Memush Habilaj: Kina na dhuroi 17,5 miliardë USD armatime

511
Sigal

DOSIER/ Flet ish-Drejtori i Laboratorit Qendror të Kimisë, z. Memush Habilaj- Kina na ka dhuruar 17.5 miliardë dollarë amerikanë armatime nga më të ndryshmet

 

– Laboratorët kimik stacioner kinez të lëvizshëm nuk i kishin fqinjët tanë

 

– Si luante me ne futboll Petrit Dumja madje duke na dhuruar dhe topa

-Në qershor 1973 ne na erdhën në repart dy makina laborator kimie nga Kina shumë moderne

-Në ushtri në vitet 1970 gjeneralët konsumonin shumë mish dhe faturën ja vinin Ministrisë

-Në vitin 1969 ishte dhënë udhëzimi që të bëheshin 3 mijë apo 4 mijë qendra zjarri në vit

-Greqia, Italia, Serbia, harxhonin shumë më shumë se ne për armatimin ,por ne binim në sy nga bunkerët

-Kostoja e një qendre zjarri për atë kohë ishte baraz me një dhomë e kuzhinë parafabrikate

-Abuzohet shumë me numrin 300 apo 400 mijë kur numri i tyre nuk i kalonte 45 mijë

Gazeta Telegraf

Sot flitet shumë për ushtrinë shqiptare.Sa e fortë ishte ajo? Çfarë armatimi kishte? Sa bunker kishte dhe sa ishte kostoja? Pse u dënua Beqir Balluku dhe a abuzoi ai me ushqimet në ushtri? Si ishte arma e Kimisë në ushtrinë e asaj kohe. Çfarë aramtimi na dhuroi Kina? Këto do t’i gjeni në këtë intervistë…Sipas z. Habilaj “Kina na ka dhuruar 17.5 miliardë dollarë amerikanë armatime nga më të ndryshmet si, tanke, avionë, anije luftarake, raketa, nëndetëse, topa tokësorë, bregdetarë, kundërajrorë, armë kimike, pra nga të gjitha llojet e armëve”.

  • Jeni ndër të paktët officerë që keni studiuar nëUniversitetin e Tiranës dhe pse ishit organikë e Ministrisë së Mbrojtjes dhe kishit trajtim të veçantë. Ku dhe si studionit? Ku i kishit dhomat e gjumit dhe kush kujdesej për ju? A ju vizitonin udhëheqësit ushtarakë? Dhe pse keni qenë ushtarak aktiv ju keni studiuar për kimi në Universitetin e Tiranës, pra si civil. Pse ndryshe nga oficerët e tjerë ?

