Mkasim Fejzulla, Kujtim Boriçi/ Ja 2 urdhërat e rrallë: I pari për hapjen e Shkollës Skëndebej, i dyti për mbylljen

Dokumentet sekrete, urdhri shtetëror për mbylljen e Shkollës së Mesme Ushtarake “Skënderbej”

 

Sigal

– Viti 1954, matura e parë e Shkollës Ushtarake “Skënderbej”

Vitet e jetës së shkollës “Skënderbej” (1945-1992)

Maksim Fejzulla

Kujtim Boriçi

 

Viti 1954, matura e parë e Shkollës Ushtarake “Skënderbej”

Udhëzim drejtuar Shtabit të Korparmatës së Parë, për t’i hequr nga ushtria partizanët me moshë të vogël dhe për t’i dërguar në shkollë!./ Datë 8 dhjetor 1944./Komanda e Përgjithshme e Ushtrisë Nacionalçlirimtare/. Shtabit të Korpusit të I-rë, Tiranë:/ Në rreshtat e ushtrisë sonë ndodhen mjaft partizanë në moshë prej 12 deri në 15 vjeç, të cilët kanë luftuar së bashku me shokët e tyre të mëdhenj. Meqenëse për së shpejti çelen shkollat dhe duke marrë parasysh se ajo kategori ka nevojë më shumë se kushdo për arsim, kjo komandë ka vendosur që t’i heqë nga ushtria dhe të interesohet t’i verë nëpër shkolla të ndryshme sipas gjendjes arsimore të secilit. Prandaj do të na paraqitni urgjentisht listat e partizaneve dhe partizanëve që përfshijnë kategorinë e mësipërme, duke shënuar në të: emrin e mbiemrin, moshën, vendin e lindjes e të banimit, repartin ku bën pjesë, vjetërsinë si partizan, shkollën që ka bërë, ku, sa klasë , kur është larguar nga shkolla dhe për çfarë arsye, Për ata që s’kanë bërë shkollë do të shënohet nëse kanë marrë pjesë në kurse analfabetizmi dhe në ç’gradë janë (kulturë) ose nëse janë krejt analfabetë. Listat e përpiluara me kujdes do të na paraqiten sa më parë, sipas reparteve që i dërgojnë, pa pritur që të vijnë të gjithë për t’i dërguar./ (Shumica e këtyre luftëtarëve të UNÇL me moshë të vogël, 12-15 vjeç, u grumbulluan në shkollën e kadetëve (shkolla ‘Skënderbej’)/ Vdekje fashizmit-Liri popullit./ Komandani i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacional-Çlirimtare/Gjeneral Kolonel Enver Hoxha/. (Firmë, vulë)

-Mbyllja e shkollës “Skënderbej”

Dokumentet sekrete, urdhri shtetëror për mbylljen e Shkollës së Mesme Ushtarake “Skënderbej”

Në dosjen sekret që ruhet në Arkivin Qendror të Ministrisë së Mbrojtjes, nr. 1 viti 1992 (Titulli i dosjes), me titull “Urdhër i komandës së repartit Nr. 2222, mbi mbylljen e aktivitetit të kësaj njësie, (me cilësime të dosjes: Afat i ruajtjes së përhershme, Sasia e fletëve 2, Filluar më 25.8.1992, Mbaruar më 25.8.1992), tekstualisht thuhet (Urdhri i plotë):

Republika e Shqipërisë/ Shkolla Ushtarake “Skënderbej”/ Nr. 127. Regj. Sekret./Tiranë, më 25.8.1992./URDHËR/ PËR MBYLLJEN E AKTIVITETIT TË SHKOLLËS “SKËNDERBEJ”.

