Niazi Nelaj: Si u bë elektriçistri Mustafa Çiçi, pilot i avionëve

98
Sigal

Mustafa Çiçi elektriçisti që u bë pilot i shkëlqyer  i avionëve gjuajtës- bombardues.

-Dy udhëtimet e tij me anijen Krimea, i kujtonte si ditë përbetimi për atdheun.

Me helikopterin legjendë të tipit Mi-4 ai ju gjend shqiptarëve në ditët më të ëvshtira

Niazi Nelaj

Për më se 30 vjet, Mustafa Çiçi la gjurmë të pashlyera në kaltërsitë e qiellit shqiptar, për të mbrojtur trojet e të parëve dhe për t’ju gjendur pranë njerëzve në nevojë. Mustafai shërbeu me aftësi e me përkushtim duke e radhitur veten në elitën fluturuese dhe në tribunën e më të mirëve si njeri.

Mustafa Çiçi u lind në qytetin e Libohovës, më 21 shkurt të vitit 1935, në një familje atdhetarësh të zjarrtë. Me baba Hajdarin dhe me nënë Hajrien, Mustafai u formësua e u kalit me ndjenjat e atdhedashurisë, si shqiptar flakërime.

Kur sapo kishte mbushur moshën gjashtë muajshe, ai mbeti bonjak nga i ati e u rrit mes vështirësive e ngushtësisë ekonomike nga nëna burrëreshë dhe nga fisi i tij. Fëmijërinë dhe adoleshencën Mustafai nuk i pati të lehta, por përmes tyre ai u formësua e u kalit me tipare të qenësishme të karakterit e u bë një njeri për së mbari. Tek i biri bonjak, nënë Hajria dhe rrethi i tij familjar e ai shoqëror ngulitën frymën komunitare, bujarinë e shpirtit, dashurinë për jetën e për tjetrin, të qenit i ndershëm e i drejtë , çiltërsinë dhe virtyte të tjera të larta. Mustafai, përmes vuajtjeve e sakrificave çoi më tej e ngjiti më lart zgjuarsinë natyrale të genit e u rrit një djalë i dashur, i mençur e gojëmjaltë. Trimërinë dhe burrërinë i kishte në sua, ndaj, kur u bë madhor, përzgjodhi udhën e trimave.

Jeta e re në Tiranë dhe avancimi në moshë zgjuan tek Mustafai ndjenjën e përgjegjësisë për të ndihmuar sadopak familjen ekonomikisht, si më i rrituri i fëmijëve të mbetur pa baba. Pa mbushur 18 vjeç, ai nisi punë si elektricist dhe vazhdoi shkollën pa shkëputje nga puna. Mes punëtorëve Mustafai shumoi tiparet e mira e u bë burrë me burrëri.

Në gusht të vitit 1956, së bashku me një grup djemsh azganë si vetja, me anijen Krimea, Mustafai lundroi drejt Bashkimit Sovjetik ku mësoi e u bë pilot gjuajtës- bombardues. Në grupin e pilotëve ku bënte pjesë ishin: Kostandin Sadikaj, Avdi Gjonmemaj, Kapo Selmanaj, Nehar Jazexhi, Naun Todo dhe Dalip Shabanaj. Si më i miri në teori e në praktikë dhe si artikulues i përkryer i gjuhës ruse, Mustafai u përzgjodh përgjegjës i grupit dhe e përfundoi shkollën me tregues të shkëlqyer, duke merituar gradën e togerit.

Në vitin 1959, po me anijen Krimea Mustafai dhe shokët e tij u kthyen në atdhe. Ai u emërua komandant çifti në Regjimentin Peza, një rast i rrallë ky. Dy herë u caktua në detyrën e instruktorit të teknikës së pilotimit në Shkollën e Lartë të Aviacionit në Vlorë, së bashku me pilotët e elitës fluturuese të vendit, përkatësisht: Azbi Seranaj, Bardhosh Hasanaj e Mahmut Hysa, të përzgjedhur si mjeshtër të pilotimit, pilotë të qetë, në tokë e në ajër, të shquar në artin e komunikimit, kuadro me edukatë e me kulturë të shëndoshë. Mustafai u bë një metodist shumë i mirë e përgatiti pilotë cilësorë si: Koço Biku, Roland Sofroni, Thanas Papa, Stillo Melica etj.