Po është e vërtetë. Ne kemi qenë shumë pak studentë që dhe pse ishim pjesë e organikës së studentëve ushtarakë studionim në universitetin e Tiranës. Pra ndryshe nga shokët tanë në shkollën e oficerëve. Pra le të themi se ishim të privilegjuar. Ishin vitet 1969 kur Universiteti i Tiranës kishte arritur një stad të ri, ku pedagogët dhe gjithë stafi akademik kishin studiuar jashtë shtetit. Por njëkohësisht vetë ministria e Mbrojtjes tashmë në të gjitha specialitetet përveç armëve po dërgonte studentë në Universitetin e Tiranës. Kjo ishte një strategji që donte që të rritej niveli intelektual në të gjitha strukturat e MM. Ishte ky orientim i Partisë së Punës, por edhe vetë kërkesë e MM. Në UT nga MM në atë kohë shkonin studentët më të mirë të Shkollës së Bashkua , por edhe nga gjimnazet civilë, por që u kishte dalë e drejta e studimit në Shkollën e Bashkuar. Ne na akomoduan në Qytetin Studenti në godinën nr. 22. Pra godina nr. 22 edhe sot njihet si godina e studentëve ushtarakë. Kjo godinë ka qenë dhe mbetet pronë e MM. Ne në atë periudhë 1969-73 ishim rreth 200 studentë që mësonim në UT. Godina jonë ishte e veçantë, e rrethuar me kangjela. Kishte fushë sportive, kishte fushë volejbolli basketbolli. Kushtet i kishim shumë më të mira se të studentëve civilë. Kati i parë ishte kuzhina dhe administrate, ndërsa 3 katet e tjerë ishin fjetina. Në dhoma ishim deri në 4 vetë. Dhomat tona kishin të gjitha radio. Ndërsa çdo sallë studimi kishte nga një televizor  gjë të cilën nuk e kishin studentët civilë. Shumë prej tyre kur kishte ndeshje vinin e shikonin tek ne. Ushqimi ynë ishte shumë më i mirë se i studentëve, madje me latat tona u jepnim ushqim edhe miqve tanë studentë civilë. Nga MM kishte një kujdesje të madhe për ne, të gjithë donin që të arrinim rezultate të mira. Orarin ne e kishim jo si në Shkollën e Bashkuar. P.sh unë që studioja për kimi duhej të shkoja në fakultetin e Shkencave të Natyrës ndaj më duhej të çohesha në 6 e 30. Pra ndiqnim  studimet si civilë. Edhe veshjen nuk e kishim të detyruar ushtarake, nëse donim mund të visheshim civil, apo mund të them se të gjithë visheshim civilë.  Në katin e parë kishim dhe rrobaqepsinë dhe këpucarinë dhe magazinat e furnizimit. Kishim një trajtim thuajse special. Për kontroll na vinin shumë ushtarakë të lartë por më shumë nga të gjithë vinte Petrit Dumja. Ai ishte njeriu që e donte shumë futbollin, madje thuajse vinte çdo të dielë dhe luante me ne. Më të shumtën e herëve vinte me kalin e tij, që është bërë legjendë. Por ndonjëherë vinte dhe me një veturë “Vollga” jeshile që binte në sy. Ndonjëherë ne i thoshim na sill ndonjë top të ri dhe ai i thoshte adjutantit që sill 3 apo 4 topa dhe na i linte në dispozicion. Kishte një dëshirë të madhe të luante futboll. Kur luanim mbushej rreth e rrotull fushës plot me studentë dhe pedagogë. Ishin të gjithë dashamirës të futbollit. Petriti dhe pse nuk luante mirë kishte një shpirt luftarak të madh madje luftonte fizikisht shumë në lojë dhe kishte qejf kur e duartrokisnin.

  • Kur mbaruat studimet dhe ku ju emëruan? Si ishte situata në ushtri kur ju mbaruat universitetin e Tiranës?

