Lufta e rëndë e Tendës së Qypit

1491
Sigal

75-vjetori i betejës së Tendës së Qypit

Kjo bisedë me veteranin e nderuar Xhaferr Peçi, është zhvilluar para tre vjetëve. Po e botojmë si një homazh për këtë partizan e kuadër i Brigadës I Sulmuese, pjesëmarrës në betejën e Tendës së Qypit, i cili u nda tragjikisht nga jeta 20 ditë më parë.

Shumë gjak është derdhur për lirinë e këtij vendi kundër fashistëve italianë, nazistëve gjermanë dhe bashkëpunëtorëve të tyre tradhtarëve të Atdheut, ballisto-zogistë. Kështu e nis bisedën luftëtari e komandanti trim, Xhaferr Peçi. E pas 7 dekadash e ca, edhe më legjendare ngjan ajo epope e lavdishme popullit shqiptar. Ky popull i vogël shkroi histori të madhe, bëri heroizëm të jashtëzakonshëm. Pallavrat që thonë ballistët e pinjollët e tyre, në këta 25 e ca vjet, se edhe ata na paskan luftuar për çlirimin e Shqipërisë janë gënjeshtra e mashtrime, ata asnjë pushkë nuk shkrehën për liri, po, kundër partizanëve e kundër popullit i shkrehën pa hesap, të gjitha. Prandaj është më mirë të ulin kokën e të fshihen se sa të gënjejnë veten e popullin. Mashtruan e gënjyen para 70 e ca vitesh e po mashtrojnë përsëri. Po ja, mo, le të na thonë ballistët një betejë, një aksion që kanë bërë kundër gjermanëve… Po ku ka? Asnjë? Ata vetëm spiunonin e udhëhiqnin nazistët e u tregonin ku luftonim ne partizanët… Betejat e luftën e bënë partizanët e populli ynë i pavdekshëm.

Këto ditë do të përkujtohet Beteja e Tendës së Qypit. Ju kini marrë pjesë direkt në të, mund të na i përshkruani?

– Ku përshkruhet një betejë si ajo? Me dy fjalë: Ishte Luftë e rëndë… S’e them unë e tha populli që sa mbaroi Lufta:

Tendë e Qypit, moj Tendë,

ç’e pate luftën të rëndë

Çdo luftë është e rëndë,

por ka të rëndë e të rëndë

 Eh, ç’luftë e rëndë u bë…

Mund të kujtojmë edhe një herë historinë e saj, se edhe brezi i ri është keqinformuar për luftën këto dy dekadat e fundit. Shkurt, pse u bë beteja e Tendës së Qypit?

-Kini të drejtë, po ne veteranët nuk kemi reshtur së thëni e së mbrojturi të vërtetën dhe do ta themi sa kemi frymën gjallë. Kthehemi te Tenda e Qypit… Nazistët gjermanë në Dimrin e vitin 1943- 44 u hodhën në sulm, me Operacion, kundër UNÇSH për të larë hesapet. Po s’i lanë dot. Bënë shumë aksione e operacione, me emra të koduar e të stërkoduar, po pushka partizane ua zbërtheu… E nisën me operacionin “Seydlitz” në Korçë e Berat. Bënë masakra të mëdha të mbështetur nga ballistët. Operacionin e vazhduan në Jug në zonën midis lumenjve Vjosë e Drino. Mendonin të shuanin zjarrin e Luftës në Jug se qe ngritur i tëri, se Veriun mendonin se e kishin në thes. Opingat kishin… 2000 ushtarë nazistë të Divizionit 100-të, me një farë “Grupin luftarak verior” hodhën në sulm 3 batalione naziste në 3 drejtime. Synimi: Më 22 janar, duhet të ndodheshin në Këlcyrë e Përmet dhe më 25 janar do të hidheshin ne mësymje. Brigada I S. mori një letër nga shokë të Shtabit te Përgjithshëm nga qarku i Korçës që mbante datën 11 janar, ditën kur filloi operacioni armik ne atë qark. Në letër kërkohej që brigada te dilte ne Potom të Skraparit, të merrte lidhje me Shtabin e Grupit te Korçës dhe me komandën e Brigadës IV për të bashkërenduar veprimet. Komanda e brigadës nisi menjëherë drejt Potomit dy batalione të saj, I dhe III, që ndodheshin në Dëshnicë të Përmetit. Me Batalionin e 3-të u nis dhe komandanti i Brigadës Mehmet Shehu, i cili u tregua një strateg i vërtetë, për fitoren. U nis nga Ballabani për në Vëndreshë rreth orës 11.00 të 20 janarit 1944. “Me çdo kusht duhet kapur maja e Tendës së Qypit”, tha Komandant Mehmeti. “Armiku nuk duhet të kapte Tendën e Qypit.”

