shqipërisë, sep¬se të huajt para se të komentojnë dhe të shkruajnë për ne dhe mi veprat tona, duhet që të na njohin thellësisht, përndryshe ngjajnë ekuivoke gjithmonë në dëmin t’onë. Por unë bëj sot edhe një py¬etje: Pse, pse at Fulvio Kordinjano dhe të tjerët atje lart në Shkodër, që kanë doktrinë të thellë dhe interesohen për letrat shqiptare, pse, pyes unë, pse deri sot nuk kanë emrin e Lasgush Poradecit? Enigmë!!! Pogradec, 3 Tetor 1936

Marrë nga gazeta “Arbëria”, Tiranë, dt. 16.10.1936

KUSH ISHTE KUDRET KOKOSHI?
Kudret Kokoshi, u lind në Vlorë, më 18 shator 1908. Arsimin e mesëm dhe të lartën për Drejtësi i kreu, në Itali dhe fitoi gradën doktor i shkencave juridike. Në moshën 26-vjeçare, në vitin 1934 u kthye të shërbente në atdheun e tij. Më 1934, ushtroi detyrën e avokatit në Vlorë – Më 1936 emërohet ndihmës gjyqtar në Bilisht dhe Pogradec. Më 1939, u emërua gjykatës në Korçë, më pas në Shkodër dhe Tiranë. Më 1941, u emërua Kryeprokuror në Prizren, në atë kohë kur bashkimi i Shqipërisë me Kosovën ishte bërë një realitet. Më 28 nëntor 1942, e gjejmë në udhëheqje të demonstratës antifashiste në Prizren ku u përlesh me forcat fashiste dhe u plagos në kokë – Sapo filloi Lëvizja Antifashiste, ai u angazhua që në fillimet e saj dhe në vitin 1943, është ideologu, oratori dhe propaganduesi i Ballit Kombëtar. Në gusht 1943, është pjesëmarrës në Konferencën e Mukjes, ku u vendos bashkimi i shqiptarëve në luftë kundër nazifashizmit. Më 7 mars të vitit 1944, u zgjodh kryetar i Komitetit të Rinisë Intelektuale të Kosovës, ku anëtar ishte edhe patrioti Selman Riza. Komiteti ishte forum i Komitetit Qendror të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, kryetar ishte Bedri Pejani, formuar në shtator 1943.

– Për këtë aktivitet antifashist, në maj të vitit 1944, ndërsa ishte duke ushtruar veprimtarinë për forcimin e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë dhe luftën kundër bishës nazifashiste, u arrestua nga Gestapo gjermane dhe u internua fillimit në Prishtinë dhe më pas në kampin shfarosës Mathauzen, prej nga u lirua në muajin dhjetor 1944, u kurua nga sëmundjet në Grac të Austrisë dhe me gjithë se ju propozua të bënte karrierë në perëndim, ai ashtu si në vitin 1934, preferoi të kthehej në atdhe dhe t`i shërbente atdheut të tij. Sapo erdhi në Shqipëri, më 5 qershor 1945, komunistët e arrestuan dhe e dënuan me vdekje si udhëheqës i Ballit Kombëtar, më pas me vendimin e datës 1 tetor 1945, dënimi ju kthye në 25 vjet. Vuajti dënimin në burgun e Burrelit dhe u lirua më 25 dhjetor 1964, pas plot 19 vjetëve. Kudret Kokoshi është shquar edhe si aktivist shoqëror, futbollist me skuadrën e Vlorës, kritik letrar, përkthyes dhe poet. Në fushën e kritikës duhet përmendur “Antologjia e letërsisë shqipe”, përkthime nga shqipja në italisht të autorëve përfaqësues të letërsisë shqipe. Specialistët që kanë lexuar përkthimet e tij nga shqipja në italisht kanë deklaruar se më tepër rëndësi ka përkthyesi se sa vetë autori. Poezitë e tij mësoheshin përmendësh nga të burgosurit e burgjeve komuniste. Reshat Kripa, me të drejtë e ka cilësuar atë poet i heroizmit kombëtar. Personalitete të shquara si Klara Kodra, Jup Kastrati, Gjergj Zheji, Koçi Petriti, kanë botuar antologjinë ”Studim për autorë të ndaluar”. Në këtë vepër ndërmjet emrave të shquar të Gjergj Fishtës, Faik Konicës, Ernest Koliqit etj., autorët rendisin edhe emrin e Kudret Kokoshit, si një poet të lindur dhe atdhetar. Resmie Kryeziu, studiuese në Institutin Albanologjik të Prishtinës ka botuar veprën ”Yje të pashuar të viteve 1930”, (ose Iluminizmi shqiptar). Autorja merret me mendimin kritik të viteve ‘30. Ndërmjet emrave të shquar të Mehdi Frashërit, Gjergj Fishtës, Mid’hat Frashërit, Branko Merxhanit, Lasgush Poradecit etj. autorja rreshton edhe emrin e Kudret Kokoshit. Enver Muhametaj, në vitin 2009, botoi veprën ”Mendimi letrar shqiptar 1939-1944”, autori ndërmjet emrave të shquar të kësaj periudhë analizon edhe veprën e Kudret Kokoshit. Në vitin 2012, doktori shkencave ekonomike Bujar Leskaj botoi veprën ”Muzat e qëndresës”. Autori analizon, veprën e të persekutuarve politikë dhe ndërmjet tyre ai shquan dhe dallon Kudret Kokoshin. Në nderim të veprës së Kudret Kokoshit, autoritetet e Vlorës kanë miratuar dhe japin çdo vit çmimin ”Kudret Kokoshi”, për përkthyesin më të mirë të rrethit të Vlorës. Në vitin 2008, 13 çmime në fushën e kulturës u sponsorizuan nga Dr. Bujar Leskaj. Kudert Kokoshi u nda nga jeta, më 26 prill 1991. 

CILI ISHTE FULVIO KORDINJANO (1887 – 1952). 
Jezuit italian. Studioi filozofi dhe teologji dhe u diplomua në vitin 1911. Në vitet 1912-1916 ishte në Shkodër, ku dha mësim në shkollën lokale. Më 23 dhjetor 1918 ai u shugurua prift. Pas shugurimit ai vazhdoi studimet në Çeki, Irlandë dhe Belgjikë. Më 1921 ishte në Romë, ku punoi për një vit në revistën Civiltà Cattolica. Në 1924 ai u kthye në Shkodër, ku studioi letërsi dhe filozofi. Në vitet 1926-1941 udhëhoqi aktivitetet misionare në veri të Shqipërisë, duke studiuar folklorin dhe zakonet e popullsisë lokale. Në 1942 ai u kthye në Itali dhe ka punuar në Padova, Palermo dhe në fund të jetës në Gorizia. Arritjet shkencore janë përkushtuar kryesisht për punën e gjuhës shqipe dhe folklorit, si dhe një fjalor italisht-shqip.

Përgatiti për gazetën: Enver MEMISHAJ
Sigal