Ishte një situatë e tensionuar. Ishte viti 1974 dhe isha me pushime në Durrës. Më lajmërojnë nga reparti se duhej të shkoja në punë dhe pse nuk e kisha përfunduar lejen. Nuk më dhanë sqarime. Shkova të nesërmen në punë dhe aty mësova se ministri Beqir Balluku ishte shkarkuar dhe kishte probleme. Filluan pastaj  llafet poshtë e lartë se ç’po bëhej në ushtri, si ishte disiplina dhe si ishte përgatitja. Por më shumë flitej se shumë nga drejtuesit e MM abuzonin me pushtetin, pra bënin shumë dreka dhe darka dhe nuk pyesnin shumë për stërvitjen. Qejfet ishin vënë në plan të parë dhe pse drekat dhe darkat në fakt shkonin në buxhet të shtetit dhe jo nga xhepat personalë të udhëheqësve të kohës. Psh! Kur doli në gjyq Drejtori i Shtëpisë Qendrore të Oficerëve, që ishte një burrë i mirë, ai deklaroi se kishte shumë shpenzime pasi drejtuesit kryesorë harxhonin shumë në raste festash, ditëlindjesh dhe faturat ja shkarkonin ministries. Madje mbaj mend njëherë në qershor 1973 ne na erdhën në repart dy makina laborator kimie nga Kina. Pra dy laboratorë të shkëlqyer të prodhimit të fundit shumë modern. Pata fatin që ta pres Beqir Ballukun dhe ta ndihmoj të futej brenda në laboratorin e makinës. Mund të them se ai laborator kimie ishte një mrekulli. Me atë u pajisën të gjitha divizionet. Në fakt këto kërkesa i kishte bërë ministri kur kishte qenë në Pekin dhe i quante suksese të tij. Balluku më bëri disa pyetje dhe unë mundohesha të isha korrekt.  Fill pas inaugurimit në Uzinën kimike pranë Shkollës së qenve, kuadrot kryesorë shkuan direkt tek SHQUP të festonin ardhjen e këtyre laboratorëve. Midis tyre ishte dhe një shoku im. Ai më tregoi se ja veshën me të ngrënë dhe të pirë sa mishi, rakia, vera dhe konjaku u doli nga hundët. Një rast tjetër ishte kur shkuam në Laç ku ishte një qendër stërvitje për studentët. Ishte një ndërtesë e madhe, e cila ishte ndërtuar enkas për stërvitjet 3 mujore që bënin studentët kur mbaronin shkollën e lartë. Beqir Balluku me disa oficerë madhorë kishte shkuar më parë dhe pastaj ia kishin futur mishit të pjekur. Ne pasi pamë ato që duhej të shikonin shkuam në mensë. Por ç’të shikonim! Në disa tryeza të bashkuara pamë togje me kocka sikur kishin ngrënë 3 batalione me ushtarë. Pyetëm kuzhinierët se ç’ishin gjithë ato kocka, ata thanë ato që kishin lënë udhëheqësit pas drekës. U habitëm.Në atë kohë ushtria kishte ekonominë ndihmëse, pra kishin bagëtitë e tyre. Me këto abuzohej. Pra shumë oficerë madhorë rronin ende me meritat e luftës.Harruan fare stërvitjen dhe e kishin mendjen vetëm tek qejfet, të ngrënët dhe të pirët. Kishte rënë interesi për stërvitjen. Madje flitej se Balluku në kundërshtim me një Vendim të Këshillit të Ministrave kishte nxjerrë një urdhër të brendshëm për MM që inventari dhe dokumentacioni i harxhimeve të ruhej vetëm një vit nga 10 vjet që e kishte VKM. Ndoshta kjo ishte arsyeja që më vonë e kryqëzuan. Pra abuzohej me ushqimin kur atë e hanin vetëm pak vetë dhe ushtarët hanin fasule dhe pinin çaj.

-Situatë e vështirë. Gjeneralë përfitues. Si rrodhën ngjarjet në ushtri në vitin e mbrapshtë?

Këto ishin disa nga ngjarjet e thjeshta, por më vonë dolën dhe gjëra të tjera. Në fakt stërvitja kishte rënë dhe kush vinte për kontroll mjafton që të pritej me mish dhe raki dhe raportohej se çdo gjë ishte  në rregull. Por më vonë dolën edhe probleme të tjera apo e ashtuquajtura “Teori e rrëshqitjes”. Ajo që u pa me sy të keq ishte se nuk ishte punuar për fortifikimin sa duhej. Pra qysh në vitin 1969 ishte dhënë udhëzimi që të bëheshin 3 mijë apo 4 mijë qendra zjarri në vit, në fakt ato sapo kishin filluar dhe më shumë mireshin me disa tunele në zona të ndryshme. Pra qendra zjarri nuk ishin ndërtuar. Kjo e ngarkoi rëndë Beqir Ballukun plus që dolën të ngrënat dhe të pirat.Nuk dihej çfarë bëhej. Shihnim me habi dhe Hito Çakon. Hitua ishte shumë i sertë. Nuk shoqërohej me këdo. Asnjëherë nuk i dolën fjalë për të ngrëna dhe të pira. Por duke u marrë me indeologjinë, me politikën e partisë në ushtri dolën se kishte materiale të huaja, që ishin kundër ideologjisë së partisë. Pra kishte shumë materiale të përkthyera dhe të botuara në shtypin ushtarak kryesisht nga lufta arabo-izraelite, apo nga ushtria sovjetike, që ishin thuajse të përhershme në këto organe. Hitua u kritikua rëndë që merret me ideologjinë e huaj në ushtrinë tonë,  kur ne duhej të propagandonim partinë dhe materialet e partisë.