Kaq e rëndësishme ishte kapja e majës?

-Në Luftë për një minutë humb një betejë. Shpejtësia luan rol të dorës së parë. Kapja e majës së Tendës së Qypit nga gjermanët do të vinte në duart e tyre çelësin për të dalë menjëherë në Këlcyrë e në Përmet dhe ne do ta kishim davanë e humbur. Për të ngjitur në majë duhej jo më pak se gjysmë ore. Ishte një garë e çuditshme mes nesh dhe gjermanëve për të kapur majën e Tendës. E kam si tani përpara syve atë ditë. Ishte kohë e ftohtë, acar, por e kthjellët. Ishte një e përpjetë e madhe që na mori shpirtin. Rreth orës 14.00 pararoja kishte dalë në qafë përmbi Vendreshë. Ajo njoftoi përnjëherësh se nga e djathta dëgjoheshin të shtëna pushkësh e mitralozash. U shtrua shpejtësia e marshimit dhe pas disa minutash i gjithë batalioni kishte zënë brigjet në të dyja anët e Qafës.

Po nazistët?

-Kishin diktuar lëvizjet tona dhe ata qëllonin me artileri e mortaja vendin rreth e rrotull. Por s’na e ndalën dot ecjen. Nuk ecnim po vraponim megjithëse e përpjeta ishte tepër e thepisur. E zumë majën përpara se atë ta kapnin nazistët.

Ç’ndodhi pastaj?

-Vjen Zylyftar Veleshnja, komandant i Grupit të Skraparit dhe zv/komandant i shtabit të qarkut të Beratit e na njoftoi se dyqind e ca partizanë të Grupit te Skraparit kishin 3-4 orë qe luftonin kundër gjermanëve që kishin hyrë në Veleshnjë dhe po sulmoni drejt Tendës së Qypit prandaj kërkuan ndihmë për ta ndalur. Komandanti i Brigadës kur batalioni ishte ngjitur në Tendën e Qypit, e kishte përpunuar planin e sulmit menjëherë dha detyrat për veprim. Nazistët po ngjiteshin përpjetë drejt Tendës në formacion luftimi. Mehmet Shehu dha shenjën e sulmit. Gjer në qielli u dëgjua ta-ta-tia e borisë dhe thirrja: “Përpara partizane!», «Në sulm Brigada I”! Asgjë s’mund ta ndalte më vrullin tonë. Pas tri-katër minutash flakëm mbi nazistët bombat e para të dorës. Vendi ishte krejt pyll me dushk e me shkurre. Tymi e flaka mbuloi çdo gjë. S’merrej vesh më ku ishin tanët e ku ishte armiku. Gjendja u bë lëmsh. Filluam përleshjet trup me trup. Tingujt e borisë s’kishin te pushuar. Ajo na jepte zemër… Por papritmas heshti… Borizani Haki Kapaj, qe plagosur në qafë. Plumbi i kishte dalë tejpërtej, por fytin s’ia kishte prekur. S’kaloi shumë dhe boria zuri të lëshonte përsëri tingujt e saj të zjarrtë. Borizani bllokoi me gishta plagën të mos i rridhte gjak… dhe me dorën tjetër mbante borinë, që i frynte me sa fuqi kishte.

Pati të vrarë?