Më 21 qershor të vitit 1963, Mustafai e lidhi jetën me fisniken Shpresa nga radhët e bluzave të bardha. Ata, në çift sollën në jetë 3 djem, përkatësisht: Gencin, Arbrin dhe Bleronin si dhe të vetmen vajzë, Rudjanën. Të katërt u rritën e u formësuan me virtytet dhe me edukatën që u dhanë prindërit e u bënë njëri më i mirë se tjetri. Si erudit e si njeri me vizion të qartë, Mustafai përgatiti dhe botoi 6 libra artistikë e biografikë në të cilët spikat qartësia e mendimit dhe pastërtia e artikulimit.

Në fundvitin 1967, kur u formua Regjimenti i Helikopterëve në Farkë, ai iu përgjigj thirrjes e u bashkua me stafin e kësaj njësie famëmadhe. Mustafa Çiçi fluturoi për një kohë të gjatë me helikopterin legjendë të tipit Mi-4, me të cilin, në pozicione të ndryshëm të hierarkisë e në kushte të ndryshme të motit u gjend pranë njerëzve në nevojë. Mustafai, praktikisht, me këtë helikopter shkeli në çdo pëllëmbë të atdheut. Zhurma dhe silueti i helikopterit, që pilotonte Mustafai u kthyen në besim e në shpresë shpëtimi për njerëzit në nevojë për ndihmë nga ajri.

Në vitin 1986 Mustafai doli në pension si pilot. Ai e ndau kohën mes Tiranës dhe Milanos, i rrethuar nga dashuria dhe përkujdesi i fëmijëve dhe bashkëshortes së përkushtuar.

Baza ajrore e Farkës

Baza ajrore e Farkës është krijuar në 6 dhjetor të vitit 1967. Zanafilla e kësaj baze është në vitin 1956, kur pilotë e teknik shqiptarë u dërguan për t’u trajnuar në ish-Bashkimin Sovjetik në Rusi, ndërsa 1957 u krijua njësia e parë e transportit ushtarak nr.5818 dhe struktura e saj organizative përfshinte një MI-4, tre MI-1, disa aeroplanë JAK-11, JAK-18 dhe PO-2. Komandanti i njësisë u emërua Peço Polena, komandant i trios së parë të MI-4 u emërua Petrit Malindi; Mersin Minxha u emërua komandant i treshes së dytë të MI-1 dhe Refit Jazo ishte komandanti i avionëve JAK-18. Më 4 shtator 1957, ishte dhe fluturim i parë. Helikopteri i pilotuar nga Peço Polena fluturoi në segmentin Tiranë-Shkodër-Tiranë. Në vitin 1967, rreth 30 helikopterë të rinj MI-4 të prodhuara në Republikën Popullore të Kinës u përfshinë në këtë njësi. Kjo njësi u emërua “Regjimenti i parë helikopter”, më 6 dhjetor 1967 dhe komandanti i saj u emërua Lulo Musaj. Regjimenti përfshinte tre skuadron e helikopterëve MI-4, një makine për riparimin e helikopterëve, pistën për heliport duke lejuar ngritjen dhe uljen e njëkohshme të helikopterëve, kazermave dhe kushteve normale për personelin, rojet dhe gjithë infrastrukturën e nevojshme për të përmbushur detyra. Baza Ajrore e Farkës ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në realizimin e trajnimeve të ndryshme ushtarake të asaj kohe, por gjithashtu ka ndihmuar popullatën në emergjenca civile, veçanërisht në rastet e përmbytjeve, zonat malore të bllokuara nga bora, tërmetet apo edhe në kohë krizash. Kjo bazë gjithashtu ka ndihmuar në trajnime të ndryshme të Forcave Ajrore, ose ushtrime të përbashkëta me forcat e njësive të tjera të Forcave të Armatosura, duke treguar cilësi të lartë dhe nivel të trajnimit të fluturimit. Për të kryer misionin e saj, personeli i kësaj baze trajnohet intensivisht për të mbajtur në gatishmëri të vazhdueshme teknikën e ajrit, për të kryer detyra të tilla si: transportimi i trupave, operacionet e kërkim-shpëtimit (SAR), shpërndarja e ndihmës ushqimore ose transportimi i pacientëve në emergjenca civile.