  • Pas Ballukut në krye të Ministrisë erdhi Mehmet Shehu? Pse i dha rëndësi bunkerëve Mehmeti? 

Për mua bunkerët ishin pjesë e mbrojtjes. Sot flitet shumë për bunkerët.Të gjithë i quajnë faj i rëndë, faj i pafalshëm dhe që rëndoi shumë në ekonominë shqiptare. Në fakt unë do shpreh mendimin tim. Në kuadrin e luftës së Ftohtë secili shtet mendonte të mbrohej. Të gjithë shtetet që na rrethonin kishin arsenal ushtarak të madh dhe që ne duhej t’i përballonim në rast sulmi. Pra qëllimi ynë ishte mbrojtja. Greqia, Italia, Serbia, etj harxhonin shumë më shumë se ne për armatimin, por ne binim në sy pasi kishim bunkerë që i shihnin të gjithë. Pra ne harxhonim për mbrojtjen shumë më pak pasi një avion bombardues bënte sa qindra qendra zjarri. Pra ne nuk bënim dot bombë atomike, nuk blinim dot raketa ndërkontinentale, por bënim qendra zjarri. Kostoja e një qendre zjarri për atë kohë ishte baraz me një dhomë e kuzhinë parafabrikate. Por kam vënë re se abuzojnë shumë me numrin e tyre. Madje  thonë 300 apo 400 mijë. Jo numri i tyre nuk i kalonte 45 mijë. Ne ishim të detyruar t’i bënim. Por duhet të dimë që gjithë shpenzimet ishin dhuratë e qeverisë kineze. Madje të gjitha armatimet kineze ishin dhuratë.

-Sa mund të vazhdonte ndihma ushtarake kineze për afro 15 vjet?

 

Kina na ka dhuruar 17.5 miliardë dollarë amerikanë armatime nga më të ndryshmet si, tanke, avionë, anije luftarake, raketa, nëndetëse, topa tokësorë, bregdetarë, kundërajrorë, armë kimike, pra nga të gjitha llojet e armëve. Depot tona ushtarake ishin mbushur me armatim  të përditshëm dhe rezervë për disa vjet luftë. Për çudi çdo avion, raketë, anije që vinte në arkë kishte dhe faturën. Në kohën e demokracisë kur shkoi z. Serreqi në Kinë dhe pyeti për këtë çështje ata i thanë: Ishin dhuratë, por duhej të dinim se sa ju jepnim. Llogaria mbetet llogari.

 

– Po ndihma në armët kimike si ishte? A ishin armatime dhe municione moderne të kohës? Ku janë sot?

-Kina na ka dhënë armë kimike më shumë , apo më mirë të themi të gjitha armët kimike, që kishte ushtria jonë ishin dhuratë e Kinës. Dy herë kanë ardhur ndihma me armë kimike më shumë, njëherë në vitin 1963 dhe në vitin 1973. Mund të them se laboratorët kimikë stacioner dhe të lëvizshëm ishin tepër modernë. Mendoj se nuk i kishin fqinjët tanë. Ata edhe sot mund të ishin shumë efikas, por nuk e si se çfarë u bë me ta. Ata duhej të ruheshin, duhej të ishin në gjendje pune pasi sot nuk i blen dot.