-Nuk ka gjë më të dhimbshme kur në betejë sheh të vritet shoku! Nazistët ngulmonin të kapnin një kodrëz, Kokojka i thoshin. Për atë u zhvillua një dyluftim i paparë. Vetë komandanti i batalionit, si dhe komandanti i një kompanie, Mefail Rozani, me një skuadërkomandant e njëkohësisht mitraljer, Sotir Beçka (Bulgareci), u përleshën fytafytas me nazistët. Kokojka u kap njëkohësisht nga të dyja palët. Komandanti i batalionit u kacafyt me një oficer gjerman. Deri sa e rrëzoi përtokë të vdekur. Nazistët e tjerë u zmbrapsen. Por asnjeri s’shpëtoi i gjallë. Mtitralozi i Sotirit i kishte grirë… Gjermanët nisën një grup tjetër, për të kapur kodërzën, por kodërza mbahej tani edhe nga Mefaili me Sotirin edhe nga tre luftëtarë të tjerë me tre mitraloza gjermanë të kapur aty. Sotirit iu mbaruan fishekët. Fare afër, pa se po qëllonte një mitraloz i lehtë armik. U zvarrit dhe iu hodh sipër mitraljerit gjerman, i nguli thikën dhe i rrëmbeu mitralozin. E vuri armën mbi degën e një dushku dhe filloi t’i grinte armiqtë duke i qëlluar ata nga shpina. Shokët i bërtisnin qe të largohej ose të ulej poshtë e të qëllonte i shtrirë. Por ai as dëgjonte. I ishte ndezur gjaku… Një ushtar nazist arriti në shpinë të tij dhe e goditi në kokë me pushkën e vet… Mbeti Sotiri i vrarë. Hitlerianët prapë s’mundën ta pushtonin Kokojkën sunduese. Gjermanët e sulmuan për të tretën herë. U plagos për së dyti komandanti i batalionit…

(Veterani Xhaferr Peçi mbulohet nga emocione dhe përlotet).

Komandantin e larguan nga fushëbeteja… Kush e drejtonte luftën?

-Tani luftën nga kodërza e drejtonte komandanti i kompanisë, Mefaili. Kishin mbetur vetë i katërti nga dhjetë që qenë në fillim. Gjermanët që sulmonin i kalonin të tridhjetët. S’kaloi gjatë kur edhe bombat e dorës e fishekët u mbaruan. Ndërkohë, armiqtë mbërritën në Kokojkë. Tanët s’kishin më me se të luftonin. Të tre shokët, njëri pas tjetrit, Mefailit iu vranë… Atëherë ndodhi çudia. Mefaili iu turr njërit prej gjermanëve, e kapi për fyti dhe e shtriu për tokë. Kapi edhe një tjetër… por tre hitleriane njëherësh iu hodhën përsipër. Ai vazhdoi të luftonte me një fuqi vigane derisa një nazist i nguli bajonetën në bark. Kështu mbaroi, si hero…

Thatë se u kap maja e Kokojkës nga nazistët?

-Po, por kundërsulmuan partizanet e Grupit të Skraparit dhe nazistët u sprapsën. Në këtë kundërsulm u plagos rëndë Zylyftar Veleshnja me komisarin e grupit. Gjendja po bëhej alarmante. Po na mbarohej krejt municioni. Tërheqja nuk mund të kryhej pa humbje të rënda. Komandanti i Brigadës I priste me ankth të arrinte nga çasti në çast batalioni I. Vuri shpejt komandën e batalionit “Antonio Gramshi” në dijeni dhe i caktoi detyrën e kundërsulmit si edhe drejtimet më të përshtatshme. Dy minuta pas hyrjes së batalionit në veprim pylli nën Tendën e Qypit përsëri u ndez flakë. Kishte filluar të errej dhe që nga lart dukej sikur toka kishte marrë zjarr nën vete që shpërthente jashtë me furi dhe me gjëmime shurdhuese. Gjendja ndryshoi në dobinë tonë. Gjermanet u shkulën nga vendi dhe filluan të zmbrapseshin. Duke përfituar nga errësira e natës, luftëtarët tanë, që sulmonin në formë dare, munden t’u afroheshin armiqve pa u ndierë derisa t’i arrinin me bombat e dorës.

Sa zgjati Lufta e Tendës së Qypit?

-Gjashtë orë. Pas gjashte ore luftimesh të ashpra korrëm një fitore tjetër të madhe, e cila bëri jehonë dhe pati ndikim pothuajse vendimtar në dështimin e operacionit te mëtejshëm armik të dimrit. Fitorja e Tendës së Qypit u arrit me heroizmin partizan. Aty derdhën gjakun 13 dëshmorë: Mefail Rozani, Sotir Beçka (Bulgareci), Sulo Buxheli, Ago Topulli, Sabri Caka, Lekë (Aleks) Babaliu, Piro Gazepi, Fiqret Struga, Mario Kronika, Maksut Hyseni (Dobrenja), Gani Agolli, Xhuzepe Riki e një partizan me emrin Franko (italian), si edhe me gjakun e 12 shokëve te plagosur.

Bisedoi: Kristaq Laka