Për të gjetur zbatim të plotë sipas afateve, Vendimi Nr. 3, datë 14.8.1992 i Këshillit të Mbrojtjes dhe Urdhri Nr. 159 datë 17.8.1992 të Ministrit të Mbrojtjes “Për mbylljen e Shkollës së Mesme Ushtarake ‘Skënderbej’,/ URDHËROJ:/ 1-Brenda datës 18.8.1992, të merren në ruajtje ambientet e shkollës nga truproja e Reparti Ushtarak Nr 2350 në Tiranë./ 2-Sektori i prapavijës dhe dega mësimore e shkollës të verifikojnë gjendjen fizike të ambienteve, kabineteve, laboratorëve dhe bazës tjetër materiale teknike dhe të dërgojë në Ministri, në Drejtorinë e Logjistikës, evidencën e materialeve./ 3-Shefi i personelit, i financave dhe dega mësimore të përgatisin dokumentacionin shkollor (dëftesat, etj,) dhe trajtimin financiar për skënderbegasit dhe brenda datës 10 shtator ti dërgojnë ato pranë degëve ushtarake të rretheve./4-Shefi i personelit dhe financës, brenda datës 19.8.1992 të dërgojnë në Ministrinë e Mbrojtjes, Drejtorinë e Personelit dhe Organizimit, listën e kuadrove ushtarakë sipas specialiteteve dhe deri në datën 15.9.1992, të përgatitet dokumentacioni për daljen në asistencë të personelit mësimdhënës dhe punonjësve civilë të shkollës./ 5-Ky urdhër të punohet me të gjithë efektivin e shkollës brenda datës 17.8.1992/ 6-Për ndjekjen dhe zbatimin e këtij urdhri ngarkohet shefi i degës mësimore dhe shefat e shërbimeve sipas përkatësisë./ KOMANDANTI/ Kolonel Petrit Malaj/ (Firma, vula)

-Viti 1954, matura e parë e Shkollës Ushtarake “Skënderbej”

Çelja e shkollës “Skënderbej” (fillimisht u quajt shkolla e kadetëve të luftës) më 28 mars të vitit 1945 me bazë 200 partizanë të moshës 14-15 vjeç që vinin nga radhët e formacioneve partizane, kishte si objekt hedhjen e bazës për përgatitjen e kuadrove të ushtrisë së re. Sipas statistikave zyrtare që gjenden në dokumentet arkivore (Arkivi Qendror i Forcave të Armatosura, dosjet e shkollës ‘Skënderbej’), për shkak se kontigjentet e para të kadetëve kishin arsimim jo të njëjtë (deri autodidaktë), edhe koha e shkollimit në këtë institucion diktohej nga ky fakt. Kështu, ata që kishin më shumë shkollim, përgatiteshin në një kohë relativisht të shkurtër dhe më pas dërgoheshin për kualifikim më të plotë në vendet aleate të pas-luftës, kryesisht në Bashkimin Sovjetik, por dhe në Republikën Federative të Jugosllavisë. Të paktë ishin ata kadetë (skënderbegas), të kësaj kategorie, që shkonin si komandantë apo punëtorë politik në repartet e ushtrisë partizane që po transformohej në një ushtri të rregullt me mision tjetër.

Referuar dokumenteve të mësipërme (Arkivi Qendror i Forcave të Armatosura), matura e parë e shkollës ‘Skënderbej’, i përket vitit 1954, Duhet sqaruar këtu që në këtë rast, nuk kemi të bëjmë me termin klasik që maturën e konceptojmë si periudhë katër vjeçare, pasi në grupin që njihet si matura e parë e shkollës “Skënderbej”, viti 1954, janë diplomuar kadetë që kanë nisur studimet në këtë institucion që nga viti 1947 e në vazhdim.

Referuar burimeve të mësipërme, ndër maturantët e parë të vitit 1954 (gjithsej 79 vetë), ndër të tjerë janë: Ali Kuqo, Eqerem Shaka, Kahreman Harxhi, Robert Hajro, Thimi Jorganxhi, Gjergj Aleksi, Enver Shehu, Filip Marga, Nuri Jaho, Gani Bejo, Kristaq Bukli, Kapllan Xhelili, Nasi Xhuveli etj… Këtyre (që janë në listën e maturantëve të parë) dhe Petrit Kola, Mihallaq Prifti, Petrit Verlaci, Irfan Bushati, Seit Shapllo, Mersin Shqypi etj, që erdhën në shkollë pas vitit 1947 e në vazhdim.

Ja dhe lista e plotë e ‘klasës unike të viteve 1947-1954, të klasës së parë unike, referuar regjistrit themeltar të shkollës: Andon Gjini, Aleko Tase, Andon Tiko, Arif Lamçe, Endor Shehu, Eqerem Shakaj, Elham Hasani, Bardhyl Meçani, Daut Memeti, Hekuran Këllezi, Fitim Plyku, Fejzi Hoxhallushi, Ilmi Shtylla, Koço Papa, Kristaq Rroko, Llambi Jovani, Llukan Thano, Kostandin Bozaxhiu, Et’hem Bakiasi, Gjergji Nikolla, Muhedin Dervishi, Mehmet Gjuzi, Meto Mersini, Pandeli Shanko, Petrit Bezine, Robert Hajro, Pavllo Thenati, Staf Doçi, Selim Hoxha, Thimi Minxholi, Shefqet Jetishi, Ylli Kolonja, Xhaferr Taipi, Vangjel Konini, Tasi Thimi, Abdulla Aras etj…

Ky grup skënderbegasish, sipas regjistrave, që ruhen në arkiva, janë vlerësuar maksimalisht si në anën edukative, përgatitjen fizike, ushtarake dhe në përvetësimin e programit mësimor. Për ‘ta, model ishte dhe influenca e shembullit pozitiv e të shkëlqyer e brezit të parë të ish-pionierëve të luftës, të përfaqësuar aq denjësisht nga skënderbegas të tillë si: Dhimo Dhaskali, Gafurr Shyti, Petrit Murzaku, Petrit Caslli, Skënder Selimi, Minush Jero, Xhemil Didi etj,. Toga e parë e kompanisë së parë e maturës 1954, që përbëhej nga 19 skënderbegas, ishte jo vetëm klasa elitë në mësime, por del që ka nxjerrë sportistë e artistë cilësor me kontribute në sportin shqiptar dhe në aktivitete ndërkombëtare. Nga gjiri i kësaj klase skënderbegasish, në përfundim të maturës (1954), Ali Kuqo, Filip Marga, Eqerem Shakaj, Gjergj Aleksi, Petrit Kola e Mihallaq Prifti, u vlerësuan me medalje ari. Ndër edukatorët e kësaj mature janë: komisari Xhemal Shehu; drejtori i shkollës Stavri Angjeli; komandanti i togës Agim Tepelena si dhe mësuesit: Pandeli Skrami,; Hajrulla Uruçi; Nermine Keta; Kadrije Kopliku; Llazar Eftimadhi; Hamdi Basha; Pranvera Qosja; Dilaver Toptani; Zyber Konçi; Orhan Pojani; Kudrete Zeko; Pandi Dini; Arqile Papadhimitri etj… Ndër mësuesit dhe komanduesit e tjerë të kësaj periudhe janë dhe: Bajram Tresova, komandant i batalionit të parë; Nasi Koroveshi, komandant shkolle, Kadri Mullaj, komandant toge; Jorgji Papagjini, komandant toge; Enver Miri, komandant kompanie; Miço Pikuli, komandant i batalionit të dytë, këshilltari rus, kolonel Sosnovski; Strati Vodica (ish-komandant shkolle, larguar në detyrë tjetër); Ferit Radovicka, komandant; Ali Rexha, komandant kompanie; Destan Hamiti, ish-partizan, komandant kompanie; Hysen Dervishi, komisar kompanie; Shefki Gripshi, komandant toge; Xhezar Eftimkiadhi, mësues letërsie; Pandeli Skrami, mësues zoologjie; Bari Kopliku, mësues historie; Hajrulla Uruçi, mësues etj…

Shumë nga skënderbegasit e maturës së parë, në vazhdim, me punën e aktivitetin e tyre u bënë oficerë madhorë, shkencëtarë, mjekë dhe profesionistë të zot në shumë fusha të tjera në ushtri dhe në jetën e vendit.

Dr. Eqerem Shakaj. Skënderbegas me medalje ari. Studioi për topografi me rezultate të shkëlqyera, kreu dhe një fakultet të dytë në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Ka qenë i vetmi topograf në Ministrinë e Brendshme dhe menazhues i situatave (incidenteve ndërkufitare) me vendet fqinje. Ndër rezultatet e tij, në krye të një grupi specialistësh nga më të mirët e vendit, është diktimi dhe denoncimi i shfrytëzimit të një galerie minerare në zonën e Kukësit nga pala jugosllave.

Luan Greva. Pas shkollës “Skënderbej”, studioi për mjekësi dhe është një nga specialistët e mirë të vendit në fushën e ortopedisë. Pjesën më të madhe të karrierës e ka bërë në spitalin ushtarak në Tiranë.

Thimi Jorganxhi. Studioi shkollën ushtarake dhe një fakultet të dytë në Universitetin shtetëror të Tiranës për topografi. Ka qenë për shumë vite kryeinxhinier në repartin e hartografisë; botues për herë të parë në vitin 1967 të “Harta e Rrjetit Rrugor të Shqipërisë në shkallën 1:3000000. Është autor i shumë studimeve shkencore të fushës dhe tejet i pasionuar pas muzikës. Në vitin 1967, ka kompozuar këngën “Marshi i Topografit”.

Mihallaq Prifti. Maturant skënderebgas i vitit 1954. Ka studiuar për reanimacion në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin Shtetëror të Tiranës dhe ka gradën shkencore ‘Doktor’.

Robert Hajro. Ka lindur në Gjirokastër më 12.09.1935, është rritur në ‘Streha Vorfnore’ dhe ka mbaruar shkollën “Skënderbej” në vitin 1954, duke qenë një nga maturantët e parë të kësaj shkolle. Ka mbaruar për topografi duke punuar në disa reparte dhe si pedagog në shkolla ushtarake. Ka botuar librat “Instrumente Topo-gjeodezike”, “Fjalë të mençura”, “Fjalë të mençura botërore”, “Gjurmë jete” dhe “Në thellësitë e shekujve”.

Gjergj Aleksi. Maturant i parë i shkollës “Skënderbej”. Është profesor i asociuar, mjek hematolog, i specializuar për sëmundjet e rrezes (bërthamore). Pjesa më e madhe e aktivitetit profesional të tij përfshin punën në spitalin ushtarak dhe pedagog në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit Shtetëror të Tiranës.

Ali Kuqo. Është maturant i parë i shkollës “Skënderbej” në vitin 1954. Ka mbaruar shkollën me ‘Medalje ari”. Kreu Fakultetin e Mjekësisë për llogari të ushtrisë. Diplomohet mjek në vitin 1962. Nga viti 1969, është pedagog i Neurologjisë në Fakultetin e Mjekësisë. Ka titullin “Asistent Profesor Doktor” dhe ka një aktivitet të gjerë shkencor bë fushën e mjekësisë. Është i martuar dhe ka dy fëmijë. Në vitin 2003, doli në pension dhe vazhdon profesionin e tij në një klinikë private.

Petrit Vërlaci. Ka lindur më 25.05.1934 në Lushnje dhe është ndër oficerët e njohur në Forcat e Armatosura. Është maturant i parë i shkollës “Skënderbej” në vitin 1954. Në periudhën 1974-1976, ka qenë drejtor i Drejtorisë Operative në Ministrinë e Mbrojtjes. Në vitin 1990, del në pension. Ndërron jetë në vitin 1991.

Filip Marga. Ka lindur më 1 janar të vitit 1938 në Delvinë. Është një nga maturantët e parë të shkollës “Skënderbej”, në vitin 1954. E ka mbaruar këtë shkollë me ‘Medalje ari”. Ka mbaruar studimet për oficer topograf dhe ka kryer detyra të rëndësishme. Ka qenë dhe pedagog e shef katedre në Akademinë Ushtarake “Skënderbej”. Është i martuar dhe ka dy vajza. Në vitin 1992, del në pension.

Petrit Kole. Është një nga maturantët e parë të shkollës “Skënderbej”, në vitin 1954. Gjatë gjithë karrierës së tij si mjek ushtarak, ka punuan në Divizionin e Pogradecit, ku në pjesën më të madhe ka qenë shef i shëndetësisë të Divizionit.

Kapllan Xhelili. Ka lindur në Borsh të Sarandës në vitin 1935. Është një nga maturantët e parë të shkollës “Skënderbej”, në vitin 1954. Ka mbaruar shkollimin e lartë dhe është titulluar oficer topograf. Për shkak të reformës, në vitin 1956, largohet nga ushtria dhe punon në sektorë civilë